Disa të vërteta të pakëndshme për Kroacinë

Enver Robelli Enver Robelli 07 dhjetor 2017 08:54

Dënimi i udhëheqjes së dikurshme të kroatëve të Bosnjës është një ndëshkim post mortem edhe i politikës së Franjo Tugjmanit

Një histeri e paparë deri më tani ka përfshirë Kroacinë pasi Tribunali i Hagës në shkallën e dytë konfirmoi dënimet shumëvjeçare me burg të gjashtë ish-udhëheqësve të kroatëve të Bosnjës. Ish-shefi i HVO-së, një trupe të kroatëve të Bosnjës të përkrahur nga Kroacia, Slobodan Pralak, pasi dëgjoi konfirmimin e dënimit, nxori nga xhepi një shishe të vogël dhe piu një lëng. Pas pak Pralak vdiq në spital. Kishte marrë helm. Pralak ishte bir i një udbashi kroat nga Bosnja, i cili kishte përndjekur kroatët pas Luftës së Dytë Botërore. Në luftërat e fundit në Ballkan ky ka qenë fenomen i njohur: shpesh bijtë e udbashëve janë shndërruar në kinse supernacionalistë për t’u «dëshmuar» para popullit. Pralak ishte tepër ambicioz: në vitet ’70 kreu tri fakultete (elektroteknikë, filozofi e sociologji, dramaturgji). I ngjashëm ishte edhe Jadranko Përliq, edhe ky njëri nga liderët e kroatëve të Bosnjës, i dënuar javën që shkoi. Përliq ishte doktori më i ri i ekonomisë në Jugosllavi, në prag të shpërbërjes së shtetit të përbashkët ai kishte oferta për të punuar në Amerikë. Vendosi ndryshe.

Krimi, mohimi dhe «konteksti»

Fillimisht kroatët në Bosnjë u bënë sikur ishin bashkë me boshnjakët në përpjekjen për të luftuar agresionin serb. Por, së shpejti kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman drejtoi shikimin nga Bosnjë-Hercegovina, të cilën donte ta ndante me serbët. Boshnjakët, siç e quajnë vetën myslimanët e Bosnjës, do të duhej të mjaftoheshin me një kanton të vogël, ndërsa padronët e luftës (Slobodan Milosheviqi dhe Franjo Tugjmani) do të ndanin pjesën «e tortës territoriale» sipas qejfeve të tyre. Në një darkë në ish-vilën e Titos në Karagjorgjevë, Tugjmani në fillim të viteve ’90 ia kishte vizatuar Milosheviqit kufijtë e ri të Bosnjës. Aktgjykimi i Hagës i quan Tugjmanin dhe varësit e tij si pjesëmarrës të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për shkatërrimin e Bosnjës. Për këtë qëllim Pralak, Përliq dhe të tjerët hapën kampe për internimin e boshnjakëve, pjesëtarët e HVO-së vranë, torturuan dhe dhunuan civilë.

Në shumicën e mediave kroate këta kapituj nuk përmenden ose minimizohen ose përshkruhen me fjalë absurde. Në një koment të gazetës «Jutarnji list» u tha: «Po, kroatët kanë kryer krime, por në kontekst, dhe konteksti nuk ka qenë aq i thjeshtë siç duan ta shikojnë njerëzit». Pikërisht kështu llomotisin edhe nacionalistët serbë kur «arsyetojnë» gjenocidin në Srebrenicë. Meqë krimet masive në këtë qytet nuk mund të mohohen më, sepse ka aq shumë fakte, nacionalistët serbë thonë se Srebrenica nuk do të kishte ndodhur nëse trupat boshnjake të prira nga Naser Oriqi të mos kishin plaçkitur e vrarë serbë në rrethinën e Srebrenicës në fillim të viteve ’90. Kjo është logjikë e mbrapshtë: meqë ju i keni vrarë disa, tash do të hakmerremi ne, duke varë tetë mijë burra e djem civilë.

Dënimi i udhëheqjes së dikurshme të kroatëve të Bosnjës është një ndëshkim post mortem edhe i politikës së Franjo Tugjmanit. Ai që në vitin 1991 kishte deklaruar: «Kam thënë: ose një Bosnjë që siguron edhe interesat e popullit kroat, ose, ju lutem - ndarje! Kështu e kam menduar: një pjesë Serbisë, një pjesë Kroacisë, pastaj mund të mbesë një minishtet mysliman («muslimanska državica»), ai vendi historik i Bosnjës, i cili nuk do të kishte mundësi të ketë ambicie për të krijuar një shtet të madh islamik në Evropë».

Hijet e historisë dhe hiri

Në vend se të merret me gabimet e së kaluarës, Qeveria kroate, presidentja mjaft injorante dhe pjesa më e madhe e mediave po i madhërojnë të dënuarit në Hagë, duke i quajtur patriotë e martirë. Në të njëjtën kohë politikanë të moderuar po marrin kërcënime me vdekje. E gjithë kjo ndodh në një vend anëtar të Bashkimit Evropian. Fatmirësisht në Zagreb ka edhe zëra racionalë. Në një koment të portalit index.hr thuhet: «Me politikën e tij të dështuar kriminale Tugjmani nuk i ka bërë dëm vetëm Bosnjë-Hercegovinës, por edhe Kroacisë, e cila prej një shteti ndaj të cilit Serbia kreu agresion u shndërrua në shtet, i cili në kombinim me Serbinë ushtroi agresion kundër Bosnjë-Hercegovinës. Për shkak të kësaj, Kroacisë në një moment i kërcënoheshin edhe sanksionet ndërkombëtare. Për shkak të politikës së Tugjmanit ndaj Bosnjës, por edhe tendencave të tjera autoritare të Tugjmanit, në fund të viteve ’90 u gjend në izolim të thellë. Në varrimin e Tugjmanit erdhi vetëm një president, ai turk».

Helmpirësi Slobodan Pralak ishte edhe regjisor filmash. Ikjen e tij nga kjo botë ai e inskenoi para kamerave televizive për t’u dukur si hero në sytë e bashkëkombësve të tij. Në vend se të merret me krimet e tij të luftës, tani Kroacia po ndez qirinj për të dhe po debaton se në cilat vende të Kroacisë do të shpërndahet hiri i tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

kodrasadikit08/12/2017 13:17

Qendrimi i shqiptareve dhe qendrimi personal ndaj kroateve dhe Kroacise eshte qendrim miqesore dhe thuaja vllaznore!! Megjithate ne mes tyre ka edhe kriminel e te cilet duhet ta marrin denimin per krimet e tyre ne Bosne e gjetiu ...

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli