OpEd

Reformë agrare në Universitet!

(Reagim i Rron Gjinovcit ndaj shkrimit “Princat me pincetë” të Shemsi Krasniqit, të botuar në portalin Koha.net më 30 nëntor 2017)

Ad Hominem

Ndonëse nëntitulli i kësaj pjese është “Ad Hominem”, në fakt këtu do të flasim për implikime publike. Për një vend pune në institucionin publik, të kapur nga një njeri jokompetent sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës.

Normalisht, autorit Shemsi Krasniqi do të duhej t’i referohesha me titullin akademik “profesor asistent” - shkurt profesor, por në fakt gjatë gjithë këtij shkrimi do t’i referohem vetëm si “asistent”. Kjo, për shkak se ai nuk e ka atë dreq punimi shkencor në revistën ndërkombëtare që do të na e mundësonte ta quanim “profesor”, siç, në fakt, ai është titulluar nga Universiteti i Prishtinës. Ne nuk e dimë me siguri se si, as se kujt mund t’i ketë borxh që për vite me radhë merr rrogën e profesorit, ndërkohë që ai ka përgatitje vetëm aq sa për të qenë asistent, por ne e dimë me siguri që punimin e nevojshëm për titullin “profesor” nuk e ka.

Për më tepër, asistentit i ka ardhur koha për avancim, por punime nuk ka. Prandaj reagimi i tij vjen tash, kur avancimet çdo herë e më shumë po bëhen proces meritokratik e jo shkëmbim favoresh, siç ishin deri tash.

Zbërthim i urrejtjes

Na quajti “princa” dhe na shau vetëm neve meshkujve, pasi, për të, gruaja që prezantoi raportin, që me gjasë i dhemb më së shumti, nuk vjen në konsideratën e reagimit. Ai do të shtyhet me muskuj metaforikë, ama jo duke qenë prezent në debat, as duke folur me emra e me adresime konkrete, por me metafora të dala mode. Në fakt, më çudisin këto lloj shkrimesh ditëve të sotme e këto lloj adresimesh metaforike a thua se ne jetojmë në një sistem diktatorial ku njeriu nuk shprehet lirshëm. Parokializmi këto i ka. Ende funksionon me diskurs odash.

Asistenti Krasniqi na akuzoi pse e mbajtëm ngjarjen e publikimit të raporteve në hotelin “Swiss Diamond”, në hotelin e pronarit që dashka ta shndërrojë Universitetin në hapësirë fetare. Dhe këtu në fakt e kuptova menjëherë se çka do të lexoja tutje. E dija menjëherë se do ta lexoja një shkrim fort të dobët, të paargumentuar, sepse në mbrojtje të tij asistenti Krasniqi e vë pretendimin se ai vetë qenka një kozmopolit që e ruan arsimin nga feja, ndërkaq ne që duam t’ia shesim kampusin fesë.

E ironia e kësaj është se asistenti Krasniqi punon në hapësirën që e ka rinovuar dhe mbindërtuar si donacion kompania “Mabetex” e të njëjtit pronar - pllakën e së cilës kompani e mban në shenjë falënderimi godina e fakultetit në të cilën sorollatet asistenti ynë “kozmopolit”.

Dhe vërtet gjithçka që lexova poshtë asaj hyrjeje të dobët, më bëri të mendoja “në cilin shekull jetuaka ky asistent?!”.

Nuk hezitoi që të na krahasonte me Milosheviqin: “Kjo që së fundmi po e bën ‘shoqëria civile’, duke e atakuar nervin qendror të Universitetit – dinjitetin dhe kredibilitetin akademik, është po aq e dëmshme sa ajo që ia ka bërë politika serbe e paraluftës, e fatkeqësisht edhe politika shqiptare e pasluftës”, – thotë asistenti Krasniqi në shkrimin e tij modest.

A më duhet të them diçka më tepër për të vënë në pah mjerimin e një shkrimi që vjen nga një profesor i pretenduar i sociologjisë?

Tmerri që mund të përjetojë lexuesi nga pyetjet që shtron në vazhdim në shkrimin e tij asistenti Krasniqi është aq drithërues, sa shqetësohesh për krejt ata studentë që ai i takon përditë dhe për të ardhmen tonë.

Ai nuk i di bazat e shoqërisë moderne. Ai mendon se ne që ia paguajmë rrogën ilegale duhet të rrimë të heshtur për abuzimet që bëjnë ai dhe kolegët e tij. Ai mendon se ne nuk kemi hise në Universitet, dhe prandaj na konteston me pyetjet: “A ka ligj dhe organe drejtuese në Universitet apo duhet që “ojëqëtë” të kontrollojnë respektimin e punës dhe detyrave, të vendosin rendin, kriterin dhe standardin akademik? A duhet që “ojëqëtë” të na tregojnë se çka është punë shkencore e çka nuk është; se kush duhet të avancohet e kush jo? A ka frymë akademike këtu, a ka liri, përgjegjësi dhe guxim intelektual në këtë Universitet?”

Për këtë gjendje të rëndë parokiale të asistentit përgjigjen e ka dhënë Arlind Qori nga Universiteti i Tiranës. Ai ishte përballur me situatë të ngjashme me një si puna e asistentit tonë dhe këtë gjendje ai e quante feudale. Dhe për të dalë nga kjo gjendje, thoshte ai, më tepër sesa reformë në arsim duhet një reformë agrare për ta ç’kapur këtë kastë çifligarësh nga universiteti të cilin e përjetojnë si çifligun e tyre.

Pjesa tjetër e shkrimit të asistentit tonë nuk meriton trajtim, se ishte shfryrje mllefi e vreri, u ngjante pamfleteve të viteve të pasluftës stilistikisht. Atyre artikujve patetikë që linçonin figurat publike duke i vënë në anën e Serbisë.

Megalomania si argument i fundit

Por nuk mund ta mbyll shkrimin pa e zënë në trajtim mënyrën se si asistenti e kishte mbyllur manifestin e mjerimit të vet intelektual. Tha që ne s’meritojmë më shumë sesa një “Sancta Simplicitas!”. Shprehje kjo të cilën mendohet se e përdori Jan Hus, reformatori çek, i cili kur u vu në turrën e druve dhe diçka nuk shkonte mirë me zjarrin, dhe një plakë u afrua me ca fije kashte që i hodhi kinse për ta rritur intensitetin e zjarrit, Jan Hus thirri “Sancta Simplicita!” (thjeshtësi e shenjtë) për ta ironizuar tentativën naive e të pafuqishme të plakës.

Ta mendosh asistentin Krasniqi në vend të Jan Husit është fantastikisht qesharake. Por po ta analizosh mesazhin që jep ai me përdorimin e kësaj shprehjeje dhe në tërësi përmes manifestit të mjerimit të tij intelektual, nxirren dy përfundime: 1. Megalomania është karakteristikë e inkompetentëve të UP-së dhe 2. Reforma agrare është e domosdoshme për ç’kapjen e “çifligarëve” nga UP-ja.

Në anën tjetër duhet ta konfirmoj asistentin Krasniqi për një pjesë të shkrimit të tij urrejtës. Po, janë qindra profesorë kompetentë në Universitetin e Prishtinës dhe janë qindra asistentë të tillë po ashtu, e ju nuk jeni në mesin e tyre. Ne i lavdërojmë publikisht ata.

Po, janë mijëra studentë që duan të studiojnë dhe që janë të etur për dije. Dhe po, ne do të japim gjithçka nga vetja derisa të realizohet Universiteti i Prishtinës i mirëfilltë.

Rron Gjinovci

Autori është drejtues i ORCA – Organizatë për Rritjen e Cilësisë në Arsim. Qëndrimet në këtë shkrim nuk i paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e Koalicionit për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU)