OpEd

Ballkani mund të humbë edhe rastin e vogël për të avancuar rrugën drejt BE-së

“They never miss a chance to miss a chance” (Ata asnjëherë nuk e humbin rastin për ta humbur rastin) është një thënie e njohur, e cila shpesh dëgjohet edhe në diplomaci kur flitet për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt integrimeve në BE. Mbetet më se e qartë se rrethanat në këtë rast për këto shtete nuk kanë qenë të shumta, por edhe kur janë paraqitur disa ato janë humbur. Tash përsëri po përflitet dhënia e një rasti të ri vendeve të Ballkanit përmes një strategjie “të besueshme” të zgjerimit që po e përgatit Komisioni Evropian. Por vendet e përfolura do të duhej të bënin disa detyra serioze nëse nuk duan edhe këtë rast ta humbin

Paramendojeni se sa kanë nevojë vendet e Ballkanit për mesazhe të mira rreth së ardhmes së tyre në BE, kur i gëzohen edhe një drafti të një strategjie politike e cila, në mënyrë indikative, përmend vitin 2025 si afat kur dy prej gjashtë vendeve të këtij rajoni do të mundë të anëtarësoheshin në BE. Pra, në rastin më të mirë, nëse një qëllim i tillë do të realizohej, Mali i Zi dhe Serbia do të mundë të bëheshin anëtare të BE-së në një afat prej tetë vjetësh nga momenti i tashëm. Serbia ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në vitin 2009, pra para tetë vjetësh, ndërsa do të bëhet anëtare, në rastin më të mirë, pas tetë vjetësh të tjerë. Gjithsej, nëse realizohet ky qëllim, Serbia do ta ketë kaluar rrugën nga dorëzimi i kërkesës për anëtarësim në BE e deri tek anëtarësimi për 16 vjet. Mali i Zi ka aplikuar një vit para Serbisë dhe po ashtu i përmendet fundi i viti 2025 si afat se kur do të mundë të bëhej anëtare e BE-së. Do të thotë ajo do ta ketë kaluar këtë rrugëtim për 17 vjet. Vendet që janë anëtarësuar në BE gjatë valës së madhe të zgjerimit e kanë kaluar këtë rrugë për më pakë se 8 vjet, ndërsa Kroacia për dhjetë vjet. Nga kjo shihet qartë se sa më vonë që shtetet vinë në këtë proces aq më e gjatë dhe më i vështirë bëhet ky rrugëtim.

Këtë duhet pasur parasysh kur të mendohet se çfarë perspektive të zgjerimit do të ketë Kosova. Në rast se Kosovës do t’i zgjaste ky rrugëtim sa edhe Malit të Zi apo Serbisë, që mund por nuk është e thënë të ndodhë, atëherë në mendje na vjen diku viti 2033 apo 2034 si kohë kur ky shtet do të mundë të bëhej anëtar i Bashkimit Evropian.

Është thënë disa herë se në rrugën e integrimeve evropiane nuk ka garanci, nuk ka asgjë të sigurt. Nuk është e sigurt edhe a do të ketë apo jo BE në vitin nga perspektiva e sotme të largët 2033. Nëse do të ketë BE, çfarë do të jetë ajo. Sa do të ketë apetit për t’u zgjeruar.

Pa marrë parasysh se sa janë të besueshme premtimet për ecje “të shpejtë” drejt BE-së, vendet e Ballkanit nuk kanë asnjë alternativë më të mirë sesa të ndjekin këtë rrugë. Qoftë edhe me çmimin se nuk do të arrin fare në fund të saj. Arritja e standardeve evropiane, reformat që kërkohen dhe verifikohen në këtë proces, do t’i bëjnë këto shtete të ndryshme, më të mira, më demokratike, edhe pse mund të ndodhë që të mos jenë ideale, siç nuk janë edhe disa shtete të sotme anëtare të BE-së.

Synimet për integrim në BE duhet të mbahen gjallë edhe në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit, por ato duhet të dëshmohen edhe nga vetë BE-ja, siç thuhet në fjalonin evropian “me vepra e jo vetëm me fjalë”.

Viti që vjen përmendet të jetë me rëndësi të veçantë për të kthyer besimin në procesin e zgjerimit. Ashtu siç e ka paralajmëruar në fjalimin e tij presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, Komisioni Evropian në shkurt të vitit të ri do të miratojë dhe publikojë një strategji për zgjerimin në vendet e Ballkanit. “Koha Ditore” para dhjetë ditësh ekskluzivisht ka shkruar për përmbajtjen e draftit të kësaj strategjie. Pak a shumë aty përmendet nevoja për një proces të besueshëm të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, detyrat që duhet t’i bëjnë, afatet deri kur duhet t’i zgjidhin çështjet e hapura me fqinjët, dhe për Malin e Zi dhe Serbisë edhe afatet kohore në mënyrë të veçantë. Pra, Mali i Zi dhe Serbia deri në vitin 2019 duhet t’i përmbushin kriteret kalimtare nga kapitulli për sundimin e ligjit, deri këtë vit Serbia duhet të ketë marrëveshje për normalizim gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën, përmes një dokumenti obligues ligjor. Në vitin 2023 ato do të mundë të përmbyllin negociatat e anëtarësimit, Traktatit i anëtarësimit do të nënshkruhej në vitin 2024, ndërsa deri në fund të vitit 2025 do të përmbyllej procesi i ratifikimit dhe ato do të mundë të bëheshin anëtare të BE-së.

Vendet e tjera të rajonit thuhet se deri në atë afat “do të duhej të ketë avancuar mirë në procesin e negociatave të anëtarësimit”. Ka shumë gjasa që kjo të riformulohet për shkak të Kosovës, dhe të thuhet se këto vende do të duhej të kenë avancuar në “rrugën e tyre përkatëse evropiane”.

Vitin që vjen Komisioni Evropian mund të japë edhe rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, e ndoshta edhe për Maqedoninë. Këtë e ka paralajmëruar edhe vetë presidenti i Komisionit Evropian Juncker pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Por edhe premtimet e Junckerit duhet marrë me rezervë, sepse rekomandimet e Komisionit nuk garantojnë se negociatat edhe do të nisin. Siç thotë edhe vetë fjala, ai do të jetë vetëm një “rekomandim”, ndërsa vendimin e marrin me unanimitet shtetet anëtare në Këshill. Në rastin e Maqedonisë kemi parë se nuk ka shumë vlerë rekomandimi i Komisionit nëse nuk ekziston mbështetje nga të gjitha shtetet anëtare.

Për vitin që vjen, në periudhën kur Bullgaria do të ketë Presidencën e radhës së BE-së, do të zhvillohet edhe një samit i BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor. Edhe me këtë rast do të dërgohet mesazhi për një përkushtim të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit. Në të gjitha këto raste bëhet e qartë se në procesin e zgjerimit tashmë po ndahet Ballkani Perëndimor nga Turqia, për të cilën pakkush më beson se ndonjëherë do të bëhet anëtare e BE-së, përderisa për Ballkanin Perëndimor nuk kanë dilema të tilla. Por vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe për këto afate indikative duhet të shfrytëzojnë rastin dhe të kryejnë pjesën e tyre të punës.

“They never miss a chance to miss a chance” (Ata asnjëherë nuk e humbin rastin për ta humbur rastin) është një thënie e njohur, e cila shpesh dëgjohet edhe në diplomaci kur flitet për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit drejt integrimeve në BE. Mbetet më se e qartë se rrethanat në këtë rast për këto shtete nuk kanë qenë të shumta, por edhe kur janë paraqitur disa, ato janë humbur. Tash përsëri po përflitet dhënia e një rasti të ri vendeve të Ballkanit, përmes një strategjie “të besueshme” të zgjerimit që po e përgatit Komisioni Evropian. Por vendet e përfolura do të duhej të bëjnë disa detyra serioze nëse nuk duan edhe këtë rast ta humbin.

Sikur t’i kishin bërë më herët ndoshta që tash do të ishin më afër realizimit të qëllimit për integrim në BE. E a i përket anëtarësimit duhet pasur gjithmonë parasysh se një gjë e tillë nuk është e garantuar, qoftë edhe nëse një vend kandidat i përmbush të gjitha kushtet. Kjo në fund do të varet nga qeveritë, Parlamentet e në disa raste edhe qytetarët e vendeve ekzistuese të BE-së, në të cilat duhet të ratifikohet Traktati për zgjerim me cilindo shtet të rajonit. E nëse nuk ndryshon diçka në këtë moment nuk ka ndonjë entuziazëm në mesin e qytetarëve të BE-së për një gjë të tillë. Prandaj, duhet ndjekur se a do të zvogëlohet kundërshtimi për vendet e Ballkanit nga ana e qytetarëve të BE-së pasi të bëhet e qartë se ato më nuk do të jenë në të njëjtin proces, sikur Turqia nga e cila ekziston një frikë më e madhe e tyre.