Pse duhet funksionalizuar Gjykata Speciale?!

Belul Beqaj Belul Beqaj 27 dhjetor 2017 13:21

Shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të nënkuptonte fuqizimin e subjekteve dhe faktorëve që e kanë sjellë shtetin e Kosovës para dështimit

Të gjithë që e kanë kundërshtuar formimin e Gjykatës Speciale kanë pasur të drejtë . Ngase funksionalizimi i saj, me të vërtetë, e cenon sovranitetin politik dhe unitetin juridik, i cili, dorën në zemër, kurrë nuk ka qenë i plotë. Krijon imazh shumë të keq për UÇK-në, Kosovën dhe shqiptarët. Pavarësisht se do të gjykohen individët e dyshuar për krime të luftës , GJS-ja para opinionit vendor dhe ndërkombëtar e sjell në dyshim vlerën e mirëfilltë dhe pastërtinë e rezistencës së armatosur. Mbase e sjell në dyshim edhe motivin human të intervenimit ndërkombëtar !

Të drejtë patën edhe ato forca politike që e mbështetën një kërkesë për formimin e Gjykatës Speciale ndërkombëtare nga bashkësia ndërkombëtare. Kryembështetësi dëshiroj të ketë mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar duke vazhduar rolin dominues në politikëbërje brenda Kosovës. Pavarësisht se shumë raste që kanë ndodhur, me emër dhe mbiemër, shumë krime të tmerrshme që janë evidentuar nga Raporti i senatorit Dick Marti, nuk morën përgjigje nga drejtësia nacionale të drejtuara pikërisht nga ato subjekte kryesore të politikëbërjes?!

Të drejtë mbase pati edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila po mundohet që në paqe, disi, t’i korrigjojë disa gabime që i ka bërë gjatë dhe pas intervenimit me partnerët kosovarë, por edhe të arsyetojë, deri diku veten, duke shpëtuar shtetin e Kosovës nga dështimi ?!

Pra, ato forca politike që kundërshtuan formimin e Gjykatës Speciale dhe ato që iniciuan dhe mbështetën formimin e e Gjykatës Speciale patën të drejtë, por këtë e bënë me motive të ndryshme mbase edhe diametralisht të kundërta.

Motivi i kundërshtuesve të GJS-së, pavarësisht se nënkuptonte kundërshtimin e ndërkombëtarëve, mbronte të drejtën esenciale dhe parimore të sovranitetit shtetëror dhe juridik, pavarësisht se kurrë s’ka qenë i plot, kujdesej për pasojat negative që mund të shkaktonte shpërfaqja e imazhit të keq për UÇK-në, Kosovën dhe shqiptarët .

Motivi i kryembështetësit dhe mbështetësve të GJS-së (2015) bazohej në shpresën se duke bërë këtë ”marrëveshje “ me autoritetet ndërkombëtare përmes GJS-së do të shpëtojnë nga ballafaqimi me të kaluarën e tyre ashtu siç shpëtuan nga drejtësia nacionale ?! Por, kryembështetësi ndërkohë (2017), kur kuptoi se kjo “marrëveshje” megjithatë nuk i përjashton as ata nga mundësia që të trajtohen nga GJS-ja, publikisht dha arsyetime gjoja se “nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja”. Nga ky moment , kur është afruar dita D, ndryshoi motivi i tyre për funksionalizimin e GJS-së. Fillimisht shpresuan se e kanë gjetur formulën definitive edhe për drejtësinë ndërkombëtare për t’u shmangur nga ballafaqimi me të kaluarën e tyre të errët, por, sa më shumë që afrohej dita e aktivizimit të GJS-së, mbështetësit e kuptuan se kjo është bërë para së gjithash për ata që ishin edhe faktorë që paralizuan drejtësinë nacionale . Definitivisht kryembështetësit e kuptuan se nuk mund të arrestohen disa persona margjinalë para se të arrestoheshin ata që janë përfolur më së shumti nga Raporti i Dick Martit.

Motivi i bashkësisë ndërkombëtare për GJS-në mbetet i njëjtë. Pritën afër dy dekada dhe kuptuan se nëse nuk ndërhyhet nga jashtë “pushteti i kapur” do të rrënojë të gjitha arsyetimet dhe synimet e bashkësisë ndërkombëtare, të cilat i mobilizuan shtetet më të rëndësishme për të intervenuar ushtarakisht. Pra,siç ndërhynë në luftë për shkak se e kuptuan se kosovarët brenda nuk kanë fuqi për t’u përballur me sukses kundër regjimit armiqësor serb, ata ndërhynë nga jashtë, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej nga veprimet e “idealistëve” të dikurshëm që po përfundojnë si faktorë, të cilët po e shpien shtetin e Kosovës, siç tha ditë më parë ambasadori dhe miku i dëshmuar i Kosovës, V.Petriq , si “shtet që po shkon drejt dështimit”. Dorën në zemër, luftën kundër regjimit serb nuk kemi mundur ta fitonim, sikurse që formimin e shtetit të Kosovës, siç po shihet, nuk jemi në gjendje për ta bërë me lidershipin politik aktual që ka dalë nga lufta, pa ndërhyrjen e miqve ndërkombëtarë!

Prandaj, nëse bëhet një sintezë e të gjitha argumenteve aksiomatike , duhet të kuptojmë se nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në esencë do t’i fuqizojë subjektet dhe faktorët që e kanë sjellë shtetin e Kosovës para dështimit. Për të mos ndodhur kjo, të gjitha subjektet racionale që mendojnë më shumë për gjeneratat e ardhshme se sa për vete duhet të mobilizohen rreth idesë së aktivizimit sa më të shpejtë të GJS-së, meqë kjo është fatkeqësia që nuk duhet evituar, ngase alternativa e saj do të përshpejtojë dështimin e plotë të shtetit të Kosovës.

Rreziku i tillë shihet nga paralajmërimet se së shpejti do të fillojnë ngritjet e aktakuzave dhe arrestimeve të para. Këto ua ndezën dritën e kuqe të dyshuarve potencialë që shkaktoi alarm vendor dhe ndërkombëtar para vikendit. Vazhdoi instrumentalizimi i veteranëve të UÇK-së, nënshkrimi i peticionit fillimisht për të ndryshuar Ligjin për GJS-në,në fakt, për të shfuqizuar atë. Kjo ofensivë i detyroi miqtë ndërkombëtarë të vlerësojnë se këto veprime janë - “thikë pas shpinës ndaj SHBA-së”, përkatësisht “nata më e rrezikshme e Kosovës së pasluftës “. Në anën tjetër, të dyshuarit potencialë shpresuan se do të instrumentalizojnë , për qëllimet e veta, edhe ato subjekte politike që ishin dhe mbetën kundër formimit të GJS-së për arsye parimore dhe të shëndosha . Por skenari i dramës së paparalajmëruar, por të pritur, mbetet i hapur…

Pyetja thelbësore që kërkon përgjigje duhet të bazohet në vlerësimin se a rrezikohen sovraniteti, imazhi dhe pastërtia e Kosovës më shumë nga funksionalizimi i Gjykatës Speciale nëse ajo fillon heqjen e dyshimit për krimet e supozuara , apo nëse Kosova edhe pas 18 vjetëve vazhdon të jetojë me hipotekën për, gjoja se, krimet e kryera. Pasojat e shfuqizimit të Ligjit për GJS-në kanë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë pasoja formale por, mbi të gjitha, përmbajtjesore.

Së pari, nuk mund të afirmohet dhe konsolidohet shteti i Kosovës pa u ballafaquar me të vërtetën ndërkombëtarisht publike, e cila po troket dy vjet para dyerve të shtetit të Kosovës për krimet e supozuara nga individët e përfolur. Përkundrazi, shteti do të përshpejtojë rrugën e dështimit nëse ia mbyll derën drejtësisë ndërkombëtare.

Së dyti, ato subjekte politike që e kanë kundërshtuar GJS-në për motive të drejta dhe të sinqerta do të rrezikohen edhe më shumë nga ato subjekte politike që fillimisht e kanë mbështetur formimin e GJS-së, por, kohët e fundit, edhe shfuqizimin e Ligjit të GJS-së për motive individuale kalkuluese të dëmshme për të ardhmen e vendit. Kosovën aktualisht më shumë e rrezikojnë individët që janë mbi ligjin dhe interesin e shtetit sesa GJS-ja. Është papjekuri nacionale nëse qytetarët i nënshtrohen diktatit të individëve dhe grupeve që po e dështojnë shtetin për shkak se e kanë parë veten potencialisht si të dyshuar nga GJS-ja.

Së treti, shfuqizimi praktikisht i ligjit do t’i fuqizojë subjektet politike dhe liderët e tyre në pushtet që e kanë zënë peng drejtësinë. Fuqizimi i tyre e rrezikon më shumë sovranitetin, imazhin, pastërtinë e rezistencës së vendit, sesa aktivizimi i GJS-së. Derisa janë në liri kryerësit potencialë të krimeve të supozuara, nuk ka sovranitet dhe liri të veprimit të mirëfilltë në Kosovë.

Së katërti, nëse ne sillemi kundër vlerësimeve të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë të cilët theksojnë se “ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht”. Përkatësisht, “ nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale”. Veprimet e tilla do ta riaktualizojnë GJS-në në KS të OKB-së, e cila do të riaktualizojë Rezolutën 1244, e cila mbetet kërkesë e vazhdueshme e Serbisë dhe Rusisë për të zhbërë shtetin e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Belul Beqaj