OpEd

Vrit e pastaj kërcëno, kjo është politikë tipike e kryezyrtarëve të Beogradit

Sa për politikën e lartë të Beogradit, nuk do ta kisha shkruar as edhe një fjalë të vetme. Po shkruaj për ata që po bëhen se nuk po e shohin krimin.

Pse?

Se ajo politikë ka dekada që është dëshmuar e ridëshmuar se është politikë e krimit dhe e gjenocidit. Pastaj, edhe sot në majat e asaj politike gjinden njerëz që ishin bukur lartë, kur atje, në Beograd projektoheshin dhe ekzekutoheshin politikat e krimit e të gjenocidit. Dhe kjo na është e ditur shumë mirë.

Të gjithë e dimë, vendorë e ndërkombëtarë, se çfarë politika janë udhëhequr, se paku në tri dekadat e fundit në hapësirat e ish – Jugosllavisë, dhe më të freskat janë ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë në fund shekullin e kaluar (1998- 1999), ngjarje që pashmangshëm kanë sjell bombardimet 78 ditësh të NATO-s mbi infrastrukturën ushtarake e policore serbe.

Pastaj, të gjithë ata që janë marrë me politikë atyre viteve dhe merren edhe sot, kanë pasur rastin të dëgjojnë se çka kanë thënë ish-zyrtarë e zyrtarë të lartë të tashëm serbë për sulmin në kafenenë “Panda” në Pejë gjatë luftës.

Këta zyrtarë, përfshirë edhe presidentin e tashëm serbë, por edhe Vuk Drashkoviqi, si një nga ministrat e kohës, kanë dëshmuar se “sulmi në kafenenë “Panda” është kryer nga Sigurimi i Shtetit të Serbisë”. E pastaj është e ditur se para gjyqit serb janë nxjerrë shqiptarët.

Prandaj, vrasja (e Ivanoviqit) është parapërgatitur nga ata që po e shfrytëzojnë atë jo vetëm për t’i ndërprerë bisedimet politike që fare nuk është dashur të ndodhin dhe tani kërcënojnë?! Këta, qeveritarët e Beogradit e kanë ndezur zjarrin, e tani po i ngrohin dhe fërkojnë duart në atë zjarr.

As shqiptarët e as ndërkombëtarët nuk duhet të bëhemi të shurdhër e të verbër, që s’e dimë se në veriun e Kosovës, pushtetin faktik e kanë bandat e Beogradit që s’i përgjigjen Kosovës?! Për këtë ka paralajmëruar edhe i vrari, Ivanoviq, i cili e kishte ndjerë rrezikun nga ato banda.

Kështu është, kur GJND-ja e ka amnistuar Serbinë nga politikat e saja të gjenocidit?! E tani, ata sillen si viktima?! Dhe jo vetëm kaq, por edhe kërcënojnë. Pse jo! Pasi nga politikat e gjenocidit kanë dalë të palagur?!