OpEd

BE-ja është mësuar që Kosova të heshtë dhe t’i gëzohet suksesit të fqinjëve në procesin e integrimeve

Sa herë përballet me kritikat që nuk i ka ofruar Kosovës mundësi sikur vendeve të tjera të rajonit, në BE fajin e hedhin tek pala kosovare. Në BE janë mësuar që politikanët nga Kosova të jenë të dëgjueshëm, të mos ankohen, të falënderohen dhe të pranojnë çfarëdo që u thuhet. Prandaj janë befasuar dhe “ofenduar” me paraqitjen kritike të Haradinajt. Por, edhe kryeministri i Kosovës është futur në lojën e dhënieve të premtimeve që nuk mund të zbatohen. Për shembull, premtimin se vitin e ardhshëm Kosova do të marrë statusin e kandidatit nuk do të realizohej edhe sikur Kosova vërtet të ishte Zvicër

Një takim i aq pritur dhe i paralajmëruar në Bruksel e Prishtinë si rast për të përsëritur frazat e dëgjuara vite më parë për “perspektivën evropiane të Kosovës” dhe për “përkushtimin e BE-së që ta ndihmojë Kosovën”, takimi vjetor i Këshillit të Stabilizim-Asociimit nuk ka kaluar siç ishte pritur.

Se gjërat nuk kanë shkuar aq mirë në takim dhe se ai nuk ka qenë aq i rregullt sikur takimet me shtetet e tjera u fitua përshtypja pasi në momentin e fundit, pa paralajmërim, u anulua konferenca për shtyp në selinë e BE-së në Bruksel, në të cilën përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte dashur ta njihnin opinionin për rrjedhën e atij takimi.

Pasi arsyet zyrtare që janë dhënë, qoftë nga Zyra e zonjës Mogherini apo nga bashkëpunëtorët e kryeministrit Haradinaj, duken të jenë dhënë vetëm për naivët, janë hapur mundësitë për spekulime të ndryshme se pse ka ndodhur anulimi i saj.

Edhe pse gjithçka ishte gati për këtë konferencë shtypi, përkthyesit në disa gjuhë ishin në kabinat e tyre, ndërsa shërbimi satelitor ishte gati të transmetonte në kohë reale konferencën, e cila do të duhej të transmetohej edhe nga televizionet në Kosovë, kjo u anulua me arsyetimin e dhënë nga zëdhënësja Maja Kocijançiq se është bërë “për shkak të agjendës”. Edhe këshilltari i kryeministrit Haradinaj e më vonë edhe vetë Haradinaj, pasi u kthye në Kosovë, u cituan të ketë dhënë të njëjtin arsyetim.

Si zakonisht në raste të tilla edhe mbajtja e kësaj konference shtypi ka qenë pjesë e agjendës e paralajmëruar para shumë kohësh dhe pakkush ka besuar se “agjenda” ka qenë arsyeja e vërtetë e anulimit të konferencës për shtyp. Në pyetjen tonë drejtuar BE-së se kur ka ndodhur për herë të fundit të anulohet një konferencë e shtypit pas takimit të Këshillit të MSA-së me ndonjë shtet tjetër, ende as pas tri ditësh nuk kemi marrë përgjigje.

Mbetet përshtypja se kjo gjë po ndodh vetëm në rastin e Kosovës. Një ditë më herët pa problem është zhvilluar konferenca e shtypit mes BE-së dhe Serbisë e një ditë para asaj edhe ajo mes BE-së dhe Shqipërisë pas takimeve të Këshillit të Stabilizim-Asociimit me këto dy shtete. Takimet e këtij Këshilli në këtë nivel zhvillohen vetëm një herë në vit dhe ato janë rast i rrallë që të bëhen pyetje rreth Kosovës dhe zyrtarëve më të lartë të BE-së. Ata shumë rrallë dalin para gazetarëve me politikanë të Kosovës ndërsa nuk hezitojnë kur është fjala për politikanë nga vendet e tjera të rajonit. Kjo është edhe një dëshmi se Kosova nuk trajtohet as përafërsisht si partnere serioze siç trajtohen vendet e tjera të rajonit. Kjo nuk shprehet vetëm me mungesën e flamurit të Kosovës nëpër takime, por edhe në injorimin e opinionit të Kosovës dhe trajtimin e politikanëve të Kosovës si mysafirë të dorës së dytë.

Dhe ka pasur shumë spekulime që dëgjoheshin mes gazetarëve në Bruksel, por edhe nga diplomatët e vendeve anëtare që kanë mundur ta përcillnin takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit. Përshtypja pas shumë bisedave me ta është se atmosfera në takim nuk ka qenë ashtu siç në BE kanë pritur dhe siç janë mësuar më herët. Politikanët e Kosovës janë të njohur qëmoti për një gjuhë tjetër që përdorin në Bruksel dhe një tjetër në Prishtinë. Por duket se Haradinaj kësaj radhe ka dashur të jetë më i qartë dhe e ka thënë atë që mendohet në Prishtinë dhe që kryeministri i dikurshëm, sot presidenti Thaçi, e ka thënë disa herë në media, por jo edhe gjatë takimeve në Bruksel. Pra, është ankuar se Kosova nuk po trajtohet në mënyrë të barabartë, nuk ka liberalizim vizash dhe nuk e ka të njëjtë mundësinë për të ecur në procesin e zgjerimit të BE-së.

Në BE kanë thënë se “takimi ka qenë pozitiv në sensin se haptas janë shprehur qëndrimet e palëve për çështjet kyç” dhe kanë konstatuar se “është parë qartë se mungon mirëkuptimi nga ana e Kosovës, e cila nuk po e kupton se është një momentum i mirë për rajonin e Ballkanit dhe lëvizjen në procesin e zgjerimit”. Por të njëjtat burime në BE kanë tentuar të mohojnë njoftimet nga burimet diplomatike se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, e acaruar për shkak të kritikave të Haradinajt ndaj dialogut, si dhe kërkesës që edhe SHBA-ja të përfshihet në dialog, e ka lëshuar takimin.

Një ditë më herët Mogherini kishte qëndruar deri një fund të takimit me delegacionin e Serbisë dhe me kryeministren e këtij vendi, Ana Brnabiq, kishte dalë në konferencë për shtyp, edhe pse është vonuar konferenca për gjysmë ore, dhe kanë qëndruar aty gati një orë, derisa nuk janë përgjigjur edhe në pyetjet e fundit të gazetarëve. Të njëjtën gjë pa problem e kishte bërë ajo edhe me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Zonja Mogherini nuk del të flasë para gazetarëve as kur ajo organizon takime si lehtësuese e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, apo, siç thotë zyra e Mogherinit, “mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Sa herë përballet me kritikat që nuk i ka ofruar Kosovës mundësi sikur vendeve të tjera të rajonit në BE, fajin e hedhin tek pala kosovare. Në BE janë mësuar që politikanët nga Kosova të jenë të dëgjueshëm, të mos ankohen, të falënderohen dhe të pranojnë çfarëdo që u thuhet. Prandaj, janë befasuar dhe “ofenduar” me paraqitjen kritike të Haradinajt. Por, edhe kryeministri i Kosovës është futur në lojën e dhënieve të premtimeve që nuk mund të zbatohen. Për shembull, premtimin se vitin e ardhshëm Kosova do të marrë statusin e kandidatit nuk do të realizohej edhe sikur Kosova vërtet të ishte Zvicër.

Sikur vërtet Haradinaj të besonte se statusi i kandidatit mund të fitohet vitin që vjen, atëherë ai që të premten e shkuar është dashur ta kishte sjellë me vete aplikimin formal për anëtarësimin e Kosovës në BE. Sipas procedurës, Qeveria e Kosovës me mbështetje të Kuvendit duhet të marrë vendimin për aplikim, për anëtarësim në BE. Pas kësaj Kosova duhet formalisht t’ia dorëzojë aplikimin formal për anëtarësim kryesuesit të radhës së BE-së, në këtë rast Estonisë, apo pas 1 janarit Bullgarisë. Në rast se mendojnë se ka gjasa të kalojë vendimi kjo kërkesë do të shqyrtohej nga Këshilli i BE-së dhe, me vendim unanim do t’i jepej Komisionit Evropian mandati për të përpiluar opinionin rreth kërkesës së Kosovës lidhur me atë se a i përmbush apo jo kushtet për të fituar statusin e kandidatit.

Ky vendim në këtë moment ka shumë gjasa se do të bllokohej në Këshill nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Por, ta zëmë, edhe nëse kalon Komisioni do të duhej të përpilonte pyetësorin dhe t’ia dërgonte Kosovës. Kosova do të përpilonte përgjigjet në pyetësor dhe do t’ia kthente BE-së. Pastaj do të pasonin edhe nënpyetjet dhe pyetjet shtesë. Në fund Komisioni do të dilte me një “avis” (opinion) dhe do t’u rekomandonte shteteve anëtare se si të vepronin. Në rast se do të kishte gatishmëri tek të gjitha shtetet anëtare me unanimitet Kosovës do t’i jepej statusi i kandidatit. Pra, po flasim për skenarin më pozitiv të mundshëm. Edhe sipas një skenari të tillë nuk do të mundë të përmbyllej as procedura formale për më pak se një vit e gjysmë. Pra, viti 2018 nuk është i mundur dhe, thënë të vërtetën, nuk është fare reale të parashihet se kur mund ta marrë Kosova statusin e kandidatit dhe është shumë e mundshme që kjo të mos ndodhë në një të ardhme të afërt, së paku derisa Kosova të mos njihet nga të gjitha shtetet anëtare.

Prandaj edhe në BE duan të vazhdojnë të flasin me fjalor teorik duke përsëritur “momentume” për rajonin dhe premtime të tjera. Vërtet ka një “momentum” që Serbia të lëvizë, krahas Malit të Zi, sepse për këto dy shtete po përgatitet një strategji e veçantë se si të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025. Mund të ndodhë edhe për Shqipërinë e Maqedoninë ndonjë mrekulli dhe t’u jepet ndoshta data për nisjen e negociatave. Mund të ndodhë, ndonëse vështirë, edhe propozimi për statusin e kandidatit të Bosnjë-Hercegovinës. Por për Kosovën nuk ka asnjë premtim se mund të ndodhë diçka konkrete në këtë “vit të rëndësishëm për zgjerimin” dhe lehtë mund të ndodhë që, sikur edhe deri më tash, Kosova të mbetet me gishta në gojë dhe t’i gëzohet lëvizjes së fqinjëve në procesin e integrimit në BE. E madje edhe të kërkohet nga Kosova që të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë dhe të bëjë hapa të tjerë “të guximshëm” në këtë proces.

Kjo që ka ndodhur të premten në Bruksel mund t’i shkojë për shtati presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mund ta shfrytëzojë edhe këtë episod për BE-në të pakëndshëm që ta paraqesë veten si interlokutorin kryesor dhe për BE-në më të mirë nga Kosova. Por, problemi për BE-në edhe në të kaluarën nuk ka qenë si të sillen udhëheqësit e Kosovës në takime në Bruksel, Paris, Romë apo Berlin, por çfarë bëjnë në Kosovë. Për shembull, në BE gjithnjë e më shumë zemërohen pse Kosova nuk po i përmbush obligimet që Thaçi i ka marrë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Dhe tash, kur pothuajse është gjithçka gati që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve, mbetet frika në Bruksel se sa ka peshë presidenti Thaçi dhe cili është niveli i obligimeve që ai mund të marrë në emër të Kosovës. Ndonëse me shumë paqartësi, paraqitja e Haradinajt ka lënë përshtypje se jo gjithçka që është marrë si përgjegjësi në dialog mund të zbatohet me automatizëm në Kosovë.