OpEd

Daullja bie për ata që kanë vesh!

Jo, nuk na fal investitori gjë! Nëse na jepet termocentrali në pronësi pas 20 vjetësh, do të thotë se investitori çon dorë prej tij kur ai bëhet shumë i shtrenjtë për t’u operuar. Ashtu do ta sjellë punën Bashkimi Evropian pas vitit 2030!

Kontrata për ndërtimin e termocentralit të ri është nënshkruar, me çka është përmbyllur një sagë 15-vjeçare e qeverive të Kosovës për të ndërtuar kapacitete te reja energjetike. Shumë qeveri deri tash negociuan me investitor të jashtëm, herë më shumë e herë më pak të ndihmuar nga Banka Botërore dhe USAID-i. Ata sollën me dhjetëra konsulentë të transaksionit nga kompani prestigjioze botërore, që u propozonin variante të ndryshme dhe shpeshherë të çuditshme për mënyrën se si do të duhej të atraktonim investues dhe si të ndërtonim!

Të paktën tri herë deri tash qeveritë morën hov ta sjellin investitorin e shumëpritur për ndërtimin e termocentralit të ri, “Kosova e Re”. Që të katër kryeministrat dhe ministrat e resorit kompetent në atë kohë shkuan pas skenarëve që i përgatitën Banka Botërore dhe USAID-i dhe në fund, për arsye të ndryshme dështuan. Edhe pse u dhanë skenarë të ndryshëm, me TC 2100, 1000 dhe me 400 e 500 megavat, me mihjet dhe Kosovën B pronë e investitorit, pronë e KEK-ut apo edhe ndërmarrje e pavarur, një gjë ka mbetur e pandryshuar: sloganet e qeverive kur dilnin për ta promovuar investimin. Të gjithë, pa ndryshime, i kënduan fatit tonë që jemi kaq të pasur me qymyr; që do të bëhemi fuqi rajonale; ndoshta edhe globale në energjetikë; që qytetari është ai që do të fitojë më së shumti; që ekonomia tash e tutje do të lulëzojë e gjepura të ngjashme nga arsenali revolucionar... Të njëjtat slogane jam duke i lexuar sot dhe ditët e kaluara, por asnjë fjalë më shumë që do ta zbuste të paktën kërshërinë time për kontratën që është nënshkruar.

I.

Kritika ime më e madhe mbetet kjo: pse askush deri tash, përfshirë këtu edhe ekspertët ndërkombëtarë të Bankës Botërore dhe të USAID-it, por edhe të BE-së, që u morën me energjetikën kosovare jo më pak se dy dekada, nuk pati kurajë me i lëvizë gurët si duhet, për të na siguruar një të ardhme shumë më të pastër dhe më efektive në këtë sektor. Pse pra, askush nuk ka guxuar që ta lëvizë termocentralin e ri atje ku do të bënte më së paku dëm, në rrafshin e Dukagjinit? Atje ka mjaft linjit dhe ujë për të ndërtuar një TC të ri, dhe po ashtu, është ambient shumë më i pastër që do të mundë të mbetej i tillë edhe pas ndërtimit. Thjesht, një TC i vetëm me 500 megavat nuk do të mundë të emetojë ndotje që do t’i arrijë parametrat kritikë në ambient. Por kur ky TC instalohet afër TC “Kosova B” atëherë që të dy së bashku arrijnë t’i tejkalojnë shumë parametrat e lejuar ambientalë.

II.

Sa jemi te kuraja të mendohet ndryshe dhe përtej skemave të kollajshme që preferohen më shumë, më duhet ta përmend një skenar që mendoj se fare lehtë mund të jetë ardhmëria e jonë energjetike. Pse nuk bisedojmë me vëllezërit tonë në Shqipëri që të na lejojnë të ndërtojmë një hidrocentral në ndonjërin nga lumenjtë e tyre – kanë ujë me bollëk! Do të ishte projekti më interesant që dy qeveri do ta bënin së bashku, që do t’i konkurronte cementit dhe patateve që i shëtisim lart e poshtë për të dëshmuar se jemi të denjë të bashkohemi! Si masë reciproke do të mundë t’i garantonim vëllezërve përtej, se “Kosova B” me njërin bllok të saj (afër 300 megavat ) do të punonte në prioritet për nevojat e Shqipërisë kur ata kanë krizë në muajt e verës. Një skenar i tillë mund të përpunohet mirë nga ekspertë ndërkombëtarë që do t’i angazhonim së bashku. Ka shembuj të tillë sot në botë.

III.

Ta lëmë kurajën e munguar anash, se tash është vonë të paktën për TEC-in e Dukagjinit. Çka ofron Countour Global? Shumë pak dihet. Na u tha se është arritur një sukses i madh, se tashmë rata e kthimit të borxhit nuk do të jetë 21 %, por 18.5%. Kush e kupton këtë? Shumë pak njerëz! Por qe që zgjodhën të na e thonë këtë fakt. Po ashtu, na thanë se efikasiteti i këtij termocentrali do të jetë 40% që përsëri shumë pak njerëz dinë ta kuptojnë dhe vlerësojnë si duhet! Na thanë se do të investohen 1.3 miliard euro, që çdo kush e kupton si investim të madh, që gjeneron slogane të mira si “investimi më i madh i pasluftës në Kosovë”, por pak kush përsëri e kupton se çka do të na sjellë kjo? Po ashtu, na thonë se ky termocentral nuk ndot fare, ama fare, se do të instalohen teknologjitë më të reja (thuajse mundesh sot me ble teknologji të vjetra – shko ble një “Golf 2” të ri nëse e gjen diku!).

IV.

Qe disa komente që do t’i bëja kësaj mega-kontrate:

Qeveria e ka shkelur më shumë se një rregull/ligj sidomos atë të Komunitetit të Energjisë kur ka vendosur të asistojë në përgatitjen e “terrenit” për investuesin e ardhshëm, për t’ia lehtësuar punën në furnizim të rregullt me linjit; për t’i siguruar favore dhe garanci në shitjen e rrymës nesër dhe duke i dhënë garanci shtetërore të cilitdo lloj...

Shpërndarja e energjisë elektrike është në dorë të një kompanie private turke, dhe sipas Komunitetit të Energjisë, secili qytetar mund të vendosë se nga kush do ta blejë rrymën në të ardhmen. Nuk ka rrugë legale me të cilën shteti mund ta obligojë qytetarin të blejë rrymë nga dikush që e ka më të shtrenjtë. Pra, e drejta e qytetarit të zgjedhë është interes primar. Nëse tash na duket e pamundur, do të shohim shumë shpejt se ky treg do të funksionalizohet, deshëm ne apo jo. Dhe atëherë, një treg i parregulluar, me të paktën një TC në pronësi të shtetit (Kosova B) dhe një tjetër privat (Kosova e Re), me shtetin në mes që ka hyrë në obligime karshi të dy prodhuesve, do të krijojë situata të vështira, mos të them kaotike, ku çmimin e fundit do ta paguajë konsumatori.

Nëse TC e re do të jetë konkurrente në rajon duhet të arrihen dy qëllime: që linjiti të jetë shumë i lirë (që nuk na konvenon ne si shtet) dhe që termocentrali të jetë shumë efikas. Në kategorinë e termocentraleve më të vogla se 600 megavat efikasiteti i lartë nuk është parë deri tash. Na thuhet se është 40%, por nuk është mjaft. Duke e ditur se mihjet e linjitit janë të stërngarkuara me fuqi punëtore, çmimi i linjitit nuk mund të jetë i ulët, për ta zbutur sado kudo çmimin që do ta paguajë konsumatori. Një masë alternative do të ishte të ngrihej produktiviteti në shkallë të lartë, por kjo do të thotë se duhet të largosh shumë punëtorë nga puna në mihje sipërfaqësore. Sa për krahasim, produktivitetin e lartë do të mundë ta garantojnë afro 500 punëtorë të punësuar, e aktualisht kemi disa herë më shumë. Pra, kjo masë nuk mund të realizohet.

Edhe diçka për tregun. Termocentrali që djeg linjit do të duhej të punonte rreth 7.500 orë në vit. Pra, do të prodhohen tërë kohën këto 500 megavate nga “Kosova e Re” dhe rreth 500 të tjera “Kosova B”. Derisa prodhimi është konstant, konsumi është i ndryshueshëm. Gjatë sezonit jashtëdimëror dhe gjatë natës do të duhej t’i shisnim tepricat e prodhuara me çmim shumë të ulët dhe do të na duhej të importonim energji gjatë sezonit dimëror, kur është më së shtrenjti. Tash, nëse Qeveria do ta zgjidhë këtë problem duke i garantuar prodhuesit te “Kosova e Re” se do t’ia blejë tërë energjinë që e prodhon gjatë vitit, atëherë mund të na lajmërohen shumë probleme të tjera si humbjet në eksport.

Kjo kontratë me “Countour Global” është dashur patjetër të ketë një bashkëpronësi të Kosovës në të. A nuk meriton një pronësi tonën nëse ne i sigurojmë kësaj kompanie: furnizim konstant me qymyr gjatë tërë kësaj periudhe, po ashtu edhe me ujë të cilin do të na duhej t’ia hiqnim bujqësisë, e cila ka aq shumë nevojë për të; konsumatorin duke krijuar kushte monopoliste në treg; infrastrukturën e termocentraleve ekzistuese; dhe mbi të gjitha, nuk i ngarkojmë të paguajnë koston shëndetësore dhe atë ekonomike që ky termocentral do ta shkaktojë me ndotjen që do ta prodhojë. Nuk e kam të qartë se si Qeveria nuk punoi në këtë drejtim. Ministria e udhëhequr nga Justina Pula kishte arritur disa rezultate në këtë drejtim, por si u neglizhuan ato tash?

Dhe në fund e lash ta komentoj një fakt të cilin na e sollën qeveritarët kompetentë për kontratën që e nënshkruan: ata na thanë se “Countour Global” ka vendosur që pas 20 vjetëve të përdorimit të termocentralit t’ia falin atë Qeverisë së Kosovës për ta përdorur në 20 vjetët e tjerë, sa është jeta e tij teknologjike. Në shikim të parë tingëllon si shumë, shumë gjeneroze! Por, siç e dimë mirë, në biznesin ndërkombëtar ka vetëm ujq të tërbuar dhe asnjë qengj. Kjo më bëri të shoh se çka po ndodh përtej kësaj “dhurate” të shekullit? Dhe nuk më është dashur shumë ta gjej shpjegimin logjik. Pas 20 vjetësh, që është diku nga viti 2030, kur e marrim parasysh edhe kohëzgjatjen e ndërtimit të TC-së, futen në fuqi politikat e Bashkimit Evropian për energjinë që do të jenë shumë restriktive për termocentralet që emetojnë dyoksid të karbonit.

Këto termocentrale do të duhej të paguanin çmim jashtëzakonisht të madh për t’iu lejuar emetimi i këtij ndotësi global, përndryshe do të duhej që të investonin në transportin dhe deponimin e këtij ndotësi në deponi speciale që janë shumë të shtrenjta, dhe nuk do të paguhej fare të bëhet një investim i tillë. Sidomos, kur jemi para epokës së zhvillimit të energjisë alternative. Pra, nuk do të na falet asgjë e vlefshme, por do të na lënë “me kopil në derë”, nëse më lejoni të shprehem kështu. Pse nuk na thuhen këto punë haptas? Janë të koklavitura, e kuptoj, por ka njerëz në Kosovë që jo vetëm se i kuptojnë, por mund të kontribuojnë në këtë drejtim. Termocentralet kosovare në pesë dekadat e kaluara kanë kultivuar shumë inxhinierë të mirë që e mbajtën barrën e zhvillimit të këtij sektori. Ata janë sot me shumë eksperiencë dhe duhet konsultuar. Pse nuk e bëni këtë? Sigurisht se do t’ ju këshillonin mirë! Si zëvendësim për një diskurs shumë më profesional ju na ofroni shpjegime që vështirë që dini edhe t’i belbëzoni si duhet, lëre më t’i shpjegoni!

(Autori është drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur)