Gazdallarët e shërbëtorët

Flaka Surroi Flaka Surroi 19 dhjetor 2017 07:58

Përgjimet qartë shpjegojnë kush janë gazdallarët. Dhe mjaft qartë japin indice se kush janë shërbëtorët e tyre dhe për çfarë iu shërbejnë. Tregojnë për një rrjet mirë të organizuar që kontrollon çdo cep, çdo institucion, çdo pore që do të duhej t’u jepte frymë qytetarëve. Për pasojë tregojnë edhe cili është rreziku më i madh që i kanos ata: mediumet e pavarura që nuk u frikohen as kërcënimeve e as hetimeve

“Si kryeprokuror i Shtetit garantoj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë prokurori i Shtetit do të veprojë me gjithë forcën e ligjit, dhe personat përgjegjës do t’i nxjerr para ligjit” – qe deklarata të cilën e kishte dhënë Aleksandër Lumezi pas publikimit të pjesës së dytë të përgjimeve në aferën “Pronto” para 15 muajsh. Nga ajo nuk ka pasur asnjë lëvizje në lidhje me këtë rast – pra as përgjigje nëse shkohet tutje me aktakuzë eventuale për krim të organizuar, apo të hidhet poshtë e gjithë lënda.

Ajo që ndodhi ndërkohë qe publikimi i dosjes Pronto 3, ku njëri nga personazhet kryesore qe vetë ai – i përfshirë në një drekë ku ishte folur për mundësinë e inkuadrimit të tij në PDK-në e Thaçit. Situata pas gjashtë vjetësh nga këto përgjime është se Lumezi është avancuar në postin e kryeprokurorit të Shtetit dhe se nuk u bë kandidat për post politik partiak i kësaj partie. Parti e cila, sipas fjalëve të Grabovcit, e ka çmuar shumë pozitën që e mbante atëherë (“A e din çka i thashë këtina? I thashë, thashë që kam bisedu me ty (Veselin). Thashë që më ka sugjeru, kadale mos u nxito se, ai njeri na vyn shumë”) dhe se për punën që kryente e kishte përkrahjen e plotë të prontistave (“Edhe pa kanë, pa kanë sigurt qind për qind që shkojmë me to, nuk bën me hjek prej atyhit ku o… Thashë për këtu ku je, thashë e ki mbështetjen”).

Publikimi i këtyre përgjimeve që për ndonjë arsye ende të paqartë nuk u emituan vjet, e shtyri kryeprokurorin të na kërcënojë dhe të shpifë kundër nesh që punojmë në KOHA. Pos që na shpalli pjesëtarë të grupeve kriminale, gjithashtu na bëri me dije se jemi nën hetime. Nuk na tha për çfarë hetohemi. Porse atë që e di është se, që nga fillimi i javës, kam probleme shumë serioze me telefon. Po shpresoj që kjo të jetë punë e ndonjë çrregullimi teknik të aparatit më parë sesa ndërhyrje në bisedat e mia, edhe ashtu të rralla, telefonike.

Një Lu për Kosovën

“Prokurorit të vjetër i mbaroi mandati më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur prokurori i përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar”, qe deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, tek i referohej reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Për ta bërë fjalën e vet edhe më të qartë, shtoi: “...sistemi i ri nuk mund të ketë prokuror të përgjithshëm që s’ndjek askënd penalisht. Ky vend s’mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë”.

E besoj se Lu nuk i ka pasur statistikat e gjyqësisë kosovare, sepse do të “mahnitej” për nga numri i rasteve të kallëzimeve penale që prokurorët i hedhin poshtë ose pa ndonjë argument, ose i lënë të parashkruhen nëpër sirtarë (rreth 70% e kallëzimeve penale nga policia në vitin 2017 janë hedhur poshtë nga prokuroria). Për shembull, çfarë do të thoshte kur do të kuptonte se për 11 muaj të 2017-s, Prokuroria e Shtetit ka arritur ta dërgojë për akuza për korrupsion vetëm një zyrtar të lartë (ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja).

E besoj se do të thoshte se Shqipëria i paska punët pak më mirë se Kosova, për shkak se në Kosovë shihet se luftimi i korrupsionit është prioriteti i fundit. Mbase “mbështetja” që ofrohet nga krerët e një partie politike tash kryeprokurorit të Shtetit i shpjegon të gjitha. Ashtu siç e shpjegon fakti se kryeprokurori akuzon KOHËN për bashkëveprim kriminal e nuk e ndërmerr asnjë veprim ligjor për të na futur të gjithëve në burg, meqë qenkemi organizatë me lidhje kriminale. Po të ishte e vërtetë ajo që e thotë, në një shpifje klasike të dënueshme me ligj, ne vërtet do të duhej të ishim nën hetime e që askush mos ta dinte, pos kur do të merreshim në pyetje. Kjo nuk ka ndodhur, porse nuk e përjashtoj mundësinë që kjo të ndodhë së shpejti, në shenjë hakmarrjeje për raportimin profesional që e kemi bërë. Nuk do të befasohesha po qe se edhe do të fabrikoheshin prova kundër nesh, për shkak se u përpoqëm ta marrim përgjigjen në një pyetje të thjeshtë: si ka mundur kryeprokurori i Shtetit ta paraqiste provimin e judikaturës dy javë para se ta përfundonte praktikën e obligueshme në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës më 1990?

Në vend se ta jepte përgjigjen në këtë pyetje, e urdhëroi vartësin e tij ta mbyllte rastin dhe këtë ta quante debakël për ata që e paraqitën me fakte atë. E njëkohësisht, të urdhëronte konfiskimin e gjithë lëndës arkivore nga Arkivi i Kosovës e që ajo të mos kthehej as një muaj e gjysmë pasi u zbulua manipulimi me dosjen e tij.

Përgjimet qartë shpjegojnë kush janë gazdallarët. Dhe mjaft qartë japin indice se kush janë shërbëtorët e tyre dhe për çfarë iu shërbejnë. Tregojnë për një rrjet mirë të organizuar që kontrollon çdo cep, çdo institucion, çdo pore që do të duhej t’u jepte frymë qytetarëve. Për pasojë tregojnë edhe cili është rreziku më i madh që i kanos ata: mediumet e pavarura që nuk u frikohen as kërcënimeve e as hetimeve. Tash duhet parë se sa larg do të shkojë kryeprokurori me planin e vet për të na diskredituar. Në emër të ligjit, e në shërbim të “Prontos”.

Mentaliteti “Pronto” ngjitës

E numri i njerëzve në shërbim të “Prontos” në ekzekutiv duket të jetë i pafund. Me shpotinë që ia bën shtetit e popullit Haradinaj, me emërimin e zëvendësministrave, ajo që arrihet është që të shpaguhen ca borxhe dhe të sigurohen vota të reja në rast të zgjedhjeve të parakohshme që do të mundë të ndodhin vitin që vjen. Hajde emërimi i gjithë këtyre badihavxhinjve që ndonjëherë do të mundë të shkonin në Kuvend për t’i zëvendësuar ministrat që kurrë nuk shkojnë (nuk e kanë për badihava titullin “zëvendës”), por ajo që të mbytë krejt është lehtësia me të cilën kryeministri i qaset krejt kësaj pune.

“Është pasojë e konstelacionit qeveritar” është përgjigje shumë komode, dhe bie ndesh absolutisht me të gjitha premtimet që i ka dhënë për qeverisje të mirë dhe luftim të korrupsionit. Sepse emërimi i gjithë këtyre është korrupsion në vete: po blen favore ose po kthen borxhe. Ashtu siç është korrupsion falja e 60 milionë eurove të obligimeve të papaguara ndaj shtetit; ashtu siç është dhënia e 290 mijë eurove nga arka e shtetit për familjet e të përfshirëve në rastin Kumanova; ashtu siç është emërimi i dhëndrit në krye të një institucioni që menaxhon shumë para, ani që thotë që atë punë nuk e ka ditur; është korrupsion edhe pagimi i mundshëm i 63 milionëve kompanisë së ndërtimit të autostradës, ani pse rruga nuk ka përfunduar ashtu siç është paraparë me kontratë, më 2017-n.

Nuk është kurrfarë qeverisjeje e mirë që për tre muaj të jenë kaluar vetëm dy a tri ligje nga Kuvendi, për shkak se e zgjatën pushimin derisa ishin zgjedhjet, për të marrë pjesë në fushatë; nuk është kurrfarë demokracie mungesa shumëmujore e deputetes që ua dha votën për ta marrë pushtetin në dorë; e përfundimisht nuk është asnjë mirëmenaxhim buxheti kur institucionet që kanë buxhet të gatshëm të shndërrohen në borxhlinjtë më të mëdhenj, për shkak se nuk i paguajnë obligimet ndaj palëve të treta.

Për mentalitetin “Pronto”, kjo është qeverisja e mirë. Dhe si e tillë do të paraqitet në raportin e njëqindditëshit: si qeverisje e suksesshme që i ka shtyrë gjërat përpara, e që “ata të tjerët”, të mandatit të kaluar, nuk kanë ditur t’i zgjidhin. E në fund, e gjitha do të jetë përsëritja e asaj që po e jetojmë qe gati dy dekada – papërgjegjësia totale për fjalët dhe veprat, mungesa e llogaridhënies dhe akomodimi edhe më i madh i gazdallarëve të paprekshëm, pavarësisht partisë.

Krimbi “Pronto” në VV

E një parti që nuk ka dashur ta kuptojë që nga koha kur filloi të fitonte më shumë fuqi politike se viktima e ardhshme e krimbit “Pronto” do të jetë pikërisht ajo, qe VV-ja.

Ambienti politik i ndërtuar prej pasluftës ku kishte gjithçka pos ferplej politik dhe shuarja graduale e partive qytetare, kanë qenë tregues të jashtëzakonshëm se gazdallarët e politikës në Kosovë nuk do të lejonin që kontrolli t’u ikte aq lehtë nga duart.

E nisur si lëvizje të rinjsh me ide për ta rrënuar të keqen me një qasje tjetër, madje edhe të dhunshme hove-hove, u shndërrua në një parti të madhe, të organizuar me shumë vullnetarë e me shumë degë nëpër Kosovë. Çdo “prurje” e re, përkatësisht aderim i të pakënaqurve apo të ikurve nga partitë e dala nga lufta, shihej si fitore dhe kuptohej si “pranim i politikës së drejtë që e kultivonte VV-ja”.

Pra, erdhi çasti në të cilin edhe VV-ja iu bashkua valles së partive që bënin gara për t’ia marrë anëtarët e simpatizantët njëra-tjetrës, posaçërisht para se të mbaheshin zgjedhjet. Si reklamë, do të ketë qenë e mundur të ndikonte te votuesi, porse nga aspekti organizativ do ta ketë pasur një lëshim të madh: aderimi i njerëzve prej të gjitha anëve dhe orientimeve politike të ndryshme do të jetë bërë pa ndonjë filtrim.

Dhe mungesa e filtrimit me shumë gjasë do të ketë mundësuar infiltrimin e prontistave dhe shikistave në vetë strukturën e VV-së, me qëllim të shkatërrimit të saj prej brenda. Dhe përderisa nga jashtë është vështirë të thuhet nëse ky vërtet ka qenë rasti, ajo që dihet është se ky veprim nuk do të ishte i ri dhe se edhe në të kaluarën ka shkaktuar çarje brenda partive politike.

Kjo që tash po i ndodh VV-së do të ketë qenë e pritur, por mbase jo në këtë moment. Por ja që fraksionet përbrenda dita më ditë po bëhen më evidente dhe me gjasë do të përfundojnë me një ndarje të partisë në dysh, dhe kjo në kohën kur themeluesi i saj gjendet në paraburgim. Kjo gjithsesi do të ketë për rezultat edhe shpërndarjen e votës së VV-së dhe me shumë gjasë një pjesë e elektoratit të saj do të shkojë nga LDK-ja, si “e keqja më pak e vogël”, ose në rastin më të keq do të mbetet e papërcaktuar dhe nuk do të votojë fare. E mosdalja në votime do ta kthejë rrotën aty ku kemi qenë në 2010-n.

Nga përçarjet brenda, anëtarët e VV-së do të duhej të nxirrnin mësime. Të shënosh rritje në numra do të jetë kënaqësi e madhe, porse rreziku më i madh rrjedh nga vetëkënaqësia. Sepse ajo të bën të besosh se s’ka më të mirë se ti dhe krijon bindjen se të gjithë ata që të thonë se të duan përnjëmend të duan. E vetëkënaqësia duket se i ka kushtuar VV-së, dhe kjo u ravijëzua fillimisht në zgjedhjet komunale për të shpërthyer tash, me shkas një porosi të pamatur dhe banale në Viber.

Sido që të përfundojë problemi në këtë parti, ajo që dihet me siguri është se kështu gazdallarët po e humbin një kundërshtar, bile deklarativisht, të fortë që ka mundur t’ua prishë hesapet bajagi si shumë.

Kundërshtar që u kaplua nga krimbi “Pronto” duket madje më shpejt seç është pritur.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi