OpEd

Puna si trashëgimi pellazgo-japoneze

Dielli po vazhdon të na ngrohë ndonëse edhe pak javë hyjmë zyrtarisht në dimër. Të gjithë ata që tërë verën ankoheshin në vapë, tani varin buzët për të ngrohtit që po ikë dhe duan që dielli të zgjasë edhe më tepër. Thua ti është me sustë kjo punë.

Pastaj kur të bie borë, njerëzit do të befasohen prej saj në mes të dimrit, dhe, do të ankohen në të ftohtit, duke dëshiruar që vera të vijë sa më shpejt sërish.

Kështu është ky populli ynë. Vazhdimisht i pakënaqur dhe plot ankesa tërë ditën e lume. Por, kur vjen puna që të lëvizë dhe t’i ndryshojë gjërat, pason ajo e njohura: “A po çohesh ti allahile se diçka jam i zënë…”

Xhelozia ndërshqiptare

Ndërkohë njerëzit vazhdojnë e ankohen se po u vidhet rryma, prona publike, e drejta e lëvizjes së lirë, dinjiteti, kursimet, pensionet, toka, fjala e ku ta di. Hajt bre milet se nuk u ba kiameti. Nuk është se ndodhi sot që një shqiptar/e u bë e suksesshme, tjetra fitoi ndonjë shpërblim meritor ose filani ia doli që me djersën e vet të marrë tituj shkencorë. Eh, kjo do t’ishte e papranueshme, se vështirë është qe besa të frenohet xhelozia shqiptaro- shqiptare.

Është siklet i paparë ta shohësh tjetrin kah ngjitet shkallëve të jetës me shpejtësi, ndërsa ti ke mbetur poshtë si qyqja e natës. Do t’ia urosh sa për sy e faqe, ama nuk ta qetë goja. Do të gëzohesh për të, por nuk ta banë zemra. Se a të rrahu serbi midis Prishtinës, a po ia paguan ti faturat e rrymës, a po paguan kamata-fajde bankave, a po të kërcënojnë, ofendojnë a vrasin nuk ka dert. Me rëndësi është që ti mos ta shohësh suksesin e një shqiptari tjetër, krejt tjerat bëhen.

Pastaj, njerëzit edhe janë bërë të paduruar kohëve të fundit. Askush nuk ka kohë për dertet e dikuj edhe pse vazhdimisht ankohet vetë. Të gjithëve u mungon koha, a thua ti se e kanë agjendën e Donald Trumpit në jetët e tyre të thjeshta dhe mbushur kotësi.

Takon shoqen në rrugë dhe ajo ankohet për lodhjen, fëmijët. Ti ia aprovon dhe fillon të flasësh edhe vetë, por ajo largohet sepse ka “mungesën e kohës”.

Takon fqinjën plakë, e cila ankohet për reumën, veshët, sytë, vetminë dhe fluturimin e kohës.

Takon mikun e vjetër dhe ai ankohet në shumë punë, pamundësi takimi e mallin që ka për ty. Ti kërkon takim, por ai të shmanget sepse sërish ka mungesë të kohës.

E thërret kushërirën dhe ajo të flet me shpejtësinë e dritës sepse “ka një mijë punë” me “një mijë njerëz” dhe i mungon koha qoftë edhe për një bisedë telefonike.

Gjithë këta njerëz që vazhdimisht ankohen në mungesë kohe dhe që kanë shumë punë. Punë, punë, punë.

Sa shumë që punohet në Kosovë ore njerëz! Vërtet çudi që nuk jemi shpallur shtet i pavarur qysh në kohën e Skënderbeut me gjithë këtë “punëtorllëk” që e kemi në gjak den baba den. Besoj se më e besueshme është se kemi prejardhje të përbashkët me japonezë, nuk ka shpjegim tjetër.

Të gjithë ne punojmë, por nuk e dijmë çka. Nuk është me rendësi. Thjesht veç ideja se po punojmë diçka, është punë. Dhe kur e ke këtë ide në kokë, nuk ka rendësi a je duke pirë makiato tërë ditën në të njëjtën karrike kafeneje sikur ke lëshuar rrënjë. As a je tuj ça dërrasa në Facebook kundër këtij apo atij kandidati partiak. Ti thjesht je në punë. Aq më tepër, nganjëherë ty të duket se, po nuk çave dërrasa një ditë në Facebook, të tjerët vdesin sepse nuk mund të jetojnë pa paçavuret tua. Të presin si zogjtë e kumrisë. Kështu që ti vazhdon dhe e bën punën tënde e besa shpesh edhe paguhesh për pallavra e propagandë. Dhe ndihesh mirë. E ke gjet veten në punën që e do dhe i përshtatet personalitetit tënd.

Qeveria si punëdhënësi më i madh

E ku ka më mirë se këtu? Papunësi hamamin. Pse po rreni njerëz kot? Veç hajt të ankohem diçka. Si mund të ketë papunësi kur ti tërë kohën ankohesh se po punon shumë. Bile edhe po e beson rrenën tënde nganjëherë. Qofsha e gabuar! Ndoshta po hyj në gjynah. Ndoshta ti ke qëlluar zëvendësministri i dytë në ndonjë ministri koti si ajo e diasporës, dhe je kah punon si lokomotivë. E qite në dritë diasporën. Ia ke hekë edhe kartonin e gjelbër, pritjet e gjata në kufi dhe çmimet e shtrenjta që ua futni prej tregtarit e deri te Qeveria, kështu si për “njofshëm”sa herë vijnë.

Ose ke qëlluar këshilltari i katërt i ndonjë politikani tjetër dhe si 22-vjeçar/e që je, ke shumë përvojë për ta drejtuar kah politikat e duhura botërore. Këputesh punë. Qit kafe, qit buzëqeshje.

Shumë injorantë ata amerikanë që marrin për këshilltarë pleq, doktorë shkencash e profesorë të tjerë universiteti. Total amatorë. Lëre që as u rrinë mirë fundet e ngushtë as të shkurtër.

Ose je një ndër dhjetëra zëvendësministra që merr rrogë kot, ama lodhesh shumë me punë sa sinqerisht nganjëherë edhe harron çfarë është në fakt puna jote. Ja po ta përkujtojmë: Puna jote është…ups, prit. Në fakt, puna jote nuk ekziston. Por, ekziston ti, shefi yt dhe paratë që ti ia merr ndonjë veterani të luftës ose pensionisti. Aferim. Merre edhe ti ndonjë zëvendës se helbete, mundesh me qëllu në “opqinë” kaniherë.

Pensionistët në ndryshimin “e ri”

E sa për pensionistët, kjo shoqëri nuk ka nevojë për ta. Nuk ka dert se prej tyre vijmë ose se nesër do bëhemi si ata. Momentalisht janë tepricë humane dhe sinqerisht, bash të lodhshëm dhe panevojshëm. Pse nuk na i rrisni pensionet, jo pse nuk kemi privilegje, jo pse nuk kemi shtëpi pleqsh, klube pensionistësh e ku ta di njëqind kërkesa të tjera.

E pse jeni ju gjallë? Kujt po i duheni në këtë vend? Vdisni more njerëz, pos nëse nuk jeni prindërit e ndonjë politikani a biznesmeni dorëlirë. Mos ia ngushtoni shpirtin Qeverisë me ankesat tuaja, se ata a po shihni sa janë të zënë, sa puna, sa sendi. Mangut e kanë me u marrë me pleq e me fëmijë.

Në fakt me qenë ky shtet i mençur, nuk kishte lejuar askënd tjetër të kandidojë për asamblist, pos pensionistët. Përvojën e kanë, kohë të lire - po, nevojë për një pagesë - po se po. Kush zërin e tyre nuk e dëgjon ashtu se ashtu, seancat janë koti zakonisht, fuqi nuk kanë për grindje e fyerje. Vërtetë, nuk ka asnjë kuptim që të kërkojmë prej njerëzve të rinj me plot elan për punë e kreativitet, të kandidojnë e të bëhen asamblistë. Flasin gojëkëqinjt se shqiptari e lakmon punët e asamblistit e deputetit pikërisht, sepse sjellin fitime pa punuar gjë. Aman njerëz, pse po bëheni shpirtzi. Përkundrazi, një deputet sot punon aq shumë sa jo veç rroga, por duhet edhe mëditja. Jo veç mëditja, por vazhdon pagesa edhe e një vit pasi deputeti e kryen mandatin. Me çfarë baze? Me punë pra. Vetëm dilni kafeneve në pike të orarit të punës dhe shihni nëse gjeni karrige boshe. Pse është kështu? Sepse njerëzit pushojnë nga puna e tepërt. Jo sepse nuk punojnë.

Sharja si punë dhe vlerë kombëtare

Madje këtu, aq shumë e duam punën sa punojnë edhe fëmijët e vegjël. Edhe atëherë, kur duhet të jenë në shkollë detyrimisht sipas ligjit. Fëmijët shesin rrugës cigare, bartin pesha me karroca, lyejnë këpucë bëjnë muzikë dhe pastrojnë xhama veturash.

Natyrisht, askush nuk interesohet dhe as i përndjek prindërit ose shfrytëzuesit e këtyre fëmijëve, sepse policia dhe prokurorët e kanë kuptuar që edhe këta fëmijë, janë thjesht të dashuruar në blozë dhe asfalt. Shpina e tyre ua kërkon barrën e thasëve që e bartin për disa lekë.

Plus që prokurorët kanë vetë shumë punë dhe nuk mund ta ngrenë kokën nga gjithë ato raste që i zgjidhin vështirë, nëse nuk paguhen mirë. Duke liruar kriminel pas krimineli, këta njerëz shpirtbutë, kanë vendosur që bashkë me ryshfetin, të bartin edhe mëkatet e tyre mbi shpinën pa kurriz. Kësaj i thonë punë hakikat. Hallall secila pare që e marrin. Po kush po mërzitet për kriminelë duke i pasë prokurorët? Kurrgjë mos bëfshin, ua nxjerrin të zezat njëri-tjetrit. Krimi-show.

E show kemi edhe nëpër rrjete sociale. Telallët e Facebookut kanë kaluar nga njollosjet e prindërve, në dajallarë, teze e halla. Tepër interesant. Shahen pa hesap motrat, nënat, vajzat, të vdekurit, paraardhësit dhe ata në djep. Çfarë bese e shqiptarit, çfarë kanuni çfarë bakraçi. Pos këtyre pisllëqeve, tash janë shtuar pa lidhje e pa kuptim, edhe fjalët “racist” (a nuk ishte fjala për racë?), fashist, shovinist, komunist, -ist, -ist, -ist të tjerë.

Dhe kështu ndodh kur një “gojë flliqist/e”sa herë zgjohet në mëngjes, fillon të zbulojë, thotë, pallavrojë, nënçmojë, fyejë dhe linçojë të tjerët në rrjete sociale, ku fshihet si mi kanalizimi. Jo vetëm pse e ka kënaqësi. Por, sepse e ka punë. Thjesht paguhet për këtë.

Na mungon vetëm edhe diçka. Ta shpallim sharjen, fyerjen, ofendimin dhe urrejtjen si vlerë dhe trashëgimi kombëtare. Eh, atëherë mund të themi lirisht se 80 për qind e shqiptarëve punojnë dhe i ruajnë me xhelozi vlerat tona. Do vënë dorën n’zemër sikur për himnin, sa herë t’u shahet “nona”.