OpEd

Kur ambasadorët “harrojnë” statusin

“Serbia nuk ka ndryshuar pozicion dhe as ka qëllim ta bëjë. Kosova për Beogradin zyrtar është pjesë e Serbisë dhe do të vijojë të mbetet e tillë”.

Deklarata është e cituar si pjesë e një artikulimi të ambasadorit serb në Tiranë, Miroljub Zariç, gjatë një vizite në komunitetin Serbo-Malazez në Shkodër, Shqiperia veriore, në kufi me Malin e Zi e Kosovën, me rastin e Krishtlindjes Ortodokse, në 8 janar 2018. “Pozicioni i Serbisë është shumë i qartë. Për ne Kosova dhe Metohia është pjesë e territorit të Serbisë dhe nuk ka mundësi realiteti për të pranuar pavaresine e Kosovës. Kosova dhe Metohia ka qenë Serbi, akoma është dhe do të vazhdojë të jetë Serbi në të ardhmen”.

Askush nuk e vë në dyshim çfarë mbart ky qëndrim ‘pasionant’ i Beogradit zyrtar për Kosovën, e aq më shumë i bërë para vrakaçorëve, patriotëve të mi shkodranë në Shqipëri. Mirëpo në diplomaci ka edhe një ‘gjuhë’ tjetër- të mundësisë, çka e bën këtë deklaratë të panatyrshme ta konsiderosh në përmbajtje, pathos dhe kohë. Kohë- jemi në zbatim të të ashtuquajturit ‘Procesi i Berlinit’ për Ballkanin Perëndimor dhe kryeministrja serbe Ana Brnabac, të cilën pata rastin ta intervistoj në takimin e Durrësit në gushtin e shkuar, shprehu entuziazmin e saj të bashkepunimit ballkanik të çdo shteti të rajonit.

Por deklarata nga Vraka e vënë në gojën e Ambasadorit serb në Shqipëri, Miroljub Zariç, Dekan i Trupit Diplomatik në Tiranë, duket se ka kaluar disa kufij që ai, edhe në kohët më të këqija, (sillet në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash), nuk i ka tejkaluar kurrë; përkundrazi si diplomat veteran ka vazhduar t’u tërheqë vëmendjen kolegëve të vet miq për statusin e diplomatit në një vend tjeter-mosndërhyrje në punët e brendeshme. Është diplomat i vjetër me punë në vende ‘delikate’. Madje ai është diplomat i karrierës e i nderuar edhe nga klasa politike shqiptare për maturinë e tij!

Por në Vrakë, duke dale çuditërisht nga detyra e tij diplomatike, artikulime të tilla kanë qenë të pazakonta të bëra publikisht. E kjo më ka bërë të hamendësoj nëse i ka thënë apo jo vetë ai gjate vizitës në çfarë quhet komuniteti serbo-malazez në Shkodër me rastin e Krishtlindjes Ortodokse. Mbi të gjitha këtu ka ambasador malazez dhe z. Zariç duhet të ketë vënë në siklet kolegun e tij duke folur edhe në emrin e malazezëve në Shqipëri! Siç kam mësuar, Z. Zariç u paska thënë vrakaçorëve e padrigaçanëve në Shkodër, prej nga jam, se njohja e Kosovës nuk është kusht i Brukselit për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian. “Serbia është shtet sovran dhe ka qeverinë e saj, Kuvendin e Presidencën dhe pozicioni i saj është shumë i qartë”.

Fjalim për në Bruksel ky i Zariç në këtë rast, por jashte natyrës së tij (kjo është punë e kulisave të atij klubi), dhe jo për në Vrakë e banorët atje, që megjithë jetën e vështirë në kohën e rregjimit komunist para viteve 90, e provuan aventurën serbe kur u turrën në vendin fqinj për një jetë më të mirë më 1992; për fatin e keq të tyre s’i mirëpriti askush. Përkundrazi, ata me fëmijë e katandi rigjetën shtëpitë e pronat e tyre në Shqipëri. E për këtë jam dëshmitar i atyre kohërave! Askush nuk ua kishte prekur këtu në atdhe. Përkundrazi, ua kishin ruajtur. Mirëpo tash ambasadori Zariç, siç kam mësuar nga media, i paska paralajmeruar vrakaçorët se marrëdhëniet e Serbisë me Shqipërinë nuk duhet të ndikohen nga ato mes Prishtinës dhe Beogradit, duke përshëndetur ‘miratimin e ligjit për minoritet në Kuvendin e Shqipërisë’.

I bindur se Ambasadori serb është jo vetëm profesionist në detyrën e tij, por edhe shumë njohës i çdo ‘pike’ në këtë vend, kur përshëndet ligjin për minoritetet në vendin tim të jetë elegant dhe i arsyeshëm të vetëpërmbahet në kumtesa përballë genocidit gjakatar ndaj popullit të Kosovës; nuk ka orë, ditë, muaj, vite e shekuj t’i ‘lajnë’ bashkëpatriotët e tij serbe me satrapin e Ballkanit Millosheviç në krye për makabritetet që kanë bërë në Kosovë. Z. Zariç, që i përket, çfarë dua të mendoj, pjesës humanitare të popullit serb, në këtë rast në Vrakë, e jo në kufi me Serbine, por me Malin e Zi, nuk ngurroi të sfidojë Tiranën zyrtare me ato prononcime kur ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ishte i ftuar në Beograd për të forcuar ‘miqësinë’. Normalisht nga ana diplomatike z. Bushati nuk duhet të shkonte… Si mbyllje, vrakaçorët e padgriçanët në Shkodër janë tejngopur me banalitetet serbe, madje edhe mund të pyesin pushtetarët e vet shqiptarë se a ka kufi ‘sovraniteti’ serb mbi Kosovën e pavarur… Madje edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të tyre. (marrë nga Shekulli).