“Njerëz, ky është gjenocid”

Enver Robelli Enver Robelli 23 nëntor 2017 08:26

Ratko Mladiqi la një gjurmë gjaku në pothuaj tërë territorin e Bosnjë-Hercegovinës, pastaj jetoi në njëfarë arratie nën mbrojtje të ushtrisë. Që nga viti 2012 ai gjendet para Gjykatës së Hagës – këtë të mërkurë për krimet e tij do të flasin gjykatësit.

I.

Për shembull Damir Suliqi. Në korrik të vitit 1995, kur Ratko Mladiqi hyri me trupat e tij në Srebrenicë, Damir Suliqi ishte vetëm 15-vjeçar. Ai nuk e priste më të keqen. Para se të fillonte masakra e madhe serbe, Damir Suliqi i preu flokët, ishte një verë e thatë ajo verë e vitit 1995. Ishte një verë kur dridheshin gjinkallat dhe bletët nga krismat e armëve në malet përreth Srebrenicës. Trupi i Damir Suliqit – ose më mirë të themi kafka e tij – u varros sivjet, më 11 korrik, në 22-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. “Zot, të lusim që nga pikëllimi të bëhet shpresë, nga hakmarrja drejtësi, nga loti i një nëne një lutje”, tha gjatë ceremonisë së varrimit të 71 viktimave kreu i Bashkësisë Islame të Bosnjë-Hercegovinës, kryemyftiu Husein Kavazoviq. Nëna e Damir Suliqit tha: “Damiri ishte djalë i hareshëm...”.

II.

Të mërkurën, kur në Hagë do të shpallet aktgjykimi kundër Ratko Mladiqit, në sallën e gjykatës do të jehojnë fjalët e tij të thëna me rastin e hyrjes në Srebrenicë: “Jemi këtu, më 11 korrik 1995, në Srebrenicën serbe. Pak para një feste të madhe serbe po ia dorëzojmë këtë qytet popullit serb... Ka ardhur koha t’u hakmerremi turqve”. Myslimanët e Bosnjës kanë marrë fenë islame nga osmanët, rrjedhimisht për Mladiqin ata ishin ende turq të urryer, madje edhe gati 200 pas kryengritjes së parë serbe kundër Perandorisë Osmane. Kur të shpallet aktgjykimi shumëkujt do t’i kujtohet skena, kur Mladiqi para kamerës e poshtëron komandantin e trupave holandeze të OKB-së, kolonel-lejtënantin Thom Karremans. Mladiqi duke i dhënë një dhuratë Karremansit – “për ju dhe bashkëshorten tuaj”, Mladiqi duke ia ofruar një cigare Karremansit – “Merreni, mos u frikësoni, nuk do të jetë e fundit”, Mladiqi duke cakërruar gotën me gjasë me raki me holandezin e hutuar, të frikësuar dhe të braktisur nga bora. Karremans sot është pensionist, ka marrë gati të gjitha dekoratat e ushtrisë holandeze dhe thuhet se pjesën më të madhe të vitit e kalon buzë detit në Spanjë, në vilën e tij.

III.

Procesi gjyqësor kundër Ratko Mladiqit zgjati katër vjet e gjysmë. Prokuroria solli në gjykatë 169 dëshmitarë – mes tyre gra nga Srebrenica, ish të internuar në kampet e ushtrisë dhe policisë të serbëve të Bosnjës, mbrojtës të Sarajevës, ekspertë të forenzikës, emisarë të bashkësisë ndërkombëtare të ngarkuar me zgjidhjen e konfliktit në Bosnjë. Avokatët e Mladiqit prezantuan madje 208 dëshmitarë, shumica ish-vartës të gjeneralit të serbëve të Bosnjës dhe politikanë të serbëve të Bosnjës. Shumica prej tyre u përpoqën ta prezantojnë Mladiqin si luftëtar të hershëm kundër ekstremizmit islamik, ndërsa palën boshnjake e akuzuan se ka inskenuar dy masakra në qytetin e vjetër të Sarajevës. Gjatë rrethimit të kryeqytetit të Bosnjës, i cili zgjati më shumë se 1.400 ditë, u vranë mbi 11 mijë veta, mes tyre 1.600 fëmijë.

IV.

Mladiq ishte i vetëdijshëm për krimet e tij. Në prag të shpërthimit të konfliktit ai në Parlamentin e Republikës së serbëve duke iu drejtuar udhëheqësve politikë, si Radovan Karaxhiq dhe Momçilo Krajishnik tha se politika e “spastrimeve etnike” ishte diçka më e madhe: “Njerëz, ky është gjenocid”. Mladiq ishte oficer i lartë i Armatës Popullore të Jugosllavisë, ai i dinte rregullat e luftës, por verbëria nacionaliste e shndërroi në ekzekutor të gjenocidit. Pakkush me logjikë të shëndoshë beson në pafajësinë e Mladiqit. Pas dënimit të Radovan Karaxhiqit me 40 vjet burgim për gjenocid, një dënim i tillë – në mos burgim i përjetshëm - do të duhej t’i shqiptohej edhe Mladiqit. Por, njëri nga gjykatësit, gjermani Christoph Flügge, në një intervistë dhënë revistës “Der Spiegel” para disa vitesh kishte thënë se për të dënuar kriminelët e luftës në rastin e Srebrenicës nuk është e domosdoshme të përmendet fjala gjenocid. Kjo deklaratë pati nxitur zemërim në mesin e viktimave të luftës.

V.

Fundin e tij Mladiq e ka menduar ndryshe. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali i Hagës menjëherë pas përfundimit të luftës në Bosnjë, ai u tërhoq nga jeta publike, me gjasë në një bunker të Josip Broz Titos në Bosnjën qendrore. Trupat paqeruajtëse nuk kishin ndonjë interes ta arrestonin, prioritet kishte stabilitetin në Bosnjë. Në mesin e oficerëve të NATO-s kishte edhe të tillë që bashkëpunonin me palën tjetër, një ushtarak francez madje tradhtoi amerikanët dhe britanikët, shkruan Julian Borger, gazetar i “Guardian”, i cili ka shkruar një libër mbi ndjekjen e Mladiqit. Pasi amerikanët intensifikuan kërkimin e Mladiqit, ai iku në Serbi. Atje jetoi si mbret – me një rreth të hekurt mbrojtësish, me përkrahje nga shërbimi sekret, nga ushtria dhe politikanë nacionalistë, por mbështetje të madhe mori edhe nga shërbimi sekret rus FSB, ka treguar një këshilltar i presidentit Boris Tadiq. Mladiq deri në vitin 2008 ishte i paprekur nga askush. Kishte shofer, kamerier e kuzhinier personal. Me rënien nga pushteti të Qeverisë së nacionalistit Vojislav Koshtunica në vitin 2008, ushtria, nën presionin e Tadiqit, i cili ishte nën presion të madh nga BE-ja dhe SHBA-të, hoqi dorë nga mbrojtja e Mladiqit. Ai mbeti pothuaj vetëm, dhe u tërhoq në Vojvodinë, në fshatin Llazarevo. Atje jetonte te disa kushërinj të tij. Njëri prej tyre thuhet se duke folur në telefon tha disa fjalë që nuk duhej t’i thoshte dhe kështu autoritetet i ranë në gjurmë të shumëkërkuarit. E arrestuan në fund të majit 2011. “Unë jam ai që po e kërkoni”. Këto qenë fjalët e para të Mladiqit kur u ndalua. Para se të shkonte në Hagë ai kërkoi të vizitojë varrin e vajzës së tij. Kjo dëshirë iu plotësua. Ana, kështu quhej vajza, kishte bërë vetëvrasje më 1994 – me revolen më të dashur të babait të saj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli