Viti i grabitqarëve

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 07 janar 2018 08:00

Shteti i Kosovës nuk e plotëson asnjërin nga kriteret e të qenit shtet i fortë. I mbetet që gjatë vitit 2018 ta pranojë zyrtarisht vetëm nënllojin e shtetit të dobët, nëse është edhe shtet grabitqar, i kapur, i dështuar - apo kombinim i të triave

Krijimi i një megastrukture pushteti dhe dyfishimi i lartësisë së pagave për kabinetin qeverisës nga vetë kabineti i Qeverisë, i shkon shumë për “fytyre” teorisë së nobelistit suedez Karl Gunnar Myrdal, sipas të cilit fenomene të tilla ndodhin vetëm në shtetet grabitqare. Në literaturën e sociologjisë politike bie në sy edhe koncepti i shteteve “të kapura”, që në themel funksionojnë mbi parimin e “katër kalorësve të apokalipsit” – disiplina e ulët, evazioni fiskal, tregu i zi dhe korrupsioni i shfrenuar. Në shtetet e tilla, pushteti që kontrollon aparatin shtetëror nuk preokupohet për të mirën e përgjithshme – vjedh pasurinë e qytetarëve dhe investon në mirëqenien e vet.

Praktika ndërkombëtare në parim njeh dy modele kryesore të shteteve, të forta dhe të dobëta.

Shtetet e forta, sipas ekspertit amerikan Joel Migdal, janë të afta të rregullojnë marrëdhëniet shoqërore, të sigurojnë mjete, t’i orientojnë dhe t’i shfrytëzojë ato në mënyrë racionale. Karakteristikat e shteteve të forta, sipas tij, janë: kontrolli i plotë mbi territorin e vet; mbrojtje nga politikat e dhunës dhe krimit; garantimin e lirive politike dhe qytetare; krijimi i mjedisit të përshtatshëm për prosperitet ekonomik; sundimi i ligjit; gjyqësor i pavarur; infrastrukturë e zhvilluar; shërbime publike me standardet më të larta të arsimit dhe kujdesit shëndetësor; dhe shoqëri civile efektive.

Shteti i dobët zakonisht drejtohet prej politikave të cilat prioritet kanë krijimin e ekuilibrit në mes presionit të bashkësisë ndërkombëtare dhe presionit të brendshëm publik. Mbijetojnë duke shpërfillur agjendat që nuk janë të rëndësishme për mbijetesën e regjimit, ndërsa janë shumë efikase në mbrojtjen e interesave të pushtetit. Në këto shtete rëndom është e pranishme shkalla e lartë e mosbesimit qytetar në institucione.

Meqë është karakteristikë e vendeve të varfra dhe me potencial të ulët të zhvillimit ekonomik, të ardhurat e shtetit-pushtetit realizohen kryesisht nga taksat. Buxheti keqpërdoret për shkak të paaftësisë administrative dhe strukturës së dobët të planifikimit të shpenzimeve.

Për të ruajtur “paqen sociale” pushtetet e forta të shteteve të dobëta, barrën e tatimit ia ngarkojnë një pjese të vogël të shoqërisë, duke treguar lojalitet ndaj “të papunëve” e kriminelëve, dhe duke i hapur rrugë ekonomisë joformale.

Ky model i qeverisjes mundëson që mjetet e grumbulluara të orientohen kah grupet e fuqishme të interesit. Sa më të fuqishme janë grupet e interesit, aq më i dobët është aparati i shtetit, sidomos i institucioneve të sigurisë dhe të sundimit të ligjit. Ky fenomen në literaturë njihet si “shtet i kapur”.

Shteti i kapur mund të sigurojë të hyra solide nga taksat, por e keqja është se me to menaxhon “banda” politike që u mundësojnë njerëzve të fuqishëm të kontrollojnë administratën dhe të rrisin fitimet e tyre, ndërsa të njëjtën kohë të dëmtojë interesin e qytetarëve.

Shteti i dështuar, sipas ekspertit amerikan Robert Kaplan, përfaqëson “anarkinë kriminale”, përkatësisht shkatërrimin e kontrollit legjitim të forcës mbi territorin që zyrtarisht është i pranuar si shtet. Shteti i tillë, thotë ai, nuk është në gjendje të garantojë minimumin e sigurisë, të mirave publike dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët. Përveç pamundësisë së vendosjes së rendit dhe kontrollit brenda territorit të tij, shteti i dështuar ka edhe një problem tjetër të madh. Nuk mund të ndërtojë me sukses identitetin dhe të motivojë qytetarët për t'u angazhuar në projektet e rëndësishme kombëtare. Shpesh ndodh që një pjesë e madhe e popullsisë, nëse ka shansin, largohet nga vendi në kërkim të punës dhe kushteve më të mira të jetesës.

Shtetet e dështuara, pra, krijojnë shoqëri të pashpresa që kontribuojnë më tej në rrënimin e tyre.

Konceptet e mësipërme për modelet e shteteve janë të përgjithshme dhe nuk i referohen qëllimshëm Kosovës. Ngjashmëritë janë “aksidentale”.

Autorët e përkufizimeve nuk përfaqësojnë interesat antishqiptare e as anti-Kosovë.

Mendimet e tyre nuk “çojnë ujë në mulli të armikut“.

Nuk janë sponsorë të krijimit të Gjykatës Speciale.

Nuk kanë bërë fushatë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe as për vonesën në liberalizimin e vizave.

Nuk e kanë sajuar konceptin “shtet i kapur” për të dëmtuar imazhin e Kosovës dhe për të shfaqur tendencën hakmarrëse ndaj atyre që “kanë dhënë shumë për vendin”.

Ata nuk kanë nxjerrë konkluzione shkencore bazuar vetëm mbi perceptime.

Korrupsionin si term e kanë përdorur para se Kosova të zërë vend në hartën botërore.

Kanë shkruar për marrëzitë e shteteve të dobëta, para se Kosova të dështojë në vendosjen e kontrollit mbi sovranitetin, para se aty të lulëzojnë krimi dhe korrupsioni, para se drejtësinë ta ndajnë falsifikatorët e mashtruesit, para se liria të përkufizohet si koncept individual e jo vlerë universale, para se buxheti i mbledhur nga paratë e popullit të konsiderohet pronë e pushtetit, dhe para se për financimin e projekteve milionëshe e miliardëshe në vend që falënderimi t’i shkojë popullit, ai u faturohet liderëve politikë dhe vartësve të tyre.

Shtetit të Kosovës s’i kanë faj ata që nuk është në gjendje të krijojë konsensus mbi çështjet e rëndësishme nacionale, e as që vazhdon të jetë problem ndërkombëtar, e më shumë problem për qytetarët e tij.

Shteti i Kosovës, referuar parimeve shkencore, nuk e plotëson asnjërin nga kushtet e të qenit shtet i fortë. Duke qenë kështu, i mbetet që gjatë vitit 2018 ta pranojë zyrtarisht vetëm nënllojin e shtetit të dobët, nëse është edhe shtet grabitqar, i kapur, i dështuar. Apo kombinim i të triave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi