OpEd

Mirëqenia dhe konsumi

Në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016, në Kosovë buka dhe drithërat kushtojnë më shtrenjtë për 2.9 %, mishi për 0.5 % e peshqit 3.5 %, qumështi, djathi dhe vezët janë më shtrenjtë për 3.5 %, kafja, çaji dhe kakao 8.4 %, vaji dhe yndyrat për 3.6 %, pemët 12.8% dhe perimet për 1.4 %

Për të klasifikuar nevojat e njeriut, në vitin 1943, psikologu Abraham Maslow ndërtoi hierarkinë me 5 nivele, duke përcaktuar se çfarë është esenciale për një njeri. Plotësimi i secilës nga këto shkallë ishte sa i nevojshëm po aq edhe i domosdoshëm dhe nuk duhej parë assesi e tepërt tentim-arritja në majën e piramidës së nevojave. Maslow përcaktoi se në shkallën e parë gjendeshin nevojat themelore të njeriut, të domosdoshme për mbijetesë, si ushqimi, veshmbathja dhe strehimi. Në shkallë të dytë të hierarkisë zinin vend nevoja për siguri: sigurim të vetvetes, punës, shëndetit dhe familjes, duke vazhduar me shkallën e tretë në të cilën bënte pjesë nevoja për përkatësi dhe dashuri, më mirë thënë, domosdoshmëria të jesh pjesë e grupeve dhe njerëzve. Shkalla e katërt e nevojave njerëzore kishte të bënte me mirëqenien emocionale si vetëbesimi dhe respekti i ndërsjellë, ndërsa kur personi pritej të ishte në gjendje të zgjidhte probleme racionalisht, të mos paragjykonte dhe po kështu të ishte i moralshëm, përbënte shkallën e pestë të nevojave të njeriut.

Çka Maslow konkludoi ishte se për përmbushjen e komplet hierarkisë duhej të fillohej nga plotësimit i shkallës së parë, në mënyrë që pastaj të vazhdohej me radhë për përmbushjen e plotë të piramidës. Mirëpo, njerëzit që ende përballeshin me sfidat e shkallës së parë të mbijetesës, si rrjedhojë nuk do të kishin mundësi për të arritur kurrë në gjendjen e vetaktualizimit apo të përmbushjes personale.

Lidhur me plotësimin e nevojave elementare të njeriut, shtetet krijojnë skemat sociale, të cilat do të arrijnë të ofrojnë kushtet më të mira për jetesë për ata që nuk kanë të ardhura të tjera. Në ndërkohë, njerëzit që punojnë, anipse me pagesë minimale, duhet të arrijnë në përmbushjen e hierarkisë piramidale të mirëqenies pa ndihmën sociale të shtetit. Kështu pagesa minimale, sigurisht më e lartë se pagesat e skemave sociale, duhet të jetë në koordinim me kërkesën për plotësimin e kushteve elementare për mbijetesë dhe siguri. Marrë parasysh nevojat themelore të njeriut, atëherë vjen deri te dilema se cili është funksioni i pagës minimale në këtë rast, të paktën cilën shkallë të piramidës së mirëqenies kjo pagë arrin ta mbulojë?

Paga minimale: Në Evropë me rritje prin Rumania, pasuar nga Hungaria

Në procesin e rritjes së pagave nuk duhet neglizhuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik, përkatësisht kundërefektin që mund të kenë më shumë para të hedhura në treg, rritjen e shkallës së papunësisë dhe dëmtimin financiar të bizneseve. Por, në kalkulimin e pagës është shumë më prioritare se çfarë benefiti i sjell ajo përfituesit në raport me tregun. Në këtë rast me ndikimin e çmimeve të konsumit në pagë minimale, duhet kalkuluar se çka përballon të blejë përfituesi me pagën e tillë duke kombinuar vlerën e pagës kundrejt rritjes së çmimeve të konsumit në treg, apo i njohur si inflacioni. Në rastin konkret, tregues relevant merret shporta e konsumatorit me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), e përbërë nga blerja e prodhimeve ushqimore, pijeve alkoolike, duhanit, ato të shëndetësisë, transportit, vendbanimit dhe çmimet e energjisë, derivateve dhe shërbimeve të tjera. Ky tregues bën të ditur se a kanë ndryshuar çmimet në treg dhe sa kanë ndryshuar; çfarë është blerë me shumën e caktuar në vitin paraprak dhe nëse kapaciteti blerës në vitin aktual është i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Si rrjedhojë, mund të gjendet cili është raporti ndërmjet pagës minimale dhe çmimeve në treg, apo më saktësisht, çfarë arrihet të blihet me vlerën reale të pagës minimale.

Debatet e gjithanshme për rritjen apo jo të pagave, në shumicën e vendeve kanë arritur të prodhojnë qasje analitike të sofistikuara, ani pse jo gjithmonë kanë rezultuar në rritjen e menjëhershme të pagave. Për të treguar transparencë të nevojshme qeveritare, ato bëhen në koordinim me ekspertë të lëmive përkatëse, sindikata dhe unione, duke mos ia lënë gjithë përgjegjësinë vetëm qeverisë. Në 47 % të shteteve, paga minimale vendoset në koordinim të plotë mes qeverisë dhe ekspertëve të pavarur, derisa në 13% të shteteve qeveritë nuk marrin pjesë fare dhe vendosjen e pagës minimale e lënë në dorë të trupave të pavarura. Sigurisht, përkufizimi i ekspertit të pavarur në këtë rast, ka të bëjë me personin apo grupin, i cili ka kompetencë dhe ekspertizë të plotë në fushën specifike, pa qenë i lidhur as në mënyrë indirekte me qeverinë apo bizneset, pa pasur ndonjë lidhshmëri miqësore apo shfrytëzim të favoreve nga ato.

Bashkimi Evropian, duke i dhënë prioritet komponentit të pagesës së punëtorit, ka dallime sa i përket mënyrës së përcaktimit të kësaj page. Shumica e vendeve në BE, një herë në vit rishikojnë lidhjen mes pagës minimale dhe ngritjes së çmimeve apo inflacionit, derisa ka të tilla shtete që këtë e bëjnë edhe çdo 6 muaj. Derisa Greqia, Italia dhe Finlanda nuk kanë pagë minimale të përcaktuar me ligj, por atë e rregullojnë në proporcion me ngritje të inflacionit në mënyrë kontraktuale vjetore, ka të tilla vende si Sllovenia, Franca apo Belgjika në të cilat paga minimale rritet në mënyrë automatike ndikuar nga raporti korelativ me inflacionin, ku në rast se inflacioni arrin vlerën 2 %, në mënyrë proporcionale rritet edhe paga minimale. Në njehsim nuk merret parasysh rritja e çmimit të derivateve, alkoolit dhe duhanit. Por çka vlen të theksohet, është që përveç rritjes së pagës në koordinim me inflacionin, shumica e vendeve të Evropës paguajnë edhe kompensim për qytetarët në rast konstatimi se në vitin paraprak ka pasur inflacion. Si rrjedhojë, vetëm në vitin 2017, duke qenë se në tregun evropian kishte ngritje të çmimeve, ka pasur rritje të pagës minimale në shumicën e vendeve të Evropës. Kështu, Rumania prin me rritje të pagës minimale për 38 %, pasuar nga Hungaria me 15%, pastaj Republika Çeke me 11 %, Spanja me 8 %, Franca dhe Malta me 1%, dhe Belgjika me 2 %. Në të njëjtën kohë, nëse treguesit e inflacionit shënojnë rënie apo deflacion, ky rregullim deri më tani nuk ka pasur automatikisht kundërefekt në paga, apo të ketë ndikuar në zvogëlim të pagës minimale. Në rast se Evropa bazohet në raportin inflacion-pagë minimale dhe ngritja e çmimeve ishte jo pak e pranishme në vitet e fundit, shtrohet pyetja nëse janë reflektuar ngritjet e çmimeve në këtë treg, edhe në tregun e Kosovës? Për më tepër, sa është përcjellë ndryshimi në pagën minimale proporcionalisht me trendin e çmimeve të konsumit?

Kosovë: Inflacioni jo i dukshëm në statistika

Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka gjithsej 324.782 ekonomi familjare, mesatarisht me 5 persona secila. Në matjen e konsumit familjar, për konsumin e produkteve elementare, një ekonomi familjare në Kosovë shpenzon mesatarisht 7539 euro në vit, që i bie 625,25 euro për muaj. Ndërsa, në raportin e konsumit për kokë banori, në Kosovë një banor konsumon rreth 1.460 euro në vit, apo 121,66 euro.

Në konsumin e ekonomive familjare, përqindjen më të madhe e zë ushqimi (mishi, qumështi, vezët, buka dhe drithërat) me 49 %, pastaj pijet jooalkoolike dhe perimet me 17%, banimi me 29%, derisa veshmbathja, alkooli, duhani me 5%. Shëndetësia matet me çmimin e shërbimeve shëndetësore në institucionet publike, duke mos i marrë parasysh çmimet në institucionet private. Se sa janë të përjashtuar qytetarët nga shërbimet shëndetësore publike dhe sa shpenzojnë në shërbimet shëndetësore private, duhet një elaborim i veçantë. Mirëpo, duke u bazuar që konsumin më të madh familjet kosovare e kanë në prodhimet ushqimore, më saktësisht ushqim dhe pije joalkoolike, atëherë çka do të duhej të përcillej është luhatja e IHÇK në përgjithësi, apo përcjellja e çmimeve të përbërësve më të rëndësishëm të konsumit, përkatësisht ushqimi dhe pijet joalkoolike në veçanti.

Kur merret në konsideratë se si qëndronte niveli i çmimeve në Kosovë në vitin 2016, atëherë në vitin 2017, vërehet se inflacioni arrin ngritje për 0.9%. Duhet theksuar se ajo çka ka ndihmuar që inflacioni të neutralizohet në këtë nivel, është veçmas ndikimi i uljes për 3% i tarifave të energjisë elektrike nga ZRRE në mars të vitit 2017. Por, përjashtuar kësaj dhe shikuar përbërësit kryesorë të konsumit, mund të konkludohet se në Kosovë ka pasur ngritje të hetueshme të çmimeve të konsumit në nëntor të vitit 2017 krahasuar me atë të nëntorit 2016. Në këtë ngritje përbërësit kryesorë të konsumit si ushqimi dhe pijet joalkoolike, kanë shënuar një rritje me 2.1%, apo specifikisht buka dhe drithërat kushtojnë më shtrenjtë për 2.9 %, mishi 0.5 %, ndërsa peshqit 3.5 %, qumështi, djathi dhe vezët janë më shtrenjtë për 3.5 %, kafja, çaji dhe kakao për 8.4 %, vaji dhe yndyrat 3.6 %, madje pemët 12.8% dhe perimet për 1.4 %. I vetmi prodhim ushqimor që ka shënuar rënie është sheqeri me 2 %, krejt e kundërt me shtetet evropiane, të cilat po ndërhyjnë në ngritjen e çmimit të tij për shkak të efektit negativ për shëndetin e njeriut.

Sipas këtij indeksi, prodhimet elementare, sot qytetari i Kosovës krahasuar me një vit më parë i blen të gjitha më shtrenjtë së paku për 2 %, shifër kjo që në vendet evropiane do të kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Por do pasur parasysh se në këtë periudhë, paga minimale në Kosovë nuk është vetëm e ardhur personale e individit, pasi që 49 % e qytetarëve kanë deklaruar se janë ekonomikisht të varur apo që jetojnë me të ardhurat e dikujt tjetër ose të familjes. Ani pse konsum shumë modest dhe shportë shumë e varfër krahasuar me vendet e Evropës, konsumi i nevojshëm prej 625.25 eurosh në muaj për një familje 5-anëtarëshe kosovare, nuk arrin të mbulohet as nëse në atë familje punojnë 3 persona dhe marrin pagë minimale. Se a mund të ndërhyhet në çmime, apo duhet të ndërhyhet në nivelizim të pagës minimale, pa vonesë, më mirë thënë me urgjencë, kërkohet të vendoset nga institucionet kompetente.

Edhe pas çdo rritjeje të pagave, sipas psikologut Michaele Ungara, njerëzit akoma vazhdojnë të blejnë ushqime të shpejta, kamerierët ende vazhdojnë të punojnë e të shërbejnë, dhe njerëzit po kështu vazhdojnë të blejnë në shitoret ku çmimet janë më të lira. Kur bëhet përcaktimi i pagës minimale duhet pasur parasysh gjithherë edhe ndikimin që ka ky veprim në mirëqenien fizike dhe atë psikologjike të qytetarëve. Në rast të ndikimit negativ, përkatësisht kur vështirësohen kushtet e jetesës nga ngritja e çmimeve, atëherë ndërhyrja e qeverisë jo domosdoshmërisht do të thotë ngritje e menjëhershme e pagës minimale apo abstenimi nga kjo ngritje duke e bartur këtë si mbështetje për bizneset. Janë të njohura praktikat kur qeveritë kanë caktuar pagën maksimale, në mënyrë që të balancojnë të ardhurat në treg, me vendosjen e “tavanit” të pagës. Duke qenë që ende nuk ka ndonjë model unik të funksionimit të tregut, i pashmangshëm mbetet që funksionimi i mekanizmave qeveritarë të jetë kundrejt lehtësimit të jetesës për qytetarin. Këta mekanizma duhet të balancojnë çmimet e konsumit me paga minimale, pa marrë parasysh nëse ulin njërën apo rrisin tjetrën. Shikuar në kontekstin e Kosovës, sfida e qytetarit të saj mbetet fatkeqësisht ende plotësimi i nevojave të mbijetesës, që bëjnë pjesë në shkallën e parë të hierarkisë së nevojave të Maslow-it. Si rrjedhojë, i bie që është shumë ambicioze të pritet prej qytetarëve të Kosovës, që edhe nëse punojnë dhe fitojnë pagë minimale, të arrijnë vetëpërmbushjen e tyre, apo në gjendjen ku pritet që njeriu mund të zgjidhë probleme dhe të jetë racional.