Pak mend nga importi

Flaka Surroi Flaka Surroi 12 dhjetor 2017 07:59

Kosova importon madje edhe domate e shalqinj; e harxhon një të tretën e buxhetit në rrogat edhe të badihavxhinjve politikë dhe s’do ta dijë se kriza ekonomike nuk shuhet me manipulime shifrash. Sot edhe dija importohet, atëherë kur ajo njëmend mungon. Shembulli i Tajvanit tregon se edhe kjo shpaguhet, pavarësisht kostos

Nuk e besoj të kem parë njerëz sikur tajvanezët që me aq përkushtim, entuziazëm, vendosmëri e mend luftojnë për mëvetësinë e tyre. Të tillë nuk kemi qenë as ne kur me gjithë çka kishim luftonim për pavarësinë tonë. Mbase koha e okupimit dhe ajo e luftës do të kenë qenë të rralla momente kur, megjithatë, flisnim njëzëri për aspiratën që kishim për çlirim. E pse kishim ide të ndryshme për atë se çfarë do të ndodhte pas çlirimit, eh, ajo është temë më vete.

Një ishull nëntë mijë kilometra larg Kosovës, në lindjen e thellë dhe me një pozitë strategjike, aty nga kalon gazi i Lindjes së Mesme për në Japoni e shtetet e tjera ishullore e gadishullore të Azisë, m’u paraqit si një dimension krejt tjetër, i paimagjinuar.

Është vend që nuk është shtet i njohur pos nga 19 shtete të tjera, anëtare të OKB-së, që ka kompani të veten ajrore, dhe që për të udhëtuar atje të lëshon viza. Kontakti i parë me zyrtarët e policisë kufitare është krejt profesional. Pa shumë komente ta kontrollojnë pasaportën dhe kërkojnë që të t’i skanojnë vijat papilare të gishtërinjve tregues. Rreshti është i gjatë: shumë tajvanezë kthehen në shtëpi nga secili cep i botës, dhe një numër i madh njerëzish nga Indonezia, Filipinet, Koreja Jugore e nga ndonjë shtet aty afër vijnë për të punuar – si shtetas të huaj me leje qëndrimi në Tajvan.

Ka njerëz që sillen e punojnë me maska në fytyrë. Ende nuk e kanë kaluar frikën e SARS-it, epidemisë që i pati kapluar para gati një dekade. Dhe nuk kanë shumë faj, ngase në këtë kohë dimri qielli rri më shumë i ngrysur, duke e ulur shtresën e ajrit të ndotur më afër mushkërive. E me gjithë industrinë dhe me gjithë ndotjen që e bart fryma nga Kina, niveli i ndotjes këto ditë përherë sillej nga ngjyra e verdhë (durueshëm), atë të cilën në Prishtinë e shohim të zëvendësuar me ngjyrën vjollce (alarmante).

Ku ishin?

Lufta civile dhe ideologjike në Kinën kontinentale çoi në ekzil lëvizjen nacionaliste kineze. Mërgimi quhej Ilha Formosa, siç do ta quanin portugezët, pra “Ishulli i bukur”, që u bë pre e shumë të huajve gjatë shekujve. Qëndroi gjatë nën okupimin japonez, aq sa brezi i dytë i pas Luftës së Dytë Botërore ende e flet japonishten. Kapitullimi i Japonisë qe zbulim për të izoluarit e Maos se si është të jetosh në ishull. Për ata që donin që të gjithë kinezët të jetonin me një shtet, por jo nën diktaturën komuniste.

Regjimin komunist e shmangën, por jo edhe diktaturën. Me dorë të hekurt, Çang Kai Shek, lideri, fotografia e të cilit shihet në secilin institucion shtetëror a publik edhe sot, 40 e kusur vjet pas vdekjes, mbajti pushtetin paralel pothuajse po aq gjatë sa Mao – katër dekada. Vdiq pa iu realizuar ëndrra: që ta kthente nën kontroll Kinën e madhe, ta ripushtonte dhe ta largonte partinë e kuqe nga pushteti. Ta bënte luftën e Davidit me Goliatin e të dilte ngadhënjimtar.

E mbajti ishullin nën shtetrrethim dhe urdhëroi punën në bujqësi, në transport e industri. Duhej që të shmangej varshmëria nga të tjerët, me të cilën gjë pajtoheshin krejt. Por nuk pajtoheshin me metodat: ngufatja e lirive politike do ta arrinte shpërthimin pak para se të vdiste. Disidentët do të iknin duke lënë prapa bërthamat e partive politike që tash e formojnë Tajvanin demokratik, ku Kuvendi dhe kryetari i shtetit ndajnë pushtetin kryesor.

Ku mbërritën?

S’po kam si t’iu shmangem krahasimeve kur e përshkruaj atë që kuptova për këtë vend gjatë një vizite studimore, organizuar nga Ministria e Jashtme e Tajvanit. Aq shumë ngjashmëri e aq shumë dallime njëkohësisht. Dhe një ndjenjë e lakmisë dhe e hidhërimit njëkohësisht.

Ishulli ka 25 vjet që përjeton bum të vërtetë ekonomik. Kalimi nga industria e rëndë te zhvillimi i teknologjisë dhe ofrimi i shërbimeve (që siguron madje 68% të buxhetit shtetëror), nxitën edhe shfaqjen e lëvizjes për shpalljen e pavarësisë. Kjo, duke qenë populli i vetëdijshëm se ky akt mund ta nxiste invadimin e Tajvanit nga Kina.

Me 23 milionë banorë, ku shumicën absolute e bëjnë kinezët, dhe me 16 popuj autoktonë që kanë mbetur në pakicë, jeta zhvillohet në territor trefish më të madh se Kosova dhe me përparësinë, e besa edhe mangësinë, e daljes në det. Përparësinë, për shkak të pasurisë strategjike, turistike e nënujore. Mangësinë, për shkak të ekspozimit shirave monsune, cunameve në rast të tërmeteve të shpeshta dhe invadimit të mundshëm.

Me orientim properëndimor, popullata në shumicë flet anglisht, sado vështirë e kuptueshme për shkak të shqiptimit të veçantë të bashkëtingëlloreve, porse ruan traditat e veta si në ushqim, ashtu edhe në sjellje. Po ta krahasoja me Kosovën, do të konstatoja se te ne nuk gjenden të tillë në shumicë që nuk kanë nevojë ta ngrenë zërin për t’u dëgjuar e as për të rënë në sy. Nuk do të gjeje njerëz që me aq shumë respekt i drejtohen njëri-tjetrit dhe që kanë asi disipline e rendi të jashtëzakonshëm, sa nëpër qytete zor se gjen një shportë të bërllokut. Për shkak se nuk ka bërllok askund; askush nuk ha në rrugë; askush nuk pështyn në rrugë; askush nuk pi duhan në rrugë. Se pos që është veprim i paedukatë, me gjasë do të jetë edhe i dënueshëm.

Tajvani e bën ekonominë e pestë më të madhe në Azi, me një buxhet prej 70 miliardë eurosh. Njëzet e pesë për qind e buxhetit ndahet për arsimin, përfshirë edhe 13 universitete publike që përqendrohen vetëm në shkencë e teknologji. Të gjithëve u ofrohet mundësia të studiojnë – porse aty kalojnë më meritorët dhe jo listat e të beneficuarve: interesi i shtetit është shumë më i madh sesa i grupeve të ngushta interesi. Dhe shpenzimet për paga e mëditje të një administrate më të madhe seç është kjo e Kosovës nuk e kalojnë as dhjetëpërqindëshin. Kosova e ha gati një të tretën e buxhetit të vet për të paguar administratën edhe politike të stërngarkuar me zëvendësministra e këshilltarë të kotë.

Shkenca është çelësi i suksesit dhe i stabilitetit. Gjithashtu është edhe modestia e të pranuarit se ata nuk i dinë të gjitha. E edhe e të mësuarit nga përvojat e të tjerëve. E edhe aftësia që atë që e mësojnë të mos e kopjojnë ashtu siç vjen, por t’ia përshtatin kontekstit të vet. Është edhe puna e devotshme dhe ndjekja e përhershme e zgjidhjeve dhe ideve të reja që mund të monetizohen: që nga simulimi virtual i fluturimit në një sallë dëfrimi e deri te modifikimi gjenetik i karkalecave miniaturalë të detit që “prodhohen” vetëm për akuariume. S’do ta besoni se një karkalec i tillë, jo më i madh se dy centimetra, mund të shitet për afro 10 mijë euro.

Njohja zyrtare dhe jozyrtare

Kosova është shtet i pavarur i njohur nga rreth 100 shtete. Tajvani është territor që nuk është i pavarur, por as nuk është nën administratën e Kinës. Kosova ka ambasada në shtetet që e kanë pranuar, e Tajvani në të shumtën në shtetet që nuk e kanë pranuar. Dhe nuk është mërzitur fort se përse përfaqësitë e veta nuk mund t’i quajë ambasada: i ka regjistruar si OJQ vetëm për të themeluar bashkëpunim politik e tregtar me to. Aq të mira i ka lidhjet, saqë me japonezët ka kontraktuar ndërtimin e trenit të shpejtë me të cilin e lidh perëndimin e shtetit prej maje në maje, pra rreth 350 kilometra, për një orë e gjysmë. Investimi prej 18 miliardë dollarësh ka qenë partneritet publiko-privat dhe u bë rentabil që në vitin e katërt. Tek udhëtoja në të, më kujtoheshin autostradat tona me para të gatshme e pa çmim të përcaktuar; e pa mbikëqyrje, e në fund besa me mirëmbajtje që nuk i dihet kostoja.

Pra, sa i madh ka qenë suksesi i një veprimi të këtillë e dëshmon krahasimi se Kosova eksporton rreth 304 milionë mallra vlerë (e importon shtatëfish më shumë), kurse Tajvani nga eksporti i fiton rreth 290 miliardë. Tajvani, për dallim nga Kosova, që importon edhe domate e shalqinj, merr nga jashtë atë që nuk e ka: s’ka lëndë të parë, s’ka xehe; nuk ka pyje; nuk ka kullosa; nuk ka naftë, e megjithatë balanca tregtare peshon nga ajo (diku rreth 60 miliardë euro fitim). Sipas shënimeve zyrtare, papunësia në Kosovë është 35%, në Tajvan është 3,9%. Kosova ka rezerva linjiti e na thonë se edhe kemi rezerva metalesh të çmuara – kuptohet që të gjitha nën tokë, dhe veten e quajmë të pasur. Tajvanezët kanë rezerva ari në vlerë prej rreth 400 miliardë eurosh dhe veten e quajnë të kënaqur me jetën që e bëjnë.

Thjeshtësia që i karakterizon tajvanezët është mahnitëse. Veturat që qarkullojnë nëpër qytete janë kryesisht japoneze dhe joluksoze. Shërbyesit civilë nuk vijnë në punë me vetura, por e shfrytëzojnë transportin publik, për të cilin presin rend, mbi vijat e vizatuara për të hyrë në tren ose në autobus. Askujt nuk i bie ndërmend të shtyhet apo të përpiqet të dalë pa rend, se shoferin e ka të njohshëm. Nuk ka tollovi në trafik, sepse atje ka aveny e bulevarde përnjëmend. Te gratë nuk do të gjesh taka më të larta sesa nja 2-4 centimetra; nuk do të gjesh shtresa “malteri” në fytyrë, e as tesha e çanta të shtrenjta, të cilat duhet ekspozuar në foto në FB. Mall të shtrenjtë ka sa të duash, por duket se lumturia për ta nuk varet nga kompleksi i bartjes së mallit “firmato”. E njëjta vlen edhe për burrat – këpucë të gjera e komode; teshat kat çfarëdo, me kusht që këmishët e kravatat të jenë në ton.

* * *

Tajvanezët e dinë se situatën e kanë të komplikuar. Anketat tregojnë se shumica e popullatës e kundërshton bashkimin me Kinën. Kushdo që pyetej se përse jo bashkimi, thoshte se nuk do të mundë ta duronte të jetonte në një shtet pa liri. Plus shtonte se edhe kështu, të panjohur nga shumica e botës, në bazë të një marrëveshjeje më të moçme, tajvanezët kishin themeluar marrëdhënie tregtare shumë të volitshme me Kinën, nga të cilat fitonin shumë para. Para që do të treteshin në shtetin e përbashkët me diktat politik.

Atë që e duan tajvanezët është që t’i lënë të jetojnë kështu, siç kanë bërë gjithë këto vite. Duan që, nëse vjen koha për të vendosur se a shpallen të pavarur apo bëhen të varur nga Kina, vendimin ta marrë populli.

E duan mëvetësinë e tyre, dhe duan që këtë t’ia tregojnë botës. Nuk e bëjnë shtetin më të përkryer, se edhe atje ka korrupsion (substancialisht më pak se në Kosovë). Porse lufta e qytetarëve për një jetë më të mirë; mbledhja e kontributeve vullnetare për ndonjë projekt të rëndësishëm për komunitetin; ruajtja e krejt asaj që kanë ndërtuar me mundin e vet, dhe vullneti që paqësisht e me mikpritje të rrallë t’i ndajnë të arriturat e tyre me të huajt, është për çdo lakmi. E mbi krejt këto, zhvillimi i kapaciteteve të tyre mendore e teknologjike është thjesht mbresëlënës.

Nga ta Kosova ka çka të mësojë. Po të mundte të importonte mend, do të duhej t’i kërkonte ato në Tajvan. Rrugës do të përfitonte edhe leksione falas se si duhet dashur shtetin.

Si shtëpinë që mund ta ndash me mikun, porse që do ta mbrosh nga armiku. Me mençuri.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi