A po riimponohet tema e ndarjes së Kosovës?

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 25 nëntor 2017 08:48

Vuçiqi është lider i pakontestueshëm në Serbi. Tash me 9 deputetë në Kuvend, 10 kryetarë komunash dhe fuqinë brenda Qeverisë Haradinaj, do të synojë të kapitalizojë drejt plan-synimit të ardhshëm – ndarjes së Kosovës. E liderët e Kosovës po vazhdojnë të merren me vetveten...

GOTOVA STVAR! Punë e paqme! Kështu besoj do të ketë thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që më 22 tetor. Në kohën kur Isa Mustafa e Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Visar Ymeri e Fatmir Limaj ishin duke ngrënë thonjtë me dhëmbë teksa kuptonin rezultatet e korrura në raundin e parë të zgjedhjeve, i pari i Serbisë po flinte rehat. Në të gjitha komunat ku kishte garuar krijesa e tij, Lista Serbe - gjithsej 10 - 8 tashmë ishin fituar pa balotazh, 2 të tjera do të mbetnin për raundin e dytë.

Të dielën fitorja u vulos. Një subjekt politik do të kontrollonte numrin më të madh të komunave në Kosovë. Ironia është se ky subjekt politik, i cili la prapa të gjitha subjektet politike të shumicës shqiptare, është i popullatës pakicë, nën 5 për qind. Pra, një parti e pakicës do të udhëheqë për 4 vjetët e ardhshëm me 10 komuna të Kosovës.

Duke e bërë shefin e tyre real, Vuçiqin nga Beogradi, fituesin më të madh të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

ALEKSANDAR VUÇIQI, siç është konstatuar edhe më herët, është sot pakontestueshëm politikani më i fuqishëm në 20 vjetët e fundit në Serbi. Ai është zgjedhur president me rreth 55 për qind të votave të qytetarëve, partia e tij SNS vazhdon të mbajë në rreth 50 për qind përkrahjen, opozita serbe është e përçarë dhe e paorganizuar për faqe të zezë, gjendja e lirisë së mediave është e krahasueshme me kohën e Milosheviqit.

Problemi është që sot për sot, Vuçiqi, lëre që është individi me fuqinë më të madhe në pushtetin e Serbisë, por mund të thuhet se ai është individi me fuqinë më të madhe edhe në pushtetin e Kosovës. Nga disponimi i vartësve të tij të drejtpërdrejtë, Listës Serbe, me 9 deputetë, varet edhe fakti se a do të ketë Qeveri në Kosovë, ose se a do të shkohet në zgjedhje të reja. Kjo fuqi e vë në situatë bukur të shantazhuar Qeverinë Haradinaj dhe funksionimin e tërësishëm politik të Kosovës.

Teksa, tash, me fuqinë absolute në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, ai ka krijuar ndikim hegjemon edhe më të madh në komunat kosovare se në ato në Serbi.

Realizim i qindpërqindtë i planit të tij për ndarjen e Kosovës. Hë për hë në praktikë, me fuqi në terren, e më vonë – nëse bëhet – edhe në praktikë.

HAPI I RADHËS është angazhimi për formimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe. Ndonëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka krehur mirë marrëveshjen e arritur ndërmjet të Qeverisë në Prishtinë dhe asaj në Beograd, me hegjemoninë e pushtetit në duar të veta në të gjitha 10 komunat e populluara me shumicë serbe, tashmë gjithçka mund të shihet me një shkëlqim tjetër - as që i duhet ndonjë kompetencë shtesë e zyrtarizuar. 10 kryetarët e komunave me shumicë serbe, nga Lista Serbe, pavarësisht kompetencave që mund t’i marrin ose mund të mos i marrin me Asociacion... si president të vendit do ta shohin Vuçiqin dhe jo Hashim Thaçin.

Në anën tjetër, nën petkun e të ashtuquajturit “dialog për Kosovën”, të cilin Vuçiqi, nga pozita e të gjithëpushtetshmit e ka hapur në Serbi, në të njëjtën kohë në qarqet diplomatike ka filluar ta ritestojë idenë për ndarje të Kosovës, si një “marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.

Kjo temë është hapur edhe në takimet e tij në SHBA, në fillim të vjeshtës, kurse diplomatë amerikanë në rajon, por edhe të tjerë nga shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian janë duke matur pulsin për opsionin e ndarjes.

Ka një insistim që tema e ndarjes së Kosovës të imponohet edhe në tryezat e konferencat e ndryshme, të hapura ose nën Chatham House Rules, që nga fundi i verës.

NË KOSOVË, në anën tjetër, krijohet përshtypja se Serbia më nuk është kurrfarë problemi. Relativizohet fuqia që ka Vuçiqi brenda Qeverisë, relativizohet fuqia që e ka tash në komunat me shumicë serbe, si dhe shantazhimi që i bën ai Perëndimit, duke e mbajtur gjithnjë një krah hapur edhe për Rusinë.

Në fakt, të përçarë në qasje dhe të interesuar mbi të gjitha, për rezultatet që do t’i korrin në zgjedhjet nacionale e komunale, subjektet politike shqiptare as që lënë ndonjë shpresë se do të angazhohen në një platformë të përbashkët për t’u ballafaquar me ofensivën e re të Beogradit.

E Beogradi sot, në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, ka shumë më tepër pushtet të konsoliduar brenda Kosovës se ç’ka pasur më 17 shkurt 2008.

Urime?!!!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Vakti27/11/2017 13:12

Tema e riimponimit të ndarjes së Kosovës ashtë permanente por ky riimponim bahet vetëm për t`i matun reagimet e bashkësisë Ndërkombëtare. Ndarje e Kosovës nga sebët ashtë e projektuar që nga pas lufta e dytë Botërore. Fakeqësishtë kësaj ndarje edhe pas bërjes së Kosovës Shtet, po i koontribuon një lëvizje e quajtun "Vetëvendosje"! Qështë e vërteta, Serbia pas Pavarësisë së Kosovës i pat humbur shpresat për ndarjen e sajë! Mirëpo lëvizja Vetëvendosje kësaj radhe doli në ndihmë të Serbisë dhe përgjdo ditë me veprimet e sajë po ja lehtëson Serbisë realizimin e projektit të saj për ndarjen e Kosovës. Një nga të përbashkëtat e kësaj lëvizje "vetëvendosje" me Serbinë janë: Mosnjohja e Shtetit të Kosovës nga këto të duja. Një tjeter sinonim i së keqes i kësaj lëvizje ashtë se kjo ashtë socialiste parti, njisoj si ajo e ish Sllobodan Millosheviçit, sot Ivica Daçiqit në Serbi. Pra edhe shum e shum të përbashkëta të tjera të kësaj lëvizje me Serbinë për ta shaktërrue Shtetin e Kosovës.

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi