OpEd

Universiteti dhe integriteti akademik

Integriteti akademik është strumbullari i universitetit. Në shtëpinë universitare, integriteti dhe përgjegjësia akademike kultivohen nga liria akademike, autoriteti akademik dhe rendi institucional. Liria akademike është institut i vjetër universitar që ka krijuar botën akademike me intencë për t’u vetëleçitur në hapësirën e saj kureshtare, që punon sipas rregullave të veta. Mbi të gjitha, liria akademike është liria për ta kultivuar, pa shtrëngesa, rritën e kulturës individuale, kureshtjen për të njohur botën dhe kapitalin intelektual për gjithë njerëzimin.

Autoriteti akademik është autoriteti që kultivon dhe kultivohet nga konversacioni i lirë akademik, që krijon, pranon dhe promovon një kuptim të lirë të botës. Rendi institucional i universitetit është rendi që udhëhiqet nga vizioni i lirisë, autoritetit dhe pavarësisë së tij si dhomë më vete brenda shtëpisë njerëzore. Rendi institucional i universitetit, kur bëhet mirë, garanton përgjegjësinë dhe integritetin akademik. Në këtë rend ka hise vetëm universiteti dhe askush jashtë tij. Hisja e pretenduar shoqërore, kinse në emër të taksapaguesve, është vetëm hise e pretenduar e kritikëve të sektorëve jashtë universitares. Vetëm universiteti vetë ka tagër ta ruajë dhe ta rrisë integritetin e vet akademik.

Universiteti si institucion ka nisur të themelohet në mesjetë, si arratisje e kureshtarëve në ruajtje e sistematizim të fjalëve të shkruara, gjërave të mbledhura, mendimeve të shkrepura, si oazë e distancuar nga bota praktike, dhe gjatë periudhës mbi 800-vjeçare të zhvillimit të tij si studia generalia, ka kaluar nëpër transformime të shumta, duke adaptuar kërkesa ideologjike nga shteti, por edhe praktika lehtësuese nga teknologjia. Ndonëse intenca origjinare e themelimit të universitetit nuk është “kontributi për shtetin”, në shekujt e fundit kjo pikëpamje ka hyrë thellë në gjuhën e vizionit të universitetit dhe tashmë është bërë doktrinë: thuhet se universiteti duhet të kontribuojë, në sensin praktik të fjalës, për shtetin, për tregun, për emancipimin, për nevojat. Nga një vend ku piqet e kultivohet dashuria për dijen, universiteti është shndërruar në një “mësonjëtore nevojash”. Madje “dija e transferueshme” tutorialiste, e bërë kryesisht në mënyrë mekanike, është bërë vetë vizioni i universitetit: universitetet garojnë për programe më adekuate dhe të përdorshme. Universiteti është shndërruar në vend ku mësohet se “si” të bëhet diçka, një tutorialia generalia, sikur krejt edukimi është vetëm dhe vetëm për nevoja tregu.

Në një anë tjetër, universiteti është rrethuar sikurse të ishte ishull maltez edhe nga “kultivuesit e kritikës”, të cilët kanë në agjendë repudiacionin e jo kultivimin. Pas shpërthimit të “bingbangut” të mendimit ideologjik të shekullit nëntëmbëdhjetë të prirë nga Marksi si “profet melankolik”, ideologët kokëzjarr kanë humbur betejën pushtetare për transformimin e shoqërisë perëndimore në “utopi komuniste”. Mirëpo, grimcat e zjarrta ideologjike kanë kontaminuar mendimin akademik dhe shumë prej ideologëve kokëzjarr kanë gjetur konak brenda mureve universitare. Si “kritikë” të pajisur me dijen mbishkencore të sëndukut magjik-ideologjik të Marksit, ata kanë organizuar egzorcizma dhe beteja që të marrin kalanë nga brenda: të “shërojnë” universitetin nga dashuria e mykur për dijen pa interes dhe ta “çlirojnë” atë nga vetmia e botës kureshtare, për ta kthyer në një institucion që prodhon “kritikë demaskuese” ndaj pushtetit, ndaj shtetit, ndaj narrativëve të mëdhenj, ndaj kapitalizmit, ndaj patriarkatit, etj. Pra, entuziazmi ideologjik ka shndërruar universitetin në “kamp trajnimi” për interesin e pragmatistit ideologjik, gjithnjë në emër të idesë së “kritikës” si vizion, “rekomandimeve emancipuese” si mision dhe “aftësive praktike” si rezultate të pritura. Pra, kjo kritikë nuk ka ardhur si “kritikë përmirësuese” për të vazhduar kureshtjen, por si “strategji transformuese” për të avancuar doktrinën e progresit: të shndërrohet universiteti nga një oazë e kultivimit të kureshtjes evolutive të homosapiensit në një farkatore të armëve për të marrë pushtetin, së pari brenda universitetit, e pastaj për të transformuar gjithë shoqërinë.

Kur caku i vizionit të universitetit është “bartja mekanike e aftësive”, “mësimdhënia dhe mësimnxënia”, atëherë universiteti shndërrohet në mësonjëtore funksionaliste për ta rehatuar nevojën e një aspekti të caktuar të shoqërisë. Megjithatë, synimi i universitetit ka qenë gjithmonë koncepti i kultivimit të kureshtjes dhe nxitjes së edukimit si aventurë individuale, jo mprehtësisë së aftësisë së marrë nga bartja e njohurisë.

Kenneth Minogueu pati thënë se “kërcënimi më i madh ndaj universitetit, që shpeshherë ka kanosur periferi të shumta të Akademisë, vjen nga entuziazmet e jashtme të cilat vishen sikur besime akademike”. Ai analizonte dogmën transformative marksiste në sistemin akademik perëndimor, aty ku politikani neomarksist po “sillej si fantazmë” për ta nxjerrë universitetin nga këndi i tij në korridor të shoqërisë dhe aty ku kritiku kokëzjarr po priste “t’ia nxirrte universitetit tri dredhë n’shpinë”. Roger Scruton, të cilin nuk e lanë as të jepte mësim, rrëfen për apostujt e marksizmit perëndimor, të cilët e shihnin universitetin jo si vend ku kultivohet e bartet kultura e kureshtjes, dijes e intelektit në konversacion, por si vend ku vlerësohej “çdo ide, argument, institucion, konventë, apo traditë krahas “dominimit” të cilin ajo ide a traditë e maskon”. Foucault, Deleuze e neofitë të tjerë ishin antifilozofët që gjithëçkjen e shihnin si të maskuar me pushtet dhe gjithë “kureshtja” dhe “dija” e tyre përbëhej nga “demaskimi” i këtij pushteti.

Megjithatë, në Perëndim universiteti është mbrojtur brenda dhomës së vet, ka refuzuar të dalë në korridor edhe kur copa të saj, njerëz të tij, kanë migruar dhe janë transformuar. Universiteti ka krijuar rendin e vet institucional për ta ruajtur autoritetin dhe përgjegjësinë e vet. Madje edhe kur është marrë peng nga regjimet totalitare, në vende të ndryshme perëndimore dhe gjatë kohëve të liga atje, universiteti është munduar ta ruajë një trohë sens akademik nga shtrëngimi i çeliktë i këtyre sistemeve.

Për arsye të veçantisë historike, në rastin e Kosovës, universiteti ka mundësuar mbijetesën e identitetit shqiptar dhe ka promovuar idenë e afirmimit të këtij identiteti, natyrisht duke përdorur masa të ndryshme ideologjike. Në Shqipëri universiteti modern është krijuar dhe vendosur që në fillet e veta në korridor të shoqërisë shqiptare për t’ia plotësuar nevojat e përditshme të saj. Universiteti është konceptuar si mësonjëtore, si vend i praktikës, para se të punohet në uzinë. Vizioni dhe misioni i universitetit ka qenë kryesisht formimi ideologjik i “njeriut të ri” dhe transmetimi i aftësive praktike, e zakonshme si frymë edhe gjetiu.

Megjithatë, nëpër kthina të universitetit shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, janë ngujuar herë pas here kureshtarë me sens akademik e dashuri për njohje. Për arsye të pozitës së universitetit, bukëdhënës në korridor të shoqërisë, kureshtarët kanë qenë të vrojtuar, të kërcënuar, të përqeshur dhe të pëshpëritur orë e çast nga “mgjitoret” e “shpatarët”. Kush janë këto personazhe dhe si identifikohen këtu figura në “dramën” e universitetit? “Mgjitoret” janë ata që thonë se kanë dijen magjike të shërimit. “Mgjitoret”bëjnë rite vajtimi, ndezin zjarre alarmi, vënë ngjyrë në fytyrë, sakrifikojnë dinjitete. Ata pretendojnë se iu intereson integriteti akademik, por, mbi të gjitha, iu intereson fama e “mgjisë” së tyre. “Shpatarët”janë ata që mprehin shpatat-thika dhe vijnë si hero të jashtëm për të marrë lavdin e zgjidhjes së problemit të universitetit. Ata pretendojnë se iu intereson edukimi i fëmijëve, por, mbi të gjitha, atyre iu intereson lavdi i copëtimit “shpëtues”dhe ndonjë copë e tulit të tij.

Sidokudo, kureshtarët kanë gjetur dhe ende gjejnë kohë për ngujim në bibliotekë, kthina konversacioni, kënde leximi, e tavolina shkrimi, për të lexuar, shkruar e ndërruar fjalë sipas disa parimeve të pagëzimit akademik, në mos paçin mundësi tjetër. Pas ballafaqimit zemërplasës me probleme shoqërore, pas konsumit të preokupimit nietmirë politik, pas korrektësisë në mirësjellje me pritjet e tregut, kureshtari akademik shqiptar, edhe pse i sojit të pakët, gjen pakëz kohë edhe për t’i diskutuar metaforat e ujit në ritet popullore të popullit bask, për të menduar për vizatimet parahistorike në gur të Sharenicës e për të menduar e shkruar për autoritetin poetik të Ishiguros.

Si pasojë e veçantisë politike, kulturore e historike, në Kosovë, Universiteti i Prishtinës njihet dhe theksohet si Universiteti. Duke qenë i dizajnuar për korridor të shoqërisë, ai ka qenë vend i ëndrrës, makthit, ideologjisë, mësonjëtores, lavdit, uzinës, e shumë shtigjeve të tjera. “Mgjitoret” e “shpatarët”, në gjuhë e ligjërime të ndryshme, i janë sjellë rreth mureve, i kanë hyrë nën lëkurë, ia kanë vnue saçin mbi krye. Kureshtarë e qëndrestarë e kanë mbrojtur, ashtu si është, duke qëndruar nëpër kthinat e tyre, duke riparuar horizonte të thyera, duke rishkruar faqe të grisura, duke meremetuar pasojat e të revoltuarve të kohës. Edhe sot ekzistojnë entuziazme të ndryshme të veshura me petka besimi akademik për shpëtimin e universitetit. Edhe sot kemi politikanë që sillen si “shpatarë” dhe kritikë të universitetit që sillen si “mgjitore” ndonëse kanë veshur petka të tjera. Të dyja palët e shohin universitetin si të plagosur rëndë, të dalë mode, të pavlerë. Politikanët shiten si roja që duan të kërkojnë, të gjejnë e të blejnë kurë, ku është e ku s’është, për shërimin e të sëmurit të tyre. Sipas tyre, kur universiteti është i sëmurë, krejt shoqëria është e sëmurë. Andaj, universiteti duhet të shërohet, sepse në të ka hise tërë shoqëria. Por, pretendimi i hisesë shoqërore del se është pretendim i hisesë së politikanëve dhe kritikëve. Dhe shërimin ia bëjnë duke ia mbajtur shpatën në fyt, përderisa “mgjitorët” tentojnë të bëjnë ekzorcizmin. Ata gjithmonë bëjnë rite obskure rreth universitetit, blejnë vajtore brenda e jashtë universitetit, citojnë libra “të shenjtë” e “shkencorë” për t’ia identifikuar simptomat, bëjnë lista nënvlerësuese për t’ia demoralizuar mësuesit, japin shfaqje spektakulare për t’i bindur masat, shkruajnë fletërrufe për t’ia mënjanuar kureshtarët, mprehin shigjeta për t’ia zmbrapsur qëndrestarët. Bëhen edhe ventrikulatorë të prijësve të zgjedhur të universitetit, e shpeshherë edhe zëdhënës edhe kritikë të tyre, gjithnjë në emër të së vërtetës. A nuk do të duhej që prijësit e universitetit vetë ta kthenin rendin institucional dhe besimin te autoriteti akademik e përgjegjësia akademike? Vetë universiteti?

Riteve të “mgjitoreve” ua llullën sytë edhe mediet spektakulare, që ngarendin ta shfaqin drejtpërdrejt eksorcizmin magjik dhe operacionin drastik të universitetit nga shpëtuesit e rinj. Mediet përdoren si simahor për të bërë spektaklin dramatik. Ky spektakël shndërrohet në “dramë” të universitetit, ku aktrohen “diagnostikimi, shërimi dhe ringjallja” e universitetit. Titulli i dramës mund të lexohet si “Exorcizamus te, universitas”.

Në këtë rit kalimi, në këtë fazë liminiale, në këtë prag transicional, në këtë korridor të rrëshqitshëm plot gjak, pështymë e vrer, piskamë e brimë, xhurulldi e hipokrizi, kakofoni e cakëllimë, universitetit do t’i nxirret dreqi nga barku. “Shpatarët” dhe “mgjitoret” do të bëjnë ritin e tyre të radhës, rit serik ky me episode të njëpasnjëshme. Riti s’do të ndalet këtu: synimi i tij është “universiteti i ri”, “politika e re”, “mendja e re”, “seksi i ri”, etj. Përmes luftës dhe çlirimit do të synohet revolucioni politik, social, akademik, seksual, etj. Madje, në skenë zakonisht thirren edhe ndërkombëtarë. Parulla e tyre në manifestin e tyre është “mgjitore të të gjitha vendeve, bashkohuni në operacion e ekzorcizëm të universitetit”. Por, ekzorcizmi i universitetit duket të jetë vetëm nisërz, sepse sosërza e synuar e ideologjisë së tillë është transplantimi i identitetit të gjithë shoqërisë shqiptare.

Se “mgjitoret” e “shpatarët” qenkan si mbreti pa rroba, kjo tashmë është thënë, thuhet e do të thuhet. Se a do të vendoset ndonjëherë “i sëmuri universitet” në dhomën Academe, dhe të nisë ta marrë veten aty, kjo mbetet të shihet. “Mgjitore” e “shpatarë” do të vijnë e shkojnë, duke ndërruar totemet e maskat e tyre sipas rasteve e kohës. Por, kureshtarët e qëndrestarët do të mbesin gjithmonë aty, në këndet e tyre, duke mbrojtur ndonjë faqe të universiteti, duke ia kënduar ndonjë këngë të vjetër, duke soditur yjet mbi universitet, por edhe duke ia lidhur plagët, duke ia bërë kurën dhe duke e mbrojtur nga mgjitorët e shpatarët e jashtëm e të brendshëm. Sepse ata që janë akademikë kureshtarë, pavarësisht rrymës së kohës, do të qëndrojnë. Sepse ata e dinë se universiteti ka plagë, madje plagë të djeshme e të sotme, por plagët e tij nuk shërohet nga jashtë, por nga brenda. Ata e dinë se përmirësimet vijnë ngadalë dhe duhet të vijnë nga brenda dhe në mënyrë organike, dhe sado që luhet “drama emergjente”, universiteti e pranon evolucionin e jo revolucionin.

(Autori është mësimdhënës i antropologjisë kulturore, përkatësisht bashkëpunëtor i angazhuar në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”)