OpEd

Shampanjë për dështimin

Për shampanjat e festës së qershorit 2006 dhe atë të majit 2016

Nuk janë vetëm demarkacioni e vizat tema të cilat na sillen në diskursin publik për vite të tëra. Shtyrja dhe zvarritja e problemeve është shenjë dalluese e të gjitha qeverive në Kosovë. E jo në pak raste zyrtarët publikë kanë festuar ende pa u arritur rezultatet.

Një shembull i tillë është edhe projekti për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, projekt i iniciuar para më shumë se një dekade. Sipas kabllogrameve të publikuara të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, në qershor të vitit 2006, Ministria e atëhershme për Energji dhe Miniera kishte marrë garanci nga Banka Botërore se në pjesën e dytë të vitit 2007 do t’i hapej rrugë shpalljes së tenderit për ndërtimin e një termocentrali të madh në Kosovë. I ekzaltuar nga ky lajm, ministri i atëhershëm i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, kishte hapur një shampanjë për të festuar. Edhe pas 11 vjetëve që kur është hapur kjo shampanjë, nuk ka asnjë zhvillim në sektorin energjetik. Përveç që nuk është ndërtuar termocentrali i ri, dy termocentralet ekzistuese janë për një dekadë më të vjetra, kurse nuk ka lëvizur pothuajse asgjë në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike nga burimet e ripërtërishme. Për më tepër, Kosova mund të përballet me mungesë energjie për shkak të procesit të keqmenaxhuar të zhvendosjes së banorëve në afërsi të mihjeve.

Një shembull tjetër janë vizat. Që në vitin 2009, Qeveria e Kosovës ka aprovuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, atëherë kryeministri Thaçi premtoi se vizat do të liberalizohen brenda 15 muajsh. Në maj të vitit 2016 ishte paralajmëruar se Komisioni Evropian do t’u rekomandonte Këshillit dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në pritje të vendimit, atëherë ministri Bekim Çollaku kishte mbledhur në zyrën e tij tërë kabinetin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, duke ftuar edhe mediat që të raportojnë për ngjarjen “historike”. Pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian, ministri hapi një shampanjë për ta festuar këtë lajm. Kanë kaluar një vit e gjysmë prej kur shampanja është konsumuar, por kosovarët mbeten të vetmit qytetarë në Evropë të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm. Pas shampanjës së Ministrisë së Integrimeve Evropiane, sipas të dhënave të Eurostat, mbi 20 mijë kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, e shumë të tjerë presin para ambasadave për t’u pajisur me viza.

Në gusht të vitit 2015, në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, u nënshkrua marrëveshja e demarkacionit në mes të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve te Jashtme, Hashim Thaçi, me homologun e tij malazias Igor Llukshiq. Në media u raportua se me vënien e nënshkrimit po përmbyllet procesi i demarkacionit me Malin e Zi. Disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të vendeve të Bashkimit Evropian zhvilluan një ndeshje futbolli, për të shënuar miqësinë në mes vendeve dhe procesin integrues në BE. Hashim Thaçi dhe Igor Llukshiq ishin bashkëlojtarë. Dy vjet e gjysmë pas nënshkrimit të demarkacionit dhe ndeshjes miqësore të futbollit, Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar ende për ose kundër kësaj marrëveshjeje.

Edhe për çështjet më të vogla duhen vite të tëra për t’i zgjidhur, e për shumë të tjera proceset nuk përfundojnë kurrë. Pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit në verën e vitit 2011, Qeveria deklaroi se do të blejë dy helikopterë, të cilët do të ndihmojnë në aksionet e Policisë në të ardhmen. Edhe pas gjashtë vjetësh, Policia nuk ka asnjë helikopter. Në gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2014, u tha se shtatëvjetori i Pavarësisë do ta gjejë Kosovën me Forcat e Armatosura të Kosovës. Në shkurt të vitit 2018 Kosova feston dhjetëvjetorin e Pavarësisë, por pa Forca të Armatosura. Procesi i verifikimit të veteranëve të luftës filloi në prill të 2010-s, por edhe pas shtatë vjetësh ky proces është ende i hapur, duke pranuar mbi 60 mijë aplikacione për statusin e veteranit. Ka kaluar një dekadë prej kur është projektuar salla e operës e baletit, por deri më tani krejt çka është bërë është hapja e një grope për vënien e themeleve të saj. Edhe pas gati dhjetë vjetëve që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, nuk kemi ligj për kryeqytetin ose për Qeverinë, ashtu siç barten nga viti në vit të gjitha ligjet e rëndësishme.

Lista e shembujve të tillë, që marrin mbi një dekadë për t’u zgjidhur, mund të vazhdojë pafundësisht. E në shumicën e herëve janë po të njëjtit politikanë të cilët janë në pushtet dhe merren me të njëjtat tema. E institucionet vazhdojnë të përfshijnë në linjat buxhetore edhe shampanjat. Por, afati i konsumimit të shampanjës mund të skadojë shumë më herët sesa procesi i politikave të iniciuara. Për atë, shampanja konsumohet edhe 11 vjet para se të përfundojë procesi i ndërtimit të ‘Kosovës së Re’, dy e më shumë vjet para se të liberalizohen vizat, e për shumë procese të tjera të stërzgjatura.