Dhjetë gjërat që nuk do të ndodhin më 2018

Veton Surroi Veton Surroi 24 nëntor 2017 08:08

Harroni: punësimin, vizat, demarkacionin, ushtrinë, stabilitetin, integrimet...

Meqë i pashë dritat e para, të hershme, të Vitit të Ri, ja edhe një shkrim i hershëm i Vitit të Ri.

Dhe, meqë kur të afrohet dita e fundit e këtij viti do të shumëzohen spekulimet a parashikimet për atë çka do të ndodhë në vitin 2018, mendoj se ndoshta më së miri do të ishte tash të shkruaja se çka NUK do të ndodhë në vitin 2018. Ja një përzgjedhje prej dhjetë gjërash.

1.

Siç është krejtësisht evidente, nuk do të kemi zgjedhje komunale. Për të mirë a keq, e kemi një pushtet vendor për katër vjetët e ardhshëm. Kryetarët tanë të rinj a të vjetër të komunave (nuk do të kemi kryetare, dhe ky është kapitull më vete) dëshmuan së paku një gjë të rëndësishme: pa marrë parasysh çka ndodh në nivel qendror, qytetari mbështet a ndëshkon kryetarin e komunës në bazë të meritës, që është shenjë e mirë e shëndetit demokratik.

2.

Është po ashtu evidente, me kalimin e kësaj stine të zgjatur e zgjedhjeve, se Kosova nuk ka fituar stabilitet politik. Qeveria e vendit ka më shumë ministra e zëvendësministra sesa vota mbështetëse në Kuvend. Vota që mban të gjallë këtë Qeveri është ajo e Listës serbe, e cila nuk fsheh se vendimet i merr në Beograd.

Ende pa u mbushur 100 ditët e Qeverisë nuk mban mend kush, përjashtuar militantët e rehatuar, se cili është misioni i formimit të Qeverisë. Çështja e demarkacionit, kauzë me të cilën është identifikuar kryeministri, më 2018 nuk do të zgjidhet ashtu siç është proklamuar nga Qeveria. Kosova nuk ka aleatë për të shtyrë agjendën e Qeverisë në çështjen e demarkacionit.

Nëse nuk do të ketë zgjedhje vendore, nuk është e thënë se nuk do të ketë zgjedhje në nivel qendror.

3.

Nuk do të ketë vende të mjaftueshme pune. Vitin e ardhshëm 30 mijë qytetarë të rinj do të hyjnë në tregun e punës. Sektori publik do të mundë të punësojë një numër sish, si militantë partiakë. Sektori privat do ta ketë vështirë t'i punësojë, sepse është më pak konkurrent sesa ai publik në rroga, dhe nuk është në rritje e sipër. Në ekonominë e Kosovës më shumë rritet numri i zëvendësministrave sesa ai i kompanive private që ofrojnë punësim.

4.

Ata që nuk punësohen nuk do ta kenë më lehtë për të ikur nga Kosova e për të gjetur punë jashtë. Nëse vazhdon qeverisja e njëjtë, nuk do të ketë liberalizim të vizave. E reja dhe i riu kosovar do të kenë zgjidhje pothuajse të njëjtë si çdo vit më herët: të presin për viza me garanci nga kushërinjtë e tyre në Bashkim Evropian (përfshirë edhe garancinë e martesës) apo të nisen rrugëve të ilegalitetit për të hyrë në BE.

5.

Kosova nuk do të jetë vend kandidat për anëtarësim në BE (as anëtar i NATO-s, UNESCO-s etj.). Nuk ka ndryshuar gjë që do ta bënte Kosovën anëtare apo kandidate në BE. Udhëheqësit e vendit qoftë nga mosdija, oportunizmi apo që të dyja së bashku përmendin se së shpejti do të anëtarësohemi në NATO, UNESCO apo do të bëhemi kandidat për BE. Më 2018 nuk ka gjasa të ndodhë asnjëra prej tyre: Kosova është shtet i cili ka problem strukturor në marrëdhëniet me jashtë (shtetet që nuk e njohin në BE, NATO dhe OKB) dhe në marrëdhënie me veten, duke qenë një shtet që ende dëshiron për të qenë funksional.

6.

Nuk do të ketë FAK, apo ushtri të Kosovës. Pushteti i vendit me mosdije e ka futur këtë si çështje për të cilën duhet të vendosë Beogradi zyrtar. Beogradi zyrtar nuk ka treguar disponim që Ushtria e Kosovës të formohet më 2018 apo në cilindo vit tjetër pasues.

7.

Nuk do të ketë normalizim marrëdhëniesh me Serbinë. Serbia ka arritur dy depërtime strategjike. Njëri është Lista Serbe, që tashmë është faktori politik kryesor vendor, duke kontrolluar nëntë komuna dhe shëndetin e Qeverisë së Kosovës - pa të Kosova nuk ka qeveri. Tjetri është Marrëveshja e Brukselit me të cilën Hashim Thaçi me nënshkrimin e tij ia dha të drejtën Serbisë për herë të parë pas vitit 1968 që të bashkadministrojë në Kosovë.

Serbia nuk ka kurrfarë shtytje, kushtëzim apo presion që të heqë dorë prej dy depërtimeve të veta strategjike e të krijojë një politikë më të favorshme për Kosovën.

8.

Nuk do të ketë më shumë pozitivitet në sferën publike. Pushteti do të vazhdojë me kontrollin e RTK-së si medium që ka për bazë modelin financiar dhe politik të Radiotelevizionit të Serbisë të viteve '90, ku porosia pro-pushtet kombinohet me gjoja debat opozitar. Portalet e pushtetit, financuar nga paratë e pista të tenderëve dhe kontratave komerciale, do të ngrenë tonin negativ kundër opozitës ndaj shtetit të kapur. Njerëzit e ndershëm do të rrisin konsumin e hapave qetësues.

Beteja e shtetit të kapur nuk do të ketë të ndalur. Nëse janë vjedhur së paku 300 milionë euro nga autostrada për në Shqipëri, ato para do të vazhdojnë të përdoren për të blerë media e prokurorë, diplomatë e gjykatës, zyrtarë e aktivistë të shoqërisë civile.

9.

Vendi nuk do të ketë emër më të mirë. Në media ndërkombëtare do të përmendet arrestimi i këtij dhe atij zyrtari dhe njeriu me nam, gjë e pakrahasueshme me cilindo vend evropian. Mediet evropiane dhe botërore do të nënvizojnë faktin se Kosova është i vetmi vend në Evropë për të cilin u themelua një gjykatë speciale.

10.

Viti 2017 nuk do të përsëritet. Ai i ardhshmi ka gjasa të jetë më i mirë, ka gjasa po ashtu të jetë më i keq.

Se a do të jetë më i keq apo më i mirë varet në masë të madhe nga vetë qytetarët. Dhe ky është lajmi i mirë për vitin e ardhshëm. I vetmi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

musa27/11/2017 13:12

Aman ore po këto gjëra ne i dim qe 18 vjet.As gjë të re ! Këto fjalë jan si puna e djemve të Plakut; "Njëri tho do bie shi, e tjetri nuk do bie shi" !

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi