Humbësit e këqij

Flaka Surroi Flaka Surroi 28 nëntor 2017 07:54

Ata që sukcesivisht i kanë humbur zgjedhjet ende nuk e kanë humbur fuqinë që ua jep rrjeti të cilin e kanë krijuar prej vitesh, e ku i kontrollojnë edhe institucionet e edhe njerëzit që janë vendimmarrës në këto institucione. Dhe duke e pasur këtë fuqi, mund të imponojnë edhe rinumërime, edhe dënime për “terrorizëm”, edhe të ndalin hetime, edhe të bëjnë skena filmash në rrugë, edhe të nxisin trazira, e besa edhe të kafshojnë

Ky vend nuk do të prajë së befasuari. Sa mendon njeriu se gjërat nuk mund të komplikohen edhe më, del dikush me ndonjë ide a veprim makiavelist dhe na e dëshmon të kundërtën.

Me rezultate kurrë më të paqarta përfundoi balotazhi për zgjedhjen e kryetarëve të komunave. Thuajse njëzëri, të gjithë vlerësuan se këto kishin qenë zgjedhjet më të mira e më të qeta që kishim pasur ndonjëherë. Askush nuk u ankua për vjedhje e keqpërdorime, deri para tri a katër ditësh kur u kërkua komplet rinumërimi i votave në Prishtinë e Prizren.

Ndërkohë, për herë të parë u prononcua publikisht kryeprokurori i Shtetit, i cili akuzoi mediumet për manipulimin e informacioneve në lidhje me dosjen e tij, me gjithë raportin ekstensiv të IKD-së, që ngre një listë të gjatë pyetjesh që kanë mbetur pa përgjigje dhe që e bëjnë çështjen e provimit të tij të judikaturës edhe më të mjegullt.

Për fundjavë, na u ofrua aktgjykimi lirues i Limajt me miq, i cili gjithashtu akuzoi mediumet për fushatë kundër tij dhe arrestimi jashtëzakonisht i dhunshëm i tre deputetëve të Vetëvendosjes, që përfshiu edhe një skenë të paparë deri tash: një polic duke e kafshuar deputetin Çaushi.

Vërtet ky vend ka regjisorë shumë të talentuar – aftësia jonë për ta prishur qetësinë e brishtë është mahnitëse.

Rinumërimi i kontestuar

Dy humbëset preliminare, LDK-ja e PDK-ja u ankuan në Prishtinë përkatësisht në Prizren – që të dyja duke thënë se kanë fakte se votat janë manipuluar. Dhe ende pa nisur numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë, që do t’i përcaktonin fituesit parapërfundimtarë, PZAP-i mori vendim për rinumërimin e të gjitha votave, përfshirë edhe ato që nuk ishin numëruar. KQZ-ja, e udhëhequr nga një gjykatëse e Gjykatës Supreme, pra dikush që do të duhej ta dinte, mori vendimin që të shkohej në rinumërim, ani që e gjithë procedura nuk kishte përfunduar. Shkalla e fundit për shqyrtimin e vendimit të PZAP-it është Supremja, dhe pa përfunduar ky proces nuk mund të ketë vendim të prerë. U krijua një hallakamë e panevojshme për shkak të veprimit të pamatur dhe të parakohshëm, në fakt kontestues nga aspekti procedural i KQZ-së.

E gjitha u shty edhe për tri a katër ditë, deri në shqyrtimin nga Supremja e ankesës së VV-së në lidhje me vendimin e PZAP-it. Nga ky vendim do të varet po qe se shkohet në komplet rinumërimin e votave në Prishtinë e Prizren, apo vetëm në numërimin e votave me kusht. Deri në atë vendim, do të mbesim duke shikuar se si veprojnë ata që humbjen nuk janë mësuar ta pranojnë, qoftë ajo edhe preliminare. Porse bindja jo pak e thellë është se me këtë rast, PZAP-i nuk veproi juridikisht, por politikisht.

Matematika e thjeshtë, e mbështetur te përvojat nga e kaluara tregon për thuaja një marrëveshje, mbase e heshtur, ndërmjet PDK-së dhe LDK-së: ndihma reciproke e partive në fjalë, do ta bënte fituese PDK-në në Prizren kurse LDK-në në Prishtinë. Kjo, me supozimin se mund të ketë “mbushje kutish” në QNR, në të cilën që nga e diela e shkuar, janë depozituar të gjitha kutitë e votimit, e që janë të qasshme për të gjithë. Fakti se nuk ka pasur ankesa gjatë procesit dhe se kutitë nuk kanë mbaruar në karantinë tregon për mundësinë që ato të “përpunohen”.

Cilido që të jetë rezultati përfundimtar, që do të dalë nga Supremja, votat, qoftë i gjithë rinumërimi, apo edhe vetëm numërimi i atyre me kusht, do të duhej të bëhej në prezencën e kamerave televizive dhe me transmetim live. Në rastin e rinumërimit, vëzhguesit do të duhej gjithsesi të kishin parasysh në mos votat e papërdorura gjatë procesit të rregullt janë “avulluar” ndërkohë apo mos kanë përfunduar në kutitë e votimit. Se si do t’ia bëjnë, e besoj do ta kenë menduar. Porse, e vetmja gjë që do ta shpëtonte këtë balotazh do të ishte transparenca e plotë në QNR.

Kryeprokurori akuzues

Transparenca është ajo që iu kërkua kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë gjithë kohës sa janë hulumtuar dokumentet e lidhura me dosjen e tij. Të hënën e shkuar vendosi të fliste para gazetarëve dhe akuzoi mediat për manipulim, edhe pse më në fund e pranoi se në dosjen e tij kishte pasur përmirësime me llak. Nga ajo që u transmetua në televizion dhe në gazetë, Lumezi më shumë tingëllonte si një politikan sesa si prokuror, sepse e nisi paraqitjen e tij me një akuzë të drejtpërdrejtë, nga e cila dikur më vonë i veçoi mediumet: “Akuzat ndaj meje kanë qenë të manipuluara nga një grup mirë i organizuar dhe i financuar që ka për qëllim që të rrënojë dinjitetin dhe autoritetin e prokurorit të Shtetit, jo vetëm të individit, por edhe të tërë sistemit prokurorial”.

Lumezi këtij grupi iu referua jo vetëm për rastin e certifikatës, por edhe të vetë emërimit të tij si Kryeprokuror më 2015-n. Pra, nëse e di se ekziston një grup i organizuar dhe i financuar që ka për qëllim ta shkatërrojë atë, nuk e kam të qartë se përse për këta dy vjet, ai si shef i prokurorëve nuk ka marrë asnjë masë për t’i ndjekur ata? I vetmi trup që e ka fuqinë e ligjit për ta bërë atë, është PSH-ja, pra pse deklarata politike me ton viktimizues?

Nga ana tjetër, vërtetësinë e certifikatës së tij e argumentoi kështu: “Më e rëndësishme është për mua dhe për juve si kryeredaktore ta dini që një certifikatë, por edhe patenta e juaj për patentë shofer, të cilën sigurisht e keni në qarkullim juridik me palë të treta, vetëm ai është dokumenti (certifikata) që ka validitet, ndërsa dokumentet e tjera nuk kanë validitet”.

Është fakt i pamohueshëm se një dokument ligjërisht i nxjerrë është valid në raport me palët e treta. Porse Kosova, më 2012-n, ka pasur një rast të hetuar, e me gjasë të papërfunduar, të shitjes së patentë shoferëve me çmim prej 500 eurosh. Policja e Departamentit të Krimeve Ekonomike, e cila kishte fshehur provat, ishte suspenduar, porse pas një kohe i humbën gjurmët. Por fakti mbeti i pandryshuar: kishte me dhjetëra njerëz që e kishin blerë patentën; ishin bërë me te në mënyrë të paligjshme. A i bën kjo këto dokumente valide?

Apo ta marrim shembullin tjetër. Njëri nga kosovarët e vrarë në Kumanovë kishte pasur pasaportë e letërnjoftim të Kosovës në emër të vetin dhe pasaportë e letërnjoftim të Maqedonisë në emër të tjetërkujt. Ky është rast klasik që do të duhej të hetohej nga prokuroria dhe hetimi do të duhej të tregonte nëse të dy palë dokumentet janë valide karshi palëve të treta. Dhe nëse janë, si bëhet të jenë valide dy identitete për të njëjtin njeri, për shembull. Pra logjika është e thjeshtë: në rast kontestimi, është hetimi i mirëfillte penal ai që jep përgjigjen për validitetin e dokumenteve.

Në përpjekjen për të treguar pastërtinë e rastit të tij, e bëri edhe një shkarje frojdiane. Kur iu referua hetimit të prokurorit të rastit të tij, foli në shumës, tha: “Sa i përket arkivit ne e kemi dhënë shpjegimin, nëse e keni lexuar me vëmendje në raportin e prokurorit që ka pasur..., është e vërtetë që ka pasur fshirje të emrit, por nuk ka pasur fshirje të emrit vetëm në dosjen time, por ka pasur fshirje vetëm në një faqe për shtatë-tetë persona që janë shënuar gabimisht...”. Në rastin ku kryeprokurori i Shtetit është marrë në pyetje si dëshmitar, nuk ka mundur të japë asnjë shpjegim teknik në raport, sepse ai nuk do të duhej të kishte qasje në të – për shkak të konfliktit të pastër të interesit. Nëse ai paska qenë i përfshirë qoftë si individ, qoftë si shef i Munishit, atëherë aktvendimi i këtij të fundit për hetimin parapenal të bërë, do të duhej të shpallej nul.

Rasti Lumezi sipas Prokurorisë është mbyllur. Nga ana tjetër, në mbrojtjen e tij, Lumezi i akuzoi gazetarët profesionistë se ia shtrembëruan dosjen. E fakti është se gazetarët u kufizuan në paraqitjen e dokumenteve të gjetura në arkiv e të lidhura për emrin e tij. Kurse zbardhja e këtyre dokumenteve dhe mbyllja e rastit, megjithatë, e la të hapur një pyetje kyç që lidhet për dosjen e tij: si ka mundur Lumezi ta paraqiste provimin e judikaturës më 17 tetor 1990, dy javë para se ta përfundonte praktikën në Gjykatën e Qarkut? Kjo, ngase për këtë datë lidhet edhe numri i protokollit të cilin e mban certifikata e tij e lëshuar më 1991. Një hetim i mirëfilltë penal i pavarur mbase do ta jepte përgjigjen edhe në këtë pyetje.

Mosluftimi i krimit

Kosova përfundimisht ka nevojë për hetime të mirëfillta të pavarura që do të përfundojnë me vendime gjyqësore të pavarura dhe të pandikuara nga politika. Gjykimet maratonike, zhdukja e dëshmive, Kodi Penal dhe i Procedurës Penale që kanë nevojë për revidim të thellë, sjellja me dhunë e disa personave dhe shmangia e disa të tjerëve për shkak të pozicionimit politik, tregojnë për një situatë ku humbësit realë të zgjedhjeve ende i mbajnë dizginat aty ku veprimi do të duhej të ishte i pavarur.

Fakti se as pas 19 muajsh Prokuroria e Shtetit nuk do që të hapë hetime për faljen e katër hidrocentraleve në pakon e shitjes së Distribucionit, tregon për intencën e kësaj për ta mbrojtur klanin që i kontrollon segmentet më të rëndësishme të shtetit. Për shkak se zbulimi i makinacioneve që kanë sjellë humbjen e këtyre aseteve shtetërore do të çonte gjurmët e hetimit jashtë rrethit të emrave që përmenden në procedurën parapenale.

Fakti se drejtori i Departamentit për krime ekonomike në Polici është nën hetime për korrupsion e nuk suspendohet, por i ndërrohet vendi i punës, tregon se Kosova luftimin e krimit nuk e merr seriozisht.

Për shkak se ata që sukcesivisht i kanë humbur zgjedhjet, ende nuk e kanë humbur fuqinë që ua jep rrjeti të cilin e kanë krijuar prej vitesh, e ku i kontrollojnë edhe institucionet e edhe njerëzit që janë vendimmarrës në këto institucione. Dhe duke e pasur këtë fuqi mund të imponojnë edhe rinumërime, edhe dënime për “terrorizëm”, edhe të ndalin hetime, edhe të bëjnë skena filmash në rrugë, edhe të nxisin trazira, e besa edhe të kafshojnë.

Teori për arsyet e këtyre veprimeve ka shumë – sepse ne si popull jemi të prirë për teori të ndryshme konspiracioni. Në këtë vazhdë, dy teori më shkojnë nëpër mendje: njëra, ajo e mujsharit që e imponon fuqinë e vet duke shkelur mbi të gjithë dhe ndaj të cilit veç mund të ankohesh; ose tjetra, ajo e nxitjes dhe e inskenimit eventual të trazirave, që do t’i bënte ata “të domosdoshëm” për ta qetësuar situatën, e me këtë harxh, për ta shtyrë veprimin e Gjykatës Speciale.

Në cilindo variant, humbësi i keq nuk do që të sharrojë vetëm.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi