Për ata që janë më ndryshe

Flaka Surroi Flaka Surroi 02 janar 2018 09:04

Optimizmi që më ka mbajtur gjallë, sidomos gjatë luftës, nuk më lejon të çoj duar. Sepse atë optimizëm e ushqejnë të rinjtë të cilët më rrethojnë: ata që nuk heshtin para së keqes dhe që luftojnë që fëmijët e tyre ta kenë një rritë tjetër nga e tyrja. Ata të cilët janë shumë të vegjël për t’i kuptuar pyetjet e taksistëve të Shkupit. Ata që nuk rrinë duke pritur që gjërat të ndryshojnë vetvetiu. Ata që nuk i kanë fajdexhinjtë idhuj

Pak para se të përfundonte lufta u gjeta syrgjyn në Maqedoni, jo me dëshirën time. Ajo që do të më mbetet përjetë e vulosur në shpirt, qe poshtërimi më i madh që kisha përjetuar në jetë: dëbimi me dhunë nga Kosova.

Me gjithë situatën, na mbante shpresa që na jepte fuqi: se do të ktheheshim shpejt në shtëpi dhe se më në fund do të jetonim ashtu siç do të duhej. Me rend, me bollëk dhe pa frikë.

E, megjithatë, nuk kalonte ditë në të cilën dikush, qoftë ai edhe një taksist në Shkup, që nuk na pyeste: “Mirë që po çliroheni nga serbët, po a do të jeni në gjendje ta udhëhiqni shtetin tuaj?”.

* * *

Qe iluzioni i solidaritetit që na kishte mbajtur gjallë për më shumë se një dekadë ai që na e betononte bindjen se po ta kishim pushtetin në dorë, do të dinim shumë mirë si të vendosnim për vete, e që të liroheshim nga e keqja që na pati pllakosur.

Nuk e besoj se na kishte kaluar nëpër mendje ndonjëherë se atë që do ta bënim menjëherë pas luftës do të ishte ta shpërfaqnim qenien tonë të vërtetë. Solidariteti vdiq në qershor të 1999-s, e me të u zhduk edhe iluzioni.

Kosova e pasluftës u bë vendi të cilin nuk e kishim ëndërruar. U bë vend i kaosit, vend i krimit dhe vend i mosndëshkimit. U shpall shtet, por të mirat e tij i gëzojnë vetëm ata që me turne e mbajnë pushtetin.

U bëmë popull enciklopedi: krejt çka duhet ditur për përvetësimin e pronave të huaja; për skemat mashtruese të pasurimit; për organizimin e rrjeteve grabitqare të merimangës; për vendosjen e militantëve dhe të dëgjueshmëve nëpër polici e gjyqësi; për injorancën politike; për rrenën si ideologji; për barazimin e interesit shtetëror me atë personal; për analfabetizmin funksional; për sëmurjen kolektive të një populli; për kthimin e ligjit kanunor në aktin më të lartë juridik..., që të gjitha e kanë nga një përkufizim të zgjeruar, të cilin mund të ta japë madje edhe një fëmijë që ende nuk është nisur për në shkollë.

* * *

E dëshmuam se nuk dimë të ndërtojmë e as të udhëheqim shtet, për shkak se lejuam që njerëzit e padijshëm të na sundojnë. Ngase funksionojmë me logjikën e borxhit që me kohë ka marrë formën e fajdesë. Sepse as pas 18 vjetësh nuk kemi arritur t’ua lajmë “borxhet” atyre “që kanë luftuar”, kush me pushkë e kush me rrena.

Si pengje të borxheve që na i imponuan me dhunë e arrogancë, mbesim ende në pritje të hapjes së një shtegu që do të na nxjerrë prej vrimës së zezë në të cilën jemi futur. Dhe pikërisht ky është telashi më i madh: se vazhdojmë të presim ende duke besuar se gjërat vijnë vetë. Se sikurse na çliruan e shpëtuan forcat e NATO-s, ashtu do të vijë ndonjë Speciale për ta pastruar këtë vend nga llumi që e ka kapluar.

* * *

E Specialja është rrëfim më vete. Ajo “do t’i ngrejë aktakuzat kur t’u vijë radha”, pasi të jenë shterur të gjitha negociatat për amnistinë e mundshme të disave që e kanë votuar vetë, e më pas i kanë rënë pishman. Mbase Specialja edhe do t’ia dalë t’i mbledhë disa nga fajdexhinjtë që na kanë ngufatur qe gati dy dekada, porse ajo nuk do të arrijë t’i shpërbëjë rrjetet kriminale që i kanë krijuar – sepse këto i kanë lëshuar rrënjët shumë thellë.

E këputja e këtyre rrënjëve do të na marrë shumë kohë – shumë interesa e shumë para janë të përfshira. Ata që i kontrollojnë nuk do të heqin dorë aq lehtë.

* * *

E nëse për diçka duhet gëzuar plakjes është se më kurrë nuk bëhemi më të rinj. Pra, as fajdexhinjtë me gjithë klientët e shërbëtorët e tyre. Ajo do t’u hapë rrugët të rinjve që do të kenë mundësinë të zgjedhin: ose të veprojnë sipas shembullit të këtyre, sepse ndryshe nuk kanë parë; ose të veprojnë nga drejtimi i kundërt, për shkak se janë ngopur deri në tavan me mashtrime, rrena e hajni. Uroj që kjo e dyta gjithsesi të ngadhënjejë.

* * *

Të jetosh në këtë Kosovë, të dërrmuar e në zgrip të humnerës nuk ka qenë ëndrra ime. Nuk e besoj se kjo do të ketë qenë ajo çfarë kishim aspiruar të gjithë, që nga brezat e pas-Luftës së Dytë Botërore. Nuk e besoj, sepse jetën e keqe nuk e do askush, as kur ta imponojnë të tjerët. E aq më pak e do kur ia imponojnë të vetët. E kur ndodh kjo e fundit, madje edhe optimistët më të mëdhenj nisin të hamenden. Sepse rrinë në pritje se ndoshta gjërat vetvetiu do të ndryshojnë, duke e ditur se kjo nuk do të ndodhë.

* * *

Më dhimbsen këta 18 vjetët e fundit, se gjithçka ka mundur të ishte më ndryshe. Ashtu siç e kishim ëndërruar. Por, megjithatë, optimizmi, sado i luhatur, që më ka mbajtur gjallë sidomos gjatë luftës, nuk më lejon të çoj duar. Sepse atë optimizëm e ushqejnë të rinjtë të cilët më rrethojnë: ata që nuk heshtin para së keqes dhe të cilët luftojnë që fëmijët e tyre ta kenë një rritë tjetër nga e tyrja. Ata, të cilët janë shumë të vegjël për t’i kuptuar pyetjet e taksistëve të Shkupit. Ata që nuk rrinë duke pritur që gjërat të ndryshojnë vetvetiu. Ata që nuk i kanë fajdexhinjtë idhuj.

Për ata që janë më ndryshe dhe për forcën që iu duhet për ta bërë Kosovën vend të lumtur, gëzuar!

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi