OpEd

Kështu dëmtohen interesat e shtetit

Këta liderë të Kosovës nganjëherë duket se nuk e dinë as abc-në e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke menduar gabimisht se përgjegjësitë dhe obligimet i takojnë vetëm palës tjetër. Me trajtimin e çështjes së demarkacionit, veçanërisht me tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale – pavarësisht a janë të drejta ose jo ato – klasa politike kosovare ka treguar se është e gatshme ta dëmtojë shtetin në mënyrë të pariparueshme.

PSE DUHET qytetarët e saj t’i besojnë Kosovës?

Pse duhet bashkësia ndërkombëtare t’i besojë Kosovës?

Nëse analizohet udhëheqja politike e vendit muajve të fundit, pak lë hapësirë që edhe qytetarët, edhe dikush në bashkësinë ndërkombëtare të ketë besim.

Kjo për shkak se Kosova, në masë të madhe, ka një klasë politike aq të papërgjegjshme, e cila është në gjendje që brenda natës të kthejë përmbys gjithçka që është arritur me breza të tërë.

Kosova është bërë thellësisht e paparashikueshme dhe e papjekur politikisht. Mjerisht, ky është argumenti më i rrezikshëm që po ia servojnë pushtetarët kosovarë secilit që ka dyshime në kapacitetin e Kosovës për të qenë shtet i pavarur.

TË MOS HARROJMË, Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar procesin e pavarësisë.

Kosova ende nuk ka ulëse në OKB.

Kosovën ende nuk e njohin pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, OSBE-së, UNESCO-s, Interpolit etj.

Kosovën ende nuk e njohin si shtet të gjithë qytetarët e saj.

Kosova ende nuk e kontrollon gjithë territorin e saj.

Kosovën ende nuk e njohin Serbia e Bosnja.

Kosova ende nuk ka ushtri.

Kosova ende është vendi i vetëm pa liberalizim të vizave në Evropë.

Kosova ende është vendi i vetëm pa Kartonin e Gjelbër në Evropë.

Po ndalem me numërimin e vetëm dhjetë rasteve sa për të kthyer në vëmendjen e të gjithëve faktin se sa e brishtë është sot Kosova dhe sa të fortë mund të jenë ata që nuk e duan si shtet të pavarur.

KOSOVA SOT – po, është e vërtetë - është shumë më mirë sesa ka qenë para 10 vjetësh.

Kosova është larg më mirë se ku ka qenë para 20 vjetësh.

Mirëpo, Kosova, gjithashtu, ende është shumë larg prej ku do të duhej të ishte në shënimin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Pa ndihmën e “aleatëve tanë”, SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Turqisë, kurrë Kosova as që do të ishte ku është sot, aq e lirë dhe aq e pavarur sa është.

Si dhe pa ndihmën e të njëjtëve edhe proceset e mbetura të hapura rreth rrumbullakimit të pavarësisë mund të mbesin pezull edhe për një periudhë kohore të paparashikueshme.

Ta rikujtojmë, pasi që shpesh po duket se po hijezohet:

Sovranitetin e Kosovës edhe sot e kësaj dite e garanton NATO-ja dhe jo qytetarët e saj.

Pavarësia e Kosovës u shpall dhe u njoh nga “aleatët tanë” nën një interpretim kreativ që ata ia bënë Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila edhe sot e kësaj dite është në fuqi.

Pra, edhe çlirimi i Kosovës, por edhe shtetësia e saj, përveç dëshirës dhe angazhimit të popullatës, kërkoi vullnetin dhe angazhimin e shteteve të tjera.

Edhe sovraniteti, edhe pavarësia e Kosovës lidhen ngushtë me marrëdhëniet që ne i kemi pasur dhe do të vazhdojmë t’i kemi me shtetet që na përkrahin, me shtete mike, dhe assesi jo duke i kundërshtuar hapur ose përbuzur ato.

Pse atëherë përnjëherë numri më i madh i atyre që pretendojnë ta udhëheqin Kosovën – përfshirë kryetarin, kryeministrin e kryeparlamentarin - po mendojnë se mundemi edhe të mos koordinohemi dhe të mos i dëgjojmë këshillat e “aleatëve tanë”?

Apo, po kërkojnë dhe duan aleatë të tjerë?!

ENDE PA U mbushur një dekadë prej shpalljes së pavarësisë, liderët e Kosovës nxitën përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme aleate të vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetësisë.

Të premten, kur u tentua pabesisht brenda orësh të shfrytëzoheshin pragfestat e fundvitit për të kontrabanduar në Kuvend një projektligj që shfuqizonte Gjykatën Speciale, reagimet e “aleatëve tanë” ishin alarmuese.

“Nëse do të ketë sukses kjo përpjekje, do të ketë efekt shumë negativ për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës, do të konsiderohej nga SHBA-ja si thikë pas shpine, Kosova do ta zgjidhte izolimin në vend të bashkëpunimit, dhe më duhet ta them se e urrejmë që ta kthejmë orën prapa për Kosovën, në progresin që e kemi arritur deri tani. U bëj thirrje liderëve të Kosovës që të ndihmojnë në zmbrapsjen e kësaj përpjekjeje. Secili duhet të mendojë për interesin e shtetit dhe të 2 milionë kosovarëve, në vend të interesave të tyre personale”, theksoi ambasadori amerikan Greg Delawie.

Sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga lufta. Politikanët kanë shti interesin personal para interesave shtetërore. Nëse anulohet tash (Gjykata Speciale), reagimi do të jetë shumë i keq për Kosovën”, konfirmoi ambasadori britanik Ruairi O’Connell.

Në këtë frymë foli edhe ambasadori gjerman, ai francez dhe italian.

Vërejtje më të drejtpërdrejta dhe më të ashpra nuk kanë dhënë asnjëherë deri më sot përfaqësuesit e këtyre shteteve që janë sponsoruese kryesore të çlirimit dhe pavarësisë.

Duket se tashmë u ka humbur durimi. Meqë kjo harbutëri e liderëve politikë të Kosovës ndaj tyre tashmë një kohë po shpërfaqet edhe me qasjen ndaj demarkacionit me Malin e Zi.

Si duket, këta liderë të Kosovës nganjëherë nuk e dinë as abc-në e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke menduar gabimisht se përgjegjësitë dhe obligimet i takojnë vetëm palës tjetër.

Me trajtimin e çështjes së demarkacionit, veçanërisht me tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale – pavarësisht a janë të drejta ose jo ato – klasa politike kosovare ka treguar se është e gatshme ta dëmtojë shtetin në mënyrë të pariparueshme.

Tashmë besimi i bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën ka rënë aq shumë, saqë duhen hapa galopant në drejtim të kundërt për të mos e dëmtuar edhe më tutje vendin.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk