Shqiptarët dhe gjëegjëza ruse në ligj

Veton Surroi Veton Surroi 22 dhjetor 2017 07:58

Tri lexime për zallamahinë në Kuvend të Shqipërisë dhe frikën nga Gjykata Speciale në Kosovë

1.

Qe pyetur kryeministri britanik, Winston Churchill, se si e shihte politikën e jashtme sovjetike dhe në një fjalim radiofonik, më 1939, e dha këtë përshkrim, pjesa e parë e të cilit do të bëhet antologjike, duke u përsëritur në fjalime diplomatësh, shkrime gazetarësh dhe ligjërata profesorësh:

"Unë nuk mund të parashikoj për ju veprimin e Rusisë. Është një gjëegjëzë, e mbështjellë me mister dhe e futur në një enigmë".

Më brofi kjo thënie kur u përpoqa ta aplikoja në një ditë si kjo mes shqiptarësh. Në mediet e Shqipërisë vazhdon zallamahia e fotografive, mendimeve, reagimeve dhe kundërreagimeve nga zgjedhja e djeshme e kryeprokurores së përkohshme të Republikës së Shqipërisë. Në Kosovë një portal i afërt me pushtetin (apo segmentet efektive të kapura) nxori lajmin se krerët e shtetit janë të informuar se Prokuroria Speciale (me seli funksionale në Hagë) do të fillojë me arrestime menjëherë pas festës së Vitit të Ri dhe se, rrjedhimisht, janë të frikësuar për veten.

Atëherë, në të dyja anët e kufirit, për një ditë, ambienti politik është në masë të madhe i ndikuar me potencialin e veprimit të ligjit? Në Shqipëri opozita u ndesh fizikisht me gardistët për të penguar zgjedhjen e një kryeprokuroreje e në Kosovë tashmë ndihet frika nga veprimi i një kryeprokurori special?

2.

Ky mund të jetë njëri lexim. Elitat politike në Shqipëri, apo një pjesë të tyre mund të jenë të frikësuara nga një kryeprokuror (apo kryeprokurore) që do të përmbushte premtimin e javës së kaluar të ambasadorit amerikan - që të mos jetë figurant që i mbyll sytë para krimeve të elitës politike. Një pjesë e elitave politike në Kosovë tashmë janë në ankth të dinë nëse emrat e tyre dalin nga kutia e enigmës dhe nga mbështjellësi i misterit të Prokurorisë Speciale.

Në që të dyja rastet kemi të bëjmë me frikën e elitave që emrat e tyre, që janë publikë në veprimtari politike, do të dalin nga hija e mbrojtjes ligjore e të bëhen po kaq publikë edhe në rastet e procedurave penale kundër tyre.

Me këtë lexim mund të kuptohen skenat e Parlamentit të Shqipërisë: edhe shtyrjet me gardistë, edhe tymnaja, edhe ombrellat e hapura për të mbrojtur Qeverinë e kryeparlamentarin nga këpucët, shishet dhe dokumentet e seancës të hedhura në drejtim të tyre.

Me këtë lexim mund të kuptohen edhe të gjitha përpjekjet në Kosovë, posaçërisht ato për të shndërruar disa figura të elitës si të domosdoshme për të qenë të pranishëm në Kosovë "për punë të mëdha historike". Apo, siç do të kërcënohen, për të "penguar dhunën" që rezulton pasi të arrestohen.

3.

Por, më duket se ky lexim do të mbetej sipërfaqësor nëse nuk thellohemi në gjëegjëzën e mbështjellë me mister dhe të futur në enigmë.

Në Shqipëri mund të ketë frikë nga një pjesë e elitës prej një prokurori të përgjegjshëm, por vështirë është e besueshme që vetëm një pjesë e elitës e ka këtë frikë, dhe se kjo pjesë gjendet tek opozita. Partia në pushtet nuk mund ta quajë veten imune prej bashkëjetesës me krimin e korrupsionin. Për më tepër, në tërë atë lëmsh të krijuar prej tymnajave e akuzave dhe kundërakuzave që fillojnë me kanabis e përfundojnë me krim të organizuar, u harrua një element tejet i rëndësishëm: procedura kushtetuese. Kryeprokurorja e shtetit duhej, sipas Kushtetutës së vendit, të zgjidhej me 3/5 e votave të Kuvendit, por i mori 15 vota më pak. Në vend të kësaj kërkese kushtetuese, duket se u përdor një dispozitë kalimtare, duke përdorur moskonstituimin e Këshillit të lartë prokurorial.

Në Kosovë mund të ketë frikë nga një pjesë e elitës nga Prokuroria Speciale dhe mund të ketë ngazëllim e shpresë tek kundërshtarët e tyre, se me shkuarjen e tyre në Hagë do të bëhet çkapja e vërtetë e shtetit, por është e vështirë të besohet se i tërë problemi i shoqërisë kosovare është i incizuar në raportin e Dick Martyt mbi të cilin është ndërtuar Gjykata Speciale.

Në fakt, çka nëse kur hiqen mbështjellësit e misterit dhe dalin nga kutia e enigmës, problemet në Shqipëri e Kosovë janë vetë zgjedhja e këtillë e kryeprokurores dhe vetë nevoja për një Gjykatë Speciale?

4.

Ta bëjmë atëherë një lexim tjetër.

Pushteti në Shqipëri ka shpërfillur obligimin kushtetues për të zgjedhur një kryeprokurore dhe zgjodhi një "kryeprokurore të përkohshme", një dispozitë kalimtare. Këtë veprim e ka mbështetur bashkësia ndërkombëtare, si një lloj mase speciale.

Në Kosovë, Kuvendi i Kosovës ka ndërtuar një Gjykatë Speciale, formalisht brenda sistemit kushtetues të vendit, por me asnjë ingerencë mbi të. Gjykata Speciale u përgjigjet qytetarëve të vendit dhe institucioneve të tij aq sa Gjykata e Japonisë, e Afrikës së Jugut dhe e Argjentinës. Këtë veprim jo vetëm se e kanë përkrahur miqtë ndërkombëtarë të Kosovës (çlirimtarët e vendit dhe sponsorizuesit e mbrojtësit e pavarësisë) por kanë ushtruar presion që të ndërmerret.

Në që të dyja rastet ekziston bindja se janë të nevojshme "masa speciale", bile përkohësisht, në mënyrë që të mbërrihet një gjendje e re. Si cak, gjendja e re në Shqipëri do të ishte një kryeprokuror(e) që është në gjendje të presë lidhjen kërthizore mes politikës dhe krimit, e në Kosovë largimi ligjor i elitave të kriminalizuara politike që kanë kapur shtetin.

Në që të dyja rastet mund të rezultojë se caku mund të jetë tej realitetit, gjegjësisht mundësive objektive. Një kryeprokuror(e) do ta ketë të vështirë të shlyejë kulturën e korrupsionit e krimit, që tashmë është pjesë e një shoqërie në Shqipëri. Arrestimi i figurave më të larta të elitave të kriminalizuara në Kosovë nuk do të përmbysë kapjen e shtetit.

5.

Atëherë, pse e tërë kjo zhurmë?

Sepse po, në Shqipëri nevojitet një Prokurori që ndërpret lidhjen kërthizore mes krimit dhe politikës dhe po, në Kosovë, duhet bërë largimi i elitave të kriminalizuara. Në që të dyja rastet këto nuk e zgjidhin problemin, por janë kushte të nevojshme për t'i hyrë zgjidhjes.

E përse u nevojitën "masat speciale"? Përse kjo gjëegjëzë, e mbështjellë me mister dhe e futur në enigmë?

Sepse shqiptarët nuk e bënë vetë. Në Shqipëri pushteti dhe opozita nuk kanë gjetur një rrugë të përbashkët, që në formë të rregullt, nëpërmjet kandidimit të Këshillit të Lartë Prokurorial të identifikojnë dikë që do të ketë mbështetjen e përbashkët për të qenë kryeprokurore. Këtë obligim, të zgjedhjes së kryeprokurores, e kanë ditur prej kohësh dhe e kanë lënë deri në ditën e fundit, për të krijuar konflikt politik apo për ta tejkaluar konfliktin me masa speciale.

Në Kosovë, një sistemi juridik tërësisht i kapur prej elitave të kriminalizuara politike dhe të atyre që bënë aleanca politike me to, i janë krijuar dy rrafshe ndërhyrjesh speciale. Fillimisht ishte EULEX-i, i cili supozohej se do të vendoste standard të ri ligjor në vend, e pastaj kur u pa dështimi me të u formua edhe Gjykata Speciale.

Winston Churchill kishte përgjigje për këtë, në fjalimin e tij radiofonik. Për politikën ruse, ndonëse tha se është një gjëegjëzë, e mbështjellë me mister dhe e futur në enigmë, megjithatë, tha, ekziston një çelës për ta kuptuar. "Ai çelës është interesi kombëtar i Rusisë".

Winston Churchill do të kishte përgjigje edhe për gjëegjëzat tona, të mbështjella me mister e të futura në enigmë. Është një çelës, e ai çelës është se shqiptarët dëshmojnë se nuk e njohin a respektojnë interesin e tyre kombëtar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi