Aktivizimi i rinisë, alternativa e vetme

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 19 mars 2017 08:00

Fituesja më e madhe e zgjedhjeve në Holandë, krahas kryeministrit Mark Rutte, është e gjelbra progresive, saktësisht lideri i saj i ri, 30-vjeçari Jesse Klaver.

Partia e tij e Majta e Gjelbër ka katërfishuar rezultatin në zgjedhjet e së mërkurës duke fituar 16 vende në Parlamentin e Holandës që përbëhet nga 150 ulëse dhe mund të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme.

“Ky është rezultat fantastik për ne, fitore historike. Rezultati tregon se në Holandë ka tokë të pëlleshme për ndryshime dhe storie pozitive me shumë shpresa. Për ne ky është vetëm fillimi”, ka thënë partia e Klaverit pas shpalljes së rezultateve.

Fitoren në zgjedhje kjo parti e ka festuar me bretkosën Kermit, personazhin e serialit “Muppet Show”, duke vallëzuar në llogarinë e saj të Twitterit.

Klaver, i cili për nga pamja dhe stili gjatë fushatës elektorale është krahasuar me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, që shumica e konsiderojnë politikanin më sharmant në botë, është fëmijë emigrantësh. Babai i tij është maroken, ndërsa nëna indoneziane. Që nga 2010-a, ai ka qenë anëtar parlamenti, ndërsa udhëheqjen e partisë e ka marrë më 2015. Në ditën e votimeve ai nuk ka shprehur aspak dyshim në vete dhe ka thënë se përgjigjja e të majtëve ndaj populizmit gjithnjë e më agresiv të së djathtës është “thjesht mbrojtja e idealeve”.

“Ajo që dua t’ua them të gjithë miqve të mi të majtë në Evropë është kjo: Mos u përpiqni ta mashtroni popullin. Mbroni parimet tuaja. Bëhuni të drejtë. Jini pro refugjatëve, pro Evropës. Momenti ynë tek po vjen. Mesazhi që e kemi për Evropën është: Populizmi mund të ndalet”, ka thënë Klaver.

Fitorja e kryeministrit holandez të qendrës së djathtë, Mark Rutte, ndaj rivalit antiislamik dhe anti-BE, Geert Wilders, vlerësohet fitore e rëndësishme zgjedhore për Evropën, në kohën kur anëtaret e shumta të bllokut përballen me një valë nacionalizmi në rritje.

Lideri më i ri partiak në Holandë, Klaver, e ka ndërtuar bazën e përkrahësve të shumtë kryesisht në rrjetet sociale.

Ai ka luajtur me letrën e takimit me të gjithë ata që duan të dëgjojnë programin e tij, të flasin me të, për ta parë, siç ka thënë ai, se “nuk është sharlatan”. Numri i pjesëmarrësve në tubimet e fushatës së tij gradualisht rritej. Në tubimin në Amsterdam ai pati folur para pesë mijë njerëzve, ndërsa po aq e patën përcjellë live në Facebook.

Të rinjve të Kosovës Klaveri mund t’u shërbejë si shembull e frymëzim se si një politikan i ri mund të fuqizohet politikisht kur është këmbëngulës, parimor dhe shfrytëzon me mençuri rrethanat politike. Një faktor që ka ndikuar në shtimin e votave për Klaverin është edhe fakti se holandezët e kanë parë atë si alternativë midis establishmentit me të cilin nuk kanë qenë të kënaqur dhe kandidatit ekstrem nacionalist Wilders.

Në ditën e zgjedhjeve Klaver u ka deklaruar medieve që të mos e përjashtojnë mundësinë që në vitet e ardhshme ai të bëhet edhe kryeministër i Holandës. Ai konsideron se politikanët e tanishëm jo vetëm në Holandë, por në mbarë botën po qeverisin “pa e prekur realitetin” në shtetet e tyre. Sipas tij, politikanët mbi të pesëdhjetat duhet t’ua lirojnë vendin të rinjve, sepse nuk po kanë vizione të udhëheqjes.

Pa e prekur realitetin në popull udhëheqin edhe politikanët kosovarë. Sidomos atë të gjysmës së popullatës – rinisë. Sipas statistikave të institucioneve përgjegjëse për strategjitë për të rinjtë, kosovarët nën 25 vjeç përfaqësojnë 49 për qind të popullsisë, ndërsa 19.1 për qind e të rinjve janë në moshën prej 15 deri në 24 vjeç.

Sado që politikanët si brenda ashtu edhe jashtë shtetit krenohen se udhëheqin një shtet me popullatën më të re në Evropë, mirëqenia dhe përparimi i tyre nuk u bë prioritet i asnjë qeverie. Bënë vetëm ligje e programe të mira për ta, të cilat nuk zbatohen në praktikë si shumica e ligjeve të tjera. Të rinjtë kosovarë nuk janë aspak të përfshirë në vendimmarrje për çështjet më të rëndësishme për ta.

Gjatë fushatave elektorale partitë politike nguten të marrin sa më shumë të rinj në strukturat e veta. Cak i gjuetisë bëhen sidomos ata më kritikët nga shoqëria civile të cilëve ua mbyllin gojën me nga një post partiak apo qeveritar. Forumet partiake të të rinjve janë aq pasive sa bëhen lajm në media vetëm kur zgjedhin kryetarët. Të zgjedhurit gjatë gjithë mandatit të vetmin preokupim e kanë si t’u ngjajnë më shumë shefave të tyre partiakë.

Dhe kështu vazhdon riciklimi i politikanëve të papërgjegjshëm, joparimorë, të cilët mbysin zërin kritik brenda partisë që të mbijetojnë vetë politikisht, pa u lodhur për reforma partiake që do të sillnin ndryshim edhe në qeverisjen institucionale.

Duke parë se sa të kufizuar e kanë ndikimin së pari brenda partive, të rinjtë nuk shprehin vullnet të angazhohen në politikë. E shikojnë politikën nga larg thuajse ajo nuk është për ta, thuajse ajo është detyrë vetëm për liderët aktualë të partive, shumica e të cilëve punë të parë e kanë pasur themelimin dhe udhëheqjen e partisë, pa kaluar nëpër shkallët e ndryshme të ngritjes politike.

Përderisa në shtetet me demokraci të etabluar për t’u bërë lider shteti duhet prekur gradualisht politikën dhe nivelet e vendimmarrjes, te ne marrin poste politike dhe udhëheqin institucione “parashutistët” që nuk kanë as shkollim as përvojë politike.

Për të nxjerrë politikanë si Klaveri, Holanda nis edukimin politik të qytetarit që në vegjëli. Shkollat holandeze i dërgojnë nxënësit me grupe në seancat e parlamentit kur diskutohen projektligje apo tema të interesit kombëtar. Kur të arrijnë moshën e pjekurisë ata tashmë janë të stërvitur se si duhet kërkuar llogari nga politikanët për premtimet e papërmbushura.

Vizitat në Parlamentin e Kosovës bëhen vetëm në Ditën e Demokracisë kur institucioni ligjvënës i hap dyert për qytetarë. Edhe atë ditë e vizitojnë vetëm fëmijë të kryeqytetit të cilëve një ciceron ua tregon sallat dhe u flet teori të thatë të funksionimit të kuvendit.

Në rrethana të tilla vështirë se mund të pritet të dalë në skenën politike të Kosovës ndonjë politikan si Jesse Klaveri. E vendi aq shumë ka nevojë për figura të reja politike që do t’u ofronin qytetarëve alternativë zgjedhjeje në skenën e mbushur me politikanë të shpenzuar që ua çajnë kokën me retorikë.

Pjesë e zgjidhjes, mbase, do të ishte imponimi i kuotës për përfshirjen e rinisë në politikë dhe institucione. Nëse, ngjashëm si me gratë, Parlamenti do të detyrohej me ligj që gjysmën e deputetëve t’i ketë nën moshën 30-vjeçe, kjo sigurisht se do të ndryshonte gjendjen aktuale.

Natyrisht, nuk duhet pritur që partitë, të cilat tani e kanë nën kontroll shtetin, të bëjnë këso ndryshimesh, meqë një gjë e tillë do të rrezikonte dominimin e liderëve të tanishëm. Por një presion nga jashtë prej organizmave ndërkombëtarë, si në rastin e përfshirjes së grave, por edhe presioni nga vetë rinia, ndoshta do të kryenin punë.

Ndryshimi thelbësor megjithatë nuk arrihet vetëm duke imponuar numra në institucione e parti, por duke e nxitur rininë që të angazhohet në politikë dhe që të luftojë në tryezën ku merren vendimet.

Në vend se të mbesin gjithnjë në kërkim të mënyrave se si ta braktisin Kosovën, të rinjtë duhet të jenë më këmbëngulës për t’ua marrë atë prej dorës këtyre që po e mbajnë peng. Nëse nuk e bën rinia – s’ka kush e bën tjetër.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Tjera nga Valbona Mehmeti