“Afera Carlton” është çështje edhe për prokurorinë

Enver Robelli Enver Robelli 11 janar 2018 08:04

Qytetarët e këtij vendi duhet ta dinë se si i ka paguar pushimet luksoze në Zvicër kryeministri i Kosovës. Meqë ai po refuzon të krijojë transparencë, urgjentisht duhet të veprojë drejtësia. Parlamentin duket se e ka zënë gjumi dimëror, ndonëse e ka për detyrë ta kontrollojë Qeverinë – dhe ta rrëzojë atë kur ajo përpiqet ta fundosë vendin.

Çifti zviceran në relacionin e trenit Chur-St. Moritz ishte mjaft kureshtar.

“A na tregoni çfarë gjuhe po flisni?”

“Provojeni t’ia qëlloni”.

“Huh. Shumë vështirë. Diçka lindore. Hungarisht?”

“Jo. Shqip”.

Pastaj çifti filloi të tregojë se si kishin një fqinj “diku nga Ballkani”, se si fqinji çdo vit e sjell në Zvicër nënën e tij nga “atje poshtë” për t’u kujdesur për fëmijët. Ndërsa treni ecte nëpër borë, nëpër linjën mahnitëse hekurudhore dhe të mbrojtur nga UNESCO-ja, kureshtja e çiftit zviceran bëhej edhe më e madhe. Pasi në vijim te bisedës e kuptuan se jam gazetar, pasoi pyetja nëse në St. Moritz po shkoja me punë apo për qejf. Bashkë me një mik timin nuk arritëm të mbanim fytyrat tona serioze. Filluam të qeshnim. “Po shkojmë të shohim hotelin ‘Carlton’, ku dyshohet se ka kaluar pushimet kryeministri i Kosovës, vendit mbase më të varfër në Evropë. Flitet për disa mijëra euro të harxhuara”.

“Në ‘Carlton’?”, zgurdulloi sytë gruaja zvicerane. “Qenka njeri i keq”.

***

Treni në St. Moritz arriti me atë saktësinë zvicerane që të habit përherë. Sapo të dalësh nga stacioni, hoteli “Carlton” të shfaqet me gjithë madhështinë e tij në një kodër të St. Moritzit. Nuk shkuam menjëherë në hotel. Ecëm me mikun tim nga St-Moritzi në Pontresina, një fshat ku i kalon pushimet kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo banon në një hotel modest, ndonëse është kryeministre e një superfuqie ekonomike. Pasdite u kthyem në St. Moritz dhe u ngjitëm te hoteli i famshëm, ku dyshohet se kaloi disa ditë pushim kryeministri i Kosovës – me familjen e tij dhe ndoshta edhe me shoqërues të tjerë. Sidoqoftë, e sigurt është se më 3 janar ai është kthyer në Prishtinë nga Zürichu në të njëjtin avion bashkë me dy biznesmenë kosovarë. Së paku, njëri prej tyre thuhet se ka përfituar disa miliona euro nga vendimi i kryeministrit për t’ua falur borxhet prodhuesve të ujit. Asnjë ministër nuk e ka kundërshtuar këtë vendim skandaloz.

***

Një fakt modest për Carlton Hotel St. Moritz. Në shtator të vitit 2012 revista e hotelerisë e Zvicrës “Hotelrevue” njoftonte se Carlton Hotel St. Moritz për sezonin dimëror do të hapë Carlton Penthouse. Kjo suitë gjendet në katin e tetë të hotelit me 5 yje dhe ka një hapësirë prej 386 metrash katrorë dhe pesë ballkone. Kjo është suita më e madhe në St. Moritz dhe kushton nga 18 mijë euro e më shumë për një natë. Suita është dizajnuar nga arkitekti zviceran Carlo Rampazzi. Nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës ka banuar në këtë suitë apo në ndonjë tjetër. Ai vetëm ka thënë se ka paguar nga xhepi i tij 7000 euro për pushimet e kaluara në Zvicër. Më shumë nuk ka pranuar të flasë me gjithë pyetjet e gazetarëve. Në hyrje të hotelit të përshëndet përzemërsisht një “Concierge”, siç quhet rojtari në gjuhën elegante të hotelerisë. Pasi ke kaluar shkallët e mermerit futesh brenda në një pallat ëndrrash, i cili duket shpesh surrealist. “Mirë se vini! M’i jepni mua valixhet! Restoranti është në katin e parë”, thotë rojtari. Një sallë e madhe, ekstravagante, në sfond dëgjohet muzika çlodhëse e një pianisti, qetësia është e mahnitshme, dëgjohet vetëm kërcitja e ndonjë shkëndije nga oxhaku. Edhe për Zvicrën e shtrenjtë çmimet janë të larta. Në lokalet “normale” një kafe kushton 4 deri 5 franga, në Carlton 8. Për një birrë duhet të paguash 11 franga – aq kushtojnë dhjetë birra në dyqan. Dy centilitra konjak në Hennessy Richard kushtojnë 275 franga. (Një centilitër është një e qindta pjesë e litrit). Përkthyer në shqip: dy gllënjka konjak këtu kushtojnë gati sa një rrogë arsimtari në Kosovë. Hoteli ka 60 suita – të gjitha me pamje nga liqeni i St. Moritzit, i cili gjatë dimrit ngrihet dhe njerëzit ecin mbi të. Ndërsa pianisti virtuoz argëton mysafirët e paktë në sallë, befas shfaqen tre burra, të veshur keq, flasin rusisht, zënë vend afër nesh dhe fillojnë të luajnë me letra. “Zhol” apo “pishpirik” - ky mbetet sekret i tyre. Njohësit e hotelerisë në këtë pjesë të Zvicrës thonë se në Carlton bëjnë qejf “të pasurit dhe grabitqarët”, oligarkë rusë, përfitues të privatizimeve të dyshimta në Evropë, por edhe shefa firmash evropiane dhe më gjerë. Ata vijnë në St. Moritz me avionët e tyre privatë, fare diskretë. St. Moritzi ka një pistë për aterrim, është aeroporti në lartësinë më të madhe mbidetare në Evropë. Ende nuk dihet se si ka ardhur nga Zürichu në St. Moritz kryeministri i Kosovës – me tren, me veturë apo me avion. Nëse ka ardhur me avion privat nga Zürichu, atëherë çmimet për një fluturim të tillë sillen nga 4000 në 4500 euro. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se si i ka paguar pushimet luksoze në Zvicër kryeministri i tyre. Meqë ai po refuzon të krijojë transparencë, urgjentisht duhet të veprojë drejtësia. Parlamentin duket se e ka zënë gjumi dimëror, ndonëse e ka për detyrë të kontrollojë Qeverinë - dhe ta rrëzojë atë kur ajo përpiqet ta fundosë vendin.

***

Pak para St. Moritzit nga treni zbriti çifti zviceran. Para se të largoheshin burri zviceran tregoi se kishin pushuar në Turqi - “para se të çmendej Erdoani”. Thanë se në Ballkan nuk kishin qenë kurrë. “Si është Shqipëria? A mund të pushohet atje?” E pashë të udhës të ligjërojë nja 10 minuta për bukuritë e Shqipërisë. Detin. Malet. Qytetet. Kuzhinën. Nuk është e sigurt nëse ky çift ndonjëherë do të aterrojë në Ballkan. Por janë disa çaste në jetë kur nga turpi për orgjinë plaçkitëse të politikanëve të Kosovës fillon e flet për turizmin në Shqipëri. Shyqyr që ekziston kjo dalje nga qorrsokaku i politikës kosovare. Rreziku që kryeministri i Kosovës të kthehet në Zvicër për pushime luksoze mbetet. Sidomos tani që atij dhe gruas së tij ia kanë refuzuar vizën për të vizituar shtetin amerikan të Iowas. Ka çifte të ndryshme në këtë botë. Çifti zviceran që takuam në tren ndiente keqardhje për plaçkitjen e Kosovës. Çifti kryeministror nga Kosova me gjasë është krenar për këtë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

I Mitrovicsi15/01/2018 10:33

„Tregim“ shumë interesant. Më vjen shumë mirë që ata Zviceranët në tren e takuan bash Z. Enver Robellin dhe i cili na përfaqsoi dinjitetshëm te populli zviceran të cilët kan shumë pak njohuri për Shqiptarët. Nuk anoj nga asnjë „ rrymë apo lëvizje „ politike në Kosovë por me „ tregime“ të tilla bombastike e keni humbur një proces gjyqësor ndaj një biznismeno/ politikani aktual të Kosovës dhe atë jo në ndonjë gjykatë „ të korruptuar“ të Kosovës por në Zvicrrën neutrale, kështu që ju mungon kredibiliteti i nderuar dhe nëse keni shkuar ta përcjellni një vizitë private të një Kryeministri , atëherë mos e përzieni me shund e kiç. Pëshëndetje

Kujtimi15/01/2018 11:09

Pagën e ngriti 100%, pushime po, pare po, dhëndrin e punësoj, shtëpinë me qira, pasaportën shqiptare e mori, po ja nin atij për neve. Për këtë la luftua Rambushi e mozamakeq.

Dritani11/01/2018 13:42

Hiq nuk eshte befasi qe kete udhetim t'ia kete paguar Contour Global si "falenderim" per kontraten 1,3 miliardeshe. Do na thehet kurrizi derisa ta paguajme kete termocentral e ndoshta pas nja 10 vitesh duhet ta fikim krejt, per shkak te ndotjes se ambientit. Por parate do t'i paguajme te gjitha. Cfare te lyp gjen. Ky popull po don maskarenj, maskarenj po gjen.

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli