Të jetosh nën sanksione

Flaka Surroi Flaka Surroi 16 janar 2018 08:05

Ata që na e kanë sjellë jetën nën sanksione i kanë rehatuar veten dhe familjet e tyre, dhe pesë pare nuk i japin po qe se ka njerëz më të fuqishëm se ta, që ua tërheqin vërejtjen se nuk bën ta shikojnë interesin personal e ta shkatërrojnë atë të një shoqërie të tërë. Sepse maksimat që i udhëheqin i kanë marrë prej mbretërve francezë të shekujve XVII-XVIII: “Shteti jam unë” dhe “Pas meje, përmbytja”

Kësaj jave nuk pati pushime dimërore. Porse pati episode të reja të telenovelës “Vetëvendosje” dhe të dorëheqjeve që e pasojnë njëra-tjetrën me nga dy tri ditë pauzë ndërmjet. Psenë e një veprimi të këtillë e kam shumë vështirë ta deshifroj, sepse nuk po e kuptoj arsyen e vërtetë të gjithë kësaj.

Atë që po e mendoj është se po qe se partia e ka ndërmend të ndahet në dysh, nuk po e di pse po e tjerrin kaq shumë këtë punë, sepse për të dy taborët kjo paraqet humbje kohe: zgjedhjet me gjasë do të na ndodhin shumë shpejt – e këta si janë nisur duket se do të mbërrijnë në pikën që ndoshta as pragun zgjedhor nuk do ta kalojnë.

Ajo që dihet me siguri është se ata që nuk janë përkrahës të VV-së, porse ua kanë qitur votën, do të zgjedhin të mos i votojnë më, dhe që votën t’ia qesin “së keqes më të vogël”, apo në rastin më të keq, të mos votojnë fare.

E derisa dy rrymimet brenda ta mbajnë vëmendjen e opinionit me dorëheqje, në prapaskenë do të vazhdojnë të ndodhin gjërat ashtu siç u teket atyre që i bëjnë. Do të vazhdojmë të jetojmë nën sanksione.

Hera e parë me sanksione

Herën e parë që u pata ballafaquar me fjalën “sanksion” qe 1992-a. Lufta në Bosnje e kishte shtyrë KS të OKB-së që ta dënonte ish-Jugosllavinë me sanksione ekonomike për ta shtyrë që ta ndalte luftën. Pjesë e atij shteti ishte Kosova, tashmë edhe ashtu e dërrmuar, si rajoni më i varfër. Kush nuk na pyeti neve po qe se do të mundë t’i përballonim ato dhe si do t’ia bënim tutje. Tashmë 150 mijë veta i kishim humbur vendet e punës; kush e di sa qindra mijëra njerëz kishin ikur në Perëndim, sepse deri atëherë udhëtohej pa viza; ishim përjashtuar nga sistemet shkollore, shëndetësore e kulturore, dhe mbijetonim falë diasporës.

Kurrë e përjetë nuk do ta harroj hiperinflacionin që na bëri të gjithëve miliarderë – pronarë të shumë letrave që e humbnin vlerën brenda ditës. Nuk e harroj ditën kur më ra në dorë bankënota me 9 zero e me një 500-she përpara: 500 miliardë dinarë. Veç zerot t’i numëroje ish punë. Nuk e harroj as një gjashtë muajsh të tërë të cilin e kalova duke u zgjuar për çdo mëngjes në orën tre për të pritur në rresht që të blija bukë e qumësht (një bukë e një qese qumështi të Fushë-Kosovës) atëherë kur vinin kamionët nga ora 6.

Nga ora 7 nisesha për në punë, gati 30 minuta ecje, sepse litri i benzinës kushtonte 4 a 5 marka gjermane te “shvercerat”, kurse kuponët për 40 litra benzinë në muaj mund t’i shfrytëzoje njëherë kur do ta kishe fatin që të vinte cisterna, pasi kishe pritur nga mesnata deri në sabah në rresht, duke e shtyrë veturën me krah.

Detergjentin e vajin ushqimor do të mundë ta blije vetëm me të njohshëm, kurse kafeja, sheqeri e mielli do të shndërroheshin në produkte luksi. Të vetmen gjë që mund ta blije me bollëk ishin bananet që shiteshin në rrugë nga jo pak njerëz që kishin mbetur pa punë. Se nga vinin ato banane, një Zot e di.

Pasojat e sanksioneve më së shumti i ndiem ne. Na ndalej rryma, e kronikisht mbesnim pa ngrohjen e “Termokosit” që funksiononte me mazut. Pjesa më e madhe e popullatës tashmë jetonte në varfëri të skajshme, kurse spitalet nuk kishin as barna të listës esenciale. Shkollat e mesme funksiononin nëpër shtëpi private, shumica ishim të papunë, pa as mundësinë minimale për ta bërë një jetë normale, bile të dinjitetshme. Këto sanksione ndërkombëtare zgjatën gati tre vjet. Dhe po e them, të mos ishin organizatat ndërkombëtare që sillnin ndihma nëpërmjet “Nënës Tereze” dhe diasporës që na mbante, kush e di a ishim sot këtu.

Sanksione për së dyti

Kur iu nënshtruam sanksioneve për së dyti, tashmë kishte krisur lufta në Kosovë. Jetën e kishim të mjerueshme – nën flakë të luftës e të represionit e në skamje, nga e cila na shpëtonin sërish organizatat ndërkombëtare nëpërmjet “Nënës Tereze” dhe diaspora. Shkollat kryesisht qëndronin të mbyllura për shkak të luftës; spitalet menaxhoheshin nga stafi serb dhe kryesisht nuk kishin barna, pos atyre që ua dhuronin organizatat ndërkombëtare dhe shërbimi shëndetësor i “Nënës Tereze”; pothuajse të gjithë ishim të papunë dhe informoheshim kryesisht nga një gazetë dhe shumë gojëdhëna.

Përpjekja e bashkësisë ndërkombëtare qe dobësimi i Serbisë, ashtu që ta shtynte ta ndalte luftën. Porse Millosheviqit aq i bënte: ai e jetonte jetën luksoze të herë kryetarit të Serbisë e herë të ish-Jugosllavisë. Ai nuk kishte mungesa; para kishte sa të donte prej skemave të ndryshme kriminale; nuk mund të shkonte në Amerikë, ama në Rusi e kishte të hapur qasjen kur do të donte. Ai nuk e vuante skamjen e popullit të tij, e sa për Kosovën, do të donte ta shihte të rrafshuar me tokën dhe pa shqiptarë në të – pra nëse sanksionet do të ndihmonin në këtë qëllim, do të bënte pak që ato t’i ndalte.

Sanksione për së treti

Tashmë shumë herë e kam përsëritur se kurrë nuk e kisha parafytyruar jetën në Kosovën e çliruar kështu çfarë e kemi sot. Që e ndien njeriu veten se jeton nën sanksione të përhershme, kurrë nuk e kisha besuar. Por përderisa ato sanksionet që i kanë futur ndërkombëtarët para gati 30 vjetësh kanë pasur për qëllim ta ndalin të keqen, këto të cilat i jetojmë tash vetëm sa na e bëjnë jetën edhe më të mjerë.

Dënimi më i madh që ka përjetuar Kosova e pasluftës është të udhëhiqet nga njerëzit që e udhëheqin që nga 1999-a.

Fillimisht nën hijen e UNMIK-ut, e më pas kur i morën të gjithë dizginat në dorë, Kosovën e kanë udhëhequr njerëzit që besojnë se popullin duhet dënuar, për t’u treguar ata të suksesshëm në qeverisje. E populli që lejohet të jetojë i dënuar me këso qeverisjeje e jete, me gjasë edhe nuk meriton më mirë, sepse vetë lejon të shkelet. Populli i cili nuk e ngre zërin ndaj ama asnjë sendi të keq që zhvillohet në këtë shoqëri, nuk mund të presë që dikush nga jashtë do të vijë t’ia zgjidhë problemin. Sepse këtë problem e ka krijuar vetë. Porse duket të jetë aq i mjerë, sa në fund dikujt do t’ia thyejë zemrën, aq sa për ta mbrojtur bile edhe një herë, qoftë kjo për herë të fundit.

Përderisa edhe mund t’i gjendej një shpjegim psikologjik tiparit mazokist të kosovarëve që u shpërfaq pas fundit të luftës, si shpjegohet që ky tipar të mos ketë ndryshuar fare, apo krejt pak, së paku në dhjetë vjetët e Kosovës shtet i pavarur? Populli i cili është mësuar të vuajë nga represioni nuk do të duhej t’i nënshtrohej atij, por, përkundrazi, do të duhej gjetur mënyrën për ta luftuar atë dhe për ta kthyer jetën në normale.

Sepse represion nuk është vetëm rrahja brutale e policisë dhe arrestimi arbitrar apo vrasja. Është shkelja e të gjitha të drejtave që garantohen me akte universale. Kosova e dhjetëvjetorit të Pavarësisë i ngjet në shumë gjëra, hiç lirinë dhe mungesën e aparatit represiv serb, Kosovës së sanksioneve ndërkombëtare. Shkollat i kemi të hapura, porse e kemi shkallën më të lartë të analfabetizmit funksional në rajon; kemi spitale e mjekë, porse institucionet tona shëndetësore nuk kanë as barna të listës bazike; kemi ekipe të sportit e nuk kemi as stadiume e palestra; kemi muzikantë të talentuar dhe ende e kemi veç të papërshtatshmen Sallë të Kuqe për koncerte; kemi shkallën më të lartë të varfërisë dhe shkallën më të lartë të papunësisë. Dhe të mos ishte diaspora, me gjasë i fundit do ta fikte dritën rrugës për në Perëndim.

Sanksionuesit

E ata që na e kanë sjellë jetën nën sanksione i kanë rehatuar veten dhe familjet e tyre. Deklarimet e tyre të pasurisë i fshehin faktet e vërteta për paranë që e kanë. Kanë përhapur rrjetet e tyre në të gjitha anët, saqë kanë krijuar kategori të njerëzve të paprekshëm që nuk i zë ligji. E gëzojnë mbrojtjen e policisë dhe të gjyqësisë. E kanë fuqinë për ta pezulluar zbatimin e ligjeve, ndërkohë që u “grahin” agjendave të veta ashtu siç ua merr mendja.

Edhe pesë pare nuk i japin po qe se ka njerëz më të fuqishëm se ta, që ua tërheqin vërejtjen se nuk bën ta shikojnë interesin personal e ta shkatërrojnë atë të një shoqërie të tërë. Sepse maksimat që i udhëheqin i kanë marrë prej mbretërve francezë të shekujve XVII-XVIII: “Shteti jam unë” dhe “Pas meje, përmbytja”.

U desh të vinin dy diplomatë për t’iu treguar edhe një herë se intenca për ta pezulluar Specialen është gjë e cila do ta izolojë Kosovën edhe më shumë seç është. Njëri thotë “Specialja është e padrejtë”, e tjetri thotë “Unë i respektoj vendimet e Kuvendit”, pra edhe pajtohemi t’i bartim pasojat, se nuk e kemi ndërmend me u ndalë. Punë e madhe që nuk i pyesim njerëzit se çka kanë për të thënë për këtë punë.

U desh që edhe BE-ja të dilte me një komunikatë për ta thënë të njëjtën gjë, dhe tash nëpërmjet zëdhënësve të tyre t’i japin të njëjtat përgjigje. U desh në fund mohimi i një vize për të treguar se vërejtjet që vijnë nga amerikanët janë serioze. Përgjigjja qe shpotitje me të gjithë: “Unë e marr vizën, por mediat s’kanë viza”, e thënë në çastin kur e kumtoi publikisht se ishte pajisur me pasaportë të Republikës së Shqipërisë. Porosi më ofenduese sesa kjo për kosovarët që janë të vetmit që s’gëzojnë liberalizimin e vizave nuk e di a ka.

Getoizimi i Kosovës është rezultat i drejtpërdrejtë i punës së sanksionuesve të popullit të Kosovës. Mjerimi, arsimimi i dobët, rënia e kulturës, shëndetësia për toke janë “arritjet” më të mëdha të tyre, krahas pasurimit të tyre të paskajshëm. Ne si popull jemi treguar të paaftë për ta bërë ndryshimin dhe ua kemi lënë të gjitha rrugët hapur. Aq sa kanë qenë në gjendje t’i manipulojnë edhe të huajt, e t’i bëjnë të besojnë se pa këta Kosova nuk do të mundë të ekzistojë.

Kosova do të mbijetojë edhe pa ta, por përfundimisht këtij populli i vyen ndihma nga jashtë. Por jo më në trajtën e misioneve të shtrenjta e të kota që ua kanë harxhuar paratë atyre. Por në trajtën e të tillëve që sanksionet do t’i zbatojnë ndaj atyre që e kanë merituar për krejt të këqijat që janë në gjendje t’i bëjnë vetëm për ta shpëtuar veten. Ndaj atyre të cilët nuk duhen lejuar ta përmbysin këtë vend, veç pse e ka një popull ende të papjekur që jeton me ëndrrën se gjërat gjithmonë rregullohen vetë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi