Ujku do mjegull

Flaka Surroi Flaka Surroi 05 dhjetor 2017 08:04

Akuza dhe kundërakuza jemi ngirë përtej kufirit tashmë. Me një Qeveri jofunksionale, që në 100 ditët e para ka qenë më e interesuar të marrë vendime për shpenzimin e parasë publike për çfarëdo pagimi borxhi personal a partiak; e me një gjyqësi që nuk e di a po del nga ndonjë film i keq kriminalistik; me një ekonomi që nuk di as fijet me i lidh dhe me një varfëri nga e cila kronikisht nuk po mund të dalim, gjëja e fundit që na nevojitet është zvarritja edhe e krijimit të qeverive komunale

Fitore e Pirros do të kuptohet vendimi i ZRRE-së që i detyron KESCO-n, KEDS-in dhe KOSTT-in që të mos na e faturojnë rrymën e shpenzuar në veri. Së pari, për shkak se bëhet fjalë për një vendim të përkohshëm. E më pas, për shkak se këtë diferencë do ta paguajë Qeveria e Kosovës, që i bie se do ta paguajmë sërish ne. Por sikur kjo të mos mjaftonte, ne do të vazhdojmë t’i paguajmë humbjet që shkaktohen nga prishjet teknike dhe nga vjedhja e rrymës – në vlerë prej gati 40 milionë eurosh në vit.

E tash, kur i bën të gjitha këto kalkulime, të vjen me plasë për shkak se dikush, në emrin tënd, ka vendosur kështu kur e ka falur Distribucionin së bashku me katër hidrocentralet për të cilat nuk ka ndjekje penale. Pra, e gjithë çështja e rrymës së shtrenjtë në Kosovë, po të ishte shtet normal, do të përfundonte me gjykimin e atij që ka marrë kësi vendimi. Vendim sipas të cilit barrën e humbjeve të një firme private ta bartin qoftë qytetari, qoftë buxheti – pra qytetari.

Mjegullat sikur kjo janë edhe arsyeja se pse me kaq ngulm u luftua për formimin e Qeverisë me një kiamet parti të vockla politike. Dhe është arsyeja kryesore se pse po insistohet me kaq shumë ngulm që procedura e zgjedhjeve për kryetarë komunash të shtyhet deri në pikën e fundit të ankesave.

Zhbllokimi nga Supremja

Gjykata Supreme reagoi javën e shkuar shumë më shpejt seç u prit, dhe mori vendimin për ta prishur vendimin e PZAP-it për rinumërimin e të gjitha kutive në Prishtinë e Prizren. Të dielën, që nga mëngjesi, në QNR u mblodhën numëruesit për ta përfunduar rinumërimin në Rahovec e Dragash, e më pas vijuan me numërimin e votave me postë e me kusht për dy komunat më të mëdha.

Në një veprim të paprecedentë, e që i meritoi lëvdatat më të mëdha, KQZ-ja lejoi që procesi i numërimit të përcillej nga kamerat televizive – duke e bërë kështu këtë proces më transparentin deri më tash. Dhe duke na treguar se po të ishte vendosur që kamerat të instaloheshin në secilin vendvotim në Kosovë, që nga koha kur KQZ-në e kryesonte Nesrin Lushta, kush e di se sa manipulimi e vjedhje votash kishte mundur të evitohej.

Po të njëjtat kamera tash kishin mundur t’u shërbenin partive politike që me ngulm janë duke kërkuar prova për manipulime, ani që në secilin vendvotim komisionarët e tyre i kishin nënshkruar procesverbalet dhe nuk kishin parashtruar ankesa për deformime të procesit zgjedhor.

Ky numërim çoi te certifikimi i rezultateve nga KQZ-ja. Por, siç pritej, ato u kontestuan nga LDK-ja për Prishtinën dhe PDK-ja për Prizrenin – duke i lënë këto komuna pa kryetarë dhe pa kuvende komunale të konstituuara. Pra, e gjithë puna nëpër komuna vazhdon të kryhet nga shërbyesit civilë, dhe asnjë vendim më i madh nuk ka shans të kalohet, për shkak se nuk ka trup që mund ta bëjë këtë.

Supremja mori edhe një vendim të rëndësishëm: që votimi në Istog të përsëritej për shkak të manipulimit të rëndë të votave me postë. PZAP-i konstatoi se këto ishin fals, Supremja e vërtetoi, dhe tash duhet të caktohet datë e re për ta pasur kryetarin e ri të kësaj komune, që do të zgjidhet nga kandidatët që kishin mbërritur në balotazh. Edhe ky vendim është për çdo lëvdatë, ngase zgjedhja e kryetarit në fund u var nga votat me postë, që në rastin e Istogut ishin katërmbëdhjetëfish më të mëdha në numër sesa në Prishtinë. Pra, jo fort e besueshme që të mos ketë qenë e orkestruar mirë.

Vajtimi i PDK-së

Nuk u prit gjatë reagimi i partive humbëse pas përfundimit të numërimit.

Në veprim të orkestruar, pas një statusi në FB të zyrtarit të lartë të PDK-së, Gani Koci, ku kërkohej që Vetëvendosja të shpallej antikushtetuese (“Shteti duhet të reagojë edhe në forma tjera për të ndaluar veprimet anarkiste e kriminale të kësaj lëvizjeje”), i ardhshmi në akuza doli zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci. Ky e quajti VV-në “parti klanesh terroriste” dhe e akuzoi direkt si themeluese të organizatës “Syri i Popullit”. Gjithashtu, e akuzoi se kjo parti po bënte trysni mbi gjyqësinë dhe se për këtë arsye edhe e kishin fituar Prizrenin.

Nuk vonoi shumë, dhe pas certifikimit të rezultateve PDK-ja mbajti konferencë për shtyp dhe e akuzoi VV-në për vjedhjen e votës nëpërmjet të të ashtuquajturit “tren bullgar”. Se a do të vërtetohet apo jo ekzistimi i një manipulimi të tillë, i mbetet PZAP-it të vendosë. Dhe vendimi do të duhej të merrej të dielën. Më pas, ndaj vendimit të këtij trupi ekziston edhe një shkallë ankese, Supremja, që do të duhej ta merrte vendimin brenda 72-orësh nga dita e marrjes së ankesës. Pra, deri nga fundi i javës së ardhshme me gjasë nuk do të dihet vendimi përfundimtar nga ky proces.

Por, saga nuk do të përfundojë këtu. Ngase ky vendim do ta nisë një procedurë tjetër te Kushtetuesja, e që do të mundë ta zvarrisë procesin edhe për së paku një muaj a dy, varësisht nga baza e kërkesës.

Nga njëra anë është plotësisht e kuptueshme se pse PDK-ja, pas tri mandatesh, nuk mund të pajtohet me humbjen e “Jerusalemit” të vet. Nuk e di se cilat kanë qenë arsyet se pse me kaq shumë ngulm ish-shefi i PDK-së, Thaçi, insistonte për t’i fituar zgjedhjet në këtë qytet, porse ajo që më kujtohet nga zgjedhjet e 2013-s ka qenë ngarendja e përditshme e zyrtarëve të kësaj partie atje, dhe shfrytëzimi i vizitës së Erdoganit për të mbledhur vota (me të famshmen “Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi”). Gjithashtu, shumë e kuptueshme që të insistojë ta mbajë qytetin e dytë më të madh në Kosovë pas debaklit të përjetuar në zgjedhjet e shkuara. Ani pse kjo parti thotë sërish se është fituese e zgjedhjeve, sepse e ka numrin më të madh të asamblistëve.

Nga ana tjetër, është vështirë e kuptueshme që Prizreni të mbahet peng, deri në vendosjen meritore të Supremes dhe eventualisht Kushtetueses, veç pse fitorja me numër asamblistësh në gjithë Kosovën megjithatë është fitore e Pirros për PDK-në.

LDK-ja “institucionaliste”

Një tjetër fitues u ankua. Ashtu siç edhe pritej LDK-ja u ankua për Prishtinën. Pasi Supremja e prishi vendimin e PZAP-it, si të pambështetur, numërimi i votave me kusht e rriti diferencën, sado të vogël, ndërmjet Ahmetit dhe Abrashit, duke e shpallur të parin fitues.

Insistimi i LDK-së se VV-ja ka manipuluar me votat e pambushura dhe ato të anuluara – edhe pse komisionarët këtë nuk e kanë thënë kur i kanë nënshkruar procesverbalet – duket metoda e vetme që i ka mbetur LDK-së për t’u përpjekur që ta kthejë procesin prapa, qoftë ajo edhe vetëm rinumërimi i votave.

Porse është shumë simptomatike se si gjatë zgjedhjeve nacionale, askush pos Gëzim Kelmendit (“‘Fjalës’ ia kanë vjedhë 50 mijë vota”) nuk ngriti zërin për t’i kundërshtuar apo për t’i kontestuar votat e anuluara që madje mbërritën në 49 mijë (6% e votave të përgjithshme). Natyrshëm, për shkak se 661 të pavlefshme dhe të zbrazura mund ta ndërrojnë balancën, ani që bëjnë vetëm 0,77% të votave të përgjithshme kësaj radhe, prandaj edhe LDK-ja i qaset këtij varianti për të parë nëse mund ta përmbysë rezultatin.

Porse duket se edhe vetë LDK-ja është e vetëdijshme se kjo mund të jetë një luftë e humbur, në çastin kur e dëgjon nënkryetarin e partisë dhe kryetarin e Gjilanit tek komenton: “Nëse nuk lejohet që të rinumërohen votat në Prishtinë, atëherë e them se Prishtina do ta ketë një kryetar të zgjedhur në thonjëza, i cili do të rrijë në zyrë të Komunës së Prishtinës dhe një kryetar të Prishtinës që do të rrijë jashtë zyrave të Komunës, dhe do të punojë me qytetarët e Prishtinës”.

Fakti është se Abrashi e përjetoi një ngritje të madhe në raundin e dytë, ashtu siç pritej, njësoj siç e kishte përjetuar Ahmeti në garë kundër Mustafës katër vjet më parë. Porse dallimi ishte se ky nuk ia doli ta tejkalojë Ahmetin, bile sa i përket rezultatit të numërimit të votave. Dhe dallimi më 2013-n qe se LDK-ja nuk u ankua në proces, por u ankua në “koalicione të panatyrshme” që ia sollën fitoren Vetëvendosjes në Prishtinë. Sikurse edhe për PDK-në në Prizren, humbja e sërishme e saj në Prishtinë është humbje e bastionit të cilin e kishte mbajtur nën kontroll që nga zgjedhjet e para komunale, pra për 13 vjet rresht.

Sido që të jetë, partia institucionaliste, siç e paraqesin LDK-në zyrtarët e saj, do të duhej të pajtohej me vendimet e gjykatave të rregullta, pa paragjykuar epilogun. Porse nëse PZAP-i dhe Supremja vendosin se nuk ka bazë për rinumërim, gjasat janë se edhe LDK-ja do t’i qaset Kushtetueses. Dhe për pasojë, Prishtina do të mbetet pa udhëheqje edhe për një kohë. Se a është kjo vërtet në interesin e qytetarit – e besoj se përgjigjen e di edhe vetë LDK-ja. Natyrisht se nuk është.

* * *

Akuza dhe kundërakuza jemi ngirë përtej kufirit tashmë. Me një Qeveri jofunksionale, që në 100 ditët e para ka qenë më e interesuar të marrë vendime për shpenzimin e parasë publike për çfarëdo pagimi borxhi personal a partiak; e me një gjyqësi që nuk e di a po del nga ndonjë film i keq kriminalistik; me një ekonomi që nuk di as fijet me i lidh, dhe me një varfëri nga e cila kronikisht nuk po mund të dalim, gjëja e fundit që na nevojitet është zvarritja edhe e krijimit të qeverive komunale.

Gjëja e fundit që na nevojitet është shmangia e vëmendjes, madje edhe nga një problem aq serioz siç është vjedhja sistematike nëpërmjet faturave të rrymës. Në vend se të gjithë organizmat kompetentë të merren me ndriçimin dhe dënimin e fajtorëve për krejt të këqijat që i vuajmë, ne e humbin krejt energjinë duke diskutuar nëse duhen numëruar ose jo pesë a pesëqind kuti votash, të cilat në ditën e zgjedhjeve kaluan pa vërejtje.

Zvarritja e këtyre proceseve mund t’u bëjë mirë vetëm atyre që ia shohin hairin rrëmujës dhe paqartësive. E hairin e shohin ata që e mbajnë pushtetin, për aq sa ai do të zgjasë.

Nuk thonë për kot “ujku do mjegull”.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi