Me rroga dhe kravata kundër korrupsionit

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 10 janar 2018 08:13

Italia nuk është ndër shtetet më të pasura të BE-së, por është shteti me rrogat më të larta të politikanëve dhe shërbyesve shtetërorë. Kjo është bërë edhe si masë për parandalimin e korrupsionit. Italia, për nga indeksi i perceptimit, është ndër shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian. Rritja e rrogës së kryeministrit të Kosovës, deklarata e tij se i duhet kjo rritje edhe për kravata, kanë depërtuar edhe në mediat e Evropës. Por më mirë që Kosova të jetë në lajme për rroga dhe kravata sesa për Gjykatën Speciale

Për dy tema Kosova është përmendur këto ditë festive në mediat e Evropës. E para është vendimi i kryeministrit për rritje të dyfishtë të rrogave në Qeverinë e tij dhe deklarata se ndër të tjera kjo i duhet edhe për të blerë ndonjë kravatë, dhe e dyta ka qenë tentimi për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Që të dyja këto tema nuk po hiqen nga mediat e Kosovës e as nga debatet nëpër rrjetet sociale.

Në tentimin e tij për të arsyetuar rritjen e madhe të rrogës kryeministri i Kosovës ka përmendur nevojën që ai të ketë një rrogë dinjitoze, mes tjerash edhe për të blerë një kravatë apo një këmishë. Vërtet krerët politikë duhet të kenë të ardhura dinjitoze. Po ashtu qëndron argumenti se nuk bën të ketë dallime aq të mëdha në rroga mes presidentit dhe kryetarit të Kuvendit në njërën anë dhe kryeministrit në anën tjetër.

Ky dallim aq i madh nuk është dashur të ketë ekzistuar as për këshilltarët dhe zyrtarët që punojnë në kabinetet e tre krerëve kryesorë politikë të Kosovës. Nuk mund të kuptohet pse Thaçi dhe Veseli të kenë gati dy herë më të madhe rrogën sesa Haradinaj. Nuk është e kuptueshme, nëse janë të vërteta të dhënat për rroga që janë botuar në mediat e Kosovës, që ish-kolegu Ardian Arifaj dhe ish-kolegia Arbana Xhara të kenë rrogë shumë më të madhe sesa ish-kolegu Halil Matoshi vetëm pse ky i fundit punon në Zyrën e kryeministrit, ndërsa dy të parët në Zyre të kryetarit të shtetit dhe atij të Kuvendit.

Pa dyshim se ka mundur ndryshe të zgjidhet kjo çështje. Ka mundur të bëhet një nivelim i rrogave, jo vetëm për ta, por në përgjithësi në institucionet e shtetit. Në këtë nivelim dikujt do t’i zvogëlohej e dikujt do t’i rritej rroga dhe kështu, pak a shumë, do të kishte më shumë barazi dhe më shumë dinjitet. Është po ashtu e vërtetë se për nga pesha e përgjegjësisë roli i kryeministrit është shumë më i vështirë.

Duhet kuptuar seriozisht edhe deklaratën e kryeministrit Haradinaj se rrogat e vogla mund të jenë sfidë dhe tundim për t’u korruptuar. Nuk është Haradinaj i pari që e thotë këtë. Në BE shpeshherë kur flasin për korrupsionin e politikanëve, por edhe të gjykatësve dhe prokurorëve në vendet e Ballkanit thonë se “pasuria e tyre është shumëfish në mospërputhje me të ardhurat e tyre të deklaruara”. Pra ka dyshime serioze se politikanët dhe ata që varen nga politika kanë të ardhura nga burimet e padeklaruara, që rrit dyshimin për përfshirje të tyre në afera korruptive dhe shpesh edhe në krim të organizuar. Shumë politikanë në Evropë, që kanë rroga shumëfish më të mëdha sesa kolegët e tyre në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, nuk kanë arritur të kenë pasuri sa politikanët e Ballkanit.

Shpesh vendet e Ballkanit duan të marrin shembuj nga Kroacia. Sepse Kroacia është i vetmi shtet i rajonit i cili ka arritur të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton se e ka përmbushur edhe kushtin për luftë kundër korrupsionit. Kravata thuhet se e ka prejardhjen nga Kroacia. Të parët që kanë bartur këtë të lidhur rreth qafe kanë qenë ushtarët mercenarë kroatë, të cilët në shekullin e 17-të kanë luftuar për Mbretin Francez Luj XIV. Pikërisht ky mbret thuhet ta ketë pagëzuar këtë si “cravat” në nder të ushtarëve elegantë nga Kroacia që i shërbyen në luftën tridhjetëvjeçare.

Pos që është vend ku ka lindur kravata, Kroacia vazhdon të jetë vend ku korrupsioni ende është problem serioz. Jo aq sa në vendet e tjera të rajonit, por me hyrjen në BE nuk është zhdukur krejtësisht ky fenomen. Vërtet edhe institucionet e pavarura gjyqësore edhe shoqëria janë shumë më jotolerante ndaj korrupsionit sesa në vendet e rajonit, por problemi vazhdon. Në Kroaci po ashtu shpesh është thënë se rrogat e vogla për shërbyesit publikë, e sidomos ata që janë në pushtet, janë sfidë për korruptim. Por rrogat e vogla në Kroaci, varësisht nga niveli i funksionit politik, shpesh mund të plotësohen me të ardhura të tjera.

Një ekspert financiar, i cili punon në një kompani të huaj në Kroaci, kur i kishin ofruar të hynte në politikë kishte thënë se “nuk mund të angazhohej në qeveri, sepse ata nuk mund t’ia paguanin as përafërsisht rrogën sa e ka në sektorin privat”. Në atë moment bashkëbiseduesi thuhet si i është përgjigjur: “Nëse hyn në qeveri rroga mund të jetë e vogël, por të ardhurat janë të mëdha”.

Kjo shpesh në Kroaci tregohet si anekdotë krahas thënies që nëpunësve shefat u thonë: “Unë ta siguroj rrogën, ndërsa për të tjerat gjindu vetë!”. Me të ardhurat e mëdha edhe kur rroga është e vogël shpesh mendohet në mundësitë e shumta që i hap pjesëmarrja në politikë, sidomos në pushtet. Punët paralele, anëtarësia në bordet mbikëqyrëse, që paguhet pa pasur nevojë pjesëmarrjeje në asnjë mbledhje konsiderohen tashmë si funksione paralele legale. Dhe Kroacia nuk është i vetmi vend në Evropë ku politikanët, përmes “angazhimeve” nëpër borde, ku paguhet ekstra, dhe ku ndikojnë “në emër të partisë” sigurojnë rroga më të mëdha sesa që janë rrogat zyrtare.

Më së shumti para publike në Kroaci kanë humbur, janë avulluar apo nëse doni edhe janë vjedhur, përmes projekteve të mëdha të infrastrukturës. Nga procesi i privatizimit, investimet në hekurudha e deri tek ndërtimi i autostradave janë përcjellë afera pas aferës. Për këto afera ende janë në burg dhe para gjyqit ish-kryeministri, disa ish-ministra, kryetari i Odës Ekonomike. Në arrati janë edhe disa ish-biznesmenë të pasur, përfshirë edhe më të fortin nga të gjithë biznesmenët e rajonit, Ivica Todoriq, pronar i Kompanisë Agrokor, që ka shkaktuar megaskandalin në Kroaci duke lënë borxhe në vlerë prej gati shtatë miliardë eurosh. Talenti më i madh i të gjithë këtyre biznesmenëve “të suksesshëm” duket të ketë qenë lidhja e tyre me strukturat politike. Pa bekimin dhe bashkëpunimin e tyre nuk kanë mundur të ndërtojnë aq shumë edhe pasuri private edhe borxhe të kompanisë.

Për “korrupsionin politik” dhe blerjen e “votave të pamoralshme” në kuvende vazhdohet të flitet edhe në Kroaci. Po ashtu punësimi në nivelin e lartë të ndërmarrjeve publike bëhet sipas çelësit partiak, edhe pse formalisht gjithçka bëhet përmes procedurave të hapura me shpallje të vendeve të punës dhe konkurrencës së barabartë. Edhe në Kroaci gjatë fushatës zgjedhore premtohet zvogëlim i aparatit shtetëror, por pas zgjedhjeve rritet numri i të punësuarve nëpër institucione.

Edhe në vendet e tjera të rajonit modeli i veprimit ka qenë dhe vazhdon të jetë ai që është parë edhe në Kroaci. Kjo po shihet ende edhe në Kosovë, ku numri i madh i ministrave, numri jashtëzakonisht i madh dhe në rritje i zëvendësministrave, është problem dhe më i madh sesa rritja e rrogave. E kur këto dy probleme bëhen bashkë, problemi rritet edhe më shumë.

Italia nuk është ndër shtetet më të pasura të BE-së, por është shteti me rrogat më të larta të politikanëve dhe shërbyesve shtetërorë. Kjo është bërë edhe si masë për parandalimin e korrupsionit. Italia, për nga indeksi i perceptimit, është ndër shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian.

Nëse vërtet rrogat e larta në Kosovë do të shërbejnë si mbrojtje nga korrupsioni ndoshta populli do t’ua bënte hallall ato rroga. Por suksesi në luftë kundër korrupsionit më shumë sesa nga rrogat e larta dhe kravatat varet nga funksionimi i institucioneve, që edhe e kanë detyrë ta bëjnë këtë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj