Kosova nuk ka nevojë për repriza

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 17 dhjetor 2017 08:00

Opozita mund t’i shohë zgjedhjet e reja si shans të mirë për të marrë pushtetin, por ato do të ishin vetëm shpenzim i kotë i buxhetit dhe nuk do ta zgjidhnin problemin. Kosova nuk ka nevojë për repriza të ngërçeve institucionale

Demarkacioni, asociacioni, krijimi i ushtrisë, liberalizimi i vizave. Janë këto katër çështje madhore që ka gati tre vjet po e mbajnë peng zhvillimin politik e ekonomik të Kosovës dhe po i acarojnë nervat e qytetarëve.

Pamundësia e arritjes së një konsensusi për Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi ishte një ndër shkaqet që çoi në shpërbërjen e Kuvendit dhe të Qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga PDK-ja dhe LDK-ja. Mbajtja e zgjedhjeve të reja, si nga opozita ashtu edhe nga qytetarët, shiheshin si mundësi e mirë për të dalë nga ngërçi institucional dhe nga skenat e gazit lotsjellës në institucionin ligjvënës.

Zgjedhjet që pasuan sollën një koalicion qeveritar që për nga shumësia dhe llojllojshmëria e partive brenda tij lirisht mund të quhet “larushia”. Kjo, për shkak të një ambicieje të kamotshme të Ramush Haradinajt për të marrë qeverisjen e vendit me çdo kusht. Haradinaj mblodhi rreth vetes parti e njerëz me prapavijë e vlera të ndryshme ideologjike e politike, biznesmenë që e shfrytëzojnë pushtetin për rritjen e firmave të tyre, persona të akuzuar për krim e korrupsion, gangsterë që shkrehin plumba nëpër ahengje, njerëz të cilët për shumë vjet kanë dëshmuar që për një trohë pushtet shkelin mbi çdo parim dhe që nuk kanë asnjë vizion për çuarjen përpara të agjendave të rëndësishme kombëtare e shtetërore.

Pasojat e këtij konglomerati filluan të ndihen që në ditët e para të qeverisjes. Qëndrimet kundërthënëse të partive të koalicionit rreth çështjeve madhore, si demarkacioni, që mbajtën në bllokadë politike vendin gjatë qeverisjes së kaluar, dëshmojnë se as ky koalicion nuk ka një strategji konkrete për dalje nga kriza e shtetndërtimit. Madje një zyrtar i një partie të koalicionit i konsideron si normale dallimet e mëdha përbrenda koalicionit. “Ne me dallime kemi hyrë në koalicion parazgjedhor, me dallime e kemi vazhduar fushatën, me dallime e kemi formuar Qeverinë sa u përket këtyre çështjeve, përfshirë demarkacionin. Nuk kemi diçka për t’u befasuar dhe nuk ka arsye që të ndërrojmë qëndrime”. Një deklaratë e tillë shpërfaq gjasat e vogla që Qeveria dhe legjislatura aktuale t’i gjejnë zgjidhje çështjes së demarkacionit, që kushtëzon edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në vend që para se të lidhte koalicionin të unifikonte qëndrimet e partive rreth temave si demarkacioni, formimi i Asociacionit të komunave serbe apo shndërrimi i FSK-së në forcë të armatosur (për këtë të fundit do të duhej t’i zbuste kundërthëniet me Listën serbe), bisedat e Haradinajt me partnerët e koalicionit duket se kanë qenë të përqendruara vetëm për ndarjen e posteve.

100-ditëshi i parë i qeverisjes Haradinajt i kaloi kryesisht duke akomoduar nëpër poste qeveritare akraballëkun dhe militantët e partive të koalicionit. Qeveria e tij do të mbahet mend për numrin enorm të zëvendësministrave. Qeverisjen e nisi me disa skandale. Mori tri vendime të kundërligjshme: ua fali borxhin prej rreth 50 milionë eurosh ambalazhuesve të ujit që ia kishin Qeverisë, ndau rreth 300 mijë euro asistencë për familjet e të dënuarve për terrorizëm në Maqedoni, dhe shkarkoi jashtëligjshëm Bordin e Agjencisë së Akreditimit. Gjatë kësaj kohe u mor më shumë me mikromenaxhim, në agjendat e tij ditore ishin edhe pritjet e përcjelljet e familjarëve në zyrat e Qeverisë, e madje i doli kohë të pastrojë edhe xhamat nga ngjyra e hedhur nga protestuesit e Vetëvendosjes.

Politikë të fragmentarizuar nuk ndjekin vetëm partitë e koalicionit qeverisës. Qëndrim unifikues rreth demarkacionit dhe Asociacionit nuk kanë as dy partitë opozitare LDK e LVV. Përderisa LDK-ja është shprehur pro marrëveshjeve për demarkacionin dhe asociacionin, LVV-ja i ka kundërshtuar edhe me protesta të dhunshme këto marrëveshje dhe vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim.

Edhe pse në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato komunale dolën të jenë partitë më të mëdha të vendit, shkaku i ndasive politike ato nuk po tregohen zë i fuqishëm opozitar në Kuvend. Përderisa kanë refuzuar koalicionin qendror, për të ruajtur pushtetin nëpër disa komuna edhe ato kanë lidhur koalicione jo fort parimore. Të dyjave po u mungojnë iniciativat për ngritjen e problemeve në Kuvend dhe duket se më shumë janë të interesuara të bllokojnë proceset sesa t’u gjendet çare. Krejt kjo në pritje të dështimit të kësaj qeverie dhe shkuarjes në zgjedhje të reja.

Politika jo e unifikuar e faktorit politik rreth çështjeve të mëdha, mosluftimi i korrupsionit, ngurrimi për të kryer reforma gjyqësore, vënia e interesit vetjak dhe të grupeve të interesit brenda partive para interesave shtetërore, po i hakmerren Kosovës si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme.

Kosova aktualisht nuk ka një lider të besueshëm dhe unifikues, i cili do të mundë të zbuste dallimet politike dhe do të arrinte konsensus midis partive për vendime të mëdha, të cilit do të mundë t’i referoheshin edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

I zënë me vështirësitë e ruajtjes së ekuilibrit midis faktorëve të pushtetit, tre muajt e parë të qeverisjes nuk bindin se Haradinaj si kryeministër ka një vizion të ndërtimit të shtetësisë dhe se mund të jetë figurë unifikuese. Të tillë nuk janë as udhëheqësit e dy institucioneve të tjera të larta të shtetit, presidenti Hashim Thaçi e kryeparlamentari Kadri Veseli. Aktualisht busulla e tyre politike është e çorientuar, shkaku i paqartësive rreth aktakuzave të Gjykatës speciale. I njohur për ambiciet e tij të udhëheqjes si bajraktar, presidenti Thaçi gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet është treguar më shumë përçarës sesa faktor uniteti.

Partinë e Thaçit e të Veselit po e ndjekin ende skandalet e qeverisjes në dy mandatet e kaluara. Përgjimet e reja të publikuara nga mediat vazhdojnë të shpërfaqin lidhjet e PDK-së dhe të eksponentëve të saj me udhëheqës të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.

Për shkak të koalicionit të panatyrshëm dhe kabinetit të mbipopulluar qeveritar, që nga formimi i saj, parashikimet kanë qenë se qeveria aktuale nuk do të ketë jetë të gjatë. Opozita mund t’i shohë zgjedhjet e reja si shans të mirë për të marrë pushtetin, por ato do të ishin vetëm shpenzim i kotë i buxhetit dhe nuk do ta zgjidhnin problemin. Kosova nuk ka nevojë për repriza të ngërçeve institucionale.

Zgjidhja e vetme është lënia anash e egove të liderëve politikë, ulja në tavolinën e bisedimeve dhe diskutimi i sinqertë për arritjen e një konsensusi ndërmjet partive për çështjet që po e mbajnë peng liberalizimin e vizave, dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Artan19/12/2017 14:54

Liberalizimi duhet te ndodh Kosova nuk mundte qendroj me ne geto eshte e padrejte

Qamil Foniqi Rotterdam Holand18/12/2017 10:34

Unë nuk di dhe jam tejet intersuar rreth problemit té vizave që aq shumë është duke u përfolur në Kosovë. Liberalizimi i vizave thjeshtë është një barjerë e shpikur nga BE-ja e cila fatkeqsisht shfrytzohet nga politikajt-jopolitik në Kosovë thjesht për ta mbajtur vetën në vemendje të opinjonit Kosovar. Liberalizimi i vizave nuk do të zgjidh kurfar problemi të qytetarëve té Kosovës. Mergimtari

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti