OpEd

Vjegëzat e 2017-s, shpresa të Vitit të Ri

Le t’i shtojë 2018-a kërkesat e qytetarëve. Le të jetë ky viti i vetëdijesimit, i dinjitetit dhe i kthimit të shpesës në këtë vend.

Sapo lamë pas vitin më të mirë që nga paslufta. Asnjë tjetër nuk e ka zhveshur më shumë realitetin se ky. Qershia mbi tortë në fund qe ringjallja qytetare në dy protesta simbolike, por shpresëdhënëse.

Dy palë zgjedhjet e 2017-s ndryshuan hartën politike. Rrënuan kalatë e partive dhe dëshmuan se asgjë nuk mund të jetë përjetësisht e mirëqenë për askënd.

Shifrat e sistemit të drejtësisë vërtetuan se lufta kundër korrupsionit ka qenë çdoherë e barasvlershme me zero. Më 2017-n asnjë zyrtar i lartë nuk përfundoi prapa grilave për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Më 2016 pati shumë aktakuza e shumë fjalë, dhe kjo e bëri BE-në të çonte sinjale se po luftohej korrupsioni dhe se problem mbetej demarkacioni. Në Kosovë e ndjenim që kjo ishte një pallavër e madhe. Më 2017 jo veç që ra drastikisht numri i aktakuzave, por u zhvesh plotësisht praktika e mosndëshkueshmërisë. Ky alarm ende nuk po i zgjon qytetarët, por lufta kundër korrupsionit u rikthye më së larti në agjendat e përfaqësuesve të BE-së, por edhe të SHBA-së. U shquan më 2017 me interesimin për ta përkrahur thuaja çdo iniciativë që merrej me këtë problem.

Meqë amerikanët janë më të drejtpërdrejtë, porosinë e vitit për korrupsionin e la zyrtari i Departamentit të Shtetit, Brian Hoyt Yee. Ishte më shumë një thirrje për vetë ndërkombëtarët. Tha se është paturpësi e kryeqyteteve të botës se si i mirëpresin liderët e korruptuar të Ballkanit sikur s’kanë bërë gjë të keqe.

“Nëse ata nuk lejohen në këto takime dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte ndikim pozitiv në ecurinë e këtyre vendeve”.

Ndërkohë në opinionin kosovar shpërthyen skandale të shumta nga sistemi i drejtësisë. Në qendër qenë ato që lidheshin me Prokurorinë, dhe më indikativja prej tyre qe “Pronto 3”: Përgjime që tregonin për afërsinë e klanit “Pronto” me shefin e Prokurorisë së Shtetit. Ndërkaq në Polici ndjekja e krimeve ekonomike doli të udhëhiqej nga një kokë që në shkëmbim të lirimit nga burgu u kërkonte kriminelëve qindra mijëra euro. Janë klanet që janë shtrirë në pikat strategjike të luftimit të krimit të organizuar e të korrupsionit, e që lidhjen vertikale e mbajnë me të fortit e pushtetit. Viti 2017 zhveshi këto lidhje më shumë se kurdoherë; gjeti vjegëzën dhe u hapi rrugë zbulimeve të reja, natyrisht nga ndonjë medium apo OJQ.

Derisa struktura të ndërlikuara interesi lidhin të pandëshkueshmit në rrjetin e tyre ndërinstitucional, këtë vit në krye të Qeverisë erdhi shefi me sistemin më të thjeshtë të mundshëm të akomodimit të interesave të veta.

Nuk pati nevojë për hulumtime as përgjime që të dalin në shesh skandalet e tij. Tregoi vetë që ua fali borxhet milionëshe ambalazhuesve të ujit - bizneseve më të fuqishme, që të tilla janë bërë duke e marrë pa pare ujin e bjeshkëve e duke e shitur nëpër shishe. Kjo, sepse ka pasur dëshirë t’u ndihmonte atyre që kanë më shumë miliona, sesa bizneseve të vogla që mbyllen përditë për shkak të kushteve të pafavorshme të të bërit biznes. Natyrisht, e mira kthehet me të mirë. Dhe kur i bën mirë dikujt që ka më shumë para, e mira që të kthehet është më e madhe.

Ndihmoi edhe dhëndrin e vet 27-vjeçar duke e vënë në krye të financave të Fondit të Sigurimeve. Punësimin e tij nuk e shpalli vetë, tha se për të kishte lexuar në media. CV-ja e dhëndrit të ri ende mbahet e mbyllur hermetikisht nga punëdhënësi.

Çka nuk e mohoi qe mbushja e Qeverisë me ministra, zëvendëskryeministra e zëvendësministra, me këshilltarë e shoferë. Tha se nuk po mburrej me vendimin për këto punësime të panevojshme, por me mburrje rrogat ua rriti të gjithëve. Nisi me dyfishimin e të vetes e vazhdoi tutje. Pati edhe të tillë që rrogën ua trefishoi, varësisht nga afërsia e pozitës.

Ndërkohë vazhdoi traditën e lidhjes së kontratave të fshehta, kësaj radhe për projektin energjetik 1.3 miliardësh. Kjo në kohën kur qytetarët u kërcënuan me shtrenjtim të rrymës dhe kur nisën të vetëdijesoheshin se si mbi kurrizin e tyre me vite institucionet u kanë dalë zot interesave të kompanisë turke që ka blerë Distribucionin.

Dhe në fund, për ta përmbyllur 2017-n, e qerasi veten me një udhëtim sado të shkurtër në vendin ku dimri është më i bukur. Në Zvicrën e Alpeve, ku një kafe kushton sa një kravatë, por e standardit të qytetarëve të thjeshtë që në muaj i marrin diku pak më shumë se një e dhjeta e rrogës së kryeministrit.

Se çka e prek direkt qytetarin, më 2017 u shfaq më qartë. Me dekada Kosova ka qenë vendi ku më të rëndësishme kanë qenë zhvillimet rreth ideologjive politike, të armiqve nga jashtë e konspiracioneve të fuqive botërore. Sivjet, mbase edhe për shkak të zgjedhjeve, u fol më shumë për qytetarin - rrena a të vërteta, s’ka gajle. U raportua më shumë për zyrtarët e politikanët e Kosovës – për të keq apo për të mirë, s’ka gajle. Dhe tani në dhjetor edhe u protestua. Jo për ide politike, po për çështje konkrete që prekin dinjitetin dhe xhepin e qytetarëve. Organizatorë qenë vetë ata. Njëherë kërkuan që të anulohet rrjepja përmes faturave të rrymës duke ua ngarkuar konsumatorëve humbjet që janë pasojë e paaftësive të Qeverisë e të kompanisë turke që shpërndan rrymën. Dhe, herën e dytë, iu kërkua kryeministrit që të mos i ofendojë me “hajgare” pa kripë dhe të mos e keqpërdor buxhetin që e mbushin qytetarët e thjeshtë e jo miqtë e tij të bizneseve të cilëve ua fal tatimet.

Le t’i shtojë 2018-a kërkesat e qytetarëve. Le të jetë ky viti i vetëdijesimit, i dinjitetit dhe i kthimit të shpresës në këtë vend.

brikenda@koha.net