OpEd

Rreziku për ndarjen e Kosovës rikthehet dhe duhet përsëritur nga Brukseli vijën e kuqe për këtë

Rreziku për ndarjen e Kosovës është rikthyer jo vetëm për shkak të punës së vazhdueshme të Beogradit drejt këtij skenari dhe për shkak të papërgjegjësisë së strukturës politike në Kosovë, por edhe për shkak të mungesës së një politike të qëndrueshme të BE-së, e cila sillet sikur nuk po e sheh këtë rrezik. BE-ja ka kapacitete teknike, financiare dhe burokratike për të lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka as guxim e as vullnet politik, e as lidership politik për ta parandaluar ndarjen. Prejse ka nisur dialogu, në vend që të hiqet përgjithmonë dilema e ndarjes, situata në terren ka ardhur edhe më afër ndarjes së Kosovës. Shtetet anëtare duhet të jenë më të qarta në tërheqjen e vërejtjes Zyrës së Federika Mogherinit për neglizhencë, e cila mund të çojë deri tek ky skenar i rrezikshëm për tërë rajonin

Duke menduar për dhjetëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës këto ditë shfletova edhe disa tekste nga arkiva për të rikujtuar se çfarë i parapriu këtij akti me të cilin Kosova mendoj se i arriti aspiratat e saja. Hasa në një intervistë me ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger, në atë kohë ambasador në Londër, ku edhe kisha zhvilluar intervistën.

Kjo pati ndodhur disa ditë pasi Trojka kishte përmbyllur tentativat për të arritur një zgjidhje të statusit të Kosovës me pajtimin e të dyja palëve dhe ishte kthyer përsëri në Propozimin gjithëpërfshirës, apo siç është pagëzuar në opinion Pakon e Ahtisaarit. Ischinger ishte një prej tre ndërmjetësve ndërkombëtarë. Ai përfaqësonte Bashkimin Evropian, ndërsa krahas tij ishin edhe dy përfaqësues, njëri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e tjetri i Rusisë. Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet pas asaj interviste.

Ndonëse me kujtohej se si Ischinger më pati thënë se në negociatat e statusit ishte parashtruar edhe pyetja për ndarjen e Kosovës, nuk isha i sigurt nëse këtë e pati thënë në bisedë joformale që patëm apo ishte edhe pjesë përbërëse e intervistës formale. Dhe po, ai e kishte thënë atë në intervistë publikisht dhe zyrtarisht. Kishte sqaruar se roli i Trojkës ishte që të dëshmonte se “asnjë gur nuk ka mbetur i palëkundur për të arritur zgjidhje me marrëveshje” dhe ai kishte dashur që, në emër të BE-së, të bëhet e qartë se të gjitha opsionet ishin në tryezë. Kështu ai kishte pyetur palët edhe për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Edhe Prishtina, edhe Beogradi ishin shprehur kundër. Prandaj, thoshte Ischinger, askush nuk mund të thotë se ky ka qenë një opsion i mundshëm që nuk është provuar.

Ndarja e Kosovës, sikur edhe bashkimi i saj me shtetet e tjera, është përmendur gjithmonë si një vijë e kuqe e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe gjithmonë janë sqaruar arsyet për një qëndrim të tillë. Bashkësia ndërkombëtare, sado që ka bërë gabime në rajonin e Ballkanit, një gjë deri më tash e ka ruajtur si parim. Nuk ka pasur ndryshim të kufijve me gjithë gjakderdhjen dhe luftërat që janë zhvilluar. Të gjitha shtetet e krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë janë bërë shtete në kufijtë administrativë që i kanë pasur si njësi federative në ish-shtetin e Jugosllavisë. Ky ka qenë edhe njëri ndër argumentet në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth pajtueshmërisë së shpalljes së pavarësisë së saj me të drejtën ndërkombëtare. Kjo e bën edhe shembullin e Kosovës të pakrahasueshëm me aspiratat për shkëputje të entitetit serb nga Bosnjë- Hercegovina apo të veriut të Kosovës. Kosova ka dalë si shtet në kufijtë administrativë që i ka pasur si njësi federale e ish- Jugosllavisë, një prej shtatë shteteve që janë krijuar nga 8 ish-njësi federale.

Serbia është munduar të pohojë se me pavarësinë e Kosovës tashmë është shkelur parimi i mosndryshimit të kufijve me dhunë, por një argument i tillë nuk është pranuar. Prandaj, nëse tash diku do të shkelej ai parim, atëherë me këtë do të hapej Kutia e Pandorës dhe Ballkani do të mundë të ndizej përsëri.

Rreziku për ndarjen e Kosovës është rikthyer jo vetëm për shkak të punës së vazhdueshme të Beogradit drejt këtij skenari dhe për shkak të papërgjegjësisë së strukturës politike në Kosovë, por edhe për shkak të mungesës së një politike të qëndrueshme të BE-së, e cila sillet sikur nuk po e sheh këtë rrezik. BE-ja ka kapacitete teknike, financiare dhe burokratike për të lehtësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk ka as guxim e as vullnet politik, e as lidership politik për ta parandaluar ndarjen. Prejse ka nisur dialogu, në vend që të hiqet përgjithmonë dilema e ndarjes, situata në terren ka ardhur edhe më afër ndarjes së Kosovës. Shtetet anëtare duhet të jenë më të qarta në tërheqjen e vërejtjes zyrës së Federika Mogherinit për neglizhencë, e cila mund të çojë deri te ky skenar i rrezikshëm për tërë rajonin.

Dialogu edhe ashtu është në një fazë shumë të paqartë. Ky dialog ka paqartësi edhe rreth së kaluarës së dialogut të deritashëm edhe për të ardhmen e tij. Ka një përzierje të dështimeve të mëdha dhe aspiratave të mëdha për një zgjidhje të shpejtë historike. Vetëm të kujtojmë se sa kohë ka kaluar prej kur ishte paralajmëruar hapja e urës në Mitrovicë e çfarë ka ndodhur, tash dëgjojmë afate të reja se “shpresojmë të hapet gjatë këtij viti!”. Pra, edhe Beogradi, edhe Brukseli tallen me njerëzit kur flasin se është siguruar “liria e lëvizjes” në veri të Kosovës. E mungesa e një lirie të tillë të lëvizjes nuk është e rastësishme. Krejt çfarë ndodh është ruajtja e variantit të ndarjes së Kosovës. Në praktikë Kosova tash e sa vjet është e ndarë. Dhe Beogradi mundohet ta imponojë këtë si një “realitet në terren” dhe ta shfrytëzojë si argument për ndarjen e Kosovës. “Nëse shqiptarët kanë mundur të ndaheshin nga Serbia, pse serbët e Kosovës të mos mundë të ndahen nga Kosova!”, janë argumente që dëgjohen shpesh nga serbët. Po ashtu edhe ato se “sikur shqiptarët e Kosovës nuk kanë dashur të jenën nën pushtetin e Beogradit, ashtu as serbët e Kosovës nuk duan të jenë nën pushtetin e Prishtinës”. Këto argumente janë dëgjuar edhe nga politikanët në pushtet në Serbi dhe kanë munguar deklaratat e qarta nga Brukseli se nuk do të lejohet ndarja. Kanë munguar edhe deklaratat, të cilat në vitet e para të pavarësisë janë dëgjuar shpesh, se kufijtë në ish-Jugosllavi janë përmbyllur dhe nuk do të lejohet më rivizatimi i kufijve. Fitohet përshtypja se zyrtarëve të BE-së të angazhuar në “lehtësimin e dialogut” në Bruksel u duket e logjikshme çfarëdo që thotë Beogradi.

Tash kanë nisur edhe të përshëndesin “dialogun e brendshëm për Kosovën” që e ka hapur në Serbi presidenti Aleksandar Vuçiq. Dhe nuk kanë sqaruar se ky nuk mund të jetë “dialog për Kosovën”, por dialog rreth qëndrimeve ndaj Kosovës. Fitohet përshtypja sikur pranohet se Kosova nuk ka status dhe tash prapë do të dëgjohen idetë nga Beogradi. Dialogu në Bruksel është dashur të ishte dialog mes Serbisë dhe Kosovës e jo dialog për Kosovën. Ka gjithnjë e më shumë diplomatë perëndimore që thonë se po dëgjojnë në kuluare ide për njëfarë lloj ndarjeje të Kosovës si opsione për të siguruar se “të dyja palët kanë fituar diçka”. Dhe anojnë se ide të tilla vijnë vetëm nga Beogradi. Me pranimin e ideve të tilla bashkësia ndërkombëtare rrezikon gjithë atë investim politik, ushtarak, humanitar dhe financiar që ka bërë në rajon. Nëse do të ndahej Kosova, kush do të mundë të parandalonte aspiratat e grupeve të tjera etnike në shtetet e tjera për ndarjen e tyre. Nëse do të bashkohej veriu i Kosovës me Serbinë si do të argumentohej kundërshtimi i ideve për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. E, siç kemi parë nga e kaluara e përgjakshme, ndarjet territoriale, qoftë edhe brenda një shteti e lëre më përtej kufijve shtetërorë, sjellin si pasojë edhe zhvendosje të popullatës e kjo shpesh bëhet edhe me dhunë. Prandaj BE-ja para së gjithash duhet të ketë kujdes që të mos i rrezikojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan duke heshtur ndaj ideve të rrezikshme, vetëm pse ato dikujt për shkak të thjeshtësisë së tyre i duken të logjikshme.