Qeveria që pranon se abuzon me pushtetin

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 26 nëntor 2017 07:58

Kryeministri Haradinaj tha se Ligji për Qeverinë, që do të shkruhet gjatë mandatit të tij për qeveritë e ardhshme, do t’ua ndalojë ministrive të kenë më shumë se nga dy zëvendësministra. Ka thënë se nuk ka nevojë për më shumë. Në të kundërtën, sipas një postimi të mëhershëm të tij, do të ishte “abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”. Qeveria e Kosovës në këtë mandat ka thyer rekordin e numrit të ministrive dhe të zëvendësministrave

Kryeministri Ramush Haradinaj dukej i shqetësuar në një intervistë ditë më parë nga abuzimi që po bëhet me pushtetin. Tha se Qeveria e tij do t’i japë fund kësaj. Se do ta shkruajë një ligj që do t’i ndalojë ministritë të kenë më shumë se nga dy zëvendësministra. Bile, jo të gjitha do të lejohen t’i kenë nga aq. Mund t’i ketë, sipas kryeministrit Haradinaj, për shembull, Ministra e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: një që do të merret me mjedisin dhe një që do të merret me planifikimin hapësinor. Ka thënë se nuk ka nevojë për më shumë. Në të kundërtën, sipas një postimi të mëhershëm të tij, do të ishte “abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”.

Para tre vjetësh kur qe themeluar Qeveria së cilës nuk i takonte, kryeministri Haradinaj pati thënë se “është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një zëvendësministër për ministri”. Asokohe akomodimi i interesave të forcave politike mund të paketohej në 19 ministri e ministrat mund t’i kishin nga më së shumti tre zëvendës.

Kësaj radhe, për t’u ngjitur në qeveri Haradinaj marshoi në të kundërtën e fjalëve të veta. Akomodimi i interesave, që i quajti klienteliste, theu rekord të ri. Nga 19 ministri u bënë 21, e nga 3 zëvendësministra u bënë 5. Përmes një rregulloreje që e nxori, u thye edhe rekordi i numrit të këshilltarëve politikë. Për kryeministrin nga 12 u bënë 21. Për ministrat nga 6 u bënë 7.

Struktura e numrave, siç e ka sjellë gazetari i “Kohës Ditore” në edicionin e së dielës, çon në 664 pozitat për personelin politik të Qeverisë Haradinaj. Ajo duket kështu:

1 kryeministër

21 këshilltarë

15 staf mbështetës

 

5 zëvendëskryeministra

30 këshilltarë

25 staf mbështetës

 

21 ministra

147 këshilltarë

84 staf mbështetës

 

105 zëvendësministra

210 staf mbështetës

 

Deri më tani janë emëruar 64 zëvendësministra ose edhe më shumë, ndërkohë që ka ministri që kanë mbetur pa ta. E tillë është ajo e Administratës Publike, e cila ka për detyrë që atyre t’ua sigurojë hapësirat dhe automjetet. “Për neve është një sfidë, një çështje jo e lehtë”, ka thënë shefi i MAP-it. Edhe më të vështirë do ta ketë nëse kanë mbetur ende klientë të paakomoduar dhe numri i zëvendësministrave të arrijë në 105.

Kryeministria nuk ka bërë publike se sa pozita janë zënë deri më tani. Për shumicën e zëvendësministrave, këshilltarëve a nëpunësve politikë qytetarët kanë marrë vesh pasi që ata kanë ndryshuar vendin e punës në profilin e tyre në Facebook. Ka pasur raste kur dikush është njoftuar gabimisht dhe është dashur ta rikthejë vendin e vjetër të punës. Ka pasur edhe të atillë e që nuk e kanë ditur emrin e saktë të ministrisë në të cilën janë punësuar dhe kanë shpikur emra të rinj ministrish.

Haradinaj duhet t’i rehatojë njerëzit e 14 subjekteve politike për ta mbajtur pozitën e vet. Për qytetarët kjo nuk kushton veç pare. Është një strukturë kaotike ku thuaja secili është ngjitur për një interes tjetër nga krijimi i një institucioni në shërbim të qytetarit. Sado që kryeministri Haradinaj shquhet për disiplinimin e vartësve të tij në aspektin e zgjimit të hershëm për të mos u vonuar në punë dhe ndalimit të pauzave të gjata të drekës e kafesë, kompleksiteti i strukturës së re qeveritare dhe laramania politike e saj ia zbehin këto shkathtësi. Po ashtu Qeverisë ia rrezikojnë stabilitetin e ekzistencën. Këtë e dinë të gjithë që janë pjesë e saj, andaj edhe ekziston rreziku që të përpiqen të marrin sa më shumë derisa janë aty. Dhe natyrisht të gjithë i tërheq buxheti.

Zbrazja bazike e buxhetit lidhet me rrogat dhe shpenzimet e tjera të mbi 600 të punësuarve politikë – mëditjet, udhëtimet, karburantet, drekat zyrtare, reprezentacioni, telefoni, e të tjera. Sipas përllogaritjeve të shoqërisë civile, në një mandat të plotë kjo pritet të shpenzojë mbi 21 milionë euro.

Zbrazja e avancuar e thesit të buxhetit janë korrupsioni dhe pozicionimi i militantëve partiakë në bordet e agjencitë që do të duhej të ishin të pavarura. Vendimet për shkarkimin e mbushjen e tyre kanë qenë ndër të parat të kësaj Qeverie.

Në çka tjetër veç në kaos mund t’i shkojë mendja një qytetari të Kosovës kur sheh një qeveri të krijuar me zor; që më shumë mban barrën e borxheve politike për të mbetur gjallë, sesa peshën e problemeve të qytetarëve; që as vetë nuk e di saktë se sa zëvendësministra e këshilltarë i ka; që nuk ka një program qeverisës për vete, e që ka krijuar ministri pa pasur as ide se me çka do të merren ato.

Haradinaj sot mund të shqetësohet me çmimin e të qenit kryeministër. Ndoshta pse tortën e ndan në më shumë pjesë apo se stabiliteti i Qeverisë mbetet i brishtë; ndoshta pse nuk i ka të gjithë nën komandë apo se janë njerëz të pakualifikuar... por ajo që nxit kureshtje më së shumti është se si ndihet ai kur e lexon statusin e vet të 16 dhjetorit të vitit 2014:

“Të nderuar qytetarë të vendit,

Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një zëvendësministër.

Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord të ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një zëvendësministër për ministri.

Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste.

Zvogëlimi i kabinetit qeveritar është domosdoshmëri. Qasja e tanishme po tregon se Kosova po forcohet në Parti-Shtet!

Ju bëjmë thirrje – ndaluni nga këto veprime!

RH”

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi