Letër e hapur Veteranëve të luftës

Belul Beqaj Belul Beqaj 12 janar 2018 14:23

Nuk po kuptoni, apo nuk po dëshironi të kuptoni, se të dyshuarit potencialë nga GJS-ja, të veshur me pushtet e kanë penguar drejtësinë kosovare për të mos u marrë me krimet e serbëve në Kosovë, ngase zbardhja e disa krimeve serbe, por edhe ndaj disa shqiptarëve, do të zbardhte eventualisht edhe krimet e tyre. 

Të nderuar veteranë, Të gjithë qytetarët normalë të Kosovës kanë dëshiruar çlirimin nga regjimi i dhunshëm dhe diskriminues i Serbisë. Secili prej tyre është sjellë dhe ka kontribuar sipas mundësive dhe mënyrës së vet. 

Mes atyre jam edhe unë. Deri në përfundim të luftës kam shkruar dhe raportuar nga terreni, isha këshilltar politik në rrethana luftarake dhe të tranzicionit, bartës dhe asistent i aktiviteteve humanitare, dëshmitar i lindjeve, plagosjeve, vdekjeve… Këtë përshkrim e bëra për ata veteranë që nuk njohin kontributin e të tjerëve. Për ata veteranë që e dinë kontributin e të tjerëve, por megjithatë mendojnë se kanë më shumë të drejtë për të mbrojtur “pastërtinë e luftës çlirimtare” se të tjerët. 

Por, edhe për të argumentuar motivin e shkrimit. Prandaj, po shkojmë radhazi… Së pari,në fillim të rezistencës së armatosur si ‘freelancer’ kam bashkëpunuar kryesisht me televizionet gjermane ARD dhe SAT-1 nga, pak a shumë, të gjitha zonat e luftës. Kam takuar komandantë që kanë rënë për idealet e veta dhe komandantë që janë edhe sot në pozicione të ndryshme,por shumë larg idealit të Komandant Adem Jasharit. Besoj se edhe disa prej jush me keni takuar dhe ndihmuar në shumë zona operative. 

Gjatë kësaj periudhe kam raportuar nga shumë ngjarje tragjike, dramatike,humanitare... Për të përgatitur një temë nga lufta më ka ndodhë që brenda një dite 19 herë të na ndalin militarët, policët specialët serbë… Fillimisht, disa ditë, pas masakrës së familjes së Komandantit Adem Jashari në Prekaz, pasi që lejuan zyrtarët serbë, për televizionin zviceran për heroizmin dhe flijimin e familjes Jashari, pastaj nga Shtutica, derisa granatohej Polaci,ku ishte goditur nga granata në oborrin e shtëpisë (sa më kujtohet, familja katëranëtarësh Zeqiri), Golluboci, për pushkatimin e 13 shqiptarëve, pas raportimit, kam zhvilluar intervistën me të mbijetuarin e vetëm, të cilin e kemi evakuuar përmes një ambasadori (V.P) jashtë Kosovës, meqë ka qenë shumë i rëndësishëm si dëshmitar i tragjedisë. 

Kam raportuar nga Mleqani, ku militarët serbë e kishin hedhur ne pus dhe kanë vrarë… nga Obria e Epërme për tragjedinë e Delijajve, me pëlqimin dhe mbështetjen e gazetarit Peter Snicerit (SAT-1) kemi shpëtuar jetën e një të plagosuri nga lagjja “Bytyqi” në Orllat… Së dyti,me ftesën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, Adem Demaçi, kam qenë këshilltar politik deri para Konferencës së Rambujes. 

Së treti, me ftesën e Shtabit të përgjithshëm, përmes “lidhjes” në Strugë, kam përfunduar në Tiranë me të ndjerin Ajri Begun, z. Agni Dikën. Në Tiranë na kanë pritur z. Azem Syla, Jakup Krasniqi, Billall Sherifi, Xhavit Haliti… Edhe pse isha nisur për “mal” kërkesa e tyre ishte që të ndihmoja në punët politike, intelektuale, propagandistike ngase z. Krasniqi më tha: “për mal kemi mjaft, por nuk kemi njerëz të penës”. Së katërti, në Tiranë isha deri kah mesi i qershorit… dhe vazhdova angazhimin e filluar në Tiranë në cilësinë e këshilltarit politik të kryeministrit deri në përfundim të Qeverisë tranzitore në Prishtinë. Të nderuar veteranë, Këtë rrëfim të shkurtër e bëra për të gjithë ata veteranë që mendojnë se e kanë në pronësi ekskluzive mbrojtjen e pastërtisë së luftës së drejtë çlirimtare.

Për veteranët që janë të bindur se në luftën tonë të drejtë nuk ka pasur akte të tmerrshme që përshkruhen në Raportin e Dik Martit, prandaj edhe nuk frikohen nga ballafaqimi me të kaluarën. Për ata veteranë që nuk janë të informuar se kam qenë edhe unë, kategorikisht kundër formimit të GJS-së, për shkak se ka rrezikuar sovranitetin juridik, pavarësisht se Kosova deri sot s’ka pasur sovranitet të plotë. Për ata veteranë që nuk dëshirojnë për të kuptuar se sot, jam kategorikisht kundër shfuqizimit të GJS-së, ngase po bëhet ekskluzivisht për të shpëtuar të dyshuarit potencialë të krimeve në dëm të konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe rrezikimit serioz të miqësisë së dëshmuar ndërkombëtare, pa të cilën nuk do të kishim këtë shtet të brishtë. 

Për ata veteranë që nuk i kanë bërë presion kryeministrit, në kohën e duhur, por kanë pranuar presionin e tij për formimin GJS-së me protesta sa për sy e faqe e po u bëjnë presion sot atyre që me kohë e kanë kundërshtuar! Për ata veteranë që mendojnë se shteti i Kosovës mund të konsolidohet deri sa e ka këtë hipotekë publike ndërkombëtare. Për ata veteranë miopë që nuk kuptojnë apo nuk dëshirojnë të kuptojnë se hipoteka që iu vesh Kosovës për krime të tmerrshme është barrë shumë e rëndë për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Për ata veteranë që nuk kanë bërë peticion kur është rrezikuar sovraniteti juridik i shtetit (2015) dhe kanë bërë peticion për të “shpëtuar” individët që e kanë sjellë shtetin në këtë derexhe. 

Për ata veteranë që nuk dëshirojnë të kuptojnë se është barrë shumë e rëndë, për të gjithë njerëzit e ndershëm që kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë për drejtësi, akuza, gjoja se, për trafikim organesh. Për ata veteranë, që nuk kuptojnë, apo nuk dëshirojnë të kuptojnë se nëse shfuqizohet Ligji për GJS-në, vetëm do të zmadhohen dhe thellohen pasojat të cilat janë krijuar edhe për shkak të tendencës për shfuqizim. Për ata veteranë që po i injorojnë pasojat e krijuara, dhe vërejtjet që po vijnë nga ata të cilëve po ua vendosim “thikën pas shpine”, po na tërheqin vëmendjen që t’i hapim sytë, për të mos rënë në greminë. 

Për ata veteranë që duke mbrojtur të dyshuarit për krime potenciale po i sjellin në dyshim të gjithë veteranët dhe shtetasit e ndershëm dhe shtetin e Kosovës. Për ata veteranë që po i sjellin në dyshim edhe arsyet e intervenimit të aleancës ndërkombëtare ushtarake, pa të cilën nuk do të gëzonim sot lirinë, ndërsa veteranët, këtë status… Të nderuar veteranë, shteti i Kosovës është në “rrugë të dështimit”, këtë po e dëshmojnë krizat ciklike, këtë po e thonë edhe miqtë e dëshmuar të Kosovës. Shtetasit e Kosovës, e veçmas veteranët duhet me guxim të përballen me të keqen e mundshme. 

Duke u instrumentalizuar nga individët që potencialisht e kanë përlyer luftën çlirimtare për motivet dhe interesat e veta nuk është mirë të shndërroheni si përfitues të çastit! Ngase, do të përfundoni padrejtësisht si diga të cilat kanë mbrojtur ata që ia kanë vënë hijen e zezë luftës së pastër dhe e kanë rrezikuar konsolidimin e shtetit. Nuk po e “shihni malin prej drurit”. Nuk po kuptoni, apo nuk po dëshironi të kuptoni, se të dyshuarit potencialë nga GJS-ja, të veshur me pushtet e kanë penguar drejtësinë kosovare për të mos u marrë me krimet e serbëve në Kosovë, ngase zbardhja e disa krimeve serbe, por edhe ndaj disa shqiptarëve, do të zbardhte eventualisht edhe krimet e tyre. 

S’do mend, Gjykata Speciale është e padrejtë, është një nacionale, por pse nuk po e pyetni veten dhe ata që mendoni se do t’i mbroni, të nderuar veteranë, kush e ndaloi drejtësinë e Kosovës që 18 vjet të mos ngrejë padi për serbët të dyshuar për krime të luftës ?! Pse nuk pati 18 vjet peticion nga ju! Derisa, me të drejtë, po akuzoni ndërkombëtarët pse kanë formuar GJS-në kundër individëve shqiptarë të dyshuar për krime potenciale, pse po i mbroni individët e caktuar të pushtetit, të cilët s’i ka penguar askush, s’i pengon as sot për t’u marrë me krimet serbe në Kosovë. Kush është fajtor! A mos vallë amerikanët dhe evropianët e kanë penguar drejtësinë kosovarë për të ngritur padi kundër serbëve që kanë bërë krime ?! Të nderuar veteranë, drejtësinë kosovare e kanë penguar pikërisht të dyshuarit potencialë për krime të luftës të mos merret me krimet e serbëve. 

Funksionalizimi i GJS-së ndihmon Kosovën, shfuqizimi i Ligjit për GJS-në, fuqizon individët që e kanë sjellë shtetin e Kosovës para dështimit. E vërteta dhe ndershmëria duhet të jenë qëllime të përpjekjeve tuaja e jo mbështetja e manipuluesve. Në vend se të hiqni “retë e zeza“, që e kanë mbuluar Kosovën nga individët e përfolur nga Raporti i Dik Martit, ju me nismën tuaj, po errësoni të gjithë kosovarët dhe Kosovën, e më së shumti, ata që me gjithë mend, kanë luftuar për liri dhe drejtësi! Mbase, po i veni në dyshim edhe idealet e martirëve që dhanë jetën për liri, dhe drejtësi. 

Veteranët e mirëfilltë nuk duhet t’i trembin e vërteta dhe drejtësia. Përkundrazi, ata, duhet t’i trembë padrejtësia. Fundja,të nderuar veteranë, definitivisht nuk duhet të frikësoheni nga GJS-ja, por nga “gjarpri”, që po përpiqet që t’ju kafshojë edhe një herë, për të njëjtën gjë dhe në të njëjtin vend!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Milazim Bajraj15/01/2018 10:31

Të lumtë Behlul Beqa,me kohë,më vend dhe më rënd.Sa shkrim i mënçur,më vizion dhe më mësazh të qartë për verbësinë dhe nivelin e një kategorie njetëzish të manipuluar,fatkeqësisht që më rastin e vendimëve të mëdha kombëtare,nuk shohin përtej hundës së vet!

Agimi Viti15/01/2018 11:09

Veteranet duhet te pyesin veten,pse kerkohet perkranja e tyre vetem kur kjo kerkohet e forme dirigjimi apo instrumentalizimi edhe ate ne thojza ,,anonim,, kurse ne kohe te tjera harrojme fare se kemi shoqate te veteraneve.....

Shto koment

Tjera nga Belul Beqaj