OpEd

Kokëçarja ballkanike në ridefinimin evropian

-1-

Lëvizjet e fundit individuale, të çakorduara e konfliktuale mjaft në Ballkanin Perëndimor, janë rrjedhojë e një paqartësie të akumuluar të rrugës së secilit shtet drejt proceseve evropiane. Në të vërtetë, me gjithë paqartësinë e shfaqur e të kristalizuar për disa vjet tashmë – me gjasë shumë pa ndonjë zgjidhje deri në vitin 2025 – Evropa ka mbyllur për një kohë të gjatë dyert e saja integruese; ka hapur ato të paqartësisë e kokëçarjes më shumë.

Kjo mbyllje dyersh, e përnjëhershme pra, ka vënë gjithë pritjen, tolerancën e durimin e shteteve të Ballkanit në fund. Dhe, në këtë fund të pritjes kanë nisur çarjet e tregtuara më parë për një ëndërr të dhënë evropiane. Për të qenë të sinqertë në tërësi, i gjithë Ballkani Perëndimor kishte mbajtur veten mbarë jo pse besonin njëmend në mbarësinë e përbashkët. S’mund të ndodhte një transformim i tillë kaq shpejt; shumë pak vjet pas luftërave të përgjakshme – sidomos jo kur në shumë pushtete të vendeve të Ballkanit elitat e luftërave të përgjakshme ishin ende në pushtet.

Në këmbim të liberalizmit, evropianizimit e bashkëjetesës rajonale, qytetarët e Ballkanit Perëndimor kishin marrë një premtim. Premtimi dukej i mirë, i këndshëm – i tregtueshëm lehtë me denacionalizim. Anëtarësim në BE; në një treg ekonomik të fuqishëm, me një standard jetese të shëndoshë, me ligj e siguri gjithashtu në këmbim. Pa luftë, pa krizë. Ishte një parajsë në pritje.

Kriza financiare, kriza e refugjatëve, sulmet terroriste, incidentet e antiglobalizmit e “liberalizimit”, kishin nisur një erë të re në Evropë, lindjen e ekstremeve të djathta e të majta pa dallim. Të dy ekstremet kishin një synim, rrënimin e sistemit evropian. Një synim i tillë, kombinuar me një divorc me Britaninë; me një rritje të vazhdueshme të pavërejtur të Rusisë; dhe me një paqartësi të paprecedentë të prodhuar në Amerikë, kishin kthyer projektin evropian në defensivë. Në defensivë ishte dhe prospekti i rritjes e zgjerimit. I shuar, ishte këtu edhe premtimi për rritje në Ballkanin Perëndimor.

Për Ballkanin ngurrimi do të thoshte se pazari ishte prishur tashmë. Së këndejmi, tregtimi alternativ veçse kishte nisur.

-2-

Në Maqedoni bllokimi i emrit kushtetues kishte djegur si letër gjithë rrugëtimin e bërë me mund. Emri kishte ndalur edhe procesin integrues në NATO. Përballë një dështimi të dyfishtë integrues, elita politike e atjeshme kishte gjetur nacionalizmin si alternativë. Pasi kishte rrënuar mendimin e lirë, kishte mbyllur e përndjekur edhe mediat e lira, kishte vënë nën kontroll secilën agjenci e trup publik kryeministri i atjeshëm, diktatori në bërje Gruevski ishte kthyer kundër shqiptarëve. Sot ky nacionalizëm është i kulmuar dhe promovon nëpërmjet kapjes antishqiptarizëm racist. Kostoja e një flirtimi të tillë mban emrin e konfliktit e të ndarjes.

Në Shqipëri transformimi posttransicional nuk kishte nisur mirë asnjëherë. Në të vërtetë, lufta e filluar për shuarjen e Lazaratit kishte përfunduar në shpërndarje të narkotikëve në gjithë vendin më pas. Sot Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i korruptuar dhe më i kriminalizuar në Ballkan; prodhues i narkotikëve në nivele të njëjta si më parë. Vazhdon, për të keqen, të ketë një elitë politike të ndërlidhur çuditshëm dhe pa marre me krim; një opozitë që s’është hiç më e mirë. Si refuzuese e reformave juridike e ligjore, Shqipëria s’është dhënë e parë asnjëherë si kandidat serioz për tavolinën evropiane. Tendenca ndërsa për të paraqitur veten si stabilizues në Ballkan – në kurriz të fqinjëve në Kosovë – e me këtë dhe duke fituar një kartë të re vëmendjeje nga jashtë, i ishte zhvlerësuar shpejt nga partneri tjetër në Beograd. Me një tren të vetëm madje. Shqipëria s’ishte as hija e një stabilizatori ballkanas.

Në Kosovë procesi integrues ka qenë i komplikuar me fillim. Mosnjohja nga pesë shtetet anëtare dhe dështimi i vënies së presionit mbi to nga anëtarët shumicë kanë nisur një proces paralel të integrimit të Kosovës. Ky paralelizëm ka qenë në thelb improvizues, me idenë se kohëzgjatja e pritjes për ndryshim të mendimit për njohje duhet të shërbejë si kohë për bërje të reformave dhe ndërtimit të shteti ligjor në Kosovë. Por rrugëtimi i Kosovës ka qenë gjithmonë më i vonshëm; edhe në një çështje teknike sikurse liberalizimi, por edhe në marrëdhëniet kontraktuale sikurse MSA-ja. Përveç kësaj, Kosova është futur edhe në një proces tjetër të improvizuar; në normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Sërish, në të njëjtën logjikë, pakoja e mendimit parashihte afrimin e dy vendeve deri në kohën e ndërrimit të qëndrimit në Beograd. Çfarë evropianët nuk kishin kuptuar asnjëherë ishte se; një, ky improvizim do të sillte më shumë largim në mes të vendeve sesa afrim – gjithmonë sepse i njëjti do të përdorej nga Beogradi për të ushqyer nacionalizmin për vota atje; dhe dy, se koha do të punonte në kundërshtim të gjithë projektit evropian. Sot Kosova mbetet pa ndonjë pako në pritje përtej MSA-së, dhe mbi të gjitha pa liberalizim të vizave. Madje, çështja e ndërlidhjes së liberalizimit të vizave është bërë kusht i një beteje krejtësisht të brendshme politike që bën zgjidhjen e problemit dhe më të rëndë.

Në Serbi, vendin e krimit, mafisë e rritjes së kontrollit ndaj medias e shoqërisë së lirë, dialogu i improvizuar me Kosovën ka qenë në vazhdimësi ushqim për votat nacionaliste; kurrë për ndryshim. Në këmbim të nënshkrimeve të marrëveshjeve që s’ishin implementuar asnjëherë, Beogradi kishte hapur kapituj mbas kapitujve me BE-në. Madje, paradoksalisht, në ditën e vizitës së kryeministrit serb në Gjermani, nga ku dhe u dhanë lavde për ecjen evropiane të Serbisë, një ministër tjetër i tij bënte homazhe tek varri i “kasapit të Ballkanit”, Milosheviq. Pasqyrë e saktë e mendësisë reale, të pafshehur, të Serbisë. Serbia nëpërmjet flirtimit me Evropën ka arritur të shndërrojë veten në faktor destabilizues në Kosovë; faktorizim që, fatkeqësisht, mund të nisë një cikël dhune e konflikti në gjithë rajonin lehtësisht. Por flirtimi me Kosovën s’është i vetmi në Beograd. Beogradi ka arritur me mjeshtri të fusë shëtitjen në parada ushtarake ruse si letër kërcënimi për Evropën. Përballë një kërcënimi të tillë, sërish me plot improvizim, BE-ja ka lëshuar udhë vazhdimisht. Ky lëshim i udhëve, për fund, ka sjellë gjithë Serbinë jo në nivel transformimi e ndryshimi, por në nivel të njëjtë mendësie që kishte sjellë bombardimin. Sot, madje, si alternativë e një radikali si Vuçiqi shihet një radikal dhe më i rëndë si Jeremiqi. Kaq është alternativa serbe; nga keq në mos pyet.

Në Bosnjë-Hercegovinë ndërsa mosfunksionimi multietnik i gjithë shtetit ka shndërruar perceptimin evropian ndaj tyre si jofunksional. Jofunksionaliteti ndërsa ka ndërprerë secilin rrugëtim të tyre drejt BE-së. Me këtë një sërë problemesh ekonomike kanë nisur në vend. Me secilin standard, me secilën matje, BH-ja është e paperspektivë; vatër e ngjalljes së krizave të reja etnike; tavolinë e përkryer për Putinin. Në këtë tavolinë ishte nisur dhe referendumi jokushtetues anës serbe të Bosnjës.

I vetmi vend që duket se i shpëton disi ngërçit ballkanik është ai i Malit të Zi; nëse kapërcimi në NATO bëhet i shpejtë natyrisht. Por kapërcimi në NATO s’i garanton Malit të Zi prosperim evropian. Në fund të ditës edhe Shqipëria e drogës, e krimit, ka një anëtarësim të tillë. Anëtarësimi në NATO gjithsesi e shpëton një vend të korruptuar si Mali i Zi nga interesimi rus; rrjedhimisht, nga investimi rus në ndarje e përplasje etnike me serbët lokalë atje.

-3-

Pra, martesa e presupozuar e Ballkanit me Evropë duket e largët dhe e vështirë; e mundimshme shumë. Këto probleme, të reja e të vjetra, në bërje e të trashëguara kaherë, po riaktualizohen sërish. Dhe ky riaktualizim veçse do ta largojë Ballkanin Perëndimor dhe më shumë nga dëshira evropiane për pranim. Më pak kokëçarje për Evropën që kërkon ridefinim është e natyrshme.

Por e panatyrshme është vazhdimi i rrugëtimit evropian sikurse ky tani. Evropa, pasi të qartësoje formatin e vet, qartësim që me siguri vjen para verës së këtij viti – pra pas zgjedhjeve në Holandë e Francë – duhet të qartësojë një rrugëtim të ri për Ballkanin Perëndimor. Të japë pra një projekt të ri. Dhe ky rrugëtim s’mund të jetë improvizim, siç ka qenë deri më tani, por qartësim mbi parimet e vijave strikte; vija që thonë thjesht se fituesi i merr të gjitha.

Fitues është jo ai që kërcënon me nacionalizëm e me pro-putinizëm, por që rreshtohet në krah me aleancën perëndimore. Fitues është ai që shfaqet si refuzues i “liberalizimit” e mbështetës i Perëndimit. Në këtë klasifikim le të vendosin popujt rrugët që duhet ndjekur. Të vendosin secili mbi fitoren që duhet të kenë.

Sado i dhimbshëm e i vështirë të duket një rrugëtim si ky, është më i shpejtë dhe më i sigurt për paqe e mirëqenie në Ballkan. Sepse, është e qartë tashmë se alternativa e tanishme e balancimit sjell krizë e refuzim po u vazhdua si e tillë. Kjo alternativë që sakrifikon vendet properëndimore për kërcënimet e atyre proruse do të përfundojë edhe pa vende proevropiane, edhe me plot vende proruse.

Në një rrugëtim rigoroz Perëndimi do të kuptojë e pranojë aleatët e vet në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë e me shumë gjasë dhe në Maqedoni. Do të jetë më e lehtë më pas për reformimin e Serbisë e transformimin e Bosnjës përballë një regjioni krejtësisht properëndimor e antirus. Mbi të gjitha, një regjion i rikonfirmuar e strikt properëndimor është më pak fragjil për luftë e konflikt; është dhe më atraktiv për investime, mirëqenie e zhvillim. Sakrifikimi i aleatëve e inkurajimi i kërcënuesve nuk do të funksionojnë asnjëherë mirë.

abdixhiku@facebook.com