Të jetosh në padrejtësi

Flaka Surroi Flaka Surroi 21 nëntor 2017 08:02

Po të më thoshte dikush se pas 18 vjetësh do të vazhdonim të jetonim në kushtet ku askush nuk mund as të ta ofrojë e aq më pak të ta garantojë fitoren e drejtësisë, do ta kisha shpallur të marrë. Por, në fund, të marrë dolëm të gjithë ne që besuam se Kosova e çliruar do të ishte ndryshe nga Kosova e okupuar. E kishim pasur gabim të besonim se ishim çliruar: na okupuan sërish dhe fëlliqtë

“Ka diçka të kalbur në shtetin e Kosovës” – do të ishte përshtatja e të famshmit citat nga Hamleti i Shakespearit pas asaj që e përjetuam këtë javë, dhe ku rolin kryesor e pati gjyqësia. Administrimi i keq i gjyqësisë; ligji që kurrë nuk ia doli të sundonte; tallja me ligjin e procedurat; kthimi në gjykimet politike të shekullit të shkuar ishin ato që na u ofruan në mbidozë, aq sa asnjë tru a trup që do të konsiderohej normal, nuk do të mundë t’i absorbonte. Po të më thoshte dikush se pas 18 vjetësh do të vazhdonim të jetonim në kushtet ku askush nuk mund as të ta ofrojë e aq më pak të ta garantojë fitoren e drejtësisë, do ta kisha shpallur të marrë. Por, në fund, të marrë dolëm të gjithë ne që besuam se Kosova e çliruar do të ishte ndryshe nga Kosova e okupuar. E kishim pasur gabim të besonim se ishim çliruar: na okupuan sërish dhe fëlliqtë.

Një proces i kurdisur

Java përfundoi, dy ditë para zgjedhjeve komunale, me dënimin e katër të rinjve, aktivistë të Vetëvendosjes, të akuzuar për terrorizëm. Vjet në gusht ndodhi sulmi me raketahedhës mbi ndërtesën e Kuvendit, nga një motoçikletë në lëvizje. Nuk pati viktima. Pati dëme materiale të riparueshme. Dhe pati një intencë inkriminimi dhe dënimi me çdo kusht.

U arrestuan pesë të rinj. Njëri nga ta do të vdiste në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të pasqaruara dhe nën mbrojtjen e shtetit. Katër të tjerë do të mbaheshin herë në paraburgim e herë në arrest shtëpiak – e pakapshme kjo e fundit, po qe se këta vërtet do të ishin terroristë. Sepse supozohet se terroristët janë aq të rrezikshëm, saqë duhen mbajtur të izoluar. Kjo ndodh gjithkund në botë. Veç në Kosovë jo.

Prokurori i Speciales, Abdurrahim Islami, ishte transferuar në këtë prokurori me shkelje të dyfishtë të ligjit nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. Pra, sipas raportit të IKD-së nga dhjetori i 2016-s, ky prokuror në fakt nuk do të duhej të ishte i angazhuar në asnjë rast, ngase kundërligjshëm ishte vendosur në atë pozitë. Kush nuk u lodh për këtë punë. U ngarkua me rastin e “terrorizmit”. I mbajti njerëzit në ajër; dhe pasi u ngrit aktakuza, la që të kalonin tre muaj para se t’i merrte në pyetje të akuzuarit. I priti provat e forenzikës; ato thanë se ADN-ja e gjetur në vend të ngjarjes dhe ajo e të akuzuarve nuk përputheshin. Provat u nisën në Amerikë, te FBI-ja. Kurse Byroja Federale e Hetimit nga SHBA-ja ktheu përgjigje se analiza krahasuese e fytyrave të të akuzuarve me pamjet e incizimeve që kanë shërbyer për këtë analizë, tregonte se ato nuk përputheshin. Në procedurën e marrjes së provave, vetë prokurori e pranoi para trupit gjykues dhe të të gjithëve në sallën e gjykimit, se duhej të paraqiste prova që në fakt i shfajësonin të akuzuarit.

Gjykata vendosi dje. Katër vetave ua shqiptoi një dënim të përbashkët prej 20 vjet e gjysmë burgim. Për terrorizëm, ku dënimi është minimum pesë vjet. Njëra nga të akuzuarat e mori dënimin prej 2 vjetësh. Tre u futën menjëherë në burg. Vajza u la në liri.

Çka ka qenë ajo që ka ndodhur ndërmjet 27 tetorit, kur prokurori tha se nuk kishte prova, dhe 17 nëntorit, kur gjykata vendosi t’i dënonte me faktet që prokurori thoshte se nuk ishin – do ta dijë trupi gjykues. Porse dëgjimi i shqiptimit të dënimit të këtyre të katërve me shpejtësi drite ma ktheu kujtesën te të gjitha gjykimet politike që u mbajtën në Kosovë pas vitit 1981, e në veçanti ato pas suspendimit të autonomisë, ku pushtetit i interesonte vetëm një gjë: dënimi i të akuzuarve, pati a nuk pati fakte.

Gjyqësia sipas Kushtetutës është pushtet i pavarur që e bën shtetin funksional. Vendimet e gjyqit nuk do të duhej të kontestoheshin, pos me fakte juridike. Porse gjyqësia në Kosovë prej kohësh nuk ka lidhje as me pavarësi e as me drejtësi. Prej kohësh, gjyqësia është nën ndikimin e fuqishëm politik, e këtë behane nuk ka mundur t’ia eliminojë as EULEX-i. Përkundrazi.

“Sinjalizuesi” i vonuar

Një ditë para se të ndodhte dënimi i katër të rinjve ndodhi “dorëheqja” e kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Martin Simmons. Ai tha se po jepte dorëheqjen, për shkak të korrupsionit brenda në EULEX. “EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”, do të deklaronte.

Simmons kishte qenë gjyqtar i EULEX-it që nga viti 2008 dhe ishte zgjedhur kryetar i gjyqtarëve më 2014. Nëse e ka ditur se ky paska qenë mision politik, atëherë pse nuk është tërhequr nga misioni që në fillim? Mbase i ka konvenuar paga e majme që e ka marrë nga Qeveria e tij, e cila e ka deleguar në EULEX, apo mbase edhe i ka konvenuar fakti se që nga koha e UNMIK-ut ishte fshehur fakti se ky kurrë nuk kishte punuar si gjyqtar në Angli, e që kishte qenë kusht për punësim në misionin e OKB-së. Ose që në fakt, ky detaj i biografisë së tij kurrë nuk mundi të konfirmohej.

Simmons me siguri di më shumë për misionin e EULEX-it sesa ne që jemi jashtë. Me siguri do t’i ketë dorëzuar pretendimet për të cilat flet në komunikatën e vet të dorëheqjes. Por ai gjithashtu e di se vetë është nën hetime për shkeljen e Kodit të Mirësjelljes, dhe kjo jo vetëm për një, por për disa raste që janë përtypur gjatë nga instancat gjyqësore. Pse iu desh të priste gjashtë muaj para se të mbyllej misioni i gjyqësisë për të treguar se diçka është e kalbur brenda në EULEX, pjesë aktive dhe e rëndësishme e të cilit ka qenë pothuajse dhjetë vjet. Nuk e besoj ta ketë bërë se ashtu ia ka diktuar ndërgjegjja. E besoj se, në rastin e tij, sulmi është mbrojtja më e mirë – duke ditur se po hetohej, me dorëheqje ia ka mundësuar vetes largimin elegant nga Kosova. Larg syve, larg zemrës.

EULEX-i u dëshmua mision tepër i shtrenjtë: ka kushtuar rreth 890 milionë euro për dhjetë vjet. Dhe u dëshmua i dështuar posaçërisht në aspektin e gjyqësisë. Termin “peshqit e mëdhenj” nuk e zbuluan kosovarët. Atë e sollën prokurorët e EULEX-it, dhe në fund na ofruan “gilica”, bile as të madhësisë së sardeleve të konservuara. Na sollën një numër rastesh që nuk përfundojnë as pas shtatë vjetësh, dhe në fund na e lanë një grumbull gjyqtarësh e prokurorësh që, varësisht nga urgjenca politike, marrin vendime e gjykime të shpejta, pavarësisht fakteve.

Prokurori ekspres

Njëri nga ta është prokurori Kujtim Munishi, i cili me shpejtësi të dritës e mbylli çështjen Lumezi dhe konstatoi se kryeprokurori e ka dhënë provimin dhe se mediat po bëjnë fushatë të orkestruar. Thuajse e dëgjon një politikan tek e arsyeton një veprim të vetin. Pra, edhe te ky sulmi është mbrojtja më e mirë.

Munishi i mbylli hetimet në afat prej 21 ditësh – ekspres hetim që zor që kemi parë ndonjëherë deri tash. Po të mos kishte pasur një varg lëshimesh në komplet procedurën, do të ishte për lëvdatë kjo shpejtësi marramendëse.

Para se ta thjeshtësoj analizën, me nja tri a katër elemente, të një dokumenti të gjatë me prova të bashkëngjitura, s’kam si t’i shmangem bindjes se kjo lëndë është mbyllur shkel e shko për ta ruajtur rehatinë politike. Ngase dëshmimi se certifikata e provimit të jurisprudencës e kryeprokurorit të Shtetit nuk është marrë me procedurë të rregullt dhe ligjore, do të nënkuptonte mashtrimin e vazhdueshëm në detyrë. Për pasojë edhe anulimin e të gjitha vendimeve që mund t’i ketë marrë prokurori presje është angazhuar në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Pra, çështja e kallëzimit për falsifikim i takon një vepre penale që është parashkruar. Pra, s’mund të hetohet. Por Munishi e ka hetuar. Munishi e ka urdhëruar Policinë që të bëjë konfiskimin e gjithë dokumentacionit, pa vendim të gjyqit, që është në kundërshtim me ligjin. Materiali i konfiskuar nuk guxon të mbahet më shumë se pesë ditë; ai ende vazhdon të mbahet, edhe katër javë më vonë, larg vendit ku do të duhej të qëndronte – në Arkivin e Shtetit dhe në Ministrinë e Drejtësisë.

I ka marrë në pyetje dëshmitarët e gjallë. Deklaratat e dëshmitarëve shqiptarë në vendimin e tij dallojnë nga ato që i kanë thënë para kamerave. Por dy nga tre dëshmitarët thonë se në Polici nuk kanë ndërruar deklaratë, dhe se mbesin pas asaj që e kanë thënë para se të ftoheshin nga Policia.

Tre nga dëshmitarët e gjallë kishin qenë serbë, që ishin instaluar në organet e pushtetit gjatë suspendimit të autonomisë dhe të masave të dhunshme. Në një situatë hipotetike, këta ishin njerëz që kanë mundur t’u shisnin çfarëdo diplomash kujtdo qoftë, e në veçanti shqiptarëve që atëbotë, jo të gjithë, i bojkotonin këto institucione. Njëri nga dëshmitarët, madje, i ka bërë referencë një personi të vdekur (si person që ka plotësuar formularë), i cili person, natyrisht, nuk mund të dëshmojë asnjë gjë. Po ky dëshmitar ka qenë ai, i cili i ka marrë dhe i ka mbajtur të gjitha librat amzë, dhe i cili ka pranuar se i ka bërë intervenimet me llak. Konstatimi i prokurorit është se këto korrigjime janë pasojë e administrimit të keq të librave dhe të dokumentacionit të asaj kohe, pra se kjo paska qenë praktikë. E këtu e ka shumë gabim – sepse kurrë më me kujdes se në atë kohë nuk është punuar në libra të arkivave të zyrave, se ndryshe e humbje punën.

Është jo pak befasuese se prokurori më shumë u beson administratorëve të dhunshëm serbë të Kosovës sesa vetë fakteve nëpër të cilat ka kaluar si nëpër të. Në asnjë vend nuk e ka sqaruar se si u bë që kryeprokurori ta paraqiste provimin para se ta përmbushte obligimin ligjor të praktikës njëvjeçare.

Dhe fare në fund – për një dokumentacion thellësisht të intervenuar jo në një, por në dhjetëra vende, nuk mjafton konstatimi me hamendje. Ekzistojnë ekspertë grafologë e kimistë që do të mundë ta përcaktonin kohën e intervenimit dhe dorëshkrimin, pavarësisht se njëri dëshmitar thotë se është i një personi të vdekur. Mund ta konstatojnë edhe cilësinë e letrës; edhe fotokopjen, edhe shumë gjëra të tjera. Por në këtë rast të mbyllur, kjo nuk kishte shans të ndodhte, për shkak se prokurori i rastit nuk ka qenë fare i interesuar për këtë.

* * *

KDI-ja pardje e botoi një raport për perceptimin e korrupsionit në drejtësi. Sipas hulumtimit, 58,5% e respondentëve besojnë se ka korrupsion në gjyqësi; 44,4% e prokurorëve shihen më të ekspozuar ndaj nxitjeve për sjellje korruptive; dy grupet më të zakonshme të qytetarëve të prirë për sjellje korruptive janë qytetarët e pasur, politikanët aktualë dhe zyrtarët qeveritarë, si dhe format më të shpeshta të nxitjes për të marrë pjesë në kryerjen e akteve të korrupsionit në Kosovë janë përfitimet materiale me 46,7% dhe mbajtja e raporteve të mira me aktorët politikë që do të çonin në shpërblime përmes emërimeve, dhe mungesa e mbikëqyrjes së pavarur (të dyja nga 8%).

Ata që përfshihen në përmbledhjen e këtillë të hulumtimit do të thonë se ky është vetëm një perceptim. Porse populli është ai që i ndien pasojat e këtij perceptimi, fjalë e cila do të duhej të zëvendësohej me “të jetuarit në padrejtësi”. Aty ku, po pate guximin të flasësh për këso deformimesh, do të mundë të mbarosh si palë e hetuar apo edhe e gjykuar.

Kurrë nuk i dihet, mbase tash radhën për t’u ndjekur e kanë mediat dhe gazetarët – sepse e kanë gjetur çelësin e Kutisë së Pandorës.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi