Grykësia për ledine

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 04 janar 2018 12:31

Dhe gjersa qeveritarët i gjejnë saora paratë nga buxheti për “zyrtarizimin e mëtejmë me kravata”, janë qindra fëmijë kosovarë që vuajnë urie për bukë. Por shteti “nuk gjen”as mjete as kohë të merret me ta.

“Ka disa herë në shitore më shohin kinse për karamela/por kaçurrelja kur t’më shikjojë dal dhe në gjana tjera/ma nep këte, ma nep ate, edhe këte, edhe ate…”. Janë këto disa nga vargjet e një kënge të mirënjohur të artistit Muharrem Qena. Kënga është e vjetër, por këndohet me ëndje edhe nga të rinjtë. Me siguri nuk do të mungojë as në ahengjet festive të natës që shënon kapërcimin në motin e ri.

Personazhi i këngës mund të ketë qenë i imagjinuar apo ndoshta ishte vetë autori. Kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që kënga u ka mbijetuar viteve dhe ka flladitur shpirtin e shumë brezave. Për ta impresionuar shitësen me kaçurrela që e adhuronte, djali supozohet se nuk i ka mbetur borxh dyqanit për gjësendet që ka marrë.

Në realitetin e sotëm kosovar është një personazh publik që sikurse djali i këngës ka shumë kërkesa kur hyn nëpër dyqane. Dhe ajo nuk hyn në to për të shikuar ndonjë kaçurrele. As për karamele. “M’i jep këto këpucë për djalin, ato këpucë për vajzën… këto… edhe ato, edhe këto këtu... për vete”, i thoshte ajo shitëses së re në moshë këtë dhjetor, në një nga dyqanet më të shtrenjta të këpucëve në Kosovë. Shitësja ia bën gati pakot dhe kur merr t’ia llogarisë shumën që duhet paguar stepet nga fjalët e klientes ekstravagante. “Tregoju shefave tu kush i ka marrë”, i thotë, dhe largohet pa paguar me qeset e mbushura me pesë palë këpucë. Një grua e tronditur me ngjarjen që sheh i drejtohet shitëses me sy të zgurdulluar: “Pse moj e le me dalë pa pagu?”. Shitësja rrudh supet, pa mundur të nxjerrë dot fjalë nga goja.

Kjo grua që ka vite që është bërë tmerr i dyqaneve e besa edhe i ordinancave private shëndetësore, është gruaja e një zyrtari të lartë shtetëror. “Blerja” e fundit është cikërrimë krahasuar me “blerjet” e tjera luksoze që i rrëfejnë për të pronarë biznesesh.

Sikur të mos ishte gruaja e një të fuqishmi në politikë, me siguri që nuk do të zinte vend në këtë kolumne. Veprimet e saj marrin vëmendje në publik, sepse është pikërisht statusi shoqëror i bashkëshortit që po ia jep asaj “imunitetin” për “të vjelë” mallra në dyqane sikur frutat në pemë. Deri më tani nuk është raportuar se ndonjë pronar biznesi e ka lajmëruar në polici. Arsyet mund të merren me mend.

Arrogancë e superioritet në publik shfaqin edhe gra e fëmijë të politikanëve të tjerë. Sjelljet e tyre nxisin neveri te qytetarët dhe vetëm sa ua konfirmojnë se kulturën e zhvatjes së parasë së shtetit dhe të popullit përveç në institucione pushtetarët e kanë etabluar edhe në familjet e tyre.

* * *

Ka shumë anekdota për të folmen e prizrenasve që nën ndikimin e turqishtes në shqipe e vënë theksin në fjalë aty ku nuk duhet. Në përpjekje për të ngushëlluar një bashkëbisedues se ka gjëra edhe më të këqija se ato që i kishin ndodhur prizrenasi i thotë “o kazi mazi”.

Të mësuar të jetojnë me hajni, korrupsion dhe haraç tenderësh në gjithë këto vite të pasluftës, deri para disa ditësh ekzistonte përshtypja se kosovarët më nuk mund t’i trazojë asnjë skandal qeveritar. Por disa vendime që mori Qeveria në 100-ditëshin e parë i tronditën jo pak kosovarët. Ua dëshmuan se paska “zi e ma zi”, siç ka dashur të thotë prizrenasi.

Vendimi i kundërligjshëm i kryeministrit për t’ia rritur pagën vetes dhe vartësve të tij dëshmoi se as kjo Qeveri nuk ndryshon nga ato të mëparshmet kur është çështja e përfitimeve personale nga buxheti i shtetit. Kulmin e shënoi arsyetimi i kryeministrit se i duhet pagë më e madhe edhe për të “blerë këmishë e kravata”. Disa të rinj iu përgjigjën me një aksion simbolik, por shumë domethënës, duke ia varur në rrethojat e ndërtesës së Qeverisë qindra kravata si donacion i mbledhur nga qytetarët. Të pranishmit në aksion me ironi shprehnin mllefin për vendimin që ua rrit beneficionet qeveritarëve në një kohë kur papunësia në Kosovë sillet në rreth 40 për qind, ndërsa rreth pesë për qind e popullatës jeton në varfëri ekstreme.

Vendimi ka nxitur reagime edhe të sindikatave të pavarura të punëtorëve të sektorit publik dhe, sipas deklaratave të përfaqësuesve të tyre, janari i vitit të ri mund të sjellë protesta e trazira sociale.

* * *

Dhe gjersa qeveritarët i gjejnë saora paratë nga buxheti për “zyrtarizimin e mëtejmë me kravata”, janë qindra fëmijë kosovarë që vuajnë urie për bukë. Por shteti “nuk gjen”as mjete, as kohë të merret me ta. “Nuk gjen” as për 200 të rinj të uritur për dije, të cilët janë identifikuar nga instituti “Atomi” si persona me inteligjencë dhe aftësi të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme. Nga mungesa e fondeve këta fëmijë, që në shtetet e zhvilluara trajtohen si pasuri kombëtare, nuk po mund t’i mbajnë as ligjëratat e kurset që do të avanconin njohuritë e tyre. Investimi i shtetit në ta do të ishte investim në një brez që në të ardhmen e afërt do t’i kontribuonte zhvillimit dhe avancimit të shkencës dhe ekonomisë në vend.

Por klasa aktuale politike nuk ka as vizion, as vullnet për investime, rezultatet e së cilave nuk shihen aty për aty. Sepse u shkojnë për shtati investimet afatshkurtra nga të cilat më shumë përfitojnë vetë sesa shoqëria. Përkrahja e këtyre të rinjve të talentuar është domosdoshmëri nëse nuk duam “rrjedhjen e trurit” nga vendi dhe vazhdimin e lulëzimit të injorancës.

Kosova sot nuk ka nevojë për të rinj që shesin trimëri me armë. Ka nevojë për të rinj kreativë si atomistët që kanë ëndrra dhe ambicie për të ecur krahas botës së përparuar. Këto ëndrra nuk mund t’ua vrasë askush. As këta politikanë të cilëve 2017-a ua shpërfaqi “për ledine” grykësinë për pushtet e para. Kushedi edhe sa befasi zhvatjeje ia ka përgatitur për 2018-n ky kabinet qeveritar “dyqanit” të quajtur Kosovë.

Na mbetet vetëm të urojmë që pushteti dhe grykësia e tyre (edhe e familjarëve të tyre) të mos e kenë jetëgjatësinë e këngës për kaçurrelen dhe karamelet.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

sab05/01/2018 15:40

Valbonë, shkrimet tuaja janë çdoherë të shkelqyeshme dhe i lexoj me dëshirë, por sot ky rrëfimi për këtë "zonjën" më ka tronditë dhe dekurajue sinqerisht !

Bekimi05/01/2018 15:41

Shumë nderuara Valbona, të lumtë! E ke filluar dhe përfunduar me shumë shije këtë shkrim, e temën që e shtjellon e ke "goditur fare". Por veq kur rrënjët janë të forta, frutat janë të ëmbla, prej atyre që "shpejt" bëhë të pasur, të ditur e kulturuar ka veq fruta me shije të keqe! "Paç një Vit me fat në Kosovë dhe Zanat e Malit, ato orëmirat e legjendave të moçme shqiptare qofshin me hijen Tënde!" Pershëdetje nga një shok gjenerate i Gjimnazit...diku në Përendim Bekimi

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti