Azem Galica e Azem Vllasi

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 18 mars 2017 08:53

Historia që gjithmonë fillon prej tyre; ose: shqiptarët institucionalë “komunistë” të djeshëm (me përjashtime) janë po aq patriotë sa shqiptarët institucionalë “demokratë” të sotëm (po me përjashtime), apo si të parët, si të dytët janë thjesht – tradhtarë?!

SE SI JANË KËTO punët e fatit nganjëherë, që lidhin nocione krejt të paparashikueshme me situata, kohë e persona të caktuar. Apo s’është spikatur shpesh: asgjë nuk është më fantastike se jeta. As Spielbergu e Dan Brown bashkë, pra. Fantastikja nganjëherë nuk i kursen as personat që në situata të caktuara kanë dhënë kontribute të thella vetëmohuese për popullin e vet, ose për njerëzimin në përgjithësi, por që në situata të tjera humbin sensin e kohës, hapësirës e rrjedhimisht reflektimit mbi historinë.

“Historia fillon me ne”. “Ne” ju tregojmë “juve” kush janë “meritorët”, kush janë “patriotët” dhe kush janë “tradhtarët”.

A s’kemi parë deri më tash individë që ia veshin vetvetes të drejtën hyjnore të ndarjes së “drejtësisë” - të tërheqjes së vijës ndërmjet “të së mirës” dhe “të së keqes” gjatë historisë dhe popujve? Ka: shumë. Kryesisht: udhëhumbës.

Beogradi komunist ose “demokrat” = kundër shqiptarëve e Kosovës

BESOJ SE huqja që bëhet në këtë debat është e krahasueshme me huqjen që kishte bërë Kristofer Kolombo në vitin 1492, kur besoi se kishte zbuluar rrugën e re drejt Indisë, por, në fakt, kishte zbuluar Amerikën.

Dhe i krahasueshëm me Amerikën do të ishte figurativisht për shqiptarët edhe ndriçimi dhe vlerësimi i drejtë i fatit të tyre nën pushtetet jugosllave/serbe/malazeze, që nga 1878-a, 1912-1913-a, pas ’45-a, pas ’68-a, ’74-a, ’81-shi e deri te para 1999-a. Përfshirë këtu edhe kohën nën regjimin komunist.

Dhe jo se ai dallon nga këto data të tjera, por së paku për shkak se është analizuar shumë në vendet e tjera evropiane, dhe tentohet që të adoptohet e importohet kuturu edhe te ne, ndonëse të vetëdijshëm se rrethanat në Kosovë dhe rasti i Kosovës kanë qenë dhe janë krejt të pakrahasueshëm me çfarëdo vendi ish-komunist.

Në radhë të parë, në Kosovë problemi ka qenë pabarazia, shkelja e të drejtave të njeriut, shtypja e shqiptarëve dhe mosnjohja e të drejtave elementare të tyre krahasuar me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë karshi serbëve. Pavarësisht nëse do të ishin komunistë ata që udhëhiqnin Jugosllavinë nga selitë e tyre në Beograd, ose demokratë, liberalë, nazistë ose çfarëdo – e vështirë të besohet se sjellja e tyre karshi shqiptarëve do të ishte më ndryshe nga ajo që e dimë dhe e pamë të ishte. Kjo fatkeqësisht po na dëshmohet edhe sot me këtë Serbi të udhëhequr nga parti e liderë “demokratë”, që vazhdojnë të minojnë gjithçka që ka të bëjë me përparimin dhe mirëqenien e shqiptarëve dhe Kosovën.

Beogradi gjatë këtyre 100 vjetëve në periudhat që ka sunduar Kosovën ka ndërruar shumë sisteme qeverisjeje, nga sistemi monarkist në atë komunist, nga ai komunist në këtë “demokratik”, por qasja e tyre ndaj shqiptarëve nuk ka ndryshuar thuajse as në nuanca.

Pushteti i Beogradit ka qenë armiqësor kundrejt shqiptarëve, pavarësisht nga pikëpamjet ideologjike të tij dhe besoj se kjo është lehtë e dokumentueshme. Sikur të kishte qenë çështja e vuajtjeve dhe e pabarazisë së shqiptarëve në ish-Jugosllavi çështje ideologjike – e lidhur pra me komunizmin – atëherë shqiptarët qenka dashur që të luftonin jo për liri, çlirim dhe pavarësim nga Jugosllavia/Serbia, por për rrëzimin e komunizmit (sic!).

Dhe, sipas kësaj logjike, me ardhjen e demokracisë do të rregullohej me automatizëm edhe çështja e shqiptarëve në Kosovë, brenda Serbisë dhe brenda Jugosllavisë (sic! sërish).

Mst: Shqiptarët dje – vetëm bujq, druvarë e hamaj

SË DYTI - MË FALNI – por a është dashur që të gjithë shqiptarët e Kosovës të jenë bujq, druvarë e hamaj gjatë gjithë kohës sa kanë qenë nën thundrën e Beogradit?

S’besoj se mund të dalë ndonjë naiv që do ta dëshironte këtë, pasi që kjo do të ishte tepër shkurtpamëse, po të vështrohet kaq vrazhdësisht.

Mirëpo, fatkeqësisht, ky është mesazhi që japin ata që bëjnë lista dënimi e linçimi en bloc për personalitete të shquara shqiptare në ish-Jugosllavi.

Të gjithë shqiptarët e ngritur, që kanë punuar nën Kushtetutën e ish-Jugosllavisë e që ia kanë dalë të infiltroheshin në struktura me ndikim – po thonë! – u dashka shpallur armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.

E harrohet ndoshta (me qëllim?) se nën Kushtetutën e ish-Jugosllavisë kanë punuar që të gjithë: edhe politikanët udhëheqës, edhe profesorët e mësuesit e fillores, edhe policët, gjykatësit e prokurorët, edhe mjekët e të tjerët.

A janë të gjithë këta tradhtarë? Hm!

A është dashur të mos punojnë? Hm!

Sigurisht se shumica e serbëve kurrë nuk janë gëzuar që shqiptarët po shkollohen dhe po avancojnë. Sigurisht më parë do të donin që pozitat të cilat shqiptarët i zinin, kryesisht pas rënies së Rankoviqit, t’i mbanin për vete.

Por, përse disa nuk mund ta vërejnë se duke qenë në institucione, shqiptari i arsimuar në radhë të parë e ka synuar hap pas hapi përparimin dhe mirëqenien e fëmijëve të tij, vëllezërve, motrave e prindërve të tij, komshinjve të tij, shokëve e shoqeve të tij... shqiptarëve në Kosovë e jashtë saj. Zor të besohet se duke mos i zënë shqiptarët këto pozita, e duke ua lënë ato serbëve, do të avancohej çështja shqiptare në ish-Jugosllavi. Përkundrazi.

Patriotët institucionalë dhe patriotët ilegalë

MEGJITHATË, ATA QË e njohin historinë, e dinë se – ndonëse e keqe - pozita e shqiptarëve në Jugosllavi(-të) pas Luftës II Botërore ka qenë më e mirë se ajo e viteve ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, ajo e pas ’68-s më e mirë se ajo e përparshme, ajo e ’74-s më e mirë edhe se paraprakja, e duke u rritur hapësira e vendimmarrjes nga Prishtina e duke u zvogëluar ajo e Beogradit, deri pas vdekjes së Titos dhe vitit ’81, kur serbët filluan të frikësoheshin tepër nga avancimet e shqiptarëve dhe ndërmorën ato që u ndërmorën, e që sërish i dimë të gjithë.

Por, a do të ndodhnin vitet ’89-’90 dhe gjithçka shqiptare që lidhet me to, apo ’98-’99, apo 2008-a, pa ato që bënë shqiptarët patriotë - institucionalë e ilegalë - nga 1912 deri më 1981?

I vetmi dallim i atyre që mund të quhen patriotë institucionalë me ata ilegalë është se të parët synonin që ndryshimet për shqiptarët të ndodhnin hap pas hapi, kurse ilegalët – brenda natës.

Të parët kështjellën po e pushtonin nga brenda, kurse të tjerët po përpiqeshin nga jashtë.

Të parët përdornin pragmatizmin, të dytët – radikalizmin.

Dhe natyrisht se ka pasur përjashtime për të keq në të dy taborët.

Siç ka pasur shqiptarë institucionalë që ia kanë shitur shpirtin dreqit, ashtu ka pasur edhe nga ata të ilegales që kanë pasur funksione të dyfishta, fatkeqësisht të dëmshme dhe fatale për shumë bashkëkombës të tyre, por edhe çështjen në përgjithësi.

Mirëpo fati i mirë ka qenë që shumica kanë punuar për të mirën e bashkëkombësve të tyre shqiptarë, kurse të paktë kanë qenë ata të anës tjetër. Në të kundërtën, as sot nuk do të ishim ku jemi e nuk do të kishim çka kemi.

Liderët e sotëm “tradhtarë”, si “tradhtarët” e djeshëm

POR KJO SITUATË E patriotëve institucionalë që dëshirojnë t’i arrijnë synimet hap pas hapi na shfaqet me një analogji të qartë dhe shumë të pranishme edhe nga viti 1999, që nga Konferenca e Rambouilletsë, e deri në ditët e sotme.

Po, UÇK-ja e filloi luftën për çlirimin e pavarësimin e Kosovës, por zgjodhi të bëjë kompromis duke e nënshkruar Marrëveshjen e Rambouilletsë që nuk përmendte pavarësinë, me mendimin për të qenë pragmatikë dhe për të bërë një hap të ri në një kohë tjetër. Gabim?

UÇK-ja i dorëzoi armët dhe pranoi demilitarizimin ende pa u pavarësuar Kosova. Gabim?

Kosova u qeveris nga Korniza Kushtetuese që bënte diskriminim pozitiv në shumë fusha për serbët, përfshirë edhe serbishten si gjuhë zyrtare në Kosovë, dhe kjo u miratua nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës. Gabim?

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës u përfshinë në diskutimet për statusin e Kosovës, duke iu dhënë serbëve privilegje më të mëdha sesa pakicat në secilin vend të Bashkimit Evropian. Gabim?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës vazhdon të garantojë të drejta të paprecedencë për pakicën serbe në Kosovë që shpesh i sjellin edhe shumë kokëçarje shumicës shqiptare. Gabim?

A janë të gjitha këto gabime të shqiptarëve të Kosovës?

Sipërfaqësisht duken që – po. Por, dorën në zemër, shumica e shqiptarëve kanë dhënë përkrahje të parezervë për liderët që kanë udhëhequr këto procese dhe i kanë pranuar ato. Sërish me logjikën e kompromisit që sjell pragmatizmi. Që një hap i qëlluar sot do të sjellë një situatë të favorshme nesër.

Në anën tjetër, kemi edhe sot të atillë që thonë se të gjitha këto që u përmendën, që nga Rambouilleja e deri më sot, janë gabim dhe se sistemi duhet të ndërrojë rrënjësisht – brenda natës. Shikuar sërish sipërfaqësisht, ata duket të kenë shumë të drejtë. Nëse do të shikonim vetëm ngjarjet e fundit kjo do të na konfirmohej. A nuk jemi sot të gjithë dëshmitarë të satanizimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të udhëhequr nga vetë shqiptarët, për shkak të shpalljes si kundërkushtetuese të Stemës së Komunës së Prizrenit, duke harruar se edhe vetë Kushtetuta si e tillë është votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës?

Apo - vetëm edhe një shembull – a nuk jemi dëshmitarë të odisesë turpëruese të gjykimit të personit që udhëhoqi demonstratën ku kërkohej vetëvendosje për Kosovën, të dhunës mbi ithtarët e tij, madje edhe tentim-arrestimin e tij nga Policia e Kosovës pas varrimit të një veprimtari të çështjes shqiptare? Të gjitha këto sot e këtu. Në Kosovën e pavarur dhe të udhëhequr nga shqiptarët, të cilët – siç e dimë - kanë kërkuar zyrtarisht të mbikëqyren pak edhe nga të huajt.

Rrjedhimisht pyetjet:

A janë deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan një Kushtetutë që na sjell të tilla pamje sot – tradhtarë?

A janë gjyqtarët e Kushtetueses dhe të tjerët tradhtarë?

A është Policia e Kosovës – tradhtare?

Nisur nga të gjitha këto, nesër, nëse vijnë në pushtet ata që edhe sot dëshirojnë që ndryshimet të ndodhin brenda natës, fare lehtë mund të pritet që ta shohim ndonjë deputet prej tyre të shkojë në gjykatë e të kërkojë dënimin për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, për shembull, për të gjithë anëtarët e Delegacionit të Rambouilletsë, për tërë liderët institucionalë shqiptarë të pasluftës, për gjithë Grupin e Unitetit, të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjykatësit, prokurorët, policët etj. etj.?

Nga një kut i ngushtë matës të gjithë këta mund të dalin – tradhtarë. Edhe pse, unë, nuk e besoj. Më të afërt më duken me – patriotë. Megjithëse - institucionalë.

Ose: që nga Makiaveli e duke kaluar nga Kosova e pasluftës së Dytë Botërore, ajo e të ’60-ave e deri te kjo e 2010-s – qëllimi arsyeton mjetin.

S’besoj ta kenë merituar, s’besoj ta meritojmë

MËSIMI QË DUHET të përsëritet, por që assesi të mësohet nga disa individë, mbetet: historia, megjithatë, nuk fillon me ne.

Pavarësisht nga cila fushë, pavarësisht nga sukseset që korrim, dikush e ka trasuar rrugën para nesh.

Dhe këtë, besoj, duhet pranuar të gjithë me zemërgjerësi.

Në të kundërtën rrezikojmë që përnjëherë, pas gjithë asaj rruge të përbashkët e të mundimshme që kemi kaluar e që pritet ta kalojmë – ta kthejmë në rrugë inatesh e linçimesh ndaj njëri-tjetrit. Për interesa të ngushta individuale të çastit ta rrezikojmë cakun e përbashkët të së ardhmes.

S’besoj ta kenë merituar, s’besoj ta meritojmë.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

(Një version i shkrimit të mësipërm është botuar pikërisht në këtë faqe të “Kohës Ditore” në prill 2010. Tentim-atentati ndaj avokatit dhe ish- udhëheqësit kosovar Azem Vllasi është sebep për nxjerrjen e tij nga sirtarët si kontribut në kotësinë e debatit për “vulosjet e meritorëve” të avancimit të pozitës së shqiptarë në Kosovë.)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi