OpEd

Një vit i humbur

Zgjedhje pa zgjidhje, zhurmë, dështime e keqpërdorime: Kosova po shkon drejt fundit të vitit 2017 me një bilanc të neveritshëm.

Ka lajme pozitive nga Kosova. Sivjet është mbajtur parada e parë e komunitetit LGBTI, pa incidente dhe tensione. Madje as Bashkësia Islame nuk tha gjë, ndërsa Kisha Katolike deklaroi se nuk i takon të përzihet në këto punë. Sigurisht, është mirë që në Kosovë po rritet vetëdija se nuk duhet të diskriminohet asnjë pakicë. Sigurisht, është mirë që zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale kaluan pa incidente serioze. Sigurisht, është mirë që, me sa duket, në mesin e të rinjve në Kosovë nuk ka më aq interesim për t’iu bashkangjitur të ashtuquajturit “Shtet Islamik”.

Ka disa arsye për këtë: “Shteti Islamik” ka humbur një pjesë të madhe të territorit, Turqia është më vigjilente dhe Aeroporti i Stambollit nuk është më udhëkryq xhihadistësh nga mbarë Evropa në rrugë për në fushat e vdekjes në Siri dhe Irak, autoritetet e Kosovës kanë intensifikuar luftën kundër fanatikëve fetarë. Lajme të mira të gjitha këto.

A ka lajme të tjera të mira? Po të kërkohej me ngulm, do të gjendej edhe ndonjë, por prapëseprapë gjendja në Kosovë nuk është aspak e kënaqshme. Këtu nuk e kemi fjalën te paraqitja e dobët e Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit në Rusi më 2018. Janë disa gjëra më esenciale që prekin jetën e qytetarëve. Varfëria, për shembull. Edhe këtë vit nuk ka ndryshuar asgjë në mënyrë thelbësore sa i përket zbutjes së varfërisë. Ende mijëra të rinj në Kosovë kanë vetëm një ëndërr: “me dalë jashtë”, “me gjetë dikë me letra”, “me punu çfarëdo pune”.

Të rinjtë nuk janë naivë – ata shohin se të vetmet vende të punës që po hapen kohëve të fundit janë ato të zëvendësministrave, vetura e ndonjërit prej të cilëve shihet e parkuar në orët e vona të natës para një moteli në provincë. Pse jo? A nuk tha njëri nga zëvendësministrat se postin e ka merituar se ka luftuar? A nuk i kërcënoi një tjetër zëvendësministër të gjithë ata që “e përkrahin Gjykatën Speciale”? Të tillët ai i përshkroi si “armiq” dhe shtroi pyetjen se ku do të gjejnë vend ata kur të “dëshmohet pastërtia e luftës”? Ky ndërrim tezash mund të ndodhë vetëm në mesin e një klase politike totalisht të paaftë: thua ti se Gjykatën Speciale e sollën “armiqtë e kombit në radhët tona” dhe jo ata që përmenden në raportin e Këshillit të Evropës. Pa marrë parasysh kur ngrihen aktakuzat, qytetarët e Kosovës duhet ta shikojnë me shumë indiferencë fatin e atyre që do të preken nga dora e drejtësisë. Krimi është individual, nëse është kryer, dhe nëse të akuzuarit e mundshëm arrijnë të dëshmojnë pafajësinë – edhe më mirë. Por Kosova nuk guxon të jetë peng i halleve që kanë disa politikanë për shkak të së kaluarës së tyre.

Kosova ka punë të tjera. Si të kalojë izolimin, për shembull. Edhe ky vit shkoi dëm, pa asnjë hap përpara. Ende ëndërr e njerëzve në Kosovë është pasja e një vize. Ende njerëzit duhet të presin me muaj për të ardhur në rend për të marrë një vizë Schengen. Ndërsa klasa politike e Kosovës mbetet e zhytur në baltën e qorrsokakut politik të demarkacionit, vendet e tjera ecin përpara, jo me hapa të shpejtë, por ecin, ndërsa Kosova stagnon. Në opinion prezantohet si e arritur e madhe që shefi i Qeverisë ka arritur “shëndoshë e mirë” në Bruksel, për pritjen e ftohtë, për mungesën e rezultateve, për trajtimin e delegacionit të Kosovës si të ishte delegacion i trumcakëve të Moldavisë - nuk flet pothuaj askush.

Kosova nuk është vetëm e izoluar. Kosova anashkalohet edhe nga investitorët. Në çdo vend fqinj kompani të mëdha botërore kanë hapur fabrika ose po planifikojnë të bëjnë një gjë të tillë. Në Kosovë asnjë kompani e huaj nuk ka plane të tilla. Dhe për këtë ka disa arsye: qeverisja e keqe, ambienti korruptues, mungesa e sigurisë ligjore. Këto janë problemet kryesore, të cilat nuk mund t’i mohojnë as pishpirikët e pushtetit me zhurmën e tyre.

Do të duhej të kishte Kosova një opozitë që ofron një model të mirë të qeverisjes. Nuk e ka. Le të mos mashtrohemi nga propaganda e Lëvizjes Vetëvendosje. Në komunat ku ajo do të qeverisë gjithsesi do të ketë më pak korrupsion dhe më pak keqpërdorime, por 4 vitet e kaluara në Prishtinë kanë treguar se krerëve të saj më shumë u pëlqen të qeverisin nga Facebooku, duke shurdhuar popullin çdo ditë me krekosje për punët e mëdha që kanë bërë. Por punët e mëdha do të shiheshin: ta zëmë një fabrikë ose një objekt arkitektonik që tërheq vëmendjen pak përtej torishtës sonë. Asgjë. Asgjë. Asgjë. Dhe shumë përralla për çlirimin e Çamërisë.

Aspak më mirë nuk është situata në LDK, siç kanë treguar muajt e fundit. Falë disa aderimeve, LDK-ja është forcuar paksa, por në këtë forcim figurat e vjetra, të harxhuara dhe të diskredituara për shkak të raporteve pothuaj erotiko-politike me PDK-në po e shohin shansin për të marrë udhëheqjen e kësaj partie. Ndërsa LDK-ja do të merret me problemet e brendshme dhe VV-ja me propagandën e rëndomtë, krerë të krimit të organizuar, të pajisur tashmë me pushtet, do të arrijnë të zgjerojnë ndikimin. Për Kosovën do të ishte fatale që pas vitit të humbur 2017 të pasojnë edhe vite të tjera të humbura.