Post-paradiso

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 18 janar 2018 12:32

Barsoleta shkon disi kështu: Një burrë vdes dhe kur shkon në botën tjetër i ofrohet mundësia të zgjedhë nëse dëshiron të qëndrojë në parajsë ose ferr. Ai kërkon që t’i shohë para se të vendosë përfundimisht dhe së pari viziton parajsën. Sheh mrekulli, fusha tërë gjelbërim e lule, lumenj e burime, qetësi e dashuri. Megjithatë, preferon që t’ia hedhë një sy edhe ferrit. Kur hyn brenda ka çfarë të shohë: Muzikë e vallëzim, pije e hare. Përplot fytyra të njohura në dalldisje, në të qeshura e lumturi. Pije e ushqim sa të duash.

I thotë burri këtij engjëllit, se i pëlqen parajsa shumë, por se ferri i duket shumë më interesant se parajsa monotone: i gjallë, tërheqës, intrigues, interesant. Por, nuk ka kthim më prapa, i thotë ai, gjersa burri nuk lëkundet nga vendimi. Dyert e mëdha mbyllen, ndërsa burri hidhet në vallëzim dhe kënaqësi, dehje e shoqëri.

Dhe pas nja njëzet minutave, tamam kur po kënaqej në maksimum, ndalet muzika dhe del roja me kosë në dorë: “OK, pauza mori fund, kërceni tash të gjithë sërish në flakë”!

 Babagjyshi bën biznes

Po pra njerëz. Edhe festat mbaruan dhe bashkë me to përfunduan edhe muzika, fishekzjarrët e mendimet e lumtura optimiste. Pas një mori rafalësh në ora 24 dhe torturës psikike që na dhanë programet tona “(shk)artistike” me plot muzikë tallava dhe fytyra të çoroditura “këngëtaresh”, secili prej nesh u zgjuam një mëngjes të ri, në një datë dhe vit të ri, por me dëshira të vjetra, që barten nga viti në vit. Sërish iu kthyem jetëve tona të zbrazëta jo me pyetjen: “Si do të jetë ky vit që po vjen?”, por me “Si do ta gjallnojmë edhe këtë vit që po vjen”.

Si zakonisht, Babagjyshi ia huqi edhe sivjet me Kosovën, duke i ngatërruar adresat për dhuratat e tij. Në vend të fëmijëve, e sidomos të atyre të varfër dhe të sëmurë, plaku mjekërbardhë shpërndau pa hesap dhurata për qeverinë: dha kiamet karrige për zëvendëskotësira, miliona euro falas për ambalazhues, pushime të shtrenjta, rritje rrogash, paga për deputetët që pushojnë, udhëtime luksoze, shumicë komunash për minoritete, shtëpi ëndrrash për liderë, ryshfete të majme, vila e banesa bashkë me shpenzime të tjera marramendëse. Dhe, në bazë të cilës rritje ekonomike u rritën rrogat në qeveri Babagjysh i dashur? Asnjërës? Veç pse t’u ka “tekë”? Bash mirë e ke. Edhe ti nuk punon më pa lekë.

Ndërkohë, ka plot fëmijë të sëmurë nën mëshirën e bamirësve, të tjerë rrugëve si lypsarë, pensionistë me paga qesharake dhe veteranë (të vërtetë) lufte në varfëri të skajshme.

Hajt se nuk ka dert. Me rëndësi nuk janë fëmijë e prindër politikanësh. Për vdekatarët e zakonshëm gjendet zgjidhje. Populli është i mirë, zemërgjerë, solidar. Le ta ndajë atë që ka. E ka ndarë dikur edhe për avokatët e “heronjve” të vet nëpër gjyqe ndërkombëtare e jo më për fëmijët e botës. Lum si ne që kemi heronj të gjallë. Ua kemi borxh lekun, shpirtin e vendin. Hajde gëzuar!

E si çdo vit, për festat e fundvitit u dhanë edhe filmat me babadimra, bredha dhe përralla kërshëndellash, kryesisht ku ndonjë njeri i keq, hajn ose egoist, pëson ndonjë atak dhe vdes, për t’iu dhënë në botën tjetër edhe një shans që të kthehet në këtë botë e t’i përmirësojë gabimet e veta.

Auh, paramendoni po të ishte kjo e vërtetë. Sa politikanë a punonjës të korruptuar do të shembeshin si domatet e kalbura natën e Viti të Ri. Por, kur s’e do, s’e do.

Eh, po! Patjetër edhe ai filmi me atë djalin që e harrojnë prindërit në shtëpi (sa edukative) dhe i cili bën një seri sherresh për t’i larguar dy hajnat qesharakë, që kërkojnë me këmbëngulësi e me çdo kusht, të futen brenda shtëpisë. Thua ti, njësoj si disa që i shesin shtatë lëkurë partish, për t’u futur në qeveri. Shumë e bukur! Ama që nuk mund ta heq shpresën se kur ta japin për të tridhjetën herë, do ta vërej edhe ndonjë detaj tjetër që më ka shpëtuar diku në vitin 2000. Megjithatë, nuk ka ndryshim, njësoj si shifrat e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë.

Populli tërë vitin e kaluar priti ca ndryshime që nuk erdhën asnjëherë, shpresoi për ditë të mira, por mbeti në terr, dha zemër, por mori shuplakë, deshi ndryshime por nuk ndryshoi fare, kërkoi të ndërrohet ky, ai, qeveria, opozita, gjendja, situata, por nuk provoi asnjëherë që ndryshimet t’i fillojë nga vetvetja. Normalisht. Jemi shumë të mirë për t’u ndryshuar, bile po të ishte e mundur, do klonoheshim secili nga dy.

E kështu, hë se po ndryshon kjo sivjet, hë se po ndryshon ajo. Sivjet po bëhemi me këtë e atë. Jo do të ndryshojë qeveria, jo do të ndryshojë politika kosovare. Jo po na japin sivjet vizat në pranverë, pastaj në verë, pastaj në dimër. Jo po bëhemi me karton të gjelbër, jo po hyjmë në UNESCO. Jo po burgosen të korruptuarit e keqbërësit e tjerë, jo po hiqet ndikimi i politikës mafioze nga gjyqësori, jo po vijnë ditë të mira për pensionistët, po ndërtohen rrokaqiej e salla të operës, shkolla, biblioteka, strehimore, kuzhina popullore, rrugë, spitale.

Kismet edhe ato bëhen. Kur bëhemi ne.

Detyrat e shtëpisë

Sidoqoftë, nuk mund të ankohemi se nuk ndodhi asgjë vitin e kaluar. Gjithë ato zgjedhje parlamentare e komunale, të paraprira me fushata të stërgjata parazgjedhore, gjatë të cilave ujku e delja u bënë miq, ndërsa të gjithë bashkë kundër njëri-tjetrit armiq, na lanë traumë kolektive popullore.

Deputetët taze, një herë morën kohë për t’u përshtatur në karriget e reja, pastaj në foltore e së fundmi bashkë me stinën, ia futën një gjumi dimëror. Tekefundit pse jo. Edhe po nxorën farë ligji, kujt po i hyn ai në punë? Kush e zbaton? Ne jemi popull aq i drejtë sa ligji nuk na duhet fare, ama hiç. Kush dëshiron bëhet dëshmitar, kush dëshiron nuk bëhet edhe nëse thirret. Kush dëshiron e burgosë dikë, kush dëshiron e fal. Më thjesht, ligjin e kemi si lojë hesapi, kush është më i forti. Deputetet i kemi thjesht për dekor. Aq shumë na pëlqejnë sa i paguajmë kot edhe një vit pas kryerjes së mandatit. Eh po. Çështja e vizave dhe qarkullimit të lirë. Kjo temë u bë aq bajate sa edhe fytyrat e liderëve tanë të pasluftës. Ama frikësohet njeriu mos po i dalin përpara edhe kur e hap frigoriferin. Në anën tjetër, bota na tha një herë luftojeni korrupsionin. Tash demarkacionin. Bëni Gjykatën Speciale. Këtë, atë.

Aman Evropë e dashur, mos ke edhe ndonjë kërkesë p.sh. me ia rritë koeficientin e inteligjencës kabinetit qeveritar? E kuptoj kur na kërkoni të falim toka, ta ndryshojmë historinë tonë, hajde ta paguajmë rrymën për serbët, hajde i lëmë serbët (dhe shqiptarë) kriminelë të lirë, por burgosim politikisht shqiptarë. Këto po. E kuptoj. Pa asnjë problem.

Por mos na thuaj të mos vjedhim, të mos e vrasim njëri-tjetrin, të mos korruptohemi e të mos fusim stërkambca njëri-tjetrit. Mos kërko të na ndryshosh gjenetikisht, dreqi e marrtë! Kur është boll-boll. Mos ia tepro allahile!

Plus, fqinjët tanë aq po na duan, sa secili po lufton të na ketë për vete. Herë jemi të Shqipërisë, herë të Serbisë, të Malit të Zi e veç të vetes nuk jemi. Aq shumë na duan përreth sa po na mbajnë të mbyllur rreth e përqark se mos po na ngjan gjë. Jemi të vegjël ende, të papjekur, ku dimë ne të udhëtojmë vetëm nëpër botë pa na kapur dikush për dore.

Tekefundit nuk edhe aq zor të merret viza. Ne jemi aq të kulturuar sa të mos protestojmë para ambasadave, por nuk përtojmë të presim me orë të tëra deri të na vijë radha për të aplikuar. Plus nuk është kah na shkohet askund. Jemi mirë këtu ku jemi, në Kosovën tonë të zhvilluar e të lulëzuar. Parajsë e vërtetë.

OK, Viti i ri kaloi, tash vazhdoni dhe jetoni në këtë tokë të mallkuar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha