Po t’iu ishin refuzuar vizat për korrupsion?

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 14 janar 2018 08:00

Refuzimi i vizës amerikane kryeministrit duket se ndezi sa i përket Speciales. Nuk u përfill asnjë paralajmërim për rrezikun që e priste Kosovën në rrafshin ndërkombëtar! Po t’iu ishin refuzuar vizat udhëheqësve të pangishëm për shkak të korrupsionit, do t’i kishim dashur aleatët e huaj dyfishin e dashurisë që na çliruan para 20 vjetësh.

Po sikur ndërkombëtarët të ishin ndezur kështu për vjedhjen e shtetit? Po t’iu ishin refuzuar vizat udhëheqësve të pangishëm për shkak të korrupsionit, do t’i kishim dashur aleatët e huaj dyfishin e dashurisë që na çliruan para 20 vjetësh. Dëmi më keq bën kur vjen nga brenda. Dhe kjo u lejua të ndodhë përgjatë dy dekadash, nga ne qytetaria e “lodhtë” dhe nga miqtë ndërkombëtarë. Madje vetë ne, të dy palët, u dhamë pushtet njerëzve që e shtrydhën Kosovën. Të parët duke ua dhënë votën e të dytët duke i afruar ngat vetes e duke ua mësuar maniret. Për t’i shndërruar kështu në forca mutante politike të dala ndoresh.

Kjo u vërtetua më së miri me shpërfilljen totale që ua bënë paralajmërimeve amerikane e evropiane për dëmet që do t’i pësonte Kosova nëse do të kalonte Ligji që e shfuqizon Specialen. Nuk u zmbrapsën kur iu tha: Nuk do të pengohet iniciativa ruse në Këshill të Sigurimit për themelimin e një tribunali; do të kthehet Kosova në 1244; do të ftohen të gjitha shtetet që sipas së drejtës ndërkombëtare të ndjekin individualisht krimet e luftës; do të tërhiqen ambasadat; do të tërhiqen njohjet… Por nisën të mendojnë dy herë veç atëherë kur kryeministrit iu refuzua viza amerikane. Atëherë kryeparlamentari doli me një letër, në të cilën më shumë se që tregoi se nuk do të zhbëhet Specialja, akuzoi LDK-në e VV-në që bllokuan nisëm e fundvitit për zhbërjen e saj. Për t’i dhënë edhe më shumë ngjyrë hipokrite tha që letrën e ka shkruar kaherë, por e ka mbajtur për vete të mos i shqetësonte qytetarët. Që ta dijë kryeparlamentari, qytetarët do të kishin festuar më rehat po ta kishte shkruar vërtet e botuar para festave, sepse për një moment nisën t’i çelin sytë e ta shohin esëll rrezikun ku udhëheqësit janë të gatshëm ta fusin Kosovën.

Kryetari, ndërkohë, u tregua më i guximshmi. Ka disa muaj që ka nisur të hedhë gurë mbi Gjykatën që vetë e solli. Dikur manipuloi veteranët që të nisnin peticion. Pastaj deputetët e ish-partisë. Krejt duke e fshehur dorën. Tash e akuzon bashkësinë ndërkombëtare se po e pengon demokracinë parlamentare dhe se po bën presion të dhunshëm ndaj proceseve. Kryetari nuk heq dorë, ndërkohë që shpalos aftësitë komunikuese si një nxënës shembullor i shkollave perëndimore të PR-it.

Kryeministri nga ana tjetër u bë viktima e parë e Speciales. Jo me aktakuzë, por me refuzim vize. Ky qe ilustrimi më konkret se për çka bëhej fjalë kur përmendej presioni ndërkombëtar. Edhe kryeministri, sikurse kryetari, pati thënë se nuk do të lejohet të mos respektohet fjala e sovranit, kur qe pyetur për këtë presion. Ra Specialja e nisën ta respektojnë atë. Tha se partia e tij e ka kundërshtuar këtë gjykatë që nga fillimi dhe se është parti parimore që të njëjtin qëndrim e mban edhe tash. Shpërfilli plotësisht kontekstin e ri, ngjashëm sikurse edhe paralajmërimet për rrezikun e mundshëm. Ndërkohë u pajis me pasaportë të Shqipërisë, që së paku Schengenin ta ketë të sigurt.

Ajo që të dy, kryetari dhe kryeministri, po synojnë të bëjnë është të mbajnë pozicion “neutral” karshi Speciales derisa respektojnë vullnetin e sovranit. Edhe Presidenca, edhe Qeveria mund të sponsorizojnë vetë Ligjin për shfuqizimin e Speciales. Bile mundet edhe që të dyja në të njëjtën kohë ta bëjnë këtë, njëjtë sikur me Ligjin për ushtrinë, por i cili ka një fat tjetër. Për Specialen kanë strategji tjetër, duke ndjekur kështu traditën që u ka ndezur deri më tash, e që të dalin të pastër para miqve ndërkombëtarë.

Por kësaj radhe qenë vetë këta miq që ua zbuluan sekretet. I pari, që këta persona ose të afërmit e tyre mund të jenë në listat e Speciales, dhe sekreti i dytë, që këta njerëz, me të cilët kanë bashkëpunuar me vite të tëra, janë në gjendje ta rrënojnë Kosovën për interesa personale. Dhe nuk është diçka që nuk është ditur e që nuk është raportuar. Bile këtë sekretin e dytë ne qytetarët e kemi ndier në lëkurë, derisa udhëheqësit tanë dhe miqtë ndërkombëtarë përpiqeshin “ta ruanin stabilitetin” në Kosovë. Është mirë që më në fund edhe ata po i ndiejnë paksa flakareshat e duarve muskulore, me të cilat për dy dekada bashkë kanë pirë verë në gota kristali të hollë. Mbase mund ta paramendojnë se si ndihemi ne mileti kur këta njerëz nuk i përmbushin obligimet ligjore ndaj nesh (na vjedhin), sikurse po synojnë të mos i përmbushin obligimet që i kanë marrë vetë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Mbase do të mundë t’ua ndalonin shëtitjen nëpër botë me paratë tona, meqë ne të paaftit nuk po mundemi t’i ndëshkojmë këtu.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi