Pushteti i korrupsionit

Agron Bajrami Agron Bajrami 10 dhjetor 2017 08:00

Është pushteti në Kosovë ai që është i korruptuar dhe që korrupton, dhe që tani duhet vënë para gjyqit të publikut. Nëse vërtet duam ta luftojmë këtë të keqe shoqërore

Në shumë debate të mbajtura gjatë “Javës kundër korrupsionit” u prezantuan shënime të shumta që konfirmojnë shtrirjen e gjerë dhe të thellë të këtij fenomeni në strukturat e shtetit dhe të shoqërisë kosovare.

Janë publikuar hulumtime të reja dhe janë përsëritur gjetjet e atyre të mëparshmeve, për rastet konkrete të keqpërdorimit të parasë publike nga të pushtetshmit në nivele të ndryshme qeverisëse.

Janë raportuar statistika që tregojnë përmasën e madhe të dëmit që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet vendit përmes shkeljeve ligjore, që rëndom identifikohen si korrupsion - prej ryshfetit, nepotizmit dhe familjarizmit, e deri te ndarja e punëve dhe dhënia e tenderëve jashtë procedurave.

Janë raportuar dëshmi e fakte për mënyrat e ndryshme sesi grupe të organizuara politiko-ekonomike në mënyra kriminale i krijojnë vetes qasje në paratë publike dhe benefite të tjera materiale.

Sigurisht, “Java kundër korrupsionit” është shfrytëzuar edhe nga institucione përgjegjëse për luftimin e korrupsionit për të prezantuar statistika që ishin përpiluar për t’i vënë në dritë më pozitive këta që dështojnë në ndjekjen e keqbërësve, prej Policisë e Prokurorisë, deri te gjykatat dhe Agjencia Antikorrupsion.

Edhe politikanët i kanë shfrytëzuar ditët e luftës simbolike kundër korrupsionit për të zënë vend në kronikat e lajmeve, duke marrë poza si luftëtarë të devotshëm kundër këtij fenomeni, i cili, nëse u besojmë këtyre, është pasojë që vjen prej atyre që ishin në pushtet më parë – Qeveria e kaluar, apo ajo para saj, apo ajo para Pavarësisë, apo UNMIK-u para saj, pushteti paralel i viteve ’90, dhe Serbia para tij, apo edhe nga koha e krahinës autonome, dhe kështu me radhë deri në periudhën e sundimit otoman… gjithmonë dikush tjetër e ka fajin!

* * *

Gjatë gjithë këtyre ditëve të debatimit të korrupsionit dhe mënyrave si ai duhet luftuar, megjithatë, shumë pak është folur për atë formën e legalizuar të korrupsionit, që në fakt e jep përgjigjen në pyetjen kryesore: Kush është përgjegjësi kryesor që Kosova është zhytur kaq thellë në korrupsion?

Statistikat dhe rastet e evidencuara, jo vetëm gjatë “Javës kundër korrupsionit”, tregojnë pasojat, por problem kryesor që kemi nevojë ta trajtojmë është gjeneza e tij: Pushteti.

Është pushteti ai që është i korruptuar dhe që korrupton.

Dhe, sa më lart të shkohet në shkallën e pushtetit, aq më i madh bëhet korrupsioni.

Thënë me fjalët që shkrimtari dhe politikani i njohur anglez, Lord Acton, i ka shkruar para 130 vjetësh: “Pushteti ka tendencë të korruptojë, dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”.

Andaj, para se të zhytemi në statistikat e rasteve të korrupsionit nëpër gjykata, dhe “dëshmitë kredibile” për luftimin e korrupsionit (që bashkë me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kusht i paplotësuar për heqjen e vizave Schengen), të hapim sytë përballë përmasës së vërtetë të problemit: Politikës së korruptuar!

Janë partitë politike – në pushtet, natyrisht, meqë pushteti u jep qasje në para publike – ato që në kohën e demokracisë po e mbjellin farën e korrupsionit në shoqëri, duke kërkuar lojalitet në këmbim për benefite, duke shpërblyer me kontrata të jashtëligjshme financierët e fushatave, duke akomoduar lojalët joprofesionalë në krye të bordeve, ndërmarrjeve, agjencive e komisioneve, në këmbim për vendime të diktuara nga interesi partiak e grupor.

Janë ata liderë që për ruajtjen apo marrjen e pushtetit nuk lënë parim e fjalë pa shkelur, as aleancë pa lidhur, as votë pa blerë.

Janë krerët e partive që prodhojnë qeveri me 20 ministra e 70 zëvendësministra ata që korrupsionin e shndërruan në mënyrë të qeverisjes.

Janë krerët e institucioneve të shtetit ata që duke qenë “në shërbim të popullit” krijuan pasuri marramendëse për vete, familjarët dhe për bashkëpartiakët, me shtëpi e prona milionëshe, ndërsa vendin me vite e lanë të lëngojë në pellgun e papunësisë së madhe dhe varfërisë së skajshme.

Janë ata që për fëmijët dhe rininë kosovare kanë ndërtuar modelin e ri të suksesit: Ministrin milioner.

Janë, pra, ata që kanë perfeksionuar lojën e gjetjes së çmimit të njerëzve - gjykatës a prokurorë, gazetarë a profesorë, ndërkombëtarë a vendor - blerjes së tyre dhe përdorimit për nevoja të veta, duke u bërë oferta që ata nuk mund t’i refuzojnë, në stilin e Don Vito Corleones së famshëm.

* * *

Kjo ofertë në Kosovë përkthehet si: siguri dhe rehati në këmbim për lojalitet dhe dëgjueshmëri.

Më këtë, pushteti i ofron shoqërisë një kontratë kolektive korruptive, që korrupsionin e bën pjesë të jetës normale, pa të cilën nuk funksionon asgjë: nuk ka as punësim, as tregtim, as arsimim, as diplomim, as shërim…

Thjesht, nëse nuk je pjesë e rrethit lojalist të pushtetit, nuk ka përparim!

Kështu, në fund, sundimi i ligjit përqendrohet të godasë jo ata që kanë kryer krimin, por ata që nuk janë lojalë ndaj pushtetit, ndërsa vetë kriminelët, nëse janë lojalë, i shtojnë gjasat për t’i ikur ndëshkimit.

Ky është realiteti i korrupsionit, përtej statistikave dhe deklaratave politike, përtej strategjive dhe ligjeve në letër, përtej deklarimeve të pasurisë dhe rregullave të pazbatueshme për konfiskimin e pasurisë.

Është pushteti, pra, ai që është i korruptuar dhe që korrupton, dhe tani ka ardhur koha që të vihet para gjyqit të publikut, nëse vërtet duam ta luftojmë këtë të keqe shoqërore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agimi Viti11/12/2017 11:40

Per ti ikur hetimit te perfshirjes se pushtetit ne krim te organizuar permes zhvatjes se paras publike,pushteti krijon pa nevoje reale lor per interesa te maskimit,cover up,agjensione te ndryshme per luftimin e vesit te tyre,nga vete zhvatesit,si luftetare te deshmuar qe jane,dhe kopeja e quajtur turme,besimtare besnik partiak ju besojne ketyre bizantineve te zhvendosur ne kohen tone....

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami