Zjarr dhe zemërim

Enver Robelli Enver Robelli 18 janar 2018 08:16

Libri i Michael Wolff është një panoramë frikësuese mbi tollovinë në Shtëpinë e Bardhë. Kush mund t’i evitojë dëmet edhe më të mëdha nga presidenti vështirë i kontrollueshëm? Shpresat varen te këshilltari për Siguri Nacionale, gjenerali Herbert Raymond McMaster, dy gra, njëra gjeostratege, tjetra eksperte e Rusisë – dhe dy vëllezër të lindur në Kosovë.

Rrëfimin kryesor të javës revista gjermane “Der Spiegel” në numrin e fundit e fillon me këtë moto: “Njeriu më i fuqishëm i botës mohon se është një narcis budalla, senil, maniak i televizionit. Përkundër akuzave Donald Trump, një kloun me pullën e atomit, mbase do të qëndrojë në post. Në dëm të Amerikës dhe të botës”. Një konstatim brutal, madje edhe për një revistë të pamëshirshme si “Der Spiegel”. Por pas leximit të librit të Michael Wolff “Zjarr dhe zemërim”, çdo lexues do të arrijë pothuaj në atë përfundim që arrin edhe e përjavshmja gjermane. Kur ministri i tij i Financave e quan presidentin “idiot”, kur këshilltari ekonomik thotë se shefi i tij është “budalla si muti”, kur këshilltari i sigurisë e quan komandantin e tij suprem “hajvan”, atëherë gjendja në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë vërtet dramatike. Disa nga të cituarit në librin e Michael Wolff i kanë demantuar citatet, të tjerët kanë heshtur. Vetëm presidenti jo. Ai është i zemëruar, i tërbuar me përmbajtjen e librit që është bërë temë në SHBA dhe në opinionin botëror. Reagimet e tij pas botimit të librit janë një spërkatje e opinionit me acid. Në Twitter, mediumin e tij të preferuar, Donald Trump e ka parë të nevojshme të shkruajë se ai është mentalisht shumë stabil, një yll i televizionit dhe biznesmen i suksesshëm, i cili ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë sepse është “gjeni”, madje “gjeni shumë stabil”.

Një vit pasi mori detyrën e presidentit bota mund të bëjë bilancin: njëherë Trump kërcënohet me zhdukjen e Koresë së Veriut, pastaj thotë se dëshiron të telefonojë me diktatorin trashaluq të Penjanit. Njëherë thotë se do të rrëzojë “regjimin e mullahëve” në Teheran dhe do të anulojë marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit, pastaj tërhiqet. Njëherë thotë se do t’i dëbojë nga Amerika të gjithë ata të rinj nga vendet e tjera, të cilët kanë emigruar pa prindërit e tyre dhe qeveria e Barack Obamës u kishte premtuar se do t’ua legalizonte qëndrimin, mandej Trump befas flet për një “ligj dashurie” përmes të cilit – megjithatë! – do të lejoheshin të rinjtë të jetojnë në SHBA. Dhe në fund pyet politikanët republikanë dhe demokratë se përse SHBA-ja duhet të pranojë kaq shumë emigrantë nga “vendet e mutit”. Dyshimet për lidhje me Rusinë, sidomos gjatë fushatës elektorale, mbesin. Kandidati i parë për postin e këshilltarit për Siguri Nacionale, Michael Flynn, u detyrua të japë dorëheqjen pas 24 ditësh në post, sepse e kishte gënjyer zëvendëspresidentin mbi një takim me ambasadorin rus në Washington. Kandidati i radhës, John Bolton, nuk ishte pranuar për shkak se Trumpit nuk i pëlqente dukja e tij, sidomos një tufë qimesh të gjata mbi buzën e sipërme. Për Kosovën ky është lajm i mirë. Bolton është një kundërshtar i rrezikshëm i pavarësisë. Por Trumpi me gjasë as nuk e di ku i bie Kosova, Boltoni dështoi për shkak të mustaqeve.

Këshilltari aktual për Siguri Nacionale është Herbert Raymond McMaster, veteran i luftës në Gjirin Persik, duket se po përpiqet të krijojë pak rregull në Shtëpinë e Bardhë dhe të pengojë presidentin të mos shkaktojë dëme të mëdha. Trumpi nuk ishte i entuziazmuar me McMasterin, kur ky u prezantua. Trumpi e quajti monoton, ndërsa ditën tjetër, kur gjenerali erdhi jo i veshur me uniformë, por me një kostum paksa të gjerë, Trumpi tha se McMaster dukej si një përfaqësues i një fabrike të birrës.

Në një shkrim të revistës “The Atlantic” të publikuar në fillim të këtij muaji, bëhej me dije se që nga marrja e detyrës McMaster ka angazhuar rreth vetes “disa persona vërtet të talentuar”, si Nadia Schadlow dhe Fiona Hill, si dhe vëllezërit Bajraktari, Ylberin dhe Yllin, “dy prej njerëzve më të rëndësishëm dhe më të mirë në qeverinë federale”. Sipas “The Atlantic”, Ylber dhe Yll Bajraktari janë zyrtarë që vërtet kuptojnë se si kryhen punët në qeveri, ndërsa Schadlow merret me strategjinë nacionale të sigurisë dhe Hill me Rusinë e Vladimir Putinit, të cilën e njeh shumë mirë. Një ditë kur të marrë fund presidenca e ankthshme e Trumpit anëtarët e këtij ekipi kanë shumëçka për të treguar – nëse duan të tregojnë. Por nuk ka garanci që Trumpi të mbajë afër vetes këtë ekip. Në librin e tij Michael Wolff shkruan se kur kryestrategu i Trumpit, Stephen Bannon, i tha vajzës së Trumpit, Ivankës, “ti je një gënjeshtare e mallkuar”, presidenti reagoi kështu: “Të kam thënë se ky është një qytet i mundimshëm”. Ndërkohë Bannon është përzënë nga Shtëpia e Bardhë dhe tani së fundi u përjashtua edhe nga platforma propagandistike “Breitbart”. Ndërsa zhurma për librin e Michael Wolff po vazhdon, Washingtoni po e pret librin e radhës. Ish-shefi i FBI-së, James Comey, është duke shkruar “A Higher Loyalty”. Pritet të botohet në fillim të majit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli