OpEd

Marrëveshja me Malin e Zi, vërejtje që gabimet e tilla të mos ndodhin më

Kosova nuk ka më asnjë rrugëdalje nga kurthi i kurdisur përmes Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi pos ta ratifikojë atë. Nuk ka asnjë arsyetim logjik se pse ky u bë kusht për liberalizimin e vizave dhe ka dhjetëra shembuj krahasues që dëshmojnë se ky kusht është i padrejtë dhe diskriminues e shantazhues ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Dhe sa herë që i përballim zyrtarët e lartë të BE-së me këto fakte ata në fund kanë këtë arsyetim: “Vetë autoritetet e Kosovës janë pajtuar që ky të jetë kusht dhe kanë garantuar se i kanë votat që ta ratifikojnë në Kuvend”.

Papërgjegjësia, prepotenca, vetëbesimi i tepruar, neglizhenca, diletantizmi politik, naiviteti, papërvoja, mungesa e njohurive apo interesat personale mund të kenë qenë ndër arsyet për shkak të së cilave Kosova erdhi në një pozitë të paprecedentë që duhet ta ratifikojë një marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si një prej dy kushteve të mbetura për liberalizimin e vizave. Nuk mund të hyjmë tash, dhe nuk ka nevojë, në analiza se a ka humbur apo jo Kosova tokë me këtë marrëveshje, a kanë të drejtë ata që janë në favor apo ata që janë kundër saj. Kjo për të ardhmen e Kosovës dhe për fatin e liberalizimit të vizave më nuk ka kurrfarë rëndësie. Nuk ka më as hapësirë për eksperimente, as për kalkulime politike, as për përmirësime të gabimeve. Kosova edhe një herë, sikur më parë edhe në rastin e kufirit me Maqedoninë, demarkacionin e së cilit u desh ta bënte sipas marrëveshjes që kishte bërë Serbia, si kusht nga Pakoja e Ahtisarit dhe çmim për shpallje të Pavarësisë, e në një mënyrë edhe për njohje nga Maqedonia, tash duhet ta bëjë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje me Malin e Zi. Kthim prapa as nga BE-ja e as nga Mali i Zi nuk do të ketë. Pra, BE-ja nuk do të heqë dorë nga kushti të cilin, pa të drejtë, e ka vendosur dhe përmendur publikisht. E Mali i Zi e konsideron këtë si çështje të kryer. Pra, pa pajtimin e Malit të zi Kosova nuk mund ta vërë këtë çështje në arbitrazh, sepse në to mund të shkohet vetëm së bashku, ndërsa Kosova pa qenë anëtare e OKB-së nuk mund t’i drejtohet as Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Humbi apo jo tokë Kosova, duhet tash ta ratifikojë këtë marrëveshje. Dhe ky është përsëri një shantazh ndaj Kosovës, jo për shkak të përmbajtjes së marrëveshjes, por për shkak të mënyrës se si bëhet presion që ajo të ratifikohet. Pasi është humbur aq shumë kohë dhe nuk është ndryshuar asgjë, Kosova vetëm mund të humbë edhe më shumë kohë. Dhe kurdo që të ratifikohet do të thuhet se është humbur kohë e panevojshme. Dhe ata të cilët e kanë shkaktuar këtë vonesë do të fajësohen për dështimin në procesin e liberalizimit të vizave e jo ata të cilët për më shumë se tetë vjet nuk i kanë përmbushur kushtet e tjera që një gjë e tillë të arrihet. Prandaj ka qenë edhe një veprim jashtëzakonisht i zgjuar i PDK-së që në këtë moment t’ia ofrojë Ramush Haradinajt postin e kryeministrit që atij dhe partisë së tij, dikur ndër kundërshtarët më të mëdhenj të demarkacionit, jo vetëm t’i hidhet një pjesë, por i gjithë faji për dështim në liberalizimin e vizave dhe, nëse kalon ratifikimi, përgjegjësia se po ratifikohet një marrëveshje që në një pjesë të madhe të opinionit është perceptuar si e dëmshme për Kosovën.

Kosova nuk ka më asnjë rrugëdalje nga kurthi i kurdisur përmes Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi pos ta ratifikojë atë. Nuk ka asnjë arsyetim logjik se pse ky u bë kusht për liberalizimin e vizave dhe ka dhjetëra shembuj krahasues që dëshmojnë se ky kusht është i padrejtë dhe diskriminues e shantazhues ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Dhe sa herë që i përballim zyrtarët e lartë të BE-së me këto fakte, ata në fund kanë këtë arsyetim: “Vetë autoritetet e Kosovës janë pajtuar që ky të jetë kusht dhe kanë garantuar se i kanë votat që ta ratifikojnë në Kuvend”.

Do të ishte e tepërt të thuhej se vetë Qeveria e Kosovës kishte kërkuar që ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të bëhej kusht. Por në BE, përfshirë edhe vetë komisionerin për fqinjësi dhe negociata të zgjerimit, Johanes Hahn, kanë konfirmuar se “pala kosovare është pajtuar vetë me këtë kusht”. Burimet e BE-së kanë thëne se nga niveli më i lartë i Kosovës u ishte thënë se”kjo është vetëm një çështje teknike” dhe se pa problem do ta kalojnë në Kuvend, ku i kanë votat e nevojshme.

Duhet rikujtuar se zgjidhja e kontesteve kufitare nuk ka qenë kusht për asnjë vend të rajonit për asgjë. Kroacia ka çështje të hapura kufitare me të gjithë fqinjët pos me Hungarinë. Bosnjë-Hercegovina me Kroacinë, Mali i Zi me Kroacinë po ashtu. BE-ja ka kërkuar vetëm dëshmi se këto çështje do të zgjidhen në mënyre paqësore, përmes marrëveshjeve të vetë shteteve mes vete, apo nëse një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur atëherë përmes organizmave ndërkombëtarë, arbitrazhit apo Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e jo me dhunë.

Madje, siç kemi parë në një draft të strategjisë për zgjerimin dhe Ballkanin, për të cilin “Koha Ditore” ka shkruar ekskluzivisht të shtunën, përfundimi i demarkacionit për vendet e rajonit nuk do të jetë kusht as për anëtarësim të plotë në BE, ndonëse kërkohet në këtë dokument që të gjitha shtetet t’i kenë kryer çështjet e hapura kufitare me fqinjët para se të hyjnë në BE. Këtu përmendet mundësia që deri në atë moment ose t’i kenë kryer, ose t’i kenë dorëzuar para organizmave ndërkombëtarë, si arbitrazhi apo Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Pra, mundësia që vendeve të tjera të rajonit u jepet deri në anëtarësim në BE, Kosovës nuk i është dhënë as për liberalizim vizash.

Kushti i kufirit me Malin e Zi vërtet përmendet në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, por është shkruar në atë mënyrë që lë të interpretohet edhe se ai tashmë është përmbushur. Ky kusht përmblidhet në këtë fjali anglisht: “Endeavour to complete, in a co-ordinated manner with the other party, the delineation of the border/boundary with Montenegro; (Përpjekje për të kompletuar në mënyrë të koordinuar me palën tjetër shënjimin e kufirit,vijës administrative me Malin e Zi).

Leximi dhe kuptimi i kësaj mund të bëhet edhe me konstatimin se Kosova e ka përmbushur atë. Sepse nuk përmendet ratifikimi, por vetëm “endeavour”, që do të thotë pak a shumë “të bëhen përpjekje maksimale” për kompletimin e shënjimit të vijës administrative/kufirit. Nuk ka dyshim se Kosova ka bërë përpjekje maksimale për këto probleme, siç shihet nga rastet e tjera në rajon, por janë vështirë të zgjidhshme edhe kur bëhen përpjekje maksimale. Prandaj edhe duhet të shihet si e padrejtë që tash ky kushtëzim të ngrihet në nivelin e kërkimit të ratifikimit. Ndërkaq kur u dha nga Komisioni Evropian rekomandimi i kushtëzuar për liberalizim kjo u shndërrua në ratifikim të kësaj marrëveshjeje, por para se të hyjë në fuqi liberalizimi. Më vonë ky kusht u avancua për të filluar procedurat. BE-ja ka mundur lirisht ta përmbyllë procesin, të marrë vendimin formal për liberalizimin e vizave, ta botojë në gazetën zyrtare, dhe pastaj hyrjen në fuqi ta kushtëzojë. Por, duket se dikush qëllimisht ka dashur tërësisht ta ndalë procesin në pritje të lëvizjeve nga ana e Kosovës duke ua bartur përgjegjësinë e plotë autoriteteve të Kosovës.

Por, siç e dimë nga përvoja, kur BE-ja e bën kusht formal një gjë, atëherë nuk tërhiqet, sidomos jo në rastin e Kosovës për të cilën nuk ndien se i ka ndonjë borxh apo ndonjë nevojë që të arsyetohet ndaj qytetarëve të saj.

Problem që mund t’i paraqitet Kosovës në rrugën e mbetur të liberalizimit të vizave, në rast se përmbushet kushti i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi,, është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky kusht nuk është përmbushur ende, edhe pse zyrtarët kosovarë mendojnë se ai është “lehtë i tejkaluar”. Në BE po rritet dyshimi se Kosova ka ngecje në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë. Për ta dëshmuar të kundërtën nga Kosova kërkohen dënime nga ana e gjykatave, por edhe konfiskime të pronës atyre të cilëve deri tek to kanë ardhur përmes veprimeve kriminale. Për të dhënë këto dëshmi, në rastin më të mirë, përpos vullnetit politik dhe guximit të prokurorëve dhe gjykatësve, duhet edhe kohë. Prandaj edhe nëse përmbushet kushti i ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, do të kalojë një kohë deri tek liberalizimi i vizave dhe një gjë e tillë nuk do të ndodhë shpejt. Duke pasur parasysh se edhe BE-së do t’i duhen disa muaj procedurë, në rastin më të mirë liberalizimi mund të ndodhë nga fundi i vitit 2018 apo diku në vitin 2019. Gjithmonë ekziston rreziku që nga BE-ja, në mënyrë ta hapur apo të fshehtë, të vendosen edhe kushte të reja. Tashmë nga disa diplomatë po përflitet se do të pritet edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe dëshmi për bashkëpunim “të plotë dhe të pakusht” të autoriteteve të Kosovës me EULEX-in dhe Gjykatën Speciale. Çfarëdo që të ndodhë do të jenë ende qytetarët e Kosovës ata që do t’i ndiejnë pasojat.