OpEd

Pushteti që zhvesh

Për një njeri me pak stazh pune dhe me rrogë buxheti, është e pabesueshme se sa mirë i menaxhon paratë – sa për t’ia mundësuar vetes shkuarjen në pushimore luksoze për çdo vit. Edhe po të thoshte qe e ka shitur tokën e babait në fshat, vështirë se do të merrej seriozisht – sepse politikanët tanë për ta arsyetuar pasurinë e tyre kanë shitur më shumë tokë baballarësh seç ka vetë Kosova territor

Përfundoi viti ashtu siç do të këshillonte Haradinaj: nuk bëhet kiameti nëse dikush edhe qet me armë zjarri, sepse ne festojmë kanunçe. Në mesnatën e së dielës së shkuar në qendër të Prishtinës krisën masivisht edhe kallashat edhe revolet pa asnjë kontroll. Qielli u mbush barut fishekzjarrësh e plumbash. Festuesit më euforikë plasën krejt çka patën me plasë, dhe u shpërndanë për t’i uruar mirëseardhje një viti, i cili që në ditën e parë shënon automatizmin e vazhdimit të asaj që kishte ndodhur më 2017-n.

Ditën e parafundit të vitit mora një telefonatë nga një dëshmitar rasti, i cili më habi të papërshkrueshme më dëftonte sesi drejtori i PTK-së po rrihej me shqelma e grushte, në mes të qytetit, nga dy zyrtarë të lartë policorë. “Sulm më brutal nuk kam parë moti dhe nuk po më hyn fare në mend se si gjithë këtë dhunë të shfrenuar mund ta ushtrojnë ata që supozohet se duhet ta zbatojnë ligjin”.

Eprorët policorë qenë “Tarkani” dhe Drejtori i Departamentit për Krime Ekonomike, Nazim Sahiti. I pari u suspendua nga Inspektorati policor, i dyti u amnistua, deri në çastin kur dolën ca xhirime që e bënë të dyshimtë për sulm. Për “Tarkanin” nuk më ka rastis të dëgjoj. Për Sahitin më është thënë se është njeri shumë i pasur dhe se është mik i ngushtë i dy personave që për detyrë e kanë ndjekjen e krimit, por që nuk bëjnë shumë për t’i kryer detyrat që ua përcakton ligji. Se a është ky versioni ai që vërtet e pasqyron personalitetin e këtij, atë nuk e di. Unë nuk punoj as në polici, e as në prokurori – porse ata që punojnë aty, do të duhej ta dinin. Sepse pasuria nuk është diçka që mund të fshihet lehtë. E posaçërisht jo në Kosovë, ku të pasurit taze kanë qejf të tregojnë se sa të kamur janë.

Luksi i shfrenuar

I tillë u dëshmua kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. E pranoi se kishte qenë në pushim në St. Moritz, pushimoren dimërore më ekskluzive dhe më të shtrenjtë në Zvicër. E tha se kishte qëndruar shkurt, ngase i kishte rënë të kthehej bile dy herë në Kosovë për ca mbledhje e takime. “Pushimi, t’iu them të drejtën unë pare kam për pushim edhe për nja dy a tri, veç kohë s’po kam. Unë kam qenë veç tri net në pushim, shtatë mijë euro më ka kushtuar, prej parave të mia është paguar, por nuk po dua me hy në debat me këto mediat”.

Atë që nuk e specifikoi kryeministri është po qe se nata i ka kushtuar 7 mijë euro, duke e marrë parasysh se ka shkuar vetë i pesti plus mbrojtja e afërt. “Booking.com” tregon se një suitë për dy persona me mëngjesin e përfshirë kushton 4.333 euro për një natë. A mos ka menduar ta thotë 70 mijë euro, e rrugës e ka harruar një zero. Çfarëdo të ketë qenë çmimi që thotë se e ka paguar, konstatimi në fund është se ky pushim dimëror paraqet luks të cilin mund t’ia ofrojnë vetes vetëm ata që kanë para që skajin nuk ia dinë.

Kryeministri thotë se para ka, porse kohë nuk ka për pushime. Bash mirë valla që është i kamur, se fukarallëku askujt s’i bën hair. Porse shtrohet pyetja prej nga i erdhën këto para kryeministrit kur puna e tij e parë me rrogë pas lufte ishte ajo e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër, si i fitoi kryeministri gjithë këto para sa për të shkuar në St. Moritz, kur më shumë se katër vjet u ballafaqua me burgun dhe Tribunalin e Hagës, gjatë së cilës kohë kishte qenë i papunë. Dhe nga i erdhën gjithë këto para Haradinajt, kur kishte qenë ai vetë që pati deklaruar se shtëpinë e shtrenjtë në Dragodan ia kishin ndërtuar miqtë. E të cilën shtëpi tash e ka lëshuar me qira pasi ka blerë shtëpi tjetër në lagjen “Marigona”.

Për një njeri me pak stazh pune dhe me rrogë buxheti, është e pabesueshme se sa mirë i menaxhon paratë – sa për t’ia mundësuar vetes shkuarjen në pushimore luksoze për çdo vit. Edhe po të thoshte qe e ka shitur tokën e babait në fshat, vështirë se do të merrej seriozisht – sepse politikanët tanë për ta arsyetuar pasurinë e tyre kanë shitur më shumë tokë baballarësh seç ka vetë Kosova territor.

Në kohën kur Kosova e ka nivelin më të madh të varfërisë në rajon dhe kur rroga minimale është 130 euro, shkuarja e Haradinajt me familje në pushimore ekskluzive s’është tjetër pos një veprim i turpshëm që nxit shumë dilema rreth arsyes së vërtetë të ekzistimit të Fondit Haradinaj. E edhe më shumë dilema pas faljes masive të borxheve që ky ua mundësoi biznesmenëve të caktuar që në ditët e para të hipjes së tij në fron. Shërbime të tilla me gjasë nuk bëhen për sy të zinj dhe mund të marrin formën e luksit

Arroganca në sipërfaqe

Miti i 100-ditëshit të parë të Haradinajt si shef qeverie e kishte pasqyruar si një njeri modest, që punon shumë dhe që ia do të mirën vendit. Për më tepër, shkohej aq larg sa për të thënë se dikush ia kishte kurdisur punën e Hagës, vetëm sa për t’ia ndalur hovin – sepse siç ishte nisur, do të bënte mrekulli me Kosovën.

Atë që kemi parë në 100-ditëshin e dytë të Haradinajt është një njeri arrogant, i cili sa herë nuk do që të ballafaqohet me pyetje të pakëndshme, me pafytyrësi u qaset përgjigjeve retorike ose konstatimeve përbuzëse. Të tillë e pati përgjigjen për rritjen e rrogës së tij, që nxiti efektin domino, dhe rritjen e rrogave në gjyqësi, si dhe rritjen e rrogës së kryetarit të shtetit, për shkak se ashtu ligji e përcakton. “Rritjen e pagës sime e kam bërë për integritetin e profesionit. Nuk dua të shoh integritetin e cenuar. Nuk është në pyetje parja, por porosia...

S’mund të dal dosido, obligohem për një kravatë, një këmishë...”.

Rritjen e pagës së vet e ka bërë për pikë të qejfit, do të mundë të thoshte dikush, për shkak se posti i kryeministrit nuk është profesion, por post politik të cilin, Kosova e dëshmon, mund ta marrë kushdo, pati apo s’pati kapacitet udhëheqjeje. Për njeriun që thotë se ka shumë para e kohë nuk ka, prioriteti i fundit do të duhej të ishte rritja e rrogës së vet në krah të atyre “që punojnë shumë e paguhen pak”. Në vend se të shkohet me numrin stratosferik të këshilltarëve e zëvendësministrave, është dashur të mendohet se si të lirohet buxheti nga barra të cilën e ngarkon shërbimi civil i politizuar që ka shërbyer për akomodimin e dostave.

“Nuk është e vërtetë se zëvendësministrat e ngarkojnë buxhetin”, është margaritari i radhës. Fakti që nuk e di as sa zëvendësministra i ka, me vetë faktin se kishin harruar ta thërrisnin dike në odën e burrave që u mblodh para disa ditëve, tregon se nuk e di as sa në të vërtetë kushtojnë këta badihavxhinj, pa këshilltarë e shoferë e sekretaresha. Një milion euro në vit do të paguhen njerëzit që do t’i shkruajnë raport kryeministrit çdo tre muaj. Para të cilat mund të shërbejnë për ndërtimin e një shkolle të mirë me kabinete e sallë sporti, me kusht që nuk vidhet në tender. Shkollë, e cila do të duhej të na e eliminonte analfabetizmin funksional, të cilin zyrtarët si puna e Haradinajt na e kanë bërë endemik.

Hem kritikues, hem shpëtimtar

E pikërisht shkollat janë ato me të cilat hyri në luftë hiç më larg se këtë javë. Kërkesës së sindikalistëve iu përgjigj se mund të ketë vetëm 4% rritje dhe se ajo duhet të jetë meritore. Për më tepër, i akuzoi mësimdhënësit se ata nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie dhe se për këtë shkak niveli i arsimit është këtu ku është.

Dhe në vend se t’i udhëzonte sindikalistët se çështja e ngritjes së rrogave duhet të jetë çështje negociatash ku të dyja palët duhen plotësuar kushte të caktuara, vendosi t’ua tregojë dhëmbët dhe t’u tregojë se rritja e pagës së kryeministrit është interes shtetëror që s’mund të krahasohet me mësimdhënien.

E përderisa stafi mësimdhënës refuzon me ngulm t’i nënshtrohet testimit, nga ana tjetër është politika ajo që e ka shkatërruar sistemin arsimor, për shkak se asnjëherë nuk pati një strategji si duhet bërë arsimin më të mirë. Do të kujtojmë se nivelet e arritshmërisë dhe pikat e maturës që duhej të arriheshin për të diplomuar nga shkolla e mesme përherë ishin zvogëluar nga Ministria, vetëm për të thënë se sa të suksesshëm jemi. Dhe të vetmen gjë që dëshmuam ishte se jemi të përkryer për mashtrime.

Na tregoi se si Kosovës ia kishte shpëtuar 100 milionë me vendimin për Shipitullën dhe zhvendosjen e banorëve “me ofertë gjeneroze nga ana jonë”, porse nuk na e shpjegoi se si u bë që shpagimi i zhvendosjes do të na kushtojë disa fish më shumë seç ishte planifikuar. Gjithashtu nuk na e shpjegoi edhe kush do të jetë përfituesi përfundimtar i gjithë kësaj fizkulture, meqë prej kohësh kur ai kishte qenë kryeministër për herë të parë, tokat përreth termocentralit kishin nisur t’u shiteshin njerëzve që nuk ishin madje as nga rajoni. Në fund, nuk diti të na shpjegonte as punën e termocentralit të ri – i përmendi do përqindje, e askush s’e mori vesh çka deshi të thoshte.

Specialja

Të vetmen gjë që e bëri të qartë, dhe e kuptuam mirë se çfarë deshi të thoshte, kishte të bënte me Specialen. “Aleanca ka pasur dhe ka votë kundër Gjykatës Speciale, ka votë kundër për Bashkësinë e Komunave Serbe në versionin e rrëzuar nga Gjykata, ka votë kundër për dhomat e posaçme. Kam qenë kundër si opozitë jam kundër edhe në qeverisje, sepse unë s’kam ardhur për përshtatje dhe nuk i përshtatem askujt. Nuk ka me mund me m’i bë dikush politikat pos atyre që iu besoj për këtë vend, sepse ne vetëm me përshtatje kemi me përfunduar vetëm si monedhë kusuritëse, kurrë s’kemi me mbërri te ajo që duhet me qenë vend i pavarur, sovran për të marrë vendime”.

Quinti, të cilit nuk do që t’i përshtatet, po i thotë se po qe se e voton bllokimin e Speciales, askush nuk do ta bllokojë asnjë nismë të Rusisë në OKB për të na e themeluar një Tribunal, i cili do të ketë kompetenca edhe më të gjëra sesa Specialja. I thotë gjithashtu se nuk do ta ndalë asnjë shtet që do të vendoste ta tërhiqte njohjen e Kosovës, për shkak se Kosova e çliruar dhe e pavarësuar nga Perëndimi, vendos ta luftojë mu atë, Perëndimin. Në fakt, jo Kosova, por ata që mendojnë se janë Kosova, sepse i mbajnë kolltukët ku bëjnë gjithçka iu teket qejfi.

Për Quintin nuk pati përgjigje – i injoroi dhe do të vazhdojë të veprojë ashtu siç e ka bërë në plan me dikur armikun e tij më të madh, e tash të nderuarin Thaçi. Do të bëjë trysni te kushdo që të mundet për ta votuar stopimin e Speciales, për ta shpëtuar lëkurën e të afërmve dhe miqve që përmenden si të akuzuar të mundshëm. Do të përpiqet që vetes t’ia zgjasë mandatin sa më shumë që të mundet, ashtu që derisa të jetë në krye të ekzekutivit të marrë edhe kush e di sa vendime që do ta zbrazin arkën shtetërore, sepse kështu iu ka tekë.

Sepse më në fund e realizoi ëndrrën e kamotshme: që të zgjidhet kryeministër. E që me këtë zgjedhje të dëshmojë edhe një gjë që vështirë do të mundë të besohej derisa para njëqind ditësh: se Kosova ka kryeministra edhe më arrogantë e më të pafytyrë seç kishte qenë Thaçi gjatë mandateve të tij në krye të Qeverisë.

Nuk thonë për badihava jepja njeriut pushtetin për t’ia kuptuar thelbin.

Haradinajt ia dhanë pushtetin ata që ua ka marrë mendja se do të mundë t’u kryente punë. Përderisa ky me këmbëngulje e beson se këtë pushtet e ka merituar, për shkak se krejt Kosova i ka borxh. Aq sa duhet heshtur e falur secilën gafë që do të mundë ta bëjë, gjithnjë duke e pasur interesin e tij personal të parin në agjendë. Sepse ai e di mirë se këtë mandat nuk do ta përfundojë sipas Kushtetutës dhe se mandat tjetër nuk do të ketë kurrë më.

flaka@koha.net