Quajeni si të doni UÇK-në, ajo e kreu misionin e saj fisnik, çlirimin e atdheut

Jakup Krasniqi Jakup Krasniqi 19 mars 2017 09:47

Po të krahasohet me të gjithë parametrat e ushtrive të vendeve sovrane, të lindjes apo të perëndimit, me doktrinat e shteteve sovrane në të katër anët e botës, UÇK-ja nuk i plotëson asnjë prej tyre. Nëse mohësit e UÇK-së kanë pasur parasysh tërësinë e parametrave, po, kanë të drejtë. UÇK-ja vërtet nuk e plotësonte asnjë parametër, madje edhe duke e krahasuar edhe me ushtrinë ndaj të cilës luftojë e fitoi. UÇK ishte më shumë se Ushtri, për të cilën kishin punuar breza të tërë idealistësh më shumë fshehtë sesa haptas, që Kosovës njerëzit e tillë nuk i munguan kurrë, ndonëse ishin pakicë! Gatishmërinë për sakrificë sublime, çdo komb e ka me pakicë edhe kombi ynë nuk mund të bënte përjashtim.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, jo me fajin e pjesëtarëve e të themeluesve të saj të saj, por edhe për shumë arsye nuk mund të ishte ushtri (guerile) e përmasave më të mëdha. Nuk mund të ishte ushtri edhe për faktin se Kosova e kishte një QEVERI në ekzil, e cila kishte një buxhet në të cilin derdhnin mjete një shumicë e shqiptarëve, jashtë e brenda atdheut, kishte parti politike shqiptare me alamet kryetaresh, që nuk e merrnin as mundin më të vogël për të bërë ushtri e as për ta financuar atë! Kishte njerëz, e ka edhe sot, që më lehtë bisedonin e koketonin me Serbinë sesa me krerët e UCK-së!

Është fakt që në rrethana të tilla, ishte e pamundshme për të pasur ushtri, madje ishte edhe e pamundshme që të kishte Kryengritje të përgjithshme popullore se jo më Ushtri në kuptimin më të mirë të fjalës. Prandaj jemi shteti më i ri në hartën e Evropës! Dhe ky shtet i ka do rrënjë diku që duhet respektuar!

Është fakt, UÇK-ja nisi si guerile, e cila duke iu falënderuar flijimit biblik të Jasharëve, guerilen, që e quante veten UÇK, e bëri Ushtri Vullnetare për çlirimin e Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim, mobilizimi i popullit në radhët e saj u bë në saje të shembullit të sakrificës së Jasharëve e kryeflijimtarit të saj, Adem Legjendarit. Adem Jashari, për të gjallëtë tij nuk arriti të bëjë ushtrinë (kryengritësit) për çlirimin e Kosovës, për çka e kishte krijuar Formacionin e tij të Armatosur, i cili në fillimin e saj e kishte quajtur ushtri. Ushtri për çlirimin e Kosovës. Duke u nisur nga kjo, LPK ose një grup i ngushtë i saj më vonë do ta quajë UÇK. Deri në marsin e vitit 1998, edhe pse ekzistonte emri UÇK, ajo vështirë se numëronte mbi 300-500 ushtarë të armatosur. Brenda vitit 1998 ajo e kalon numrin 10.000 deri në 15.000 ushtarë. Nisur nga kjo, e them pa hezituar se Rënia e Madhe e Jasharëve Legjendarë, Rezistenca e Komandantit LegjendarAdem Jashari me familje e pak ushtarë, e mobilizoi popullin shqiptar në Luftën Çlirimtare. Atëherë, nuk kishte njeri të gjallë në politikën shqiptare në Kosovë që do ta bënte një mobilizim të tillë! Por, për çudi, nuk mungonin përpjekjet për të penguar mobilizimin e kombit për luftën çlirimtare! Ndoshta këtu duhet t’i kërkojmë arsyet pse UÇK-ja nuk ishte ushtri si do ta dëshironin ata që edhe aso kohe mund ta sabotonin. Ne, as sot pas 18 vjetëve të çlirimit, nuk po dimë si ta gjejmë gjuhën e komunikimit për të bërë ushtrinë e Kosovës (Forcat e Armatosura të Kosovës)!

Quajeni si të doni UÇK-në e Adem Jasharit, Krijesën e Lëvizjes së Fshehtë për Çlirim, ushtri a kryengritës popullor, ajo e ka kryer misionin e saj historik e fisnik kur mori me vete NATO-n dhe Çliruan Kosovën! Marrëzitë e pasluftës le t’i marrin pa përjashtim të gjitha segmentet e “organizuara” të shoqërisë shqiptare! Si ata të kampit të luftës apo “paqësoret” e më pas paqësoret! Segmente këto që me mundësitë e tyre, jo vetëm që nuk investuan në ndërtimin e shtetit, por secili në “kaçikun” e tij, vrapuan të grabisin nga ai ende pa e konsoliduar, edhe pse bashkëqeverisën gjatë këtyre viteve! As mohësit e djeshëm a të sotshëm të Ushtrisë nuk mbetën pa hisen e tyre!

Dje Kosova i kishte mohësit e çlirimit!

Sot Kosova i ka hileqarët, mashtruesit dhe mohësit e shtetit e të FAK-ut!

Po shteti e ushtria do të bëhen se s’bënë!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Tjera nga Jakup Krasniqi