OpEd

“Rrëfime për Kosovën” pa censurë

Si ta rrëfesh historinë jo aq të largët të Kosovës nëpërmjet kujtimeve të pjesëmarrësve të kohës dhe dokumenteve që, po qe se ke fat e durim, do të mundë t’i gërmosh nëpër arkivat shtetërore e komunale të Kosovës.

Kjo ishte sfida me të cilën u ballafaqua Fatmir Lama në çastin kur kishim vendosur që duhej prodhuar një seri dokumentarësh që do të flisnin për Kosovën – pa censurë dhe me rrëfimin e njerëzve që i përshkruanin përvojat e përjetuara ndër vite.

Mungesa e lëndës arkivore bëri që rrëfimin ta niste nga fundi i viteve ‘30 të shekullit XX. Kosova tashmë e dënuar nga Fuqitë e Mëdha më 1913 që t’i takonte Serbisë, në këmbim të njohjes së kufijve të Shqipërisë dhe mosdaljes në Adriatik, jetonte e ngufatur, e diskriminuar dhe e dërrmuar nga despotizmi i mbretërive sllave me dominim të qartë serb. Në zgrip të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Italia e pushton Shqipërinë dhe nuk vonon shumë, italianët arrijnë ta pushtojnë edhe Kosovën.

Në episodin e parë, “Okupacionet”, rrëfyesit do të shpjegonin se si ardhja e italianëve ishte mirëpritur nga popullata shqiptare analfabete, e varfër dhe e shtypur. Për herë të parë ndodhte që në Kosovë të hapeshin shkollat në gjuhën shqipe – një diçka e paimagjinueshme deri atëherë. Për herë të parë shqiptarët po bëheshin edhe me nëpunës administrate e madje edhe me udhëheqës të saj. Kapitullimi i shpejtë i Italisë fashiste do t’i shtynte shqiptarët ta themelonin Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e cila do të amortizohej së shpejti me okupimin e Kosovës nga Gjermania naziste.

Sidoqoftë, italianët me pushtimin e Shqipërisë ia njohën asaj statusin e një mbretërie të veçantë, pas largimit të Zogut nga vendi për në ekzil. Formuan administratën dhe në atë kohë shqiptarët ishin me fat që për udhëheqës të dikasterit të arsimit të vinte në krye një erudit siç ishte Ernest Koliqi. Njeriu i cili gjatë mandatit të tij si ministër i Arsimit kishte arritur të botonte më shumë libra për tre vjet seç ishin botuar që nga Pavarësia e deri në okupim, kishte bërë edhe një diçka të madhe për Kosovën. Në episodin e dytë, “Shkollat”, rrëfyesit tregojnë se si Koliqi kishte vendosur t’i transferonte madje 300 mësues nga Shqipëria për në Kosovë, për t’i hapur shkollat shqipe. Deri në atë vit i gjithë mësimi dhe për ata pak fëmijë që kishin vijuar shkollat ishte zhvilluar në gjuhën serbe.

Kjo fazë do të paraqiste krijimin e brezave të parë të nxënësve që në gjendje lufte do t’i nisnin dhe që paslufte edhe do t’i kryenin mësimet në gjuhën amtare.

Okupimet italiane dhe gjermane sollën edhe krijimin e lëvizjes antifashiste në Kosovë, e cila ishte bartëse e luftës për çlirimin e Kosovës krahas aleatëve perëndimorë. Nga ana tjetër, lëvizja nacionaliste shqiptare ishte gjithashtu në luftë, por jo në pozitë vendimmarrëse. Episodi i tretë, “Rrëmbimi i Kosovës”, flet për njërën nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës: Konferencën e Bujanit dhe Rezolutën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në kalimin e viteve ndërmjet 1943-s dhe 1944-s, në Kullën e Sali Manit do të mbahej mbledhja e frontit antifashist, ku do të merrnin pjesë 49 delegatë.

Të pakënaqurit, me aspiratën e shqiptarëve të bashkimit në një shtet, nxitën futjen e administrimit të dhunshëm ushtarak të Kosovës, gjakderdhjen në Drenicë dhe vrasjen masive të ushtarëve shqiptarë në Tivar. Një nga rrëfyesit, i mbijetuari i Masakrës së Tivarit, do t’i tregojë ngjarjet dhe vuajtjet, sikurse edhe rrëfyesit e tjerë që do të shpjegonin se fundi i Luftës së Dytë Botërore në Kosovë ishte nisja e një okupimi të ri me disa veçori që e dallonin Kosovën nga krejt viset e tjera në ish-Jugosllavi.

Njëra nga veçoritë ishte edhe bartja e peçes dhe e ferexhesë nga gruaja shqiptare. E imponuar që nga koha e pushtimit otoman, dhe për shkak të mbajtjes së qëllimshme të nivelit të ulët kulturor e arsimor te shqiptarët nga të gjithë sunduesit, kjo veshje u bart edhe në epokën e socializmit. Sidoqoftë, më shumë për shkak të presionit ideologjik do të niste një fushatë në të cilën do të përfshiheshin edhe krerët fetarë myslimanë, që peçja dhe ferexheja të hiqeshin. Episodi i katërt, “Ferexheja”, përshkruan emocionet e grave që ishin liruar nga kjo veshje, si dhe përshkrimin e veprimeve të ndërmarra që ky simbol i pushtuesit otoman të hiqej nga jeta e përditshme e Kosovës së pasluftës. Dokumentacioni arkivor fakton edhe një fushatë të organizuar të informimit që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në realizimin e qëllimit – zbulimit të gruas dhe barabarësinë, së paku formale, ndërmjet të dy gjinive.

Veçoria tjetër qe varfëria dhe solli madje edhe urinë në vitet e pesëdhjeta të shekullit XX. Dhe nuk ishte vetëm moszhvillimi ekonomik ai i cili e mbajti Kosovën përherë të varfër. Episodi i pestë, “Uria”, përshkruan efektet e asaj që u quajt “reformë agrare”, e cila e shkatërroi pronën individuale dhe solli kolektivizimin e tokës – të cilit do t’ia shihnim sherrin edhe më të madh 50 vjet më vonë. Nëpërmjet rrëfimeve rrëqethëse personazhet që e bëjnë serinë dokumentare tregojnë për detyrimin e dorëzimit të të ashtuquajturave “teprica” dhe për mbytjen masive të dhive – mbase burimit të vetëm për mbijetesën e gjysmës së Kosovës. Flasin edhe për arrestimin e tregtarëve dhe konfiskimin e pasurisë së tyre në emër të popullit.

E se këto fushata nuk kanë qenë të rastit shpjegohet në episodin e gjashtë, “Elaboratet”, ku në formë të efektshme do të përmblidhen disa nga premisat kryesore të elaborateve famëkëqija kundër shqiptarëve, shkruar nga Vaso Çubrilloviq dhe Ivo Andriq. Tmerri të cilin e krijon UDB-ja me aksionin e mbledhjes së armëve dhe fushatën për shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve për në Turqi, me gjithë heqjen dorë nga prona dhe shtetësia – përshkruan njërën nga fazat më tragjike që shqiptarët kishin përjetuar gjatë regjimit të Titos.

Por këto vuajtje nuk u ndalën me kaq. Ngritja e nivelit intelektual ndër shqiptarë, që tashmë kishin prodhuar me qindra kuadro profesionale me arsimim të lartë nëpër universitetet në ish-Jugosllavi, paraqitej rrezik për establishmentin politik të kohës e që kontrollohej nga nënkryetari i shtetit dhe shefi i policisë, Aleksandar Rankoviq. Episodi i shtatë, “Dhuna shtetërore 1964”, përshkruan se si kërkesat për më shumë liri dhe gjuhë e kulturë patën për efekt veprimin masiv dhe të koordinuar të policisë sekrete jugosllave, me jo pak kolaboracionistë shqiptarë, ndaj të gjithë atyre që kishin mendim ndryshe.

Kështu do të kalohej në episodin e tetë, “Burgosjet”, që ishin pasojë e arsimimit të shqiptarëve dhe emancipimin e tyre në përgjithësi, që e solli vetëdijesimin e tyre politik dhe nxitjen e nacionalizmit të frymëzuar nga marksizëm-leninizmi i Enver Hoxhës. Formimi i celulave të para të veprimit politik që dallohej nga linja e Partisë nisi si një ndërmarrje e vogël, e cila relativisht shpejt u përhap pothuajse në të gjithë Kosovën. Porse brishtësia e sistemit, mungesa e përvojës dhe spiunët bënë të mundur dekonspirimin e shpejtë të tyre. Kështu, vala e parë e arrestimeve politike do të niste më 1958 dhe do të kulmonte më 1964 – me burgosjen e një numri të madh shqiptarësh që madje do t’i vuanin dënimet në të famëkeqin burg të Goli-Otokut.

Dy vjet më vonë do të ndodhte një kthesë e përgjithshme në të gjithë ish-Jugosllavinë dhe në rastin e Kosovës do ta shënonte vitin që hapi rrugë drejt ndryshimeve thelbësore në jetën e shqiptarëve. Episodi i nëntë, “Rënia e Rankoviqit”, do të shpjegojë emocionet me të cilat u prit rënia nga froni i njeriut që u kishte bërë shumë dëm shqiptarëve dhe Kosovës. Më shumë nga frika se do të mundë të dëmtonte dhe rrezikonte atë personalisht, Titoja vendosi ta eliminonte politikisht njeriun i cili mbajti dizgjinët e dhunës shtetërore që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Me shkuarjen e tij, shkuan edhe shumë të tjerë, ndër ta mjaft shqiptarë që i kishin shërbyer verbërisht. Ato që u quajtën deformime, në fakt kishin qenë abuzime të skajshme që meritonin dënim të ashpër. Rënia e Rankoviqit u dha frymë shqiptarëve. Tash, me disa njësi të arsimit të lartë, po ndërtohej një brez i ri profesionistësh me ide më të qarta se gjërat në Kosovë duhej dhe mund të ndryshonin për të mirë.

Fryma e lirisë solli nevojën e ruajtjes së identitetit kombëtar edhe nëpërmjet gjuhës. Ishte pikërisht Prishtina ajo që më 1968 organizoi Konsultën gjuhësore të 22-23 prillit. Episodi i dhjetë, “Një komb, një gjuhë”, sjell rrëfimet e aktorëve të kohës dhe luftës që kishin me autoritetet në Beograd për të dëshmuar se Shqipëria dhe Kosova e flisnin një gjuhë të vetme. Me çdo kusht kërkohej eliminimi i ndasisë që po imponohej nga Serbia se shqiptarët e Shqipërisë ishin “Albanci” e kosovarët ishin “Šiptari” – dhe kjo u arrit në çastin kur Konsulta vendosi që të mos kishte divergjenca esenciale të dialekteve gegë e toskë dhe se të gjithë do ta kishin një shqipe letrare me ortografi unike.

Një tjetër gjë unike që ishte e domosdoshme të tregohej, ishte edhe flamuri kombëtar. Deri në vitin 1968 shqiptarët nuk kishin të drejtë ta ekspozonin flamurin kombëtar – sepse konsiderohej i një shteti tjetër. Porse kishte pasur raste kur njerëzit e kishin valuar edhe pa leje, dhe për këtë arsye e kishin hëngër burgun. Episodi i njëmbëdhjetë, “Demonstratat e 1968-s”, përshkruan mënyrën se si u organizuan demonstratat që kërkonin të drejta më të mëdha për shqiptarët. Sipas rrëfimeve të pjesëmarrësve, do të dalë se ideologu i tyre kishte qenë Ismail Dumoshi, i ndihmuar nga i vëllai Osmani dhe disa shokë të tjerë dhe se demonstratat janë koordinuar mirë dhe organizuar edhe në vende të tjera të Kosovës. Barazia në politikë, arsim, kulturë e shumë të tjera u kurorëzuan me sloganin “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”. Republika nuk do të ndodhte, porse ndryshimet kushtetuese do t’i sillnin Kosovës një autonomi shumë të gjerë dhe statusin e njësisë konstitutive të Federatës.

Historia 30-vjeçare e përmbledhur në këtë seri dokumentarësh do të përmbyllet me episodin e dymbëdhjetë, “Universiteti”, dhe themelimin e institucionit të arsimit të lartë publik, të vetmit deri vonë në Kosovë. Tregimi për luftën e jashtëzakonshme të udhëheqjes politike të Kosovës së asaj kohe me autoritetet në Beograd rrëfen se sa vështirë ishte që Kosova të bëhej edhe me Fakultetin e Mjekësisë apo i Medicinës, siç quhej atëherë, pas atij Filozofik, Juridik-Ekonomik dhe Teknik. Në këto njësi mësimi vijohej në serbishte, pavarësisht se disa anëtarë të personelit akademik ishin shqiptarë. Kurse numri i studentëve ishte simbolik.

Me hapjen e Universitetit u jepej mundësia të gjitha trojeve shqiptare që të dërgonin studentë për të studiuar në gjuhën shqipe – dhe përfundimisht ky institucion do të shndërrohej në bastionin e dijes aq shumë të munguar në historinë e gjatë të shtypjes së popullit shqiptar.

Si redaktore e këtij libri dhe producente e serisë, shpreh falënderimin tim të veçantë për të gjithë rrëfyesit, si dhe autorit Fatmir Lama – me të cilin kemi diskutuar gjatë për qasjen, punën dhe realizimin e serisë. I shpreh mirënjohje edhe Kreshnik Shala-Kiqës për montazhin dhe efektet speciale, por në veçanti për durimin për ta ndërtuar së bashku me Fatmirin serinë me të cilën Kohavisioni krenohet. Fare në fund, e përgëzoj ekipin e kameramanëve, të tonistëve dhe të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e dokumentarëve.

Në realizimin e kësaj serie dokumentarësh që është punuar mbi katër vjet dhe që u bë i gatshëm për transmetim më 2014 me vazhdim në vitin 2017, u mblodhën rrëfimet e 75 njerëzve që kishin çfarë për të na treguar. Rrëfimi i tyre i thjeshtë, emotiv, spontan dhe përmbajtjesor na e dha mundësinë për mbledhjen e një historie që nuk do ta gjejmë nëpër libra shkollorë a publicistikë të kohës. Tregimet e tyre janë të tilla që me pak fjalë tregojnë se ku kemi qenë e ku jemi. Përzgjedhja e folësve ka qenë fillimisht e vështirë, porse më vonë kjo u bë më e lehtë që në çastin kur përmendej emri i ndonjërit pjesëmarrës të ngjarjes nga folësit paraprakë. Porse si autori ashtu edhe gjithë ekipi që e realizoi serinë u ndien shumë me fat dhe të nderuar për shkak se të gjithë pranuan të flisnin – ta ndanin një pjesë të kujtesës së tyre me publikun e gjerë.

Shumë nga folësit më nuk janë në jetë. Edhe për hir të nderimit të figurave dhe personaliteteve të tyre, kemi vendosur që 12 episodet e para të kësaj serie t’i transkriptojmë dhe t’i përmbledhim në këtë botim. Por më së shumti këtë e bëjmë si obligim që kemi që historinë tonë t’ua lëmë të shkruar brezave që do të vijnë.

Këto janë pra “Rrëfimet për Kosovën”.

Parathënia e librit “Rrëfime për Kosovën” të Fatmir Lamës