As Rambouillet s’ka qenë e përkryer, por solli çlirimin, as Ahtisaari s’ka qenë i përkryer, por solli shtetësinë…

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 09 dhjetor 2017 08:56

As kësaj radhe askush s’po thotë që Marrëveshja e Demarkacionit është e përkryer, mirëpo duhet bërë çmos që te shqiptarët të mbizotërojnë edhe një herë arsyeja e vizioni, ta fitojnë edhe të drejtën e fundit të merituar, por të mohuar – lirinë e lëvizjes.

ASKUSH ASNJËHERË nuk ka thënë se Marrëveshja e Rambouilletsë ka qenë e përkryer, mirëpo ja që fatmirësisht te shqiptarët mbizotëruan arsyeja dhe vizioni – shqiptarët e pranuan dhe ndodhi çlirimi i Kosovës.

Serbët nuk ishin të arsyeshëm e as vizionarë dhe nuk e nënshkruan – Serbia u bombardua nga aleanca më e madhe ushtarake e botës, NATO-ja, dhe në fund u detyrua të tërhiqej nga Kosova.

Çka do të kishte ndodhur nëse shqiptarët do ta refuzonin, kurse serbët ta pranonin?!

Askush as për Pakon e Ahtisaarit asnjëherë nuk ka thënë se ka qenë e përkryer, mirëpo ja që prapë te shqiptarët mbizotëruan arsyeja e vizioni – Kosova u pavarësua, u bë shtet.

Serbët edhe atëherë nuk ishin as të arsyeshëm, as vizionarë dhe nuk e pranuan – ironikisht këto ditë po mbahen gjykimet në Serbi për personat që në shenjë hakmarrjeje për pavarësinë e Kosovës dogjën Ambasadën Amerikane në Beograd.

Çka nëse shqiptarët do ta refuzonin, kurse serbët ta pranonin?!

As kësaj radhe askush s’po thotë që Marrëveshja e Demarkacionit është e përkryer, mirëpo duhet bërë çmos që te shqiptarët të mbizotërojnë edhe një herë arsyeja e vizioni – ta ratifikojnë në Kuvend. Pastaj të arrijnë konsensus politik e shoqëror që nëse vërtetohet se ka lëshime t’i argumentohen ato edhe BE-së, edhe SHBA-së e edhe Malit të Zi dhe të angazhohen për përmirësim. Malazeztë e ratifikuan dhe sot janë anëtarë të NATO-s. Prishtina nëse nuk e ratifikon, e fut veten në një spirale të paparashikueshme politike, domosdo të rrezikshme, e cila mund të sjellë pasoja të pariparueshme për qytetarët. Nëse e ratifikon, hap dyert që përfundimisht edhe qytetarët e Kosovës, pas çlirimit, pas pavarësimit, ta fitojnë edhe të drejtën e fundit të merituar, por të mohuar – lirinë e lëvizjes.

A KA QENË e drejtë që u desh të ndodhnin masakrat e Prekazit, Abrisë, Rezallës e Reçakut që më në fund të organizohej një konferencë ndërkombëtare në të cilën do të kërkohej që viktima dhe kasapi të ulen bashkë në një tavolinë?

A ka qenë korrekte që të tolerohen shkeljet e të drejtave të shqiptarëve gjatë gjithë viteve ’90, të mbyllen shkollat, të dëbohen nga puna, të diskriminohen në çdo aspekt vetëm pse janë shqiptarë; kurse të pritet që të vijnë vrasjet e foshnjave, grave dhe pleqve në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë për ta çliruar popullin e Kosovës?

Kosova është çliruar më së voni nga hegjemonia e Beogradit, por më mirë vonë se kurrë.

Nuk ka qenë e drejtë, as që u nevojiten gati 10 vjet nga çlirimi i Kosovës që t’u mbushej mendja shteteve të fuqishme perëndimore se s’ka rrugë tjetër përveç pavarësisë. Sllovenia ishte pavarësuar, edhe Kroacia e Bosnja, edhe Maqedonia e Mali i Zi. Pse gjithë kjo vonesë e padrejtë për Kosovën? Mirëpo, sërish, sot jemi të pavarur.

Absolutisht nuk është e drejtë që BE-ja ia ka vënë Kosovës gjithsej 95 kritere me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, më tepër se secilit shtet, i cili ka fituar liberalizimin në rajon. Duke i përmbushur 94 kritere (hiq demarkacionin), i bie se Kosova qëndron më mirë se secili shtet tjetër, i cili ka fituar liberalizimin, meqë atyre iu është dashur të plotësonin shumë më pak kritere. Nuk është e drejtë që Kosova ka qenë në një grup me shtetet si Gjeorgjia dhe Ukraina – shtete të cilat sot nuk kontrollojnë fare pjesë të territorit të vet – mirëpo kanë fituar liberalizimin. Është e dhimbshme, gjithsej 48 milionë ukrainasve e gjeorgjianëve që s’e dinë se ku i kanë kufijtë e shteteve të tyre u jepet lëvizja e lirë, më pak se 2 milionë kosovarëve u mohohet për shkak të – demarkimit të kufirit!

Sidoqoftë, tashmë kemi përvojë me situata të padrejta, që me arsyeshmëri dhe vizion – e mbi të gjitha mençuri e forcë - shqiptarët e Kosova kanë ditur t’i kthejnë në të mirë të vet.

Pse të mos përsëritet i njëjti leksion edhe me Marrëveshjen e Demarkacionit?

NË ANËN TJETËR, nganjëherë kjo puna e demarkacionit, sipas kryeministrit Haradinaj, i ngjan atij tipit në lojë futbolli që thotë: ose më lini të fitoj, ose e vjedh topin.
Komisionit Meha i thanë i ndikuar politikisht.
Komisionit Jahjaga gjithashtu.
Edhe Komisionit Islami njësoj.
Tash: Nëse këto 3 komisione paskan qenë të ndikuara politikisht, çka e bën më pak të ndikuar politikisht Komisionin Bulliqi?!
A duhet tash Haradinaj t’i bëjë edhe nja 3 komisione të tjera që së paku të barazohet rezultati?!
Çka mund të ketë kaq speciale një komision i kryesuar nga një individ krejt i rëndomtë e krejtësisht i njëanshëm gjatë gjithë kohës?!

Çka mund t’i shërbejë Kosovës raporti i një komisioni për të cilin sponsorizuesit dhe garantuesit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës e quajnë – gjepur?!

Ç’përparësi në të mirë të Kosovës mund të sjellin argumentet për “kullosat” dhe “kontrollin faktik në terren”, kur të njëjtin standard mund ta përdorë Serbia nesër, e cila ka pasur kontroll faktik jo vetëm në veri, por edhe ngjitur me Prishtinën – në Graçanicë?!
Katastrofë!
Dy milionë qytetarë të mbyllur si kafshë në kafaz për shkak të inateve politike, ose për shkak se, ndonëse nisur nga qëllimi fisnik – kanë mundur të bien në lajthitje.
Por hipokrizia më e madhe në këtë mes është se disa nga këta që po bëjnë lojëra politike me këtë punë nuk e kanë problem lirinë e lëvizjes - i kanë siguruar pasaportat për vete e për familje, ose të Shqipërisë, ose të Norvegjisë, ose të Britanisë, ose të Zvicrës...
Qytetarët do të kishin arsye të besonin në sinqeritetin e tyre nëse të njëjtit do të dilnin publikisht dhe t’i shqyenin pasaportat e shteteve të tjera dhe ta mbanin vetëm pasaportën kosovare, si shenjë solidarizimi e bashkëvuajtjeje me qytetarët, të cilëve po thonë se iu shërbejnë.

Të urojmë që përfundimisht edhe një herë ndër shqiptarët të mbisundojnë arsyeja e vizioni.

Që pas çlirimit e pavarësimit, të vijë edhe liria e lëvizjes!
Në të kundërtën do të ishte marre për ata që e bllokojnë! Për të mos thënë diçka edhe më shumë!...

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hamid sylaj11/12/2017 15:17

Ajo qe po e quani ju marreveshje(eRambujese) ne fakt ka qene mosmarreveshje,sepse ka deshtuar.

Hamid sylaj11/12/2017 15:11

Por,cka do te kishte ndodhur sikur ta pranonte edhe serbia?

Rinor11/12/2017 15:18

Mire, atehere sipas kesaj logjike ne duhet te leshojme pe dhe te pranojme padrejtesi sa here qe Bashkimi Europian na kushtezon per diqka. Atehere (hipotetikisht) edhe nese ne te ardhmen per te fituar statusin e vendit kandidat na e kerkojne qe Veriun e Kosoves te i'a japim Serbise duhet te pranojme sepse "statusi" qenka eshte me i rendesishem. Apo nese Bashkimi Europian kerkon qe Kosoven ta shpallim federate te bashkqeverisur mes Shqiptareve dhe Serbeve ne duhet te pranojme sepse antarsimi ne BE eshte objektivi yne kryesor. Edhe pastaj kur Franca, Holanda edhe shtete tjera te rendesishme vendosin te shkeputen nga Europa dhe ne mbesim me Polonine edhe Greqine atehere do ta kuptojme (por pak vone) se shteti, territori edhe kombi jane pak me te rendesishme se vizitat dhe shetitjet ne Rome, Paris e Bruksel.

Jeton Balaj11/12/2017 15:20

Innderuar Adriatik, nuk pajtohem aspak mendimin tend te shprehur ne kete kolumne. Eshte aspak e menqur dhe racionale qe Kosova edhe kete here te beje leshim apo falje territori per hire te mbase fitimit ne te ardhmen te liberalizimit te vizave ne EU. Kush mund te na garantoj se me kete leshim neve na ipet liberalizimi i vizave dhe se kush mund te na garantoj se neser nuk do te na kerkohen edhe me shume leshime tjera per hire te kesaj apo atij perfitimi ne te ardhmen e larget!

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi