Po shihet kaçiku i tyre!

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 13 janar 2018 07:58

10-vjetori i Pavarësisë do të duhej të shërbente edhe si një afat prerjeje. Është koha për ndryshim rrënjësor të qasjes ndaj qeverisjes së vendit dhe ndërrim të figurave kryesore të politikëbërjes së këtyre 20 vjetëve të fundit

URIMET MË TË mira për ty dhe më të dashurit për Vitin e Ri 2018! Ky urim i thjeshtë mirësjelljeje i shpërndarë nga të gjithë në kapërcyell të moteve duket se kësaj radhe iu ka nevojitur më së tepërmi kosovarëve.

Secili do të ketë dëshiruar thellë në vetvete që urimi të realizohet.

Viti i fundit nuk ka qenë i lehtë. Njësoj si dhe disa të tjerë para tij.

Kosova, dikur shteti më optimist në botë, tashmë ka filluar ngadalë t’ua lëshojë të tjerëve vendet e para në top-listë.

Kryesimi i top-listës së optimistëve më herët mund të interpretohej në stilin “e dimë që nuk është mirë, por s’mund të bëhet edhe më keq – prandaj jemi optimistë”. E dhimbshmja sot është se duket që një pjesë në rritje e popullatës e dinë që nuk është mirë, por edhe nuk presin shumë që të bëhet më mirë nesër.

E PRA, DO të duhej të ishim në një vit festeje.

Kosova, shteti ynë i vogël, pas disa javësh do t’i mbushë plot 10 vjet nga shpallja e Pavarësisë së saj. Këto 11 mijë kilometra katrorë nuk janë qeverisur në mënyrë të pavarur nga shqiptarët asnjëherë gjatë historisë. Rrumbullakimi i 10 vjet qeverisjeje të pandërprerë nga shqiptarët do të duhej të shënonte kulmin e ambicies së brezave të tërë përgjatë shekujve. Me të drejtë!

Mirëpo, edhe në këtë 10-vjetor, si në çdo jubile tjetër, pashmangshëm mendja na shkon te bilancet.

Çka bëmë për këta 10 vjet?

Kërkesa për vetëqeverisje zakonisht mburset me idenë e përmirësimit të mirëqenies, zhvillimin e territorit të qeverisur, përparimin e shoqërisë.

Natyrisht se absolutisht asnjë krahasim me vitet para 1999-s nuk është as i drejtë, as me ndonjë vlerë matjeje, mirëpo a ecëm me hapa të mëdhenj përpara pas 17 shkurtit 2018, krahasuar me 9 vjetët e parë të lirisë?

Shumica nesh do të donin të përgjigjeshin me një “po” të fortë, por kjo duket të jetë e vështirë. Kosova është larg nga ajo që e kishim pritur.

Aq më tepër, në vitin kur po mbushen 10 vjet të shtetit të pavarur, ka qytetarë të brengosur të cilët frikësohen se edhe po luhen vetë themelet e tij.

VITI 2018 na gjeti përballë zhgënjimit të madh të shteteve që na ndihmuan ta bënim pavarësinë, e pa ndihmën e të cilëve sigurisht se kjo as që do të ndodhte.

Shtetet e Quintit, siç quhet rëndom 5-shja e madhe e demokracive perëndimore, bashkërisht edhe me anë të një letre, në vend se të na uronin 10-vjetorin e pavarësimit (duke rikujtuar se “ishin miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira, që nga mbështetja e tyre për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve perëndimorë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të Pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e saj”), kërcënuan me pasoja të rënda në “procesin e integrimit ndërkombëtar dhe euroatlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë”.

Për të çuar tutje edhe seriozitetin e kësaj porosie, SHBA-ja nuk i dha vizë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Tash, paramendojeni sa është vlerësuar se e ka tepruar klasa politike kosovare, derisa shtetet më përkrahëse të saj kërcënojnë hapur dhe nuk e pranojnë për vizita të parin e Qeverisë!

Nëse dikush do ta përshkruante një situatë të këtillë si të mundshme në kohën e shpalljes së Pavarësisë, do të cilësohej si dashakeq i lig.

Mirëpo, çka të thuhet për vetë përfaqësuesit politikë të Kosovës, të cilët me papërgjegjësinë e tyre qeverisëse e sollën kaq shpejt vendin në këtë derexhe!

10-VJETORI I PAVARËSISË do të duhej të shërbente edhe si një afat prerjeje. Është koha për ndryshim rrënjësor të qasjes ndaj qeverisjes së vendit dhe ndërrim të figurave kryesore të politikëbërjes së këtyre 20 vjetëve të fundit.

Po shihet kaçiku i tyre.

Qytetarët s’kanë përse të mbesin peng të keqqeverisjes së askujt!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Te dua Amerike15/01/2018 10:36

Ne vitin 1999 demokracia amerikane dhe shtetet perendimore ja tregun vendin millosheviqit dhe hegjemonizmit serb, tash ka ardhe koha me ua tregu vendin "komandantave çlirimtare " qe ja kan vnu lakun ne fyt popullit dhe pe ngulfatin ngadal ngadal.

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi