Një propozim i rrezikshëm

Luan Shllaku Luan Shllaku 09 dhjetor 2017 20:09

Ministrja e Mjedisit ishte akuzuar për mosmarrje të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit , të cilat, nëse do t’i ndërmarrë ashtu si ia sugjeruan, do ta përkeqësojë më tutje cilësinë e ajrit në Prishtinë. Masat “mbrojtëse”, që ia sugjeronin gazetarët “investigues” dhe instant-ekspertët e mjedisit, ishin thjesht nga arsenali i doktrinës “nuk e di mirë se çka dua, por e dua menjëherë!”

Ditëve të fundit isha dëshmitar i një kakofonie të shprehur në diskursin kosovar për nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Kjo zhurmë ishte fryrë nga disa medie të cilat veç e bënë“punën” e tyre. Janë dy çështje që nuk shkojnë, ose, më mirë të them, nuk janë të bazuara shkencërisht (e urrej këtë fjalë, sepse përdoret shumë shpesh pa vend te ne): (1) mënyra se si ministrja kompetente për Mjedisin i shpjegon episodet me ndotje të lartë të ajrit në kryeqytet, si dhe (2) kampanja e nisur nga disa OJQ dhe media që nuk u kap si duhet nga administrata kosovare, për zëvendësimin e linjitit me dru, në shkolla dhe institucione të tjera publike, që do ta përmirësonte dukshëm cilësinë e ajrit. Që të dy këto keqkuptime, sipas meje, të asaj që po ndodh me ndotjen e shprehur të ajrit këto ditë dimri, mund ta sjellin një veprim qeveritar jo të qëlluar, i cili do të bënte më shumë sherr se hair.

Të filloj nga e para: edhe këtë vit po përsëritet shpjegimi i paqenë se fajin më të madh për ndotjen e ajrit në sezonin dimëror e kanë amvisëritë që djegin thëngjill. Kjo do të thotë që administrata kosovare, qoftë lokale, qoftë ajo qendrore, duhet të ndërmarrë masa për zëvendësimin e këtij karburanti. Deri këtu jemi në rregull, por, duke marrë parasysh se këto amvisëri nuk do të mundë të lidhen shpejt me sistemin e ngrohjes qendrore të qytetit, iu sugjerohet ta zëvendësojnë këtë lëndë djegëse me drurin. Në një emision televiziv shumë të shikuar e pashë ministren nën presion të madh për të vepruar menjëherë për ta bërë këtë zëvendësim të karburantit në institucionet publike, në rend të parë në shkollat që përdorin thëngjill. Dhe ministrja ndihej me shumë keqardhje që nuk ka mundur të reagonte deri tash në këtë drejtim, se posa e ka marrë postin e ministres. Qëndro ministre, mos vepro ndaj presioneve joparimore dhe sidomos atyre që vijnë nga ata që nuk e njohin fare këtë fushë, por e duan vetëm një efekt të çastit, si çdo fishekzjarr medial i pamatur mirë! Ju keni ekspertë në ministrinë tuaj që mund t’ju përgatisin mirë të reagoni në situata të ngjashme.

Do ta shpjegoj se ku është i bazuar konstatimi im për këto çështje: e para, ka të bëjë me shkaktarët e ndotjes së madhe të kryeqytetit gjatë dimrit, që është e përligjur me matësin e grimcave 2.5 mikronëshe në Ambasadën Amerikane. Më duhet ta përsëris për të satën herë se janë vetëm dy shkaktarë dominues në këtë situatë, dhe asnjëri nga ta nuk është ai që ministrja apo edhe ndonjë gazetar aty- këtu e përflet se shkaktarët e ndotjes aktuale të ajrit janë djegia e thëngjillit në amvisëri dhe trafiku i rënduar. E vërteta është se janë dy tjerë: termocentralet “Kosova A dhe B” dhe kushtet meteorologjike që dominojnë në një pjesë të madhe të dimrit. Janë minore ndikimet e dy të parave. Si e provoj këtë konstatim?

E para, termocentralet “Kosova A dhe B” djegin vetëm në një ditë të vetme pothuajse më shumë linjit se që djegin të gjitha amvisëritë në Prishtinë gjatë tërë sezonit dimëror. Mund ta llogarisni fare lehtë, nuk është shkencë raketash, do vetëm pak analizë logjike: termocentralet tona në vit djegin diku rreth 5 milionë tonë linjit, që kur e pjesëtojmë me 300 ditë sa është përafërsisht puna e tyre efektive në vit del se ato djegin gjatë një dite të vetme rreth 17.000 tonë. Në anën tjetër, nëse Prishtina i ka mbi 200.000 banorë, që kur e pjesëtojmë me numrin mesatar të një familjeje (6.6 anëtarë) del se i kemi rreth 30.000 familje që jetojnë sot në Prishtinë. Nëse e lëmë se afër 20% të këtyre familjeve ngrohen me thëngjill, që është shumë i papërshtatshëm të përdoret në banesa kolektive, atëherë na del se rreth 6000 familje do të duhej të ngroheshin me thëngjill. Nëse këto 6 mijë familje shpenzojnë 3 tonë në një sezon, atëherë del se e tërë Prishtina në një sezon dimëror djeg rreth 18.000 tonë thëngjill në amvisëri. Fare pak më shumë se sasia që brenda një dite e djegin termocentralet kosovare. Po le të themi se kemi më shumë familje dhe më shumë thëngjill digjet gjatë vitit etj; atëherë më së shumti mund ta arrijmë sasinë që digjet gjatë dy ditëve të vetme në termocentrale. Pra, thëngjilli që digjet gjatë dy ditëve të vetme është i barasvlershëm me atë që disa medie dhe “ekspertë” e quajnë sot shkaktarin dominues të ndotjes së madhe të ajrit në kryeqytet, këto ditë – nxehja e familjeve prishtinase me thëngjill.

Ka shumë më shumë argumente për këtë konstatim. Ta them vetëm një: tymi nga kaldajat/shporetet emetohet nga një lartësi tepër e ulët e oxhaqeve tona, gjithsej disa metra dhe më pak se dhjetë. Ndotësit, e në rend të parë grimcat mikronike, nuk mund të shkojnë më larg se disa metra përreth. E si mundet analizatori i ndotjes që është në “Arbëri” tek Ambasada Amerikane, që shënon sasi enorme, t’i kapë ose regjistrojë këto grimca? Nuk i kap fare.

Nëse ju që merreni me këtë “sport” dimëror e doni edhe një argument të thjeshtë, por shumë domethënës, përcilleni kahen nga shkon shtëllunga e tymit pasi të dalë nga oxhaqet e “Kosovës A dhe B”. Shiheni vlerën e ndotjes së Prishtinës me PM-2.5 në aplikacionin AirVisual dhe do të bindeni që sa herë që tymi shkon në kahe të kundërt me Prishtinën koncentrimi i këtij ndotësi bie dukshëm. E kam bërë shumë herë dhe gjithnjë më del ashtu.

Dhe në fund, për zëvendësimin e thëngjillit me dru. Është nonsens, druri është ndotës dyfish më i madh se thëngjilli, shto faktin se duhet ta presësh malin për ta siguruar. Oksidet e azotit, monoksidi i karbonit, bloza (grimcat më të vogla se 10 mikrogramë), si dhe komponimet e avullueshme të karbonit emetohen gati dyfish më shumë pas djegies së drurit se pas djegies së thëngjillit. Vetëm sasia e dyoksidit të sulfurit është më e madhe, ndërsa dyoksidi i karbonit gjenerohet pesëfish më shumë pas djegies së drurit. Zonja ministre, e keni një administratë të tërë pas jush që mund ta konsultoni para se të vendosni për masa të caktuara që ju propozojnë gazetarët e caktuar, të cilët sigurisht nuk e bëjnë këtë dezinformim me qëllim, por nganjëherë aq dinë ata.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Eksperti11/12/2017 15:10

Qenka mjaft e lehte zgjedhja, me kerku prej ministrise me ja nderru drejtimin eres.

Shto koment

Tjera nga Luan Shllaku