Cikli i 8-shit

Veton Surroi Veton Surroi 05 janar 2018 07:56

Më 2018 sërish hyjmë në negociata që përcaktojnë statusin tonë të ardhshëm. Rreziqet janë shumë të mëdha.

1.

Më 1988 përfundoi autonomia e Kosovës (kështu zyrtarisht konsiderohet në dokumentet e OKB/UNMIK dhe ato të Procesit të Vjenës të kryesuar nga presidenti Ahtisaari). Dhjetë vjet më vonë, më 1998, u përcaktuan parametrat ndërkombëtarë të Grupit të Kontaktit për zgjidhjen politike (dhe ushtarake) në Kosovë. Pastaj, dhjetë vjet më vonë, më 2008, u shpall "pavarësia e kushtëzuar", e arritur në Procesin Ahtisaari. Tash, në këtë cikël të "8-shit", dhjetë vjet më vonë, arritëm tek etapa e katërt, ku sërish përcaktohet ardhmëria e Kosovës, dhe sikur dy herët paraprake, në një kontekst negociator ndërkombëtar.

Më 2018, pra, vendi do të hyjë në një proces të avancuar negociator, me të cilin duhet të vendoset se çfarë do të jetë modaliteti i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe, rrjedhimisht, çfarë do të jetë pozicioni i Kosovës në BE dhe OKB.

2.

Shkasi për negociatat që do të përcaktojnë statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk gjendet, paradoksalisht, tek nevojat e Kosovës. Shkasi për negociata gjendet tek Strategjia e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, e që pak a shumë përkthehet konkretisht në anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi në BE më 2025. Fuqitë e mëdha (në BE dhe jashtë saj) vlerësojnë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet në masë të madhe nga stabiliteti i Serbisë, e cila tregoi tërë potencialin shkatërrues në luftërat e zhbërjes së Jugosllavisë të viteve '90. Për më tepër, ky stabilitet varet gjithashtu nga largimi i Serbisë prej Rusisë, e kjo thuhet të bëhet më së miri me anëtarësim në BE.

Kosova, në këtë ekuacion të stabilizimit të Ballkanit nëpërmjet integrimit, hyn në masë të madhe në rolin e pengesës së vetme të mbetur për integrimin e Serbisë në BE. Në kalendarin i cili tashmë gjendet në zyrat e BE-së, duke filluar nga kryetari i Komisionit, Juncker, Serbia duhet të akordojë një dokument obligues me Kosovën, të cilin BE-ja do ta konsiderojë si hap legal të normalizimit të marrëdhënieve, me të cilin Serbia do të konsiderohet të mos jetë importuese e problemeve të saj të brendshme në BE.

Në njëzet vjetët e fundit ky është pozicioni negociator më komod i Serbisë. Integrimi i Serbisë në BE tash është shndërruar pothuajse në nevojë më të madhe të BE-së sesa të vetë Serbisë; rrjedhimisht, në BE do të ketë gjithnjë e më shumë disponim që të akomodohen kërkesat e Serbisë karshi Kosovës. Nëse në Procesin e Brukselit BE-ja qe e gatshme (e Kosova me gabime strategjike u pajtua) që të negociohet për një lloj mbindërtimi në sistemin kushtetues të Kosovës, të trajtuar si shtet të kontestuar e të kontestueshëm, në procesin e vitit 2018 do të ketë edhe më shumë ndjeshmëri për konceptet e Serbisë.

njëzet vjetët e fundit ky është , çuditërisht, pozicioni më i disfavorshëm negociator për Kosovën. Më 1998, me gjithë okupimin dhe luftën, Kosova ishte në pozicionin ku fuqitë e mëdha anonin kah ajo, përfshirë në fund edhe ndërhyrjen ushtarake. Më 2008, po ato fuqi të mëdha që e çliruan Kosovën e shtynë pavarësinë e saj nëpër vrimën e gjilpërës. Më 2018, fuqitë e mëdha që e shpëtuan Kosovën nga gjenocidi, e çliruan atë nga okupimi dhe në fund e çuan për dore deri në pavarësi, kanë interes që Serbia të hyjë në BE dhe që kështu të përmbyllen konfliktet në Ballkanin Perëndimor.

3.

Sfidat negociatore për Kosovën janë jashtëzakonisht të mëdha. Siç u pa në Procesin e Brukselit, Kosova shkoi në negociata pa konsensus e me tepri arrogance e injorance bashkë. Ky proces ka lënë shenjë, sepse ka hapur rrugë presedence , siç ishte Marrëveshja për Bashkësinë e komunave serbe. Dhe ky proces nuk dha përgjigje për pyetjet sfiduese që i ka Kosova. Së pari, a do të çojnë negociatat në njohjen e pesë shteteve të BE-së, pa të cilat Kosova nuk ka pozitë të barabartë (pra perspektivë integrimi në BE)? Dhe a do të çojnë këto negociata në anëtarësim në OKB, për ç'gjë nuk merret vetëm pëlqimi i Serbisë, por më me rëndësi i Kinës dhe Rusisë?

Këto nuk janë pyetje akademike, por jetike për shtetësinë e vendit, dhe do të duhej të përcaktonin qëndrimin e negociatorëve të ardhshëm kosovarë. Nëse procesi i vitit 2018 nuk e vendos Kosovën në formë të barabartë në BE, duke marrë shprehimisht njohjet e "pesëshes" që nuk beson në Kosovën e pavarur, përse duhet Kosova të jetë ndihmesë e Serbisë për integrim në BE? Nëse në fund të procesit të vitit 2018 Serbia deklaron që nuk i pengon ulësja e OKB-së për Kosovën, kush garanton që presidenti Putin e ministri i Jashtëm, Lavrov, nuk do të deklarojnë që Serbia nuk e udhëheq politikën e jashtme ruse dhe se e vetmja mënyrë se si Kosova të bëhet anëtare e OKB-së është nëse shtetet perëndimore ia heqin sanksionet Rusisë dhe e njohin aneksimin e Krimesë.

Natyrisht, sfidë mbi sfidat është vetë dokumenti që duhet ta nënshkruajnë dy shtetet. Për ilustrim: a është i natyrës transitore (duke hapur edhe një proces në të ardhmen) apo është dokument me të cilin dy shtetet vendosin marrëdhëniet diplomatike dhe i japin fund konfliktit? Nëse është i natyrës transitore, çfarë do të jetë procesi i ri që na pret? Nëse është i natyrës përfundimtare, si i trajton dëmet e luftës e të okupimit?

4.

Në këtë situatë janë tri gjëra kyç që Kosova nuk guxon t'i bëjë.

Një, të vazhdojë me negociata siç ka bërë deri më tani. Procesi i Brukselit ka qenë mostër se si nuk duhet negociuar. Në vitin 2018 Kosova duhet të hyjë me një konsensus negociator: pushtet dhe opozitë (cilido pushtet e opozitë që mbetet apo bëhet gjatë këtij viti) duhet të veprojnë së bashku, me mbikëqyrje të plot parlamentare.

Dy, të mos marrë pjesë në negociata, apo të tregojë mosgatishmëri për të marrë pjesë. Ndonëse theksi i tyre është për anëtarësim të Serbisë në BE, këto mund të jenë rast i mirë për avancimin e interesave të vendit. Mosgatishmëria e një shteti për të negociuar për fatin e vet lë hije edhe më të madhe dyshimi mbi të seç ka akumuluar deri tani.

Dhe tre, të vazhdojë rrugën e theqafjes që e shpërfaqi me veçanti në ditët e fundit të vitit 2017 , duke u përpjekur të kontrabandojë shfuqizimin e Gjykatës Speciale, me gjithë kundërshtimet e hapura të shteteve që e mbrojtën, çliruan dhe pavarësuan Kosovën. Në njëzet vjetët e fundit nuk ka gjë të mirë që është bërë për këtë vend e që nuk është bërë me përkrahjen e jashtëzakonshme të shteteve kryesore perëndimore. Vendi ka kapacitet të madh dëmtimi , në negociata apo jo, nëse nuk e ka përkrahjen vendimtare të këtyre shteteve. E dëmi mund të jetë i një gjenerate nëse nga këto negociata , më 2018, del me rezultatet mjerane të arrogancës e injorancës së bërë bashkë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gjema08/01/2018 14:52

Sa i perket politikes se jashtme, dihet se rolin kryesor ne interesat e Kosoves e kane kryer fuqite perendimore, kurse politikanet tane vetem jane lavderuar e krekosur. Ne nivel vendi te njejtit politikane qe kane pasur rolin kryesor, kane deshtuar totalisht, ndersa tani po duan edhe me politike te jashtme ta deshtojne shtetin e Kosoves per shkak te interesave personale. Zgjidhje nga kjo situate do te kishte sikur te kishim nje alternative opozitare, gje qe nuk e kemi. Thjeshte, jemi ne KRIZE.

Dritani05/01/2018 15:37

Nje pene e arte si gjithnje zoti Surroi! Shpresojme qe kjo ceshtje e rendesishme mos te mbetet ne duart e truthareve si Thaqi, Haradinaj, Pacolli, Veseli, Hoxhaj, Limaj, etj. Keta te fundit kane njohuri vetem per manipulim, mashtrim, zhvatje, genjeshtra, tendere, punesime te afermeve, miqve dhe ndjekesve te tyre. Kane njohuri per udhetime ne hotele te shtrenjta dhe fotografime me personalitete. Per negociata nuk kane lidhje fare. Kosova duhet te angazhoje qe tani eksperte te huaj dhe me pervoje nderkombetare, te cilet do pergatisin Kosoven per cdo hap dhe per cdo detaj. Kosova ka nevoje ne kete kohe edhe per nje njeri ne krye te saj qe pranon keshilla dhe jo qe vendos ne koke me vete. Jo njerez mjeran si soji i Hashimit apo Ramushit qe i nderrojne mendimet sikur qorapet dhe nuk shohin me larg se hunda e tyre. Po ashtu Kosova nuk ka nevoje per njerez si Albini qe mendojne se i dijne te gjitha dhe nuk kane nevoje per asnje keshille. Ne kete kohe qasja ne dije dhe keshilla eshte aq e lehte si kurre me pare. Nuk eshte turp te keshillohesh, perkundrazi.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi