OpEd

A na ofendoi Edi Rama?

Porosia: Më i miri në Kosovë mund të bëhet maksimumi zv.ministër në Shqipëri. Është koha e fundit që bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë të kalojë përtejë simbolizmave. Përtej truqeve për konsumim të shpejtë të marrëdhënieve me publikun e përtej ledhatimit të egove të politikanëve“KRYEMINISTRI RAMA sot më emëroi zëvendësministre të Arsimit në Qeverinë Shqiptare.

Ndihem e nderuar që puna ime e deritanishme në fushën e arsimit vlerësohet si aset në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Shpresoj që kontributi im të çojë tek përmirësimi i mëtutjeshëm i shkollave dhe arsimit në Shqipëri.

Marrë parasysh që standardet e arsimit shqip vendosen në Tiranë, arritjet atje domosdoshmërisht do të ndikojnë në përmirësimin e arsimit në Kosovë dhe vendet e tjera shqipfolëse në rajon.

Punën time në Shqipëri e shoh si thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe tejkalim të kufijve në interes të përfitimit të përbashkët të shqiptarëve”.

Me tone të qarta entuziazmi këto fjalë po i shkruante në faqen e saj, në Facebook, Besa Shahini, më 7 tetor.

Vetë fakti që ky postim kishte marrë më së shumti pëlqime nga cilido tjetër i saj, plot 1600, fliste pa dyshim për një ndarje të përgjithshme të ngazëllimit në Kosovë.

Besa ishte vetëm njëra nga katër zëvendësministrat nga Kosova, të cilët Edi Rama kishte vendosur t’i bënte pjesë të kabinetit të tij të dytë qeveritar. Valbona Shujaku u emërua zv.ministre e Kulturës, Iliriana Bajraktari zv.ministre e Shëndetësisë dhe Hajrulla Çeku si zv.ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

U SHKRUA e u fol shumë për këtë hap të kryeministrit të Shqipërisë.

U tha se kështu bëhet bashkimi në praktikë i shqiptarëve.

U shkrua se është kryeministri më vizionar i deritashëm.

U vlerësua edhe se ai po di t’i dallojë të mirët pavarësisht kufijve.

Për shembull, Veton Surroi shkroi këtë: “Qeveria që ka përzgjedhur për zv. ministra Besa Shahinin, Valbona Shujakun dhe Hajrulla Çekun ka përzgjedhur nga më e mira jona”.

Dhe, Surroi edhe mund të ketë të drejtë këtu. Shumica pajtohen se që të katërt shqiptarët e Kosovës të përzgjedhur nga Rama janë profesionistë në të tridhjetat e tyre, të zotë e të ndershëm.

Mirëpo, pikërisht këtu qëndronte edhe problemi. Që Edi Rama, si një politikan dinak, ia kishte dalë ta çonte manipulimin politik edhe në një nivel më të lartë. Dhe këtë e bëri aq bukur, saqë ofendimin që ua bënte shqiptarëve të Kosovës të njëjtin po ua shiste si arritje e avansim.

Nëpërmjet Facebookut.

Se, si duket edhe për efekt Facebooku ishte menduar.

PSE NA OFENDOI Rama?

Nuk e thashë menjëherë. Nuk e thanë as shumë të tjerë publikisht, ndonëse e bisedonin.

U shkrua tek-tuk po në rrjete sociale nga dikush se kjo është piktura me ngjyrat e radhës të kryeministrit artist (edhe) të PR-it. Por, si t’ua prishje atë çast festeje lumit të entuziastëve të Facebookut që përgëzonin këtë hap.

Mirë shumë! Rama, mirë që u kujtua. Në fakt, për të vëmendshmit, e kishte filluar me angazhimin e disa këshilltarëve nga Kosova. Edhe ky hap u përshëndet. Dorën në zemër, edhe kjo ishte më tepër se ç’kishin bërë paraardhësit e tij ndonjëherë në këtë drejtim.

Por, kur u konsumua opsioni i këshilltarëve duhej kaluar në stadin tjetër. Dhe ja ku vijnë zv.kryeministrat. Në mesin e 33 zv.ministrave, në 13 ministri, Rama gjeti vend edhe për 4 individë nga Kosova. Dhe e shiti me çmim të lartë.

Mirëpo, nëse merret për bazëajo që e thotë Surroi, kjo na del ofendim e shkuar ofendimit.

Pra, një kryeministër i Shqipërisë, i cili po synuaka që të ketë më shumë bashkim të shqiptarëve, edhe në institucione, siç është puna e Qeverisë në Tiranë, i përzgjedh ndër më të mirët nga Kosova. Sakaq, këta ndër më të mirët nga Kosova nuk qenkan mjaftueshëm të mirë për t’u bërë ministra. Se ndër më të mirët nga Kosova i bie të jenë aq të mirë sa për t’u bërë ndonjë nga 3-4 zv.ministrat në një qeveri në Tiranë, por assesi jo mjaftueshëm të mirë për t’u bërë ministra.

Porosia: Më i miri në Kosovë mund të bëhet maksimumi zv.ministër në Shqipëri.

Së paku, njërin ta kishte bërë ministër. Meqë e nisi… Por asnjërin?! Seriozisht?!

ËSHTË NDOSHTA koha e fundit që bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë të kalojë përtejë simbolizmave. Përtej truqeve për konsumim të shpejtë të marrëdhënieve me publikun e përtej ledhatimit të egove të politikanëve.

U bënë tashmë katër mbledhje të përbashkëta të të dyja qeverive, por rezultatet përgjithësisht mbetën në ajër.

U caktuan katër zv.ministra nga Kosova në Qeveri të Shqipërisë, por s’po shohim se po i pyet kush shumë për diçka në Qeveri.

Kosova, në prag të shënimit të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, nuk mund të thuhet se i ka punët shumë mirë.

Ka mbetur e kurthuar pa mundësi të liberalizimit të vizave, e kurthuar në një dialog rrëshqitës me Serbinë, pa perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe NATO, pa ulëse në OKB e pa anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, për të përmendur vetëm disa nga çështjet.

Shqipëria, megjithatë, është shumë më mirë në të gjitha këto çështje dhe ndihma që do të mundë t’ia jepte Kosovës shkon larg përtej simbolizmave që po shohim.

Në fakt, vetëm për simbolikë nuk ka nevojë marrëdhënia Kosovë-Shqipëri. E aq më pak simbolika ofenduese!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk